Saturday, January 17, 2015

Miti i rremë i bashkë jetesës fetare

Dy ngjarje të kohëve të fundit, vizita e Papa Françeskut në Tiranë dhe marshimi ekzotiko- qesharak i katër krerëve të komuniteteve fetare në Paris, i kanë dhënë, edhe një herë, hov zërave të atyre që mbajnë gjallë mitin e një vendi kampion për tolerancën fetare.  Sipas tij, Shqipëria është vendi ideal ku besimet e ndryshme bashkëjetojnë paqësisht, ku muslimanë, ortodoksë dhe të krishterë mirkuptojnë
njëri- tjetrin dhe pothuajse nuk kanë pasur asnjë përplasje të madhe mes tyre (me përjashtim të ndonjë episodi si ai i Haxhi Qamilit), në emër të besimit.
Këtij miti goxha të përhapur në viset tona i është kundërvënë kohët e fundit edhe një pikpyetje e madhe që e ka ngritur idhtari i paepur i demistifikimit në këtë vend, Fatos Lubonja dhe disa mbështetës të tij. Thelbi i qëndrimit Lubonjës ngrihet në një pandehmë: si është e mundur që tek ky popull, tek i cili nuk shfaqen shenja të tolerancës dhe mirkuptimit për tjetrin, ku nuk ka ndonjë përpjekje serioze për të njohur të ndryshimin dhe për ta pranuar atë, mund të ketë mbirë nga shkretëtira ky mirkuptim mes besimesh fetare?! Duke u nisur edhe nga historia e tij personale prej të burgosuri politik, Lubonja ngre pyetjen:  Pse qenkemi treguar kaq të egër me njëri- tjetrin pothuajse në gjithçka dhe vetëm kur vjen fjala për fetë paskemi qenë të ndryshëm?
Dua ta them hapur që në fillim se jam me Lubonjën në këtë debat. Miti i tolerancës fetare midis nesh, është një mit i ekzagjeruar. Simbolika më e mirë për të treguar se si mbahet gjallë ai është pikërisht episodi i fundit.  Marshimi i katër klerikëve shqiptarë në Paris (ironikisht përmes bulevardit Volter) në nderim të viktimave të revistës “Charlie Hebdo”. Për të gjithë shqiptarët që banojnë këtu, ajo u tregua si një triumf, si një duartrokitje e tolerancës shqiptare nga parizjenët, si një brohoritje masive e parakaluesve të një vendi ku besimet dinë të bashkëjetojnë në harmoni me njëri- tjetrin. Kështu e treguan këtë ngjarje të gjiitha mediat tona e madje kështu e tregoi atë në një intervistë edhe përfaqësuesi i komunitetit musliman (me emër aspak të tillë) Ylli Gura.
Në fakt dëshmitarët që kanë qenë bashkë me klerikët tanë në Paris, tregojnë se ata që i duartrikitën, as nuk e kuptuan që ishin shqiptarë edhe as nuk dinin gjë për bashkëjetesën vllazërore mes feve në Shqipëri. Ata u emocionuan nga kostumi ekzotik i baba Mondit, e gjelbërta e ndezur e të cilit, krijonte një kontrast të madh me mjekrën e zezë të përfaqësuesit të ortodoksëve dhe me mantelin e bardhë të Yllit të delegacionit. Pra shkurt u duartrokit bashkimi i disa specieve atipike dhe jo simbolika e tolerancës që ata donin të kumtonin. Por me një “transformim të vogël” , lajmi i perceptuar ndryshe në bulevardin Volter, u shit në Tiranë për t’i shërbyer mitit. Sikur Franca e tmerruar nga dhimbja terroriste e kishte zili tolerancën fetare të shqiptarëve.
Po nëse ky mit është ngritur pak e nga pak, me episode të tilla që eksportohen jashtë për t’u bërë pastaj më të besueshme këtu brenda, mbrojtësit e tij, me të drejtë, mund të ngrenë një pyetje: dakord thuhet se miti i tolerancës është i rremë, dakord që ka njerëz që duan ta shfryjnë atë, por a nuk është një argument kundër tyre fakti që pothuajse kurrë shqiptarët nuk janë përplasur mes tyre për një konflikt fetar? A nuk mjafton argumenti se ata janë përleshur për gjithçka, kanë qenë disa herë në prag të përplasjeve civile, por si motiv për këtë nuk ka shërbyer në asnjë rast feja? A nuk i shkon për shtat tezës së bashkëjetesës edhe fakti se në disa nga aktet themeluese të shtetit shqiptar, kanë qenë të gjithë bashkë, katolikë muslimanë dhe ortodoksë?
Të gjitha këto pyetje retorike janë të vërteta. Shqiptarët pothuajse nuk kanë hyrë kurrë konflikt për fenë. Ata kanë bashkëpunuar në emër të kombit duke e anashkaluar atë. Por kjo nuk do të thotë aspak se ata janë treguar tolerantë. Shpjegimi është tjetër. Ata thjesht e kanë shumë të dobët, pothuajse të papërfillshëm sentimentin fetar. Vetëm kjo e arsyeton faktin se ata mund t’i lënë pas ndasitë fetare për t’u marrë vesh për gjëra të tjera. Vetëm kjo e arsyeton paradoksin se ata mund të jenë konfliktualë për gjithçka, por jo në emër të zotit.
Se sa e dobët është fibra e besimit tek ne, këtë e tregon edhe historia. Jo më kot ishim populli i Ballkanit që u konvertua më masivisht në muslimanizëm pas pushtimit turk. Të gjithë ata historianë  që e kanë rrëfyer këtë proçes, të nisur që në fundin e shekullit të XIV dhe të masivizuar në shekullin e XVII, flasin për “adjemi oglan” arbërorë, që ishin gati të ndërronin fenë në emër të të qenit xhandarë të ballkanit për llogari të turqve.
Sesa e dobët ishte kjo fibër mes nesh, e tregon edhe fakti se komunizmi na kthehu lehtësisht në vendin e vetëm ateist në botë, pa ndonjë rezistencë të madhe nga popullsia. Të gjitha diktaturat e kuqe komuniste, nga Kamboxhia khmerëve të kuq e deri në Poloni, nga Kina e revolucionit kulturor e deri në kubën e Fidelit, e margjinalizuan rolin e fesë, por askush nuk mundi ta zhdukë atë.
Mjaftojnë qoftë edhe këto fakte historike për të rrëzuar mitin e tolerancës sonë fetare. Sepse askush nuk mund të jetë intolerant për diçka tek e cila nuk beson. Sepse askush nuk mund të hyjë në konflikt, për një gjë të cilën nuk e ka marë seriozisht.
Për fatin tonë të mirë apo të keq, ky ka qenë edhe raporti ynë me fenë.
(Lapsi.al)

No comments: