Thursday, December 4, 2014

Emigrantët, një milion shqiptarët, që mbetën të huaj andej dhe këtej…!

Nga: ASTRIT KOSTURI
Nuk po them sa shumë telefonata kam marrë, as numrin e vendeve prej nga janë nisur këto biseda telefonike me shqiptarët emigrantë, por dua të shfaq preokupacionin, dhimbjen dhe shqetësimin e tyre kryesor për Shqipërinë dhe politikën e saj konfuze, që ndjekin prej andej me zemërim.
Kërkesat e tyre janë modeste në krahasim me kontributin që kanë dhënë për vendin në këto 24 vjet.
Mbi të gjitha, ata ndjehen të përdorur e të abuzuar, të vjedhur dhe të mashtruar, duke fajësuar në radhë të parë klasën politike shqiptare të vetëkrijuar prej viteve ’90, e cila i ka parë emigrantët si një mall tashmë i eksportuar, që duhet të sjellë gjithnjë e më shumë të ardhura në euro, qoftë edhe duke i grabitur me mekanizma shteti apo marrëveshjesh ndërshtetërore.

Përmes këtyre bisedave më erdhën në kujtesë maskarenjtë (natyrisht, të lidhur me politikën), ata që njoha në ato vite të hemorragjisë së madhe shqiptare, që na transportonin deteve të egërsuar, pasi na kishin shitur nga një vizë false, ata që në mënyrë çnjerëzore ishin sjellë rrugëve të ngushta të emigracionit, duke na grabitur e torturuar.
Po ku t’i dinë qeveritarët e shtetarët e këtyre viteve tragjike për popullin, përderisa asnjëherë nuk i provuan këto vuajtje ekstreme…!?
Prandaj po jap më poshtë një opinion, për këta shqiptarë të sakrificës, të mbetur të huaj rrugëve të botës, por dhe më keq se të dërrmuar shpirtërisht, kur ndjehen të huaj edhe në vendin e tyre.
Kush nuk e di se emigrantët shqiptarë janë pjesa më e diskriminuar e shoqërisë sonë, edhe pse më kontribuuesja në krijimin e vlerave materiale shpirtërore të kësaj shoqërie, në zgrip të ekzistencës në këto kohë traumash e krizash kolektive, të nisura prej vitit 1990.
Që kur thyen muret e ambasadave dhe deri më sot kur bota moderne theu shengenin e trishtë europian, këta emigrantë kanë dhënë gjithçka për vendin e tyre, djersën, mundin, gjakun, pasionin dhe ëndrrën që vendi i tyre të ishte një vend i denjë në familjen e madhe europiane.
Duhet thënë se standardet jetësore, kriza ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore, me të cilat ballafaqohen shtetet e BE-së dhe ekonomitë e tyre, ndërkohë që emigrantët e veçanërisht ata shqiptarë në këto vende ndihen dyfish të stresuar e në krizë të plotë. Kjo, pasi ata përcjellin në vendet ku punojnë e jetojnë krizën e vendit nga vijnë, pra krizën e vendit të shqiponjave dhe mbartin me vete krizën e një paragjykimi gati sindromik e racor, që si merimangë mbështjell jetën e tyre të vështirë, në këto vite ku kanë ikur për një jetë më të mirë.
Të vjen keq, tmerrësisht keq, kur shikon Shqipërinë e varfër, se si i ka “përzënë” bijtë e saj më të mirë në dhe të huaj, por edhe atje, vëllezërit tanë po vuajnë përsëri. Damka e paragjykimit i ndjek kudo pas si një mallkim. Mallkim në vendin nga ikën për një jetë më të mirë, mallkim në vendet pritëse. Çfarë dreq fati për këtë vend, për këtë popull të kalvarizuar në një epokë deliri kolektiv, në një betejë fantazmagorike me hijet e së shkuarës, me alibitë e një tranzicioni të sëmurë. U nda për së gjalli shqiptari me shqiptarin, por tashmë më keq se kurrë, pasi veç lirisë, që na u kthye në një gjerdan shtrëngues në fyt, u ndamë edhe nga mirëqenia e të ardhurat, dhe s’ka më keq se ndarja pasurore. Politika infantile e Tiranës zyrtare na bëri si dy Koretë, si nata me ditën, njëra Kore – shqiptarët brenda kufijve shtetërorë të imponuar dhe Koreja tjetër – jashtë kufijve, në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, Zvicër, SHBA, Australi e gjetkë, kudo ku punojnë e rropaten emigrantët tanë, emigrantët e tokës krenare të shqipeve.
Por duhet thënë se ka disa kohë që emigrantët nuk janë më shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë dhe kjo nuk ka ndodhur as në pushimet verore dhe as në festat e fundvitit, kur ata vërshojnë zakonisht për të takuar të afërmit e tyre dhe për t’u çmallur me vendlindjen. Tronditja botërore e ekonomisë ka pështjelluar një krizë të re edhe në komunitetin e tyre. Për pasojë, ndihma ekonomike për familjet në Shqipëri është po kaq e pamundur sa edhe i hidhur është ky realitet për ata. Për herë të parë në historinë e emigrimit shqiptar, bujaria e tyre sot është e brishtë, aq sa nuk mund të thuhet që dashuria e tyre për vendin e tyre vazhdon të jetë siç ka qenë gjithmonë, motivi i ngushëllimeve të ardhshme.
Deri dje, shumë njerëz mendonin se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të sfilitura shqiptare ishin si “diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional”. Kurse sot janë të paktë ata që mendojnë se heroizmi i tyre përballë shkulmeve raciste është çështje e ditës. Dhe kjo, edhe për shkak se morali i ditës shqiptare është marrë peng nga paqartësia e gjërave, nga deliri dhe makutëria e atyre që ngrenë dhe ulin podiumet politike të radhës me emrin e emigrantëve në gojë, por siç thotë populli “fjalë të bukura e gurë në trastë”.
Duhet thënë me plot gojën se shqiptarët, brenda vendit edhe jashtë sot janë të kërcënuar nga zymtësia e së ardhmes. Ndërsa të parët kanë dëshpërim sigurimin e vështirë të bukës së gojës, të dytët kanë frikë të shpresojnë kthimin në vendin e tyre, ku mbretëron dëshpërimi i të parëve dhe ku pritja e tyre s’ka asgjë të përbashkët me mallin dhe dëshirën që ata të bëhen pjesë e qenësishme e një realiteti të mundshëm që duhet të ndryshojë me shpejtësinë e dritës.
Politika nuk ka se çfarë të thotë më, boll ka gënjyer dhe shqiptarët kanë bërë sikur kanë besuar: emigrantët tanë janë të keqpërdorurit e saj të mëdhenj, një keqpërdorim i vrazhdë, brutal, pa limit. Ata janë trajtuar si njerëz pa atdhe, të huaj në vendet ku punojnë e jetojnë për një copë bukë, por akoma më të huaj në vendin e tyre, ku vijon të ngjitet në podiumet politike mashtrimi i radhës dhe projeksioni politik ndaj tyre është në kuotat më të larta të këtij supermashtrimi.
Por jo vetëm shqiptarët. Edhe grekët, edhe italianët, edhe fqinjët e tjerë, duket se e quajnë luks të ushqejnë ende si dikur në shpirtrat e tyre fobinë për të huajt, për emigrantët, sepse hallet e botës sot janë më të mëdha se shkulmet e krenarisë…
Ndoshta edhe për shkak të krizës është e dukshme një rënie e furisë nacionaliste sidomos në Ballkan, ku dhe kur kriza e botës është afruar si tajfunet shkatërruese në verë, në brigjet e Floridës apo Meksikës.
Ndërsa stuhia ka prekur Greqinë, as ajo, as fqinjët e saj nuk kanë profetë në gjirin e tyre, të parashikojnë çfarë mund të ndodhë më pas në të ardhmen. Por nëse ata nuk kanë profetë, ne, në këtë vend të zymtë e të trishtë deri në dhimbje nuk kemi as njerëz të denjë (të paktën ata që kemi në krye të politikës), për të na vënë një dorë te kryet kur na dhemb koka. Në të vërtetë, racizmi ndaj emigrantëve është tulatur kohët e fundit dhe kjo jo vetëm falë shpërqendrimit dhe frikës nga fatalitetit ekonomik, që sjell trokitja e pashmangshme e krizës, por edhe falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë ne vendet ku jetojnë. Të gjithë e dimë se kjo ka qenë një aventurë e vetmuar e shqiptarëve në mërgim për të vërtetuar me vlerat e tyre, vlerat kombëtare në sytë e botës.
Por ndërsa janë lehtësuar njëfarësoj prej rëndesës së huaj, përkundrazi, shpërfillja e shtetit shqiptar sot është e dyfishtë. Aq më pak politika e Tiranës ka interes për ta, sepse sot ata nuk mund të ndihmojnë vendin e tyre. (Madje, ata kishin qenë të harruar e të lënë mënjanë për vite me radhë, edhe atëherë kur dërgonin kursimet e djersës familjeve të tyre për vite me radhë).
Sot që ata nuk mund të ndihmojnë, aq më pak qeveria shqetësohet për problemet e tyre, vetminë e tyre, papunësinë e tyre dhe vështirësitë e tyre, në kushtet e krizës.
Pasi e kanë administruar me babëzi dhe mediokritet këtë vend, për njëzetë e katër vjet me radhë, çfarë e ka e shtyrë edhe dinjitetin kombëtar drejt greminës, pushtetarët janë shqetësuar jo aq për problemet e shumëfishuara të emigrantëve, sa për kthimet e tyre masive. Sepse ata e dinë, ashtu siç e dinë të gjithë se dërrasat janë zbërthyer dhe Shqipëria nuk mund të përballojë papunësi të re dhe të papunë të rinj në mes të rrënimit.
Të gjendur mes dy të këqijave (sa ogurzezë të hezitosh të shpresosh tek baza jote), emigrantët tanë sot janë personazhe të një drame të re.
Nëse vështrimet do të bien mbi ta, drama përsëri do të vazhdojë, sepse kjo do të ndodhë vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht dhe vetëm djallëzisht në fushata elektorale. Në çdo rast, në çdo kohë, në çdo analizë, zhgënjimi është i pamatshëm dhe këndvështrimi ndaj emigrantëve një këndvështrim gati i sëmurë, duke i përfytyruar vetëm si njerëz në dispozicion të nevojave tona vetjake e kolektive, por jo si njerëz që dhe ata kanë nevoja dhe duan një dorë të ngrohtë mbështetje për t’u integruar në tokën e tyre, në vendin e tyre.
Vëmendja për dilemat e emigrantëve ka pak gjasa të ndodhë: të kthehen në vendin e tyre, të vuajnë me njerëzit e tyre, apo të durojnë deri në fund në emigrim. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës, që është aq më e qartë sa më të mëdha janë problemet për ta, është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje të përjetshme që nuk mund të shpjegohet.
Emigrantët ishin lënë dhe vazhdojnë të jenë vetëm në hallet e tyre, sot më shumë se kurrë, si një komunitet rrugëhumbur. Lënia në mugëtirën e tyre dhe poshtërimi social që ju bëhet, ndërkohë që ata janë absolutisht pjesa më e pastër, me e painfektuar dhe më e qytetëruar e shqiptarëve, është dëshmi e sigurtë e krizës së vetëdijes kombëtare, që qëndron mbi të tjerat.
Prandaj, shpërfillja shtetërore ndaj problemeve të tyre dhe ndaj civilizimit të sigurtë që ata kanë fituar gjithë këta vjet në Perëndim, nëse deri sot ka sjellë zhgënjim komunitar, sot po provokon një agresivitet të ndërsjellë dhe të shkujdesur ndaj politikës në vendin e tyre…
Por, veç këtij zhgënjimi, një pjesë e shqiptarëve perëndimorë, të lodhur e të vetmuar në durimin e përbindshëm për të pastruar fytyrat e tyre, sot janë po aq indiferentë ndaj politikës në Shqipëri, sa mospërfillëse ka qenë edhe politika e shtetit ndaj tyre gjithë këta vjet. Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti është fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do mund të sjellë shpresën e ndryshimit në të.
Me fjalë të tjera, zhgënjimi vazhdon, bile tashmë me një ritëm të çmendur, gati të sëmurë, ankthioz e sindromik!
Pak gjëra thuhen e shkruhen për emigrantët, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, edhe në ditë të mira, edhe në krizë, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë për ata. Nuk është bërë asgjë asnjëherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë, nuk po bëhet dhe mbase nuk do të bëhet kurrë (të paktën jo nga kjo klasë politike). Ky është një gabim historik, dhe është gjithashtu i pafalshëm, po të llogaritet që për disa bindje të të huajve ne vazhdojmë të jemi një realitet i rëndomtë, i ulët, një vend pa histori, pa vlera, pa kujtesë, ndonëse ato ekzistojnë.
Emigrantët tanë nuk kanë të drejtë vote në vendin e tyre (por as në vendet ku punojnë e jetojnë), nuk kanë asnjë përfaqësues në Kuvend. Për më tepër kur vijnë në Shqipëri, e cila i ka mbijetuar në një farë mënyre krizës klithëse e paditëse vetëm falë kontributit të tyre, i gjejnë pronat të grabitura, llogaritë bankare të boshatisura, por mbi të gjitha gjejnë mosmirënjohje, e cila i mbështjell me një cipë të ftohtë e të akullt, të pamëshirshme. Ata nuk janë pak, por rreth një milion shqiptarë, shtresa më fisnike e kësaj shoqërie të vrarë nga ky tranzicion primitiv, që presin të gjejnë vetveten në një vend, që ka humbur të paktën përkohësisht shtegun për tek e ardhmja dhe kjo është vërtetë e trishtë dhe e dhimbshme.
*Kryetar i “Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve”
(d.d/GSH/BalkanWeb)

No comments: