Sunday, November 30, 2014

PD, Ristani zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm, Paloka dhe Spaho, nënkryetarë. Basha: Partia duhet e freskët

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD. Edi Paloka dhe Edmond Spaho zgjidhen mnënkryetarë të Partisë. Posti i Sekretarit të Përgjithshëm fitohet nga Arben Ristani.

TIRANE – Kjo e dielë ishte një ditë e ngjeshur për Partinë Demokratike. Demokratët mblodhën sot Këshillin Kombëtar, për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese.
Ajo që ngjalli interes ishte gara për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Për këtë post, kandiduan Eduard Selami, Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani, ku fitues rezultoi ky i fundit. Po kështu u votua edhe për drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretarëve, emart e të cilëve u shpallën në mbrëmje.
RISTANI: FALENDEROJ BERISHEN QE ME BERI PJESE TE POLITIKES
Fituesi me 101 vota, Arben Ristani në prononcimin e parë pas zgjedhjes u shpreh se kjo ishte “Një garë e lirë midis njerëzish me kontribute dhe figura te çmuara të PD”.
“Falenderim i madh për ata që më votuan, por një falenderim i veçante për zotin Berisha që më bëri pjesë të politikës të Partisë Demokratike dhe për zotin Basha që më bëri pjesë të garës për një post kaq të rëndësishëm”- tha ristani, sekretari i ri i Pergjithshem i PD-se.
ORA 21:37 PD SHPALL FITUESIT E 6 SEKRETARIATEVE DHE 22 DEPARTAMENTEVE

Këshilli Kombëtar i PD-së ka shpallur sot në mbrëmje, fituesit e 6 sekretariateve dhe 22 departamenteve të kësaj partie. Emin Gjana ka lexuar emrat e fituesve. Spikat ndër ta, si kryetar i departamentit për Ambientin, Pyjet dhe Turizmin, Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-Kryetarit Sali Berisha.
Sekretar i Burimeve Njerëzore në PD zgjidhet Fatbardh Kadilli
Sekretar i Organizimit – Enno Bozdo
Sekretar për Çështjet Zgjedhore – Ivi Kaso
Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun – Grida Duma
Sekretar për Organizatat Partnere – Valbona Mezini
Sekretar për Shoqërinë Civile – Nevila Xhindi
DREJTUESIT E 22 DEPARTAMENTEVE
1. Energjia dhe Burimet Natyrore, Suzana Guxholli
2. Infrastruktura dhe Transporti, Ervin Minarolli
3. Bujqësia, zhvillimi rural, peshkimi, Enkeleida Sallaku
4. Shoqëria e Informacionit dhe Komunikimi, Endri Hasa
5. Ekonomia dhe tregu, Florion Mima
6. Financat publike, Tregu bankar e jo bankar, Sherefedin Shehu
7. Antikorrupsioni, Aksesi Publik e Transparenca, Lealba Pelinku
8. Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, Ervin Salianji
9. Punësimi dhe Cështjet Sociale, Kastriot Sulka
10. Emigracioni dhe Diaspora, Bardh Spahia
11. Të Përndjekurit Politike dhe Pronarët, Belind Kellici
12. Siguria, Rendi Publik, Lufta kundër Krimit, Bashkim Shehu
ORA 15:00-SEKRETAR RISTANI, BASHA: GARË E BUKUR, KONKURRENTËT ME VLERA UNIKE
Menjëherë pasi emri i Arben Ristanit u bë i ditur si fitues për Postin e Sekretarit të Përgjithshëm, kreu i PD, Lulzim Basha duke shkruajtur në FB e cilësoi këtë garë, tepër të fortë, por edhe të bukur. Sipas tij, procesi i votimit ishte transparent dhe demokratik.
“Garë e fortë dhe e bukur mes tre kandidatëve për Sekretar të Përgjithshëm të Partisë Demokratike. Të tre personalitete me kontribute dhe vlera unike për demokratët dhe të gjithë vendin.
Urimet e mija të përzemërta Arben Ristanit, Sekretarit të ri të Përgjithshëm të Partisë Demokratike!
Urime edhe Enkelejd Alibeajt dhe Eduard Selamit për performancën dinjitoze!
Proces transparent dhe festë demokracie”.
Ora 14:50-SEKRETARI I PERGJITHSHEM, RISTANI ZGJIDHET ME 101 VOTA
Janë tre kuti për t’u numëruar me fletë votimi ku nga numërimi i kutisë së parë për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së rezultoi se Arben Ristani kryeson me 101 vota, Eduart Selami me 76 vota kurse Enkelejd Aliebaj me 85 vota.
Nga 270 anëtarë të këshillit votuan 266, ku 13 persona munguan, dhe 3 fletë votimi u shpallën të pavlefshme.
Kryetari i grupit numërues Jemin Gjana tha se numërimi i dy kutive të tjera per sekretariatet e departamentet do të vijojë pasi të konsumohet një drekë.
Ora 14:40-NIS NUMËRIMI I VOTAVE
Pas mbylljes së votimit për zgjedhjen e strukturave drejtuese të PD-së, rreth orës 14.30 nisi numerimi.
Kutia e parë që u hap dhe numërohet është ajo për emrin e Sekretarit të Përgjithshëm, që do të dalë nga gara mes Selamit, Ristanit dhe Enkelejd Alibeajt.
Fleta e parë e numëruar ka qenë një vota pro Eduard Selamit.
Gati gjysmë ore pasi kishte nisur numërimi u konstatua mungesa e një flete votimi. Një tjetër parregullsi e gjetur gjatë numërimit ka qenë një fletë votimi që ka pasur të shënuar si të votuar të tre kandidatët në garë.
Sipas burimeve nga PD-ja bëhet me dije se numri i anëtareve te Keshillit Drejtues që kanë votuar eshte 279, që do të thotë se 13 anetare nuk kane votuar.
votimi ne pd
ORA 14:00-MBYLLET VOTIMI PËR ZGJEDHJET NË KËSHILLIN KOMBËTAR TË PD-SË
Rreth orës 14:00 u mbyll votimi i fshehtë për zgjedhjet për strukturat drejtuese në Partinë Demokratike. Këshilli Kombëtar u mblodh sot për të votuar sekretariatet dhe drejtuesit e departamenteve, si dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të PD.
Mësohet se nga 279 anëtarë të Këshillit Kombëtar kanë votuar 90% e tyre.
ORA 11:20-BASHA: GARA MES MË TË MIRËVE, PARTIA DUHET E FRESKËT
Në fillim të mbledhjes së këshillit, kryetari i demokratëve Lulzim Basha shpjegoi mënyrën se si do të procedohet me zgjedhjen e strukturave drejtuese të partisë, me parimin një anëtar një votë.
“Me bindjen se do ta përmbushni me sukses, ju uroj punime të mbara, ja si do të procedojmë: Procedojmë me votëbesimin  e kryesisë së grupit parlamentar, kryetarit të grupit zotit Paloka dhe nënkryetarit të kuvendit Edmond Spaho për postet e nënkryetarëve të partisë. Procedojmë me tej me zgjedhjen e sekretarit të përgjithshëm mes 3 kandidaturave, Selami, Ristani dhe Alibeaj. Paralelisht në dy kuti të ndryshme do të votohet edhe për krerët e departamenteve dhe sekretariateve me dy kandidatura për secilën prej tyre”- deklaroi Basha.
Kryetari i PD uroi që në garën për postet drejtuese, të fitojë më i miri.
“Kam kënaqësinë t’ju uroj juve dhe gjithsecilit prej jush të shpreh besimin e plotë se përveçse forumi më i rëndësishëm i PD do jetë një selinë e urtësisë, mençurisë, fuqi e pararojës e sfidave sot dhe qeverisjes nesër. Në mbledhjen e sotme përmbyllet gara e madhe. Gara është mes më të mirëve, numri i madh dhe sidomos cilësia e tyre e lartë, shumë e lartë. Kur ka aplikantë kaq cilësorë është e vështirë të zgjedhësh. Ata që nuk do zgjidhen kanë vlerësimin tim të thellë. Ata janë pa përjashtim një vlerë e a madhe e burimeve të PD, pjesë e ekipit drejtues që nuk mund të jetë e kufizuar në një numër të zgjedhurve”- tha ai.
Sipas Bashës, sot PD numëron 150 mijë anëtarë të rregullt ndërsa riorganizimin e strukturave drejtuese e vlerësoi, jetike.
“Sot, PD numëron 150 mijë anëtarë të rregullt. Në asnjë moment kjo parti nuk ka qenë parti në letër, përkundrazi ka qenë parti e gjallë e arritjeve zgjidhjeve dhe punëve konkrete. Ka qenë jetike që të bëhej dhe ky formalizim me qëllim që kur votohet të dihet se po votojnë anëtarët e PD, e të zgjedhurit e tjerë. Me qëllim që PD të vijë e freskët, e kthjellët e bashkuar dhe e fuqishme. PD ka bërë analiza, por nuk ka bërë harakiri, partia është ripërtërirë por jo tjetërsuar. Anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar janë zgjedhur me votë të lirë nga kuvendi më i madh, sekretarët, krerët e departamente do zgjidhen sot, detyrë mbetet që hapja të vijojë, përtëritja të vijojë”- deklaroi Basha.
Duke shprehur vendosmërinë e demokratëve për të mbështetur protestat e qytetarëve, Basha tha se opozita merr përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë.
“Protesta e 22 tetorit solli para dritares së Ramës Shqipërinë e revoltuar. Ishte paralajmërimi për të mos e bërë akoma më keq e më zi, me rritjen e taksave, rriten e çmimi të energjisë, luksit korrupsionit. U injorua zëri i protestë, zëri i qytetarëve, kërkesat e tyre, injoruan paralajmërimet e opozitës se me buxhetin dhe paketën e re fiskale ekonomia do të rrokulliset edhe më thellë. Vazhdojnë ta reklamojnë sapunin për djathë, për ta shitur nuk e blen dot njeri. Me një dorë jep me pikatore, me të dyja duart merr me garuzhde. Ne kemi provuar dhe do të vazhdojmë ta provojmë me fakte të pakundërshtueshme demagogjinë e tyre. E vërteton përkeqësimi i vazhdueshëm i gjendjes në mbarë vendin. Qytetarët nuk mund ta përballojnë këtë gjendje, PD do të jetë përkrah tyre në ballë të protestave. Secili prej nesh, secili prej deputeteve, anëtarëve të këshillit kombëtar, të zgjedhurve të çdo niveli duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për ti dëgjuar. PD është me ta, opozita është me ta për të ndërtuar së bashku shpresën”- deklaroi Basha.
ORA 11:00-ZGJEDHJET NË PD, PALOKA DHE SPAHO, NËNKRYETARË
Kryetari i demokratëve Lulzim Basha propozoi që votimi për nënkryetarët e rinj të PD-së të ishte i hapur, dhe anëtarët dhanë aprovimin e tyre për Edi Palokën dhe Edmond Spahon në postin e nënkryetarëve.
Departamentet dhe 6 sekretariatet, ja kandidatet (kliko per madhesine)
.pddepartamentet


Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike para Këshillit Kombëtar:
“Secili prej të zgjedhurve duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e  madhe që u ka bërë dyshja Rama Meta”
“Përgjegjesi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit qeveritar. Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë. Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së vendit dhe të ekonomisë”
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike
Sot është një ditë e shënuar për Partinë Demokratike: zhvillojmë mbledhjen e parë të Këshillit të ri Kombëtar; do të votëbesojmë nënkryetarët, dhe anëtarët e kryesisë që vijnë si rezultat i detyrave të tyre në Grupin Parlamentar, do të zgjedhim sekretarët dhe krerët e departamenteve, të cilët, së bashku me kryesinë e Grupit Parlamentar, kryetarët dhe nënkryetarët demokratë të  komisionëve parlamentare do të përbëjnë Kryesinë e re të Partisë Demokratike.
Me ketë rast, kam kënaqësinë t’u uroj të gjithëve dhe gjithësecilin prej jush, për zgjedhjen tuaj anëtarë të Këshillit Kombëtar dhe të shpreh besimin tim të plotë se ky Këshill, përveçse forumi më i rëndësishëm i Partisë Demokratike nga një Kuvend Kombëtar në tjetrin, do të jetë një seli e  urtësisë e mençurisë, fuqi e pararojës në sfidat tona të opozitarimit sot dhe të qeverisjes nesër.
Në mbledhjen e sotme përmbyllet procesi i rëndësishëm i zgjedhjes së forumeve, dhe drejtuesve të rinj të Partisë në gjithë piramidën e saj.
Nga zgjedhjet e sotme do të dalë pjesa përfundimtare e që do të punojë çdo ditë, non stop, për të  intensifikuar e fuqizuar aksionin politik opozitar të partisë, për të çuar përpara Nisjen e Re dhe të gjitha synimet e objektivat që përcaktuam në Kuvendin Kombëtar, për të përgatitur programin tonë të detajuar politik, ekonomik, që do të jetë propozimi ynë i ri, alternativa jonë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Programet janë gjysma e punës. Njerëzit që angazhohen për hartimin dhe zbatimin e tyre janë pjesa tjetër. Një parti politike, sidomos kur është në opozitë, merr tiparet e përkushtimit të drejtuesve, të ekipeve, të gjithë atyre që drejtojnë.
Ja pse sot anëtarësia e gjërë e Partisë Demokratike dhe jo vetëm, ka drejtuar vemendjen te kjo mbledhje dhe pret produktin e saj. Opinioni publik po kështu.
Gara e parë e madhe është bërë për të ardhur këtu. Në këtë fazë ku kemi mbërritur, mbi këdo që  do të bjerë zgjedhja, do të bjerë drejt. Gara është mes më të mirëve.
Numri i madh i aplikimeve për këto funksione politike dhe sidomos cilësia e tyre e lartë dhe shumë e lartë, ishte lajmi i mrekulleshëm në një anë i angazhimit dhe vendosmërisë së aplikantevë për të marrë përgjegjësi dhe për të kontribuar në vijën e parë të opozitarimit dhe nisjes së re, dhe e vërteta po aq e mrekulleshme në anën tjetër e ekzistencës dhe ardhjes në Partinë Demokratike të individëve me vlera të spikatura si profesionistë, si ekspertë, si intelektualë, si qytetarë dhe sigurisht edhe si njerëz të apasionuar me politikën si përkushtim ndaj qytetarit.
Kur ka kaq shumë aplikantë cilësorë është e lehtë, por edhe vështirë njëkohësisht për të përzgjedhur ata që do ta vazhdojnë garën. Ata që nuk do ta vazhdojnë sot këtë garë kanë vlerësimin dhe nderimin tim të thellë, vlerësimin dhe nderimin e gjithë Partisë Demokratike; ata janë të gjithë pa përjashtim një vlerë e madhe e shtuar e burimeve njerësore dhe politike të PD-së, pjesë e ekipit të madh drejtues e kontribues që nuk ka qënë e nuk mund të jetë i kufizuar vetëm te një numër të zgjedhurish.
Nuk ka dyshim se duke marrë gjithsecili prej të zgjedhurve të rinj përgjegjësitë e veta, brenda përgjegjësisë së përbashkët, dhe duke punuar e jetuar politikisht në frymën e solidaritetit dhe kolegjialitetit bashkëkohor, Partisë Demokratike do t’i shtohen forcat, do të jetë shumë më efikase dhe kjo do të fillojë të ndihet menjëherë.
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar,
Përgjatë maratonës politike për ringritjen dhe rinisjen e Partisë Demokratike pas rezultatit në zgjedhjet e 23 qershorit, ne realizuam regjistrimin dhe riregjistrimin e anëtarësisë së Partisë dhe krijuam për herë të parë një bazë të të dhënave, siç nuk e ka asnjë parti tjetër në vend.
Partia Demokratike numëron sot 105 mijë anëtarë të rregullt.
Në asnjë moment të jetës së saj kjo parti nuk ka qenë një parti  në letër. Përkundrazi, ka qenë dhe është një parti e gjallë e veprimit, e përballjeve në fushë të hapur me çdo lloj te keqe, e arritjeve, e zgjidhjeve, e punëve të mëdha, e veprave konkrete.
Por ka qenë jetike që të bëhej edhe ky formalizim në kuptimin më modern të fjalës, me qëllim që kur të votohen forumet dhe të zgjedhurit e Partisë Demokratike të dihet se po votojnë anëtarët e Partisë Demokratike, kur të promovohen apo angazhohen zyrtarë politikë të dihet se po vinë nga burimet njerëzore të Partisë Demokratike, kur të anëtarësohen anëtarë të rinj ata të marrin  sadisfaksionin dhe përgjegjësinë e bashkimit me një organizatë politike me rregulla, që i  njeh në çdo kohë dhe i vlerëson lart anëtarët e saj.
Përgjatë këtij viti, paralel me aksionin e regjistrimit, ne shpallëm Bashkimin dhe Ribashkimin, Hapjen dhe Përtëritjen; shpallëm kuvendimin e lirë dhe zgjedhjet e lira, shpallëm parimin e garës dhe vumë në themel të zgjedhjeve votën e anëtarëve. Të gjitha këto kanë bërë që në harkun e një viti Partia Demokratike të ringrihet  dhe  të niset  me energji të reja, e fortë, e freskët, e kthjellët, e  bashkuar dhe e fuqishme.
Partia ka bërë analiza, por nuk ka bërë harakiri.
Partia është përtërirë, por nuk është tjetërsuar.
Një plejadë drejtuesish të rinj në mbarë vendin janë zgjedhur me vote të lirë. Anëtërët e rinj të Këshillit Kombëtar, që nuk janë deputetë, apo drejtues të degëve, janë zgjedhur me votë të lirë nga Kuvendi më i madh në historinë e PD-së dhe çdo partie tjetër shqiptare. Sekretarët dhe krerët e departamenteve do të zgjidhen sot me votë nga Këshilli Kombëtar.
Detyrë e dorës së parë e gjithë të zgjedhurve, e drejtuesve të çdo niveli, e anëtarëve të Këshillit Kombëtar mbetet ajo që kam nënvizuar në takimin me kryetarët e rinj të degëve dhe dua ta përsëris sot me forcë: Përtëritja duhet të vazhdojë, hapja duhet të vazhdojë. Hapja si mendësi duhet t’u dëshmohet jo vetëm atyre që duan të anëtarësohen në Partinë Demokratike, por mbarë simpatizantëve, qytetarëve, intelektualëve, shoqërisë në tërësi.
Hapja është një koncept shumë i gjerë, është një sjellje, komportim njerëzor dhe demokratik,  hapja është të njohësh gjendjen e vendit, të jetosh me shqetësimet e qytetarëve; hapja është të  dëgjosh qytetarët, të reflektosh dhe të reagosh në bazë të shqetësimeve të tyre të drejta, të kërkosh dhe të vësh në lëvizje zgjidhje për qytetarët.
Për këtë hapje kam folur. Për këtë hapje flas sot me theks akoma më të fortë, duke parë  me sy e  prekur me dorë hendekun e jashtëzakonshëm  që është  krijuar midis qeverisë  oligarkike Rama –Meta dhe qytetarëve shqiptarë pa dalllim.
Ka njohur distancë dhe kontraste, në çdo kohë, Shqipëria e qeveritarëve me atë të qytetarëve.
Por kurrë nuk ka qenë kaq e madhe kjo distancë dhe kurrë nuk ka qënë ky kontrast si sot.
Shqipëria e qeveritarëve dhe ajo e qytetarëve janë sot dy botë të huaja për njëra-tjetrën.
Shqipëria e qeveritarëve fabrikon arritje fiktive për qytetarët.
Ajo e qytetarëve vuan mashtimet, dështimet dhe genjeshtrat e qeverisë.
Protesta e madhe popullore e 22 nëntorit solli në bulevard, përpara dritares së Edi Ramës,   Shqipërinë e revoltuar nga demagogjia dhe rrenat e tij. Protesta ishte klithja kundër përkeqësimit dhe varfërisë së shtuar, ishte paralajmërimi për të mos e bërë akoma më keq e më zi me rritjen e taksave, me rritjen e çmimit të energjisë, me uljen e investimeve publike, me rritjen e shpenzimeve, luksit dhe tashmë edhe korrupsionit të shfrenuar qeveritar me tenderimin pa garë të fondeve publike, që është një kthim alarmant prapa i kësaj qeverie në kohërat e korrupsionit të  ngritur në sistem.
Me shurdhërinë, verbërinë dhe kryenecësinë tipike të dy oligarkëve të regjur, Rama dhe Meta, u injorua zëri i protestës, zëri i qyetarëve, kërkesat e tyre. Injoruan paralajmërimet dhe argumentet e opozitës se me paketën e tyre të re  fiskale dhe  me buxhetin e ri të vitit 2015, ekonomia do të rrokulliset  në një reçesion edhe me të thellë,  me pasoja të rënda për sipërmarrrjen e ndershme, për familjet dhe individët pa dallim. Injoruan pa asnjë argument profesional, por vetëm me të folurën në delir të kryeministrit, 31 propozimet e opozitës.
Nuk u konsultuan me asnjë grup interesi. Vulosën me një votim sa për të kaluar radhën, si  paraardhësit e tyre politikë, buxhetin më arbitrar kundër qytetarëve dhe më klientelist për vete të dy dekadave të fundit.
Vazhdojnë të mburren me paratë që paskan përfituar një pjesë e punonjësve nga taksimi progresiv, sipas tyre, mbi të ardhurat. Vazhdojnë të reklamojnë sapunin për djathë. Për ta shitur nuk bëhët fjalë se nuk ua blen njeri.
Nuk thonë dhe nuk ua zë goja të thonë se përse nuk dhanë rrogën e 13 aq shumë të premtuar gjatë fushatës elektorale, dhe nuk dhanë as shpërblimin e fundvitit. Vlerat që nuk janë dhënë nga rilindasit dhe kostot shtesë që ka përballuar çdo shqiptar nga rritja e taksave, janë ku e ku më të larta se sa përfitimi që erdhi nga ndryshimi i tatimit mbi të ardhurat për fashën 30 mijë- 130 mijë lekë.
Kjo diferencë do të thellohet  më tej këtë vit me taksat e reja. Me një dorë jep me pikatore, me të dyja duart merr me garuzhde. Këtë thonë punonjësit buxhetorë për taksimin e famshëm progresiv. Por efektet zinxhir të paketës fiskale do të godasin buxhetin e çdo familjeje dhe ekonominë kombëtare në tërësi. Fuqia blerëse ka rënë do të vahdojë të bjerë, pasi rrogat nuk rriten deri në fund të 2016 sipas zotimit të kësaj qeverie dhe për pasojë të rritjes së çmimeve çdokush blen më pak. Rikujtojmë se edhe paga minimale në shkallë vendi nuk ka ndryshuar, ndonëse praktika e vendosur nga qeverisja jonë, ishte që çdo vit ajo rritej.
E kemi vërtetuar disa herë e do të vazhdojmë ta vërtetojmë me fakte të pakundërshtushme se  shendësia që u premtua  falas u kushton më shtrenjtë shqiptarëve,  arsimi po se po, legalizimet po kështu, çdo gjë është shtrenjtuar.
Këtë nuk ka nevojë ta provojmë ne, e provon xhepi i qytetarëve. Kemi provuar e do të vazhdojnë të provojmë me fakte të pakundërshtueshme demagogjinë e tyre, qeverisjen e tyre as socialiste, as liberale, as popullore, por  oligarkike, që përfaqëson, shërben dhe mbron interesat e një grushti pushtetarësh dhe klientelës së tyre nga bota e informalitetit e malavitës kriminale. Edhe po të mos e vertetonim ne, e vërteton përkeqësimi i vazhdueshëm i gjendjes në mbarë vendin. Edi Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të bëjë prestigjatorin për të shitur genjeshtrat e tij. Por edhe atë nuk e bën dot dy herë sepse qeverisja nuk është shfaqje.
Me këtë buxhet oligarkia Rama–Meta ka llogaritur t’i pjellë  gjeli dhe të vazhdojë të ngushtojë hapësirat e demokracisë  në vend. Jeta e qytetarëve në anën tjetër do të bëhet e do të vazhdojë të bëhet më e vështirë. Përballja është e pashmangshme, qytetarët nuk mund të pranojnë këtë gjendje. Partia  Demokratike dhe opozita do të jenë dhe do të jenë me ta, përkrah tyre, në ballë të protestave, jo me qasje populiste, por duke argumentuar me fakte dhe në mënyrë profesionale çdo fakt të keqqeverisjes, korrupsionit apo maskaradës.
Secili prej nesh, secili prej deputetëve, secili prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, çdo kryetar i degës, secili prej të zgjedhurve të çdo niveli duhet të jetë çdo ditë pranë qytetarëve për t’i  dëgjuar, për t’i mbështetur, që ata të kuptojnë e të ndjejnë se nuk janë vetëm në braktisjen e  madhe që u ka bërë qeveria, se Partia Demokratike është me ta, opozita është me ta për të ndaluar bashkë me ta të  keqen e për  të ndërtuar së bashku shpresen. Me besim, me  bashkim, me arsye.
E themi shpesh e  nuk do të rreshtim ta themi: Ne, Partia Demokratike  jemi  një parti e Lirisë. Etika e Lirisë është përgjegjësia. Ne jemi të lirë sepse jemi të përgjegjshëm, ne jemi të përgjegjshëm sepse jemi të lirë. Parimi i përgjegjësisë na ka mbedhur e na mban të bashkuar në  rrugën tonë. Ne marrim përgjegjësi para vendit. Ne marrim përgjegjësi para qytetarëve.
Marrim përgjegjesi për të mos u dhënë paqe mashtrimeve, dështimeve, klientelizmit, krimit dhe korrupsionit qeveritar.
Marrim përgjegjësi për të mbrojtur me çdo çmim demokracinë.
Marrim përgjegjësi për të përgatitur alternativën e ringritjes së vendit dhe të ekonomisë.
Një moment përgjegjësie i Këshillit Kombëtar është zgjedhja sot e ekipit të ri drejtues të Partisë.
Me bindjen se do ta përmbushni me sukses, ju uroj punime dhe votim të mbarë.
(ar.sh/er.nu/d.b/BalkanWeb)

No comments: