Tuesday, December 24, 2013

Kujtime për poetin e madh malazes Radovan Zogoviq

Radovan Zogoviq i cili shkroi poemën “Ardhësit-Këngët e Ali Binakut”, si përgjigje për padrejtësitë kundër shqiptarëve, në Mbretërinë Serbo-Kroato.Si u përndoq Autori i “Ali Binakut”nga monarkia  serbe, por edhe nga regjimi komunsit

Jevrem Bërkoviqi: “ Ekzistojnë popuj, shkarjet historike të të cilëve, herëherë edhe fytyrën e zezë popullore ua shërojnë, ua përmirësojnë dhe ua lajnë vjershëtarët e tyre të mëdhenj. Dhe ekzistojnë popuj krimet e të cilëve, apo njollat e përgjakshme historike, i përlavdërojnë dhe i zmadhojnë vjershëtarët e tyre parësorë,
e mandej ata dytësorë e tretësorë. Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtorin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ardhacak.” 

Nga Mirash Martinoviç

Nga gjuha malazeze e përktheu Smajl Smaka

Radovan Zogoviqi është klasik malazez. Shkrimtar, i cili e ka pasuruar letërsinë malazeze me vepra , të cilat i vendosin në majat e saja.
Është lindur në fshatin Mashicë, në Polimjen e Epërme të Andrijevica, në Mal të Zi, në vitin 19O7. Gjimnazin e ultë e ka kryer në Beran dhe, gjatë shkollimit katërvjeçar çdo pesëmbëedhjetë ditë i ka kaluar nga 32 kilometra  duke hecur këmbë deri në Mashnicë  ashtu që nëna e tij ta harrnonte e ta pastronte dhe të mirrte ushqimin për dy javët e ardhshme. Në klasën e tretë  të gjimnazit të ultë, ka filluar të shkruaj tregime të shkurtëra kundër alkoolit, kundër alkoolistëve dhe tregtarëve të alkoolit , kurse në klasën e katërt boton këngë popullore ,shortare dhe shpoti dhe përshkrime të lojërave popullore në Kiq, javoren beogradase për humor, zbavitje dhe për mbledhjen e krijimtarisë popullore. Dy vite e gjysmë të Gjimnazit i ka kryer në Pejë, pasiqë familja e tij ishte vendosur në Dukagjin, në një fshat të Deçanit.
Kolonist në Dukagjin, pjesëtar i lëvizjës komuniste që nga ditët e para, luftëtar për drejtësi dhe për të vërtetën edhe vet deri në përkushtim dhe , i saktë dhe i drejtë. Njeri që gjithmonë ka pasur qëndrim, edhe në kohërat kur të mbajturit qëndrim vetanak  paguhej edhe me kokë. Ndonëse pjesëtar i një lëvizje ideologjike, tek ai ideologjia  nuk e ka vrarë poetin. Ai i ka dhënë asaj aq sa ajo ideologji ka përmbajtur në vete postulate të përhershme, që kanë vlerë për të gjitha kohërat.  Më vonë, ithtari i saj më besnik,do të shpallet për renegat të saj. Do të jetë edhe  dyshues, mohues  dhe kritikues i saj, më saktësisht i atyre.Të atyre mbi të cilët, pa fije dyshimi, ishte shumëfishë më lartë.
Mirëpo,se çdo e keqe nuk ështe e keqe, tregon edhe rasti i tij.  Pikërisht gjatë viteve të izolimit, lindin veprat e tij të mëdha, të shkruara me gjuhën e Ezopit.Të mbështjella me metafora. Ajo  gjuhë, gjuha e tillë  e kanë bërë të madh, të patejkalueshëm, të paqasshëm, të pakapshëm  nga censorët dhe të afërt me lexuesit  dhe me  adhuruesit e shumtë të tij.
Edhe vet i izoluar, i hedhur nga shokët, i harruar nga miqtë, Zogoviqi bëhet përkushtimtar i Poezisë. Pikërisht në fazën e parë të atij izolimi, Isidora Sekuliq ështe i vetmi person që e viziton. Për shkak të keqtrajtimit dhe bastisjes së shpeshtë nga UDBA , edhe ajo se shpejti do të heqë dorë, por do ta zëvëndësoj poetja Desanka Maksimoviqi .Kur për këtë kishte dëgjuar Gjilasi, familjar i afërm dhe bashkëpartiak i Zogoviqit, e kishte qortuar Desanken pse ajo e vizitonte,  ajo  i ishte përgjigjur: Edhe ju do t’u vizitoj kur do t’u gjej, godasë  fati i njejtë. Ishte kjo një shaka spontane e cila se shpejti u bë realitet. Kishte rënë edhe Gjilasi. Shkollës së renegatëve iu shtua edhe një nxenës. Në shkollën e tillë, që të dy do të merrnin dhe vazhdonin kursin tjetërfare, nga ai që e kishin vijuar  më parë. Zogoviqi kishte heshtur dhe kishte shkruar, kurse Gjilasi kishte shkruar, por edhe kishte vepruar politikisht.
Në periudhën e paraluftës, Zogoviqi ishte poet i njohur. Në fillimin e studimeve e kishte humbur bursën për shkak të një kritike të pavolitshme të një shfaqje të dobët teatrore. Në përfundim të vitit të parë shkollor, sëbashku me një shok, e boton revisten   „1939 në jug“. Në vitin e tretë të studimeve e ka shkruar novelën Shtëpia e bardhë. Me urdhërin e pushtetit të atëhershëm, shqiptarët e Dukagjinit ishin të detyruar t’i lyenin shtëpitë e tyre,“të cilat nga jashtë lojalisht ishin të bardha, por nga brenda ishte çdo gjë e errët dhe e papastër, çdo gjëje i zihej fryma nga varfëria, papastërtia, prapambeturia e trishtuar e i çdo lloji sëmundjesh  të rënda dhe zullumeve të trishta“. Novela ishte botuar në revistën Stozher. Censura e ndaloi këtë numër.
Si përgjigje për  padrejtësitë kundër shqiptarëve, që iu bënin në Mbretërinë Serbo-Kroato- Sllovene shqiptarëve në Kosovë, në vittin 1936, në sanatorijumin Klenovik në Zagorjen e Kroacisë, Zogoviqi  e shkroi Poemën Ardhësit- Këngët e Ali Binakut, zë i revoltës, i kryengritjes kundër asaj padrejtësie e kundër padrejtësive në botë.
Para kësaj, Zogoviqi në Zagreb e kishte vizituar bardin e poezisë August Cesarecin. Këtë rrëfim ma ka dëftuar në banesën e tij në Beograd,që në vitet e hershme të tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Ishte ftohtë, Cesarec ishte mbështjellur me një batanie të trashë, kurse Zogoviqi poet i ri, me një dozë droje  para bardit të madh. Si është gjendja në Kosovë ? E kishte pyetur  Cesareci kolegun e ri. Zogoviqi i kishte folur detajisht për maltretimet ndaj shqiptarëve, nga ana e xhandarmëve të atëhershëm  dhe të disa kolonistëve malazezë, ndër të cilët dallohej veçanërisht Sava Lazareviq, komandant i xhandarmërisë malazeze  (i „krilashëve“) në atë pjesë të Dukagjinit, e cila në periudhën 1912-1915 ishte nën Malin e Zi, i pagëzuar  Sav–batarja., Cesareci i kishte dëgjuar me vëmendje këto detaje të trishta dhe ndodhi tragjike  për jetën e atëhershme të shqiptarëve  të Kosovës, dhe, pas bisedës dy orë e gjysmë kishte klithur: Zogoviq, nëse nuk keni letër, këtë duhet ta gdhendni në gurë. Së shpejti këto fjalë të Cesarecit e kishin nxitur shkëndinë e cila qëmoti ishte ndezur, Zogoviqi e shkruan poemen „Ardhësit –këngët e Ali Binakut“, që e përbëjnë dymbëdhjetë tërësi poetike.
Para luftës  së Dytë Botërore Zogoviqi ka jetuar në Beograd, në Zagreb dhe në Shkup , ku pranë Fakultetit Filofifik ka kryer Grupin për Letërsi dhe ka fituar titullin profesor. Në vitin 1937 në Zagreb e ka botuar librin  Zogjtë e zjarrtë , e cila ishte ndaluar, kurse kritiku Eli Finci ishte dënuar me tri vjet burg pasiqë policia e kishte zënë duke  e dërguar tirazhin e fshehur nga Zagrebi për në  Beograd. Në vitet 1937 deri në vitin 1939 ishte anëtar i redaksisë beogradase Nasha stvarnost , kurse në vitin 1939, sëbashku me Velibor Gligoriqin e nis dhe e redakton revistën  Umetnost i  kritika. Lufta e zë në Beograd, ku pasë bombardimit të gjashtë prillit shkon në Mal të Zi. Në ditët e para kryengritjes bëhët anëtar i komandës kryengritëse për rrethin e Andrijevicës, nga së bashku me Veselin Masleshën dhe ne bashkëshortën Vjera, në bjeshkën Konjsko të Berani botohet gazeta e hektografuar Sloboda traditë e botimit, që me shkëputje të kohëpaskohshme vazhdon deri në ditët tona..
Në Manastirin Moraça punon në Shtabin  e njësitit të Komit, kur e shkruan poezinë për nder të fitores sovjetike të Moska. Gjatë luftës dhe në luftë  ka ushtruar detyrat më të përgjegjshme, ishte anëtar i agjitpropit të Komitetit Krahinor dhe i Sesionit të Propagandës të Shtabit Suprem të njësive partizane të  Malit të Zi.
Në vjeshtën të vitit 1943 trasferohet në sesionin Propagandues të Shtabit Suprem. Ishte anëtar i redaksisë, bashkëpunëtor dhe redaktor i dorëshkrimeve në revistën  Nova Jugoslavija.Pas desantit në Dërvar, transferohet në ishullin Vis, e pastaj në Beogradin e çliruar.
„Nga atëherë“ shkruan Zogoviqi në Biografinë që e tij  dhe „ pothuaj deri në fund të vitit 1948 kam kryer aq shumë dhe aq detyra të ndryshme, kështu që ,sidomos në fillim duhej zgjatur ditën deri në 3O orë. Gjatë tërë asaj kohe „kam qenë anëtar i Komisionit për Agjitacion dhe Propagandë pranë KQ të  PKJ; konkretisht e kam nxjerrë  Fletushken  2o oktobar (që është dita  e çlirimit të Beogradit),kam marrë pjesë në organizimin dhe nxjerrjen e gazetës Borba.; kam marrë pjesë në organizimin e shoqatave kulturore e arsimore, në organizimin dhe në punën e shoqatave kulturore, të ndërmarrjeve botuese, të kurseve arsimore, në nismën  e botimin e revistave, në organizimin dhe punën e shoqatave kulturore, të ndërmarrjeve botuese, në themelimin e filmit jugosllav. Në organizimin e Kongresit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, disa muaj ishte redaktor  i rubrikës së kulturës në gazetën Borba ,nënkryetar i Shoqërisë për bashkëpunim kulturor të Jugosllavisë me BRSS, të Jugosllavisë dhe Bullgarisë dhe të Jugosllavisë e Shqipërisë.
Anëtar i redaksisë së revistës Jugoslavija,ka shkruar artikuj  politik e ushtarak, kritika letrare e artistike në Borba  Knjizhevne novine dhe në gazeta e revista tjera. Ka botuar fragmente nga kritika letrare, ka shkruar poezi, ka redaktuar botime të ndryshme, ka mbajtur ligjërata, fjalime parazgjedhore e fjalime të tjera, kam marrë pjesë në përkthimin e biografisë së Leninit, në redaktimin e Historisë së PKJ, e kam përgatitur botimin e përpunuar të Matveja Kozhemjakinit dhe Fome Godijevit, ishte referues kryesor në Kongresin Themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në kremtimin e 1oo vjetorit të Kurorës së Maleve, kam udhëtuar me delegacionin qeveritar të shkrimtarëve në BRSS (1946 dhe 1947), ka udhëtuar me delegacionin e luftëtarëve të rezistencës në Paris, kam udhëtuar me delegacionin e PKJ në Kongresin e Partisë Komuniste të Indisë në Kalkutë (shkurt 1948 ) në delegacionin e punëtorëve të kulturës në hapjen e ekspozitës së piktorëve dhe të skulptorëve jugosllavë në Pragë“.
Në vitin e luftës 1943 e shkruan  poemën e njohur- vjershë për biografinë e Titos, si një përgjigje ndaj propagandës perëndimore. Atij „fisi të poshtër të biografëve të Titos. Kundër atyre „që genjejnë dhe spiunojnë rreth emrit dhe rrugës së Titos“ iu përgjigjet me rafale të ashpra të vargjeve dhe të barotit, të vërtetën dhe ndaj pyetjes së tyre: kush është Tito? Zogoviqi përgjigjet:“Po pyesni për Titon kush është/ ti pushkë, pushka ime, shkruaj /Tito, jemi të gjithë ne/ edhe toka edhe ushtria edhe malet sulmet tona trime, të pandala / të shtruarat nëpër  shinjelat e tyre dhe të shatorëve të tyre…/ Poema është shumëzuar në vendluftime, u është ndarë luftëtarëve, të cilët me të në gojë dhe me vargjet e saj, kanë rënë përgjatë tërë vendit të pushtuar. Nëpër vorbullat  e luftës, poema  i ka përjetuar gjashtë botime zyrtare.
Gjatë kohës së izolimit të tij, Zogoviqi e ka përkthyer poemën Mirë të Majakovskit. Me honorarin e përkthimit të kësaj poeme, ai do ta botoj në një botim privat, në vitin 1958 librin e vogël, por të madh dhe shumë  me efekte „Ardhësit-Këngët e Ali Binakut“ . Nëpër libraritë e Beogradit e kishte shpërndarë poetja Desanka Maksimoviqi. Libraritë e kishin marrë librin, por pas disa ditësh libri ishte tërhequr nga shitja. U ndalua shitja e tij. Ky libër jo i trashë i pengonte  regjimit të kaluar mbretëror por edhe atij që zëvëndësoi, regjimit komunist..
Por kaluan caret dhe mbretërit, të cilët i mbijetoi poezia,që Zogoviqi më se miri e dëshmon me vargjet e Këngës së nëntë, në librin Ardhësit-Këngë të Ali Binakut.


Mbi ne në mua, sa kap kosa e një jete,
kanë qenë tre krala, që vinin për të mos shkuar,
që ngrehnin topat në shtatë rrugë dhe kufi
dhe na godisnin me zjarrë,dhe na qëllonin me fjalë
të mëdha për të na grirë,
dhe na shkundnin si pemët,dhe na qethnin si delen,
dhe na thurnin në lese,hunjtë e të cilave zbliodhen në nyje,-
dhe shkuan
si vegshat u thyen
 
Poezia e  Radovan Zogoviqit i ka mbijetuar tre carëve, tre mbretëve dhe mbretërive të  tyre, duke u shndërruar në një simfoni të madhe, zërat dhe jehonat e së cilës dëgjohen dhe  jehojnë, jashta mbretërive kalimtare, duke u bërë mesazh i përhershëm për të gjitha gjeneratat dhe popujt  dhe vërejtje për pushtuesit dhe  tiranët.

Në përfundim të heshtjes shtatëmbëdhjetëvjeçare izoluese, nga e cila shndërriti të folurit e përhershëm, Zogoviqin në Beograd e kishte vizituar shkrimtari Mirosllav Kërlezha, me të cilin në periudhën e paraluftës kishte pasur polemika të rrepta dhe jo aq të këndshme, të njohura si: lufta në të majtën letrare.

I befasuar nga vizita e tillë, Zogoviqi ishte gëzuar se dikush po e vizitonte, aq më tepër Kërlezha, i cili kishte ardhë nga vet Titoja, kur izolimi i  poetit edhe zyrtarisht ishe vënë  ad acta.  Në fund të vizitës, Kërllezha ia kishte kërkuar poezitë për  REPUBLIKËN zagrebase, revistë në krye të së cilës ishte vet Kërllezha. Zogoviqi ia kishte dhënë një tufë poezishë, ndërkaq Kërllezha do t’i botonte  në numrin e parë vijues të revistës.
Në këtë mënyrë edhe kishte filluar rehabilitimi i Radovan Zogoviqit. Dalja nga izolimi shtatëmbëdhjetëvjeçar. Pason vizita e Zogoviqit te Kërllezha në Zagreb, kur ai ia dha për ta lexuar botimin në shumë vëllime të  romanit Zastave (Flamujt) .
Zogoviqi, një kexues i vëmendshëm e suptil, i cili pa asnjë dyshim dhe pa konkurrencë, mund ta hetonte tërë atë që ishte e tepërt, kishte fshirë bukur shumë pjesë  nga romani, kurse Kërllezha i padurueshëm, thërriste shpesh dhe pyeste: deri kund ke arritur? Kur kishte arritur deri në fund Kërllezha e kishte pyetur se a i pëlqente romani . Zogoviqi ishte përgjegjur: unë nga gjashtë libra do t’i kisha shkruar, botuar dy. Kjo Kërllezhës nuk i kishte pëlkqyer. Këtë rrëfim ma ka treguar Zogoviqi që në vitet e tetëdhjeta kur e kisha vizituar disa herë  në Beograd.
Atëbotë e pata zhvilluar edhe një intervistë të gjatë me te. E përjavshmja zagrebase Oko(Syri) kishte autoritetin e një reviste të hapur në të cilën mund të botohej çdo gjë.Një pjesë e madhe e intervistës ishte fokusuar në luftën brenda të majtës letrare Atëbotë, ajo ende ishte temë e ndaluar. Për këtë apo për ndonjë arsye tjetër, intervista nuk u botua. Pas një kohe të caktuar, vendosa që ta thërras kryeredaktorin se a do të botohet intervista dhe kur ?
Pa ndonjë shpjegim m’u përgjigj se intervista me Zogoviqin  nuk do të botohej. Këtë intervistë pas një kohe e botoi revista beogradase Knjizhevnost(Letersia), me një distancim të redaktorit, i cili në fund të bisedës, mendimet, idetë, opinionet e Zogoviqit i quan retrograde, kurse e kishte fshirë hyrjen time inspirative. Redaktor ishte  Vuk Krnjeviq,  me të cilin vet Zogoviqi kishte polemizuar më parë, të cilën e ka botuar me titull Knjizhenva sudanija (botim privat, 1974.), për të cilën unë unë dija asgjë.
Nga koha kur e kam zhvilluar këtë intervistë unë i kam disa letra nga Zogoviqi, të cilat i ruaj si një thesar në arkivin tim, si dhe vet intervistën e shkruar nga dora e Zogoviqit.
Pas daljen nga prangimi, ose nga burgu shtëpiak, siç thuhej atëbotë, Zogoviqi  ka botuar: Fjala e artikuluar (1965.), përmbledhjen e tregimeve  Pejsazhe dhe diçka po ndodhë (1968.), përzgjedhje poezishë, me titullin Damarëve për gurë, botim, i Entit grafik të (1969.). Pasojnë librat me poezi: Personalisht, krejtësisht personalisht (1971), Kancelaria e knjazit  (1976), Përkohësisht,  përgjithmonë (1985.), Supret për nesër (1985.), librin e tregimeve  Natë dhe gjysmë shekulli  (1978.), tregime të zgjedhura  (1985.), romanin Gëzofi me gjysmë mëngësh (1985.), libri me ese dhe trajtesa për Njegoshin, S.M. Ljubishen dhe për këndimin gojnore: Kalimthi për të patejkaluaren  (1983).
Krahas studimit të gjatë, e ka përpiluar antologjinë e Këngës epike malazeze të kohërave të ndryshme, në Beograd,në vitin 1970, nga Enti grafik i Titogradit
Gjatë një vizitës sime që i bëra më pati thënë se është duke e përgatitur antologjinë e këngëve lirike malazeze, me verejtjen se kënga lirike  më e mirë malazeze është  Nëpër fusha valo o trim i shquar. Se deri ku ka arritur në këtë punë, tash për tash nuk di asgjë.Ndoshta, mund të ketë qenë vetëm një dëshirë, plan i  tij …
Pasiqë nga trashëgimia e tij, e cila është publikuar pas vdekjes së tij, libri i tillë nuk është prezentuar, ndaj as ndonjë shenjë për te, ka të ngjarë se ai nuk ka arritur ta përfundojë, ndoshta as mos ta nisë seriozisht atë projekt të rëndësishëm- përzgjedhje të lirikës popullore.
Radovan Zogoviqi ka vdekur më 5 janar të vitit 1986. Mbetjet mortore, urna, sipas dëshirës së tij është  varrosur në varrezën familjare në Deçan, ku kanë jetuar, si kolonistë  prindërit e tij, ku edhe ai e ka kaluar një pjesë të rinisë së tij të hershme.

Pasvdekjes është botuar libri Rikëndime  (1989.), në të cilën janë përmbledhur përkthimet  e tij  të poezisë shumë nga të cilat, gjatë izolimit të poetit Zogoviq janë botuar me emrin e poetes  Desanka Maksimoviq, si dhe libri i prozave  autobiografike, memoaristike, udhëpërshkruese, kronikane Postajanje i postojanje
Në box
Në vitin 2009 në Prishtinë është botuar në tri gjuhë  libri  Ardhësit-Këngët e Ali Binakut, si botim i Shtëpisë Botuese Publisher-Ars Albanica, edicion e Kepit të shpresës së mirë-Fahredin Gunga.
Poezitë në gjuhën shqipe i ka përkthyer Esad Mekuli, kurse në gjuhën angleze Avni Spahiu. Librin e ka përgatitur jashtëzakonisht bukur piktori Shyqri Nimani , kurse parathënie speciale për këtë botim e ka shkruar Jevrem Bërkoviqi, i cili pos tjerash ka thënë:“ Ekzistojnë popuj, shkarjet historike të të cilëve, herëherë edhe fytyrën e zezë popullore ua shërojnë, ua përmirësojnë dhe ua lajnë vjershëtarët e tyre të mëdhenj. Dhe ekzistojnë popuj krimet e të cilëve, apo njollat e përgjakshme historike, i përlavdërojnë dhe i zmadhojnë vjershëtarët e tyre parësorë, e mandej ata dytësorë e tretësorë. Populli malazias e ka pasur fatin të kishte vjershëtorin e madh, që nga Njegoshi e deri më sot më të madhin, Radovan Zogoviqin, ardhacakun dukagjinas, kosovarin sipas fëmijërisë dhe rritjes, i cili si malazias ardhacak.”

 

No comments: