Friday, February 28, 2014

Kush është Krimea, vendi sovjekti që do të bëhet shtet

Pak ditë më parë shumëkush kishte dëgjuar pak ose aspak për Krimenë, gadishullin ukrainas i vendosur në brigjet veriore të Detit të Zi, që së fundmi është kryefjala në mediat dhe diplomacinë ndërkombëtare për shkak të përshkallëzimit të dhunës atje dhe retorikës diplomatike mes Rusisë dhe Perëndimit.


Por Krimeja fatkeqësisht ka një historik të gjatë luftimesh që nisin që nga lashtësia. Ka qenë arenë përplasjesh mes Lindjes dhe Perëndimit, arenë përplasjesh kulturash mes jugut dhe Veriut dhe gjithë kjo për shkak të pozicionit gjeografik.

Para shekullit të 13-të kontrollohej nga tartarët dhe mongolët, që gradualisht ngritën Khanatin e tyre. Në shekullin e 13-të venecianët dhe gjenovezët vunë nën kontroll portet kyçe të gadishullit, ndërsa pjesa tjetër e territorit zotërohej nga Khanati i Krimesë. Në shekullin e 15-të, Gadishulli bie nën sundimin e Perandorisë Osmane, që për 3 shekuj do t’i rezistonte kryengritjeve vendase, por edhe sulmeve të carëve rusë në veri, që vazhdimisht kërkonin daljen në Dardanele.

Gjatë sundimit osman Krimeja zotëronte një autonomi të zgjeruar. Në vitin 1774 pas luftërash të shumta, Khanati i tartarëve të Krimesë nënshkroi një marrëveshje që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve dhe rajoni i shkëputej Perandorisë Osmane dhe ruante të njëjtën autonomi, por këtë herë nën siglën e Perandorisë Ruse. Kjo e fundit, në vitin 1783 pushtoi të gjithë gadishullin dhe abrogoi autonominë e zgjeruar që vendasit gëzonin.

Me pushtimin e Krimesë, Perandoria Ruse synonte daljen në Dardanele. Pengesa ishte Perandoria Osmane e mbështetur nga Franca dhe Mbretëria e Britanisë së Madhe që gjithashtu nuk dëshironin daljen e Rusisë në Mesdhe. Ëndrra ruse merr fund në atë që në histori njihet si Lufta e Krimesë, një betejë që zgjati nga tetori i vitit 1853 deri në shkurtin e vitit 1856. Përballë u vunë Perandoria Ruse nga njëra anë dhe aleanca mes Francës, Britanisë dhe Perandorisë Osmane nga ana tjetër.

Pas tre vjetësh betejash të përgjakshme më 30 mars të 1856 palët nënshkruan Traktatin e Parisit ku forcat aleate i rikthyen Perandorisë Ruse të gjitha territoret e pushtuara dhe në këmbim rusët larguan nga territoret osmane ushtrinë e tyre, si dhe zotimi mes Carit dhe Sulltanit për të mos angazhuar flotë ushtarake në Detin e Zi. Me këtë, Parisi dhe Londra u siguruan për mosdaljen e Rusisë në Mesdhe, por kostoja ishte tragjike; rreth 2 milion të vrarë vetëm në radhët e ushtarëve, pa përmendur viktimat në civilë.

Në shekullin e 20-të territori i Krimesë u bë sërish arenë luftimesh, por këtë herë në luftën civile ruse. Pikërisht në këtë Gadishull u zhvillua qëndresa e fundit e Ushtrisë së Bardhë përballë Ushtrisë së Kuqe. Ushtria e Kuqe fitoi betejën dhe dorëzimi i Ushtrisë së Bardhë pasoi një masakër, ku të paktën 50 mijë ushtarë dhe civilë besohet se janë pushkatuar dhe varur brenda pak ditëve.

Në Luftën e Dytë Botërore Gadishulli ishte shesh i disa betejave të ashpra mes nazistëve gjermanë dhe ushtrisë sovjetike. Në vitin 1941 Krimea ra në duart e nazistëve, përvec qytetit të Sevastopolit, që rezistoi deri më 4 shtator të vitit 1942. Në vitin 1944 Gadishulli i çlirua nga gjermanët, por për popullsinë shumicë tartare nisi terrori. Më 18 maj të atij viti Stalini urdhëroi internimin masiv të tartarëve, që në atë kohë përbënin shumicën e popullsisë, por edhe të grekëve dhe armenëve drejt Azisë Qendrore me akuzën e bashkëpunëtorëve të nazizmit.

Në fund të verës së 1944 pastrimi etnik në Krime kishte përfunduar. Në shkurt të 1945 në Krime zhvillohet Konferenca e Jaltës, një takim mes Roosevelt, Churchill dhe Stalin. Më 30 qershor të 1945 autonomia e Krimesë u abrogua sërish dhe rajoni u njoh si një provincë ruse. Më 19 shkurt të 1954-ës Presidiumi Suprem Sovjetik vendosi kalimin e administrimit të provincës nga Rusia drejt Ukrainës. Në vitin 1967 tartarëve u njohën disa të drejta, por jo ajo e kthimit dhe e pronës në vendlindjen e tyre, e drejtë e mohuar deri në ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik, kur mijëra prej tyre u rikthyen në Krime nga internimi në Azinë Qendrore.

Krimeja është një hallkë e rëndësishme ekonomik0-tregtare, që shërben si urë lidhëse Lindje-Perëndim dhe Veri-Jug. Por përvec kësaj, rajoni është edhe një destinacion i njohur turistik që ofron bukuritë natyrore të bregdetit të Detit të Zi si dhe vizitat në vendet antike si Sevastopolo.

No comments: