Dominique de Villepin
Çdo ditë njoftohen masakra nga më të llahtarshme se sa të një dite më parë. Qindra mijëra të krishterë të Orientit, me të cilët Francën e lidh një histori e gjatë, kërcënohen nga masakra dhe marrin arratinë nëpër rrugë në kushtet më të këqija.Sot, gra, fëmijë, pleq vdesin nga etja në shkretëtirë për të vetmen arsye se janë të krishterë, apo jezidë. Qysh prej 11 vitesh, Iraku po boshatiset nga diversiteti fetar i cili ka përbërë pasurinë e tij gjatë mijëvjeçarëve.
Franca ka për detyrë fjalën dhe veprimin,
pasi ajo ende dhe gjithmonë përcjell mesazhin e të drejtave të njeriut, pasi është e detyruar nga historia e saj e dhimbjeve dhe të fatkeqësive.
E kam thënë dhe muajin e kaluar, gjatë fitoreve të rrufeshme të shtetit islamik të Irakut dhe të Levantit (ISIS), helmi i identitetit, ashtu si helmet më të këqija, sulmon brenda një kohë të shkurtër, për të mos thënë të gjithë organizmin. Nëse ne dëshirojmë të luftojmë kundra këtij kërcënimi, duhet të përpiqemi ta kuptojmë dhe ta luftojmë atë bashkarisht, në mënyrë metodike .
Nuk kemi të bëjmë me një përplasje shumë të vjetër midis qytetërimeve, midis Islamit dhe Kristianizmit, as dhe me një kryqëzatë të dhjetë. Aq më tepër kjo nuk është lufta pa moshë e qytetërimit kundra barbarisë, sepse është shumë e lehtë të besosh dhe gjithmonë të jesh i justifikuar. Jo, bëhet fjalë për një eveniment historik madhor dhe kompleks, që lidhet me pavarësitë kombëtare, me globalizimin dhe me “Pranverën Arabe”.
Lindja e Mesme po kalon një krizë modernizimi, që ka një karakter të qenësishëm dhe që po i ndryshon raportet e forcave sociale dhe politike dhe po zgjon dasitë e vjetra. Kufijtë e marrëveshjes të Sykes-Picot janë fshirë. Modelet politike post-koloniale dhe të luftës së ftohtë janë të vjetruar. Shiitët dhe sunitët janë përballë dhe minoritetet janë objekt i të gjitha pastrimeve të identitetit. Me një fjalë, islamizmi është për islamin ajo që fashizmi qe në Evropë për idenë nacionale, një kopje monstruoze dhe jashtë kontrollit, kaluar arkaizmit dhe modernes. Përfytyrime arkaike dhe mesjetare, komunikime dhe propagandë e teknologjive ultramoderne.
Do të duhet një gjeneratë në Lindjen e mesme për të hyrë në modernen e saj të qetësuar, por aty-këtu është e rrezikuar nga tundimi nihilist, nga vetëvrasja qytetëruese. Ne jemi në vigjilje të momentit vendimtar ku rajoni do të lëkundet nga njëra anë, apo ana tjetër. Roli ynë është ta ndihmojmë atë sa më mirë, që ne të mund të zgjedhim jetën kundër vdekjes.
Apeli ndaj historisë ka kuptim vetëm nëse ajo na hap neve rrugë. Çfarë mësimesh mundet të nxjerrim ne nga një analizë e tillë? Ajo që rezulton është se nuk ka dialog të mundshëm me këto organizata, për të cilat krimi nuk është vetëm një mjet, por një qëllim. Ato janë në fakt të gatshëm për më të keqen, pasi në të është pushteti i tyre i pabarabartë për të gjithë botën. Ato bëjnë imazh. Ato janë para së gjithash imazh.
Ajo çka është urgjente për komunitetin ndërkombëtar, është t’i vijë në ndihmë popullsisë civile e cila vuan, sidomos duke krijuar korridore humanitare për të evakuuar të krishterët e Irakut.
Mësimi i dytë është se islami nuk është shkaku, por preteksti dhe në fund të fundit viktima e kësaj histerie kolektive. Myslimanët vështrojnë sot me lemeri se në emër të kujt bëhen këto veprime të neveritshme.
Mësimi i tretë është se zgjidhja është politike. Është në këtë pikë që duhet insistuar sot për të dhënë përgjigje. Është në këtë terren që xhihadistët e Shtetit islamik janë të dobët.
Sfida e parë politike, këtu si gjithmonë, është uniteti dhe e drejta që duhet të mishërojë komuniteti ndërkombëtar. Forca nuk është veçse një mjet i përdorur nga e keqja për të penguar më të keqen. Ajo duhet të jetë e përpiktë. Dhe të jemi të ndërgjegjshëm, është kjo që dëshirojnë xhihadistët për të ngritur moralin e luftës së tyre dhe radikalizuar mendjet e njerëzve kundra Perëndimit, gjithmonë i dyshuar, qoftë nga kryqëzatat, qoftë nga kolonializmi. Prandaj, sot përdorimi i bombardimeve të njëanshme nuk është një zgjidhje. Aksioni nuk mund të kalohet me një rezolutë të OKB. Të mos përsërisim pa pushim të njëjta gabime. Le të kujtojmë madje, pa ndërhyrjen e njëanshme amerikane në vitin 2003, nuk do të kishte pasur një “bulevard” të tillë në Irak për forcat totalitare.
Bombardimet duhet të jenë inkuadruar me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të mbështeten mbi vendet kryesore të rajonit. Gjithashtu të mendojmë më larg dhe të përgatisim tashmë konsolidimin e vendeve më të kërcënuara nga njolla e vajit xhihadiste, Jordaninë, shuli i gadishullit Arabik dhe Turqinë, tashmë e lëkundur politikisht dhe sot e nënshtruar nga një fluks refugjatësh, nga Siria dhe Iraku.
Së dyti, nevojitet të bëhet një politikë metodike për të ndarë përbërësit heteroklitë që përbëjnë ingranazhin aktual në territorin sunit. Çfarë është arritur qysh prej një muaji nga qeveria e Al-Malikit? Asgjë. Ajo ka mbetur një pushtet sektar dhe i kufizuar që pret me durim që Teherani dhe Uashingtoni të jenë të detyruar të marrin veprimet e tyre në mungesë të një zgjidhje tjetër. Akoma dhe gjithmonë mbi qeverinë e Al-Malikit, duhet bërë presion që bombardimet të mos jenë goditje me shpatë në rërë. Duhet qysh sot një qeveri përfshirëse që i bën vend të gjithë përbërësve paqësorë të shoqërisë irakiane. Duhet një program përfshirje komunitare në ushtri dhe në administratë për të penguar rrethin vicioz të frustacioneve dhe të urrejtjeve.
Sfida edhe më e madhe - duhet të kemi kurajon ta themi atë me zë të lartë dhe fort - janë financimet që ushqejnë Shtetin islamik. Ai disponon tashmë burimet e tij me rëndësi, duke shpërblyer popullsinë, duke përvetësuar rezervat e arit apo fushat e naftës. Është kjo që duhet ndërprerë. Por, gjithashtu duhet mbyllur rubineti i donatorëve të fondeve, pa të cilët Shteti islamik nuk është asgjë. Në një Lindje të Mesme thellësisht të trazuar, ka sot forca konservatore, individë, apo rrethe, nganjëherë të ngulur në shoqërinë, nganjëherë larg veprimit të shtetit, të cilët veprojnë për më të keqen, të ndryshuar nga frika e humbjes së pushtetit, të ndryshuar gjithashtu nga frika e ideve të reja dhe demokratike.
I duhet thënë Arabisë Saudite dhe monarkive konservatore se ato duhet të dalin nga kjo lojë shkatërruese, sepse dinastitë e tyre do të jenë viktimat e para të një xhihadistani që do të shtrihej në gadishullin Arabik, sepse në këtë rajon nuk ka asnjë alternativë përveç pushteteve tradicionale aktuale. Qoftë për rivalitet gjeopolitik apo qoftë për bindje politike, duhet që këto vende të pushojnë së fryri zjarrit të Lindjes së Mesme. Franca mund të veprojë në pikat e saj mbështetëse në rajon, sidomos në Katar, dhe të bëjë presion en ce sens.
Sfida e tretë politike është të pengohet loja e dyfishtë e shteteve të cilët në politikën e së keqes imagjinojnë gjithmonë një mjet për të konsoliduar këtë apo atë avantazh. Turqia duhet të qartësojë pozicionet e saj në rajon dhe të mbështesë një Irak të ekuilibruar me një element përbërës kurd të qëndrueshëm, duke luftuar me të gjitha forcat e saj kundër rrjeteve të Shtetit islamik, që përdorin sidomos territorin e tyre si terren veprimi. Asnjë nga shtetet-kombe të rajonit, as Irani, as Egjipti nuk bëjnë sot një politikë thjeshtësie, qartësie dhe urgjence që u imponohet.
Është koha të ndërpriten të gjitha prapamendimet meskine, përballë rrezikut që mundet t’i fshijë të gjithë. Ka ardhur koha e një përpjekjeje ndërtimi rajonal. Nuk duhet të gënjehemi për këtë, është Lindja e Mesme e dekadave të ardhshme që skicohet. Një strategji dhe një aksion afatgjatë që imponohet, duke përfshirë të gjithë aktorët e rajonit. Procesi i negociatave mbi shtimin e armëve bërthamore iraniane është vendimtar për vendin e një Irani të qetësuar në rajon. E vetmja përgjigje sot është mbajtja e një konference rajonale që do të lejojë të përparohet në dosje të mëdha strategjike, ekonomike dhe politike, nga çështjet e naftës, deri tek ndarja e burimeve ujore.
Franca ka arsye të mobilizohet nëpërmjet zërit të François Hollande. Ajo ka arsye të zgjedhë rrugën e Kombeve të Bashkuara. Por sot asaj i duhet të ofrojë në mënyrë të qartë drejtimin, mjetet dhe kufijtë e veprimit të saj.
(Autori është ish Kryeministër i Francës. Botuar në: Le Mond. Përkthyer dhe përshtatur nga: bota.al)
No comments:
Post a Comment