Sunday, March 30, 2014

Nacionalizmi i ngjalave, shpella e zezë e mafies kombëtare


Ish-Kryeministri thotë se opozita duhet të lobojë me bindjen e plotë, se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat, por, sipas tij, çdo dhunim i shtetit ligjor, është para së gjithash dhunim i opozitës dhe i lirive e të drejtave të qytetarëve. Ai e akuzon Ramën për bllokimin e procesit të integrimit, duke kujtuar se “për Edvinin, shqipja e Naimit është gjuha e Enverit!”

 (pjesa e tretë)
 Për Shqipërinë në rrugën e integrimit europian, problem themelor është qëndrimi i dyshes Rama – Meta ndaj shtetit ligjor, institucioneve të pavarura, luftës kundër krimit dhe korrupsionit, pra standarteve europiane të cilat, për ata, nuk ekzistojnë.
Por duhet të theksojë se, jo pak problematik dhe i lidhur me të parin, është qëndrimi i papërgjegjshëm i tyre ndaj vendimit të refuzimit të statusit, dhjetorin që kaloi, nga Këshilli i Ministrave të BE.
Bashkëkryetarët e aleancës qeverisëse, fill pas refuzimit të statusit nga Këshilli i Ministrave të BE, vrapuan në garë marrëzie të fajësojnë për këtë, në një traditë të vjetër e jo të qytetëruar, të tjerët. Ata “kryqëzuan” si përgjegjëse më direkte një vend mik, Mbretërinë e Hollandës, por edhe 5 vendet së bashku të BE-së, që refuzuan publikisht rekomandimin e Komisionit Europian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Vet Edi Rama, i cili një vit më parë bllokonte, si asnjë politikan tjetër në Europë, statusin e vendit kandidat, duke refuzuar votimin e tre ligjeve që u kërkuan si kusht nga Komisioni Europian në raportin e tetorit të vitit 2012, reagoi ndaj vendimit të refuzimit me dy fjalime paranojake të stilit hoxhist dhe plot arrogancë.
Rama në fjalën e tij u shpreh se po u drejtohej me “shqipen” e Naimit, por në fakt sulmoi me gjuhën e Enverit, kësaj rradhe jo opoziten por qeveritë e pesë vendeve që refuzuan statusin per Shqiperine. Ai, në keto fjalime të vjetra e bajate në germë dhe në frymë, harroi se shqipja e bukur e Naimit mëson shqiptarët se, për ta, “dielli lind nga perëndimi”. Kurse gjuha e egër kakofonike e Enverit vërtet të jep “mundësi” të tregohesh se sa i pacipë je apo të anatemosh e të fajësosh për çdo gjë të tjerët dhe gjithnjë përgjegjësinë ta projektosh tek armiq imagjinar, mundësisht jashtë vendi, por ajo është sot gjuha më e papranueshme dhe anakronike jo vetëm për partnerët tanë por edhe për vetë shqiptarët, 95% e të cilëve besojnë në procesin e integrimit europian, si të ardhmen më të mirë të tyre dhe fëmijëve të tyre. Kurse Naim Beut në varr ajo gjuhë i shkoi si oshëtimë e klithmës rroftë baba, poshtë shkaba.
Sipas Ramës, të konvertuar dy herë në dy dekada dhe i bërë synet politik verën që kaloi, dhe Ilir Metës, bektashiut pa bektashizëm, pesë vendet: Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Hollanda, Danimarka vendosën kundër Shqipërisë jo për shkak të qëndrimeve të papranueshme të mazhorancës ndaj shtetit ligjor, korrupsionit galopant, krimit të organizuar, por për shkak të problemeve të brendshme të këtyre vendeve me ekstremet e djathta dhe për shkak se Shqipëria është një vend me mazhorancë myslimane.
Qëndrimin e shprehur në dhjetorin që kaloi, Rama e rikonfirmoi edhe një herë, me dt. 6 mars 2014, në prani të Komisionerit të Zgjerimit, kur deklaroi se nuk i heq asnjë presje atyre që kishte thënë për shkakun e refuzimit të statusit të vendit kandidat Shqipërisë.
Nacionalizmi pozitiv është pa mëdyshje forca shtytëse më e fuqishme e kombeve drejt horizonteve të reja. Kurse ky lloj nacionalizmi i ngjalave Rama-Meta, nuk është asgjë tjetër veçse, siç thotë Niçe, strofulla e fundit e horave apo shpella e zezë e mafies kombëtare, që është sot armiku kryesor i shqiptarëve.
Me akuzat e tij, Rama, në një akt të paprecedent, nxiti reagimin jo në nivel zëdhënësish apo ministrash të jashtëm por direkt të tre kryeministrave të vëndeve që refuzuan, atë të Kancelares Angela Merkel, kryeministrave David Kameron, dhe Mark Rutte, të cilët informuan opinionin e vendeve të tyre dhe shqiptarët se, refuzimi i statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nuk kishte asnjë lidhje me ekstremin e djathtë të vendeve të tyre, as dhe me islamofobinë apo pretendimet e tjera absurde të zotit Rama. Ata, duke garantuar Shqipërinë për mbështetje në rrugën e integrimit në BE, deklaruan se refuzimi i tyre lidhej me zbatimin e ligjeve dhe reformave, luftën kundër krimit dhe korrupsionit nga qeveria e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Kështu për Kancelaren Merkel kërkesa ishte “për të parë progres në zbatimin e reformave për të cilat është angazhuar vendi”. Kurse Kryeministri David Kameron, kërkoi “zbatimin e masave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe praktikat e duhura për forcimin e shtetit ligjor”. Ndërsa Kryeministri Mark Rutte theksoi se: “ajo që i kërkojmë vendit është që të zbatojë reformat për të cilat është angazhuar. Një vend mund të adaptojë një legjislacion të mirë, por është tjetër gjë ta zbatosh atë. Shqipëria angazhimet i ka të mira në letër, por ne duam të shohim se si do t’i zbatojë ajo këto angazhime”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Hollandës, para se të formulonte qëndrimin e tij, vizitoi Shqipërinë dhe konstatoi këtu revanshin e ekzekutivit mbi institucionet kushtetuese, ligjet e vendit, vendimet e gjykatave. Ai deklaroi në dhjetor nga Brukseli se “ne na duhet me shume kohë për të parë zbatimin e ligjeve nga kryeministri shqiptar”.
Pra, Kryeministrat e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Mbretërisë së Hollandës nuk i thanë Ramës se ata ia dinë lidhjet e ngushta të tijat dhe bashkëpunëtorëve të tij me korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndonëse ia dinë shumë mirë. Ata nuk ja thanë këto, sepse shqiptarët, me votën e tyre të 23 qershorit, e amnistuan Ramën jo vetëm në Tiranë por dhe në Bruksel. Por ajo që ata i thanë me gjuhë diplomatike ishte se “ju z. Rama duhet të na faktoni që keni prerë lidhjet e vjetra dhe se je i vendosur për një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, se je i vendosur të zbatosh me paanësi dhe seriozitet ligjin”. Në diplomaci, duhet të dish të lexosh midis rreshtave. Piktori dështak këtë nuk mund ta bëjë sepse e pengojnë, mentaliteti i tij atëror, problemet serioze të shëndetit të tij mendor, si dhe lidhjet e forta të tij me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Por europarlamentarët që merren me rajonin dhe me Shqipërinë folën publikisht me Ramën, jo me gjuhën diplomatike, por troç dhe pa doreza. Ata, duke ditur kupolën e miliarderëve në krye të PS, aferat e saj të pista, si dhe morinë e vrasësve trafikantëve e delinkuentëve në të gjithë piramidën e zyrtarëve të mazhorancës. i thanë Ramës në Bruksel se prova e tij është lufta kundër korrupsionit në Partinë e tij dhe lufta kundër krimit të organizuar. Madje, së fundi, Kryetari i Komisionit të Jashtëm të PE-së i deklaroi tekstualisht se “tejkalimi i Kushtetutës nga Kryeministri ndodh vetëm në diktaturë”.
Qëndrimi i dyshes Rama-Meta ndaj refuzimit të statusit është idiotesk, anakronik, mosmirënjohës, turp i vërtetë. Kjo së pari sepse veçimi në fillim si përgjegjëse dhe përpjekja për demonizim në media të Mbretërisë së Hollandës, një ndër vendet jo me të mëdha por më me peshë në BE, NATO, etj., duke shpresuar se do te mund ta izolosh në vendimin e saj, ishte një idiotësi qesharake. Ideja se do mund të kthesh klubin kundër një vendi anëtar, është thjesht paranojë. Së dyti, qëndrimi i dyshes Rama-Meta është qesharak sepse të mendosh se mund të ndryshosh mendimin e qeverive të pesë vendeve që i refuzuan Shqipërisë statusin e vendit kandidat, duke i sulmuar dhe akuzuar ato për islamofobi, nuk bën gjë tjetër veçse rilind këtu, në vargmalet tona, Don Kishotin, Pançon dhe mullinjtë e tij të erës. Së fundi, them idiotesk sepse, të besosh që Shqipëria, një vend me shumicë myslimane, u refuzua nga pesë vende që, së bashku përbëjnë shumicën politike dhe ekonomike të BE, për shkak të problemeve të tyre të brendshme me ekstremin e djathtë dhe se ky i fundit, u dikton atyre politikën ndaj Shqipërisë, do të thotë të mos njohësh abc-në e politikës zyrtare të BE dhe vendeve anëtare, të procesit të vendim-marrjes në këto vende, të mos dallosh shoqëritë e këtyre vendeve nga ekstremet e tyre, të mos dallosh mainstream nga sidestream në këto shoqëri dhe të jesh jashtë kohe dhe hapësire me njohuritë për BE dhe vendet anëtare. Problemi ynë nuk është prania e ekstremizmit të djathtë në disa vende të BE-së, ndonëse ai ekziston dhe ka ndikimin e tij në jetën politike sociale dhe kulturore të këtyre vendeve. Madje në ndonjë vend është një realitet shqetësues. Por përsëri, forcat ekstremiste nuk kanë përcaktuar dhe nuk përcaktojnë dot politika zyrtare të këtyre vendeve, forcat e moderuara, shoqëritë tolerante të këtyre vendeve, janë jashtë çdo kërcënimi real për t’u sunduar nga forcat e ekstremit të djathtë apo të majtë dhe në një farë mënyre të akuzosh këto vende demokratike për ekstremizmin e djathtë nuk bën gjë tjetër vetëm se përpiqesh me klishe të vjetra t’i etiketosh ato.
Problemet madhore në procesin tonë të integrimit nuk janë dominanca e besimit mysliman, ndonëse BE në këtë aspekt është padyshim, një klub i krishterë, por një klub demokratik dhe jo respublica christiana, apo një klub teokratik. Ata që e mendojnë ndryshe nuk njohin mirë historinë e qytetërimit europian, si një pasuri e shumë izmave të mëdha të njerëzimit. Eshtë e vërtetë se sot antiislamizmi dhe antisemitizmi janë në përhapje të qartë në Europë, por politika zyrtare e këtyre vendeve është promovimi i tolerances dhe lufta kundër izmave ekstreme. Të pesë vendet, në tërësi të krishtera, nuk u penguan të organizohen me fuqinë e tyre politike, ushtarake për çlirimin e Kosovës, me shumicë dërmuese shqiptare myslimane.
Pengesë kryesore në rrugën tonë të integrimit nuk është euroskepticizmi i cili është një dukuri e përhapur, dhe që pa diskutim ka ndikimin e tij të fortë dhe gjithnjë më të madh në jetën e këtyre vendeve të lira. Por në tërësinë e tij në rast se, si të thuash, imponon një qëndrim më rigoroz ndaj standardeve europiane vendeve anëtare për vendin tonë, ai nuk dikton politikën zyrtare dhe vendim-marrjen europiane të këtyre vendeve. Po të ishte për euroskeptikët dhe për ekstremin e djathtë (dhe këto nuk janë e njëjta gjë), heqja e vizave nuk do të kishte ndodhur për vendin tonë. Alternativa e tyre është më pak, gjithnjë më pak Europë, ndofta deri në zhdukjen e BE-së. Kjo krizë e rëndë, sipas euroskeptikëve, duhej të gllabëronte Euron dhe të shpërbënte BE-në, ndërkohë që e kundërta po ndodh. Kjo krizë po përballohet duke sjellë më shumë se kurrë Europë në hapësirën e BE-së dhe se sot, ideja për më shumë Europë konsiderohet rruga më e sigurt për të shmangur kriza të thella. Pengesat tona drejt BE, nuk lidhen me ndikimin e lobeve proserbe, të cilat janë një realitet i pamohueshëm dhe jo i parandësishëm dhe në jo pak raste, me potencial toksik albanofob. Por vetëm pak vite më parë në një vendim-marrje përcaktuese këto pesë vende qëndruan në anën e shqiptarëve dhe përdorën fuqinë e tyre kundër nacionalizmit serb.
Bllokimi i statusit të vendit kandidat nuk është vepër e mirëfilltë e albanofobëve jo të paktë që ekzistojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Bruksel e madje edhe në parlamente dhe kancelari të vendeve të ndryshme europiane. Albanofobët, të bazuar në urrejtjen, me origjinë nga më të ndryshmet, ndaj shqiptarëve, nuk kanë forcën për të diktuar qëndrimet zyrtare të vendeve të tyre. Jo shumë kohë më parë një ministër bullgar, në një akt albanofobie, grisi para kamerave hartën e Kosovës. Por, albanofobë si ai, nuk kanë diktuar në këto dy dekada politikën zyrtare më miqësore, më proshqiptare të këtij vendi mik, me një kontribut të veçantë e të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin në rajon. Ata diktojnë më shumë me ndonjë shortcut, lidhje të shkurtër, në politikën e qeveritarëve albanofobë aktualë të Tiranës. Përveç këtyre, qëndrimi i dyshes Rama-Meta është tejet mosmirënjohës. Të pesë vendet të cilat votuan kundër statusit, janë mbështetës ndër më kryesorët të Shqipërisë për 23 vjet me radhë. Po ju rikujtoj këtu, Edi Ramës dhe Metës, që u vërsulën kundër Mbretërisë së Hollandës njëlloj siç i vërsulej dikur Enver Hoxha, Izraelit apo RF të Gjermanisë, se në vitin 2010 kjo qeveri votoi, së bashku me vendet e tjera të BE, për heqjen e vizave për shqiptarët, ndërkohë që ekstremi i djathtë në këtë vend ishte më i fuqishëm se sa është sot. Këto pesë vende i kanë dhënë Shqipërisë, direkt dhe nëpërmjet institucioneve ndërkombëtare, një ndihmë të gjithanshme shumë të madhe. Qeveritë dhe përfaqësuesit e tyre kanë votuar në institucionet ndërkombëtare, gjithnjë e dhjetëra e më shumë herë, në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi. Gjermania e krishterë nuk ka patur vështirësi që bujarisht t’i japë Shqipërisë me shumicë myslimane një miliard euro ndihmë gjatë këtyre 23 viteve, dhe të vendosë shqiptarët në vendin e parë në listën e ndihmave gjermane për kombet e tjera. Këto 23 vite, kanë qenë vitet e solidaritetit më të madh, më të jashtëzakonshëm të kombeve perëndimore ndaj nesh. Në një moment kritik për jetën e kombit, kur diktatura e etërve të Ramës, me politikën e tokës së djegur, po i zhyste shqiptarët si kurrë ndonjëherë në zinë më thellë të bukës, ishin gjemitë e BE-së dhe Italisë mike, që me qindra mijëra ton ushqime, shpëtuan popullsinë tonë nga një katastrofë e vërtetë. Këto 23 vite, Komisioni Europian ka qenë dhe mbetet donatori ynë i parë dhe kryesor, natyrisht me para të taksapaguesve europianë, ndër të cilat qytetarët e pesë vendeve që refuzuan statusin, janë dhe kontributoret më kryesorë… Por, edhe në rrafshin politik, në të cilin pesë vendet kanë rol përcaktues, BE nuk ka dëshmuar kurrë ndaj Shqipërisë ndonjë qëndrim tjetër përveçse dashamirësisë dhe mbështetjes së madhe në proçesin e integrimit. Kështu, me dialog serioz dhe argumente bindës, ne ia dolëm që në Librin e bardhë që botoi ne vitin 1996 Komisioni Europian, Shqipëria të caktohej si vendi i rajonit që meritonte hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Politika zyrtare e të gjitha vendeve anëtare të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë këtu Shqipërinë, konfirmuar në samitet e Sarajevës, Zagrebit, Selanikut, është integrimi bazuar në meritën e këtyre vendeve, pra në funksionimin e shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe konsolidimin e standardeve europiane. Pas luftës në Kosovë, në samitin e Sarajevës në vitin 1999, atë të Zagrebit të vitit 2000, të Stokholmit të vitit 2001 e në vazhdim, Shqipërisë nuk iu kërkua asgjë tjetër për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, vetëm zhvillimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2000 dhe atyre të përgjithshme të vitit 2001 në përputhje më standardet ndërkombëtare. Mirëpo socialistët në pushtet nuk ishin të interesuar për zgjedhje të standardeve ndërkombëtare, por për pushtet dhe pasurim personal, pra për fitoren me çdo çmim të zgjedhjeve. Prandaj ata bënë që zgjedhjet lokale të vitit 2000 të vlerësohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë si zgjedhje të një vendi jo demokratik, kurse zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 të mbeten si zgjedhjet më të këqijat në historinë e vendit në të cilat, qeveria me fenomenin Dushk dhe Gjykatën Kushtetuese, i mori opozitës 12 mandate. Për të kontribuar në zgjidhjen e krizës së krijuar nga zgjedhjet e vitit 2001, Parlamenti Europian organizoi një hiering (dëgjesë) me drejtuesit kryesorë të pozitës dhe opozitës shqiptare dhe miratoi një rezolutë, në të cilën deklarohej se Parlamenti Shqiptar nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve shqiptarë dhe se PS nuk mund të zgjedhë me votat e saj në parlament Presidentin e vendit, rekomandoi zgjedhjen e një presidenti jo socialist, konsensual, si kusht për njohjen e tij nga Bashkimi Europian dhe për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Nga viti 2005 deri në vitin 2011 procesi i integrimit të Shqipërisë pati ecuri të pandalshme, krejtësisht normale gjer në momentin në të cilin në mënyrën më të pabesueshme njeriu që sot anatemon të tjerët do ta bllokonte atë me kurthin e tre ligjeve, për votimin e të cilave ishte rënë kohë më parë dakord. Por Rama-Meta, sulmin e tyre anakronik mosmirënjohës dhe idiotesk ndaj vendeve që refuzuan statusin Shqipërisë, e kanë kryesisht për konsum të brendshëm. Me këto reagime dyshja Rama-Meta, mendojnë të bindin shqiptarët se faji për vendimin e Këshillit të Ministrave të BE për refuzimin e statusit të vendit kandidat nuk qëndron tek korrupsioni galopant dhe sistemi kleptokratik që ata po instalojnë me shpejtësi, as tek dosjet e dorëzuara për korrupsionin e njëri – tjetrit, pra nga vetë Rama për Metën dhe Meta për Ramën, në kancelaritë e vendeve që refuzuan statusin, nuk qëndron tek lidhjet e tij direkte dhe të pushtetarëve të tjerë të niveleve më të larta me krimin, nuk qëndron në dhunimin, rrëzimin e neneve të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave të tjera me vendime qeverie, si në asnjë vend tjetër dhe përpjekjen për instalimin e shtetit policor, nuk qëndron në ndërprerjen antiligjore dhe antikushtetuese të mandateve të institucioneve të pavarura, as dhe në gijotinën e tyre politike ndaj administratës publike, por qëndron jashtë Shqipërie, qëndron në vende që të “molepsura” nga islamofobia, ekstremistë të djathtë e fashiste dhe albanofobë nuk i duan apo i kanë frikë shqiptarët. Nisur nga ky interpretim i rremë Rama-Meta, në karshillëk të hapur ndaj motiveve të refuzimit të statusit nga pesë vendet, vazhdojnë sot të përdorin votën e mazhorancës së tyre si kazmë ndaj Kushtetutës, ligjeve, vendimeve të gjykatave, rrënimin e administratës publike duke shkarkuar mbi 5000 punonjës të saj. Ata vazhdojnë betejën kundër opozitës, të cilën Rama e cilesoi si “gropë septike”, duke arrestuar dhe inskenuar “flori të vjedhur” apo “vula të KQZ” në shtëpi për eksponentët e saj “si dikur armët në kishë” nga Sigurimi i Shtetit. Ata vazhdojnë me vendosmëri  betejën kundër institucioneve të pavarura, duke shkarkuar në kundërshtim me ligjin kryetaren e ILDKP, vetëm e vetëm se ajo, me dt. 6 mars të vitit që kaloi, nisi hetimin e deklaratës së pasurisë të z. Rama për vitin 2010, vit në të cilin ai kishte qenë kryetar bashkie dhe se thirri të shoqen e z. Rama për të dhënë sqarime mbi fondet e ndërtimit të pallatit 5-katësh, për të cilin nuk ekziston asnjë faturë bankare, tatimore apo doganore. Rama në karshillëk të hapur zëvendësoi kryetaren e ILDKP duke marrë kompetencat e Presidentit të Republikës, mbasi ligji për ILDKP përcakton se: pasi krijohet vendi vakant, Presidenti i Republikës brenda 15 ditëve dërgon në Parlament dekretin me dy kandidatura për kryetar ILDKP. Kurse Rama, për të kryer votimin me dy kandidatura shmangu dekretin e Presidentit dhe futi në votim znj. Xhuka që sapo e kishte shkarkuar, dhe kandidatin që ishte rrëzuar vetëm dy vjet më parë. Këto qëndrime anakronike të dyshes Rama-Meta, këto veprime, të cilat sipas komisionerit Fyle “po të shkruheshin në raportin e Shqipërisë për vendet anëtare, për ne, do të kërkoheshin jo 5 por 25 prioritete”, nuk janë krejt të parrezikshme. Edi Rama nga njëra anë sulmon ata që kërkojnë zbatimin e standardeve nga ana tjetër ai vazhdon të përdorë votën e qytetarëve si kazmë për rrënimin e tyre dhe ndërtimin e pushtetit të tij personal. Rama mban këtë qëndrim sepse pas votimit të tij më 23 qershor, ai, njeriu që kishte bllokuar integrimin, beson se ky proces nuk është një interes imediat elektoral për qytetarët. Përveç kësaj, në revanshin e tij të papërmbajtur, Rama shfrytëzoi faktin e hidhur se, për ne shqiptaret vetëm 22 vjet më parë demokracia ishte jo një traditë por një aspiratë për t’u ndërtuar. Në opinionin tonë publik, mungon ndjeshmëria e duhur dhe njohja e rëndësisë përcaktuese të kritereve të Kopenhagenit dhe standardeve europiane per integrimin e vendit ne BE. Rëndom, ngushëllojmë veten apo rrahim gjoksin se ne jemi Europë, se si kombi më i lashtë ne kemi kontributin tonë etj etj. Por, në këtë arsyetim, bazuar në të vërteta të pamohueshme, qëndron dhe një dëshmi e qartë e mosnjohjes së BE dhe procesit të integrimit. Po, është e vërtetë se ne, gjeografikisht dhe historikisht, jemi Europë por aktualisht jemi larg saj. Bashkimi Europian nuk është Europa e të shkuarës apo Europa e historisë, ndonëse të dyja ato aty janë. BE-ja, para së gjithash, është Europa që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore nga ish-armiq që, në luftën më të egër të historisë, rrënuan njëri-tjetrin me qëllim që historia të mos përsëritet, është Europa e paqes, prosperitetit e bazuar në një univers të tërë vlerash, parimesh, standardesh, ligjesh, praktikash, kriteresh, respektimi i të cilave ka bërë të mundur që këto kombe dhe qytetarët e tyre të gëzojnë sot paqen më të gjatë në histori, lirinë më të gjerë, zhvillimin dhe prosperitetin më të madh në ekzistencën e tyre. Në këtë hapësirë, ndofta mrekullia më e madhe e të gjithë kohërave, energjia negative e krijuar, krizat, konfliktualiteti i vendeve të saj karshi njëri-tjetrit që dikur shpërthenin luftëra, agresione, është sublimuar në solidaritetin e ndërsjellë më të pashembullt në memorien e Europës. Kriza e fundit, më e thella në historinë e 80 viteve që shkuan në Europë, nuk eci drejt zgjidhjes me konflikte të armatosura si pararendësja e saj, por prodhoi dhe solidaritetin më të madh në histori, bashkëpunimin më të thellë për kapërcimin e saj. Pra ne, për t’u vendosur në këtë hapësirë, e cila në kontinentin e vjetër mijëravjeçar është tërësisht e re, është vetëm 63-vjeçare, duhet të kemi të qartë se rrugën drejt saj e kemi nisur, si të thuash, nga sipërfaqja e pasme e hënës. Kjo është e vërtetë edhe në rast se iu referohemi vetëm 60 viteve të fundit dhe të lemë mënjanë historinë tonë më të vështirë në Europë, histori pushtimesh të gjata, urbanizimi tejet diskret, zhvillimi pothuaj të ndaluar, që nuk përjetoi dot reformën, skepticizmin e saj si periudhë e ndritshme për kombet e tjera, pra më shumë histori e dhimbshme mbijetese e një kombi me rilindje, alfabet, shkolla shqipe te vonuara. Pesë dekadat e fundit, të shekullit që shkoi për ne shqiptarët ishin vitet e shtypjes dhe terrorit më të egër në historinë tonë, izolimit më të thellë, antivlerave dhe urisë kronike e mjerimit më të madh. Prandaj sot, çdo shqiptar duhet të jetë e qartë si drita se rruga e vetme e sigurt në udhëtimin tonë drejt Europës është konsolidimi i shtetit ligjor demokracisë, institucioneve të saj. Ky është dhe interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë, të të gjitha bindjeve politike. Kjo është njëkohësisht përgjigja më efiçente ndaj euroskeptikëve, albanofobëve, ekstremistëve etj, por dhe mënyra më e mirë për të siguruar nga miqtë tanë, SHBA, etj, një mbështetje të gjerë dhe solide për integrimin e Shqipërisë në BE.
Sot problemet e vendit në rrugën e integrimit, para së gjithash, janë të lidhura me shkaqe pothuaj kryekëput shqiptare dhe më së pari, me qëndrimin politik të papërgjegjshëm të PS dhe LSI ndaj procesit të integrimit dhe ndaj standardeve europiane. Mjafton të rikujtojmë këtu zgjedhjet lokale të Korçës, ndryshimin e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave me akte normative, vendime të qeverisë, qëndrimin armiqësor ndaj institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, Presidentit të Republikës, KLD, shkarkimet e paligjshme të drejtuesve të ILDKP, Institutit të Statistikave, Agjencisë së Luftës Kundër Pastrimit të Parave, Avokaturës së Shtetit, Komisionit dhe Agjencisë së Prokurimeve Publike, “dezinfektimin” e administratës publike, që të gjitha këto në funksion të pushtetit personal të dyshes Rama-Meta. Në këtë moment kritik kur do të vendoset për statusin e vendit kandidat por dhe në vazhdim mendoj se debati në shoqërinë tonë për integrimin europian dhe kërkesat, kriteret që duhen përmbushur në këtë proces, duhet të ngrihen në një nivel të ri. Në këtë kontekst, opozita duhet të vazhdojë mbështetjen e plotë të integrimit por dhe betejën, pa kompromise, për mbrojtjen e standardeve europiane. Ajo duhet gjithnjë të lobojë në favor, me bindjen e plotë se Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat. Por, çdo dhunim i shtetit ligjor, është para së gjithash dhunim i opozitës dhe lirive e të drejtave të qytetarëve. Opozita që bën kompromise në qëndrimin e saj ndaj vlerave të demokracisë, është e destinuar të zhduket. Një rol të dorës së parë në mbrojtjen, promovimin e vlerave demokratike mund të luajë bota akademike, shoqëria civile dhe inteligjenca e vendit të cilat janë qartësisht proeuropiane, por ende me një zë tejet diskret dhe të mekur. Zëri i tyre mund të jetë shumë më i fuqishëm në veprimtari, projekte, konferenca, seminare, shkrime, debate për krijimin në Shqipëri të një koncepti realist për proçesin e integrimit europian, detyrimet dhe leverditë tona në këtë proces. Roli apo misioni i mediave të vendit në këtë debat është i pazëvendësueshëm. Në shkrimet, analizat, editorialet e mediave tona, standardet europiane në tërësi janë mungestarët e mëdhenj dhe ky është një problem shumë serioz për ne. Gazetarët, analistët, si avoketër të interesit publik do të mund të japin një kontribut palcor në projektin e të gjitha projekteve tona në rast se zhvillimet në vend do t’i shqyrtonin dhe vlerësonin në raport me ndikimin e tyre në procesin e integrimit. Mirëpo, përveç disa debateve ekzotike që zhvillohen pas botimit të raportit të Komsionit Europian apo pas vendimeve të Brukselit, problematikat, shkrimet, debatet në media për procesin e integrimit në tërësi janë të rralla dhe duhet të pranojmë se rëndom gjen dhe analiza, interpretime të raporteve tona me BE, jo vetëm sipas interesave të ngushta partiake por kur tentojnë të jenë të pavarura, ato bien në nuancë romantike. Në media, Edi Rama, njëlloj si në Parlament, operon me dy ose tre sharës të paguar apo me kripto-avoketër që, për të lehtësuar dhe justifikuar Ramën, shpifin për opozitën. Ndoqa një ditë “prapa perdeve” të Opinionit të TV Klan, një nga analistët i thotë në një moment B. Klosit: “Jo, këto që bëni ju me policinë, këto Europa nuk i don. Më mirë të mbanit Burgajn, Vocin sepse ata për ju do punonin”, dhe vazhdoi me tej, “gabimi juaj është kur thoni se ne nuk zbatojmë ligjet e Saliut dhe këtë Europa nuk e pranon dhe Saliu mezi pret të nisë ato në Bruksel”. Ky ishte debat i sinqertë por ç’e do, ishte prapa perdes. Në studio atë e bllokon autocensura. Mirëpo, këto zotërinj duhet të kenë të qartë se, në një kohë që opozita është zotuar të mbështesë pa kushte çdo ligj apo reformë që nevojitet për proceset e integrimit, përgjegjës për standardet për BE-në, vendet anëtare, është qeveria. Kështuqë ndihma më e madhe që mund t’i japin qeverisë, avoketërit e saj në media apo parlament, është mbrojtja e shtetit ligjor, pa patur frikë se po ndihmohet opozita. Ndaj dhe thirrja ime më miqësore për parlamentarët e fjalës së lirë, është që në interesin më të mirë të rolit të tyre të kenë më shumë Europë në shkrimet, analizat, opinionet e tyre. Si përfundim, qershori po vjen, unë mendoj se Shqipëria meriton plotësisht dhe do të vlerësohet pozitivisht për statusin e vendit kandidat. Vendi, mbi bazën e suksesit të padiskutueshëm të reformave, ka marrë dy herë rekomandimin e Komisionit Europian për statusin e vendit kandidat. Ky status u pengua në vitin 2012 nga Edi Rama me mosvotimin e tre ligjeve dhe u refuzua në vitin 2013 për shkak të qëndrimit të papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj shtetit ligjor. Mendoj se është e pamerituar të ndëshkohet, për të tretën herë një komb, për shkak të një personi me probleme serioze psiqike dhe që ka si interes të vetëm pasurimin dhe pushtetin e tij.

No comments: