Sunday, December 22, 2013

Intervista/ Ambasadori në Holandë: Pse s’na dhanë statusin kandidat

NGA: AURORA KOROMANI
HOLANDE-Ambasadori i Shqipërisë në Holandë, Gazmend Barbullushi, në një intervistë të dhënë për “Gazeta Shqiptare” jep arsyet pse sipas tij, ky vend ka qenë “skeptik” për t’i thënë “Po” dhënies së statusit kandidat.

A mund të themi se nënshkrimi i marrëveshjes së Shqipërisë me EUROPOL-in e afron Shqipërinë drejt rrugës së integrimit europian?

Marrëveshja e sapofirmosur e kalon Shqipërinë në nivel të avancuar të bashkëpunimit me EUROPOL-in. EUROPOL-i është organizata policore e shteteve anëtare. Pa dyshim që marrëveshja, duke çuar në një stad të lartë bashkëpunimin me EUROPOL-in, thellon njëkohësisht edhe bashkëpunimin me shtetet anëtare, pra krijon kushtet për integrimin më të shpejtë të vendit në strukturat europiane. Bashkëpunimi policor ka të bëjë me besimin e ndërsjelltë dhe për këtë arsye ka rëndësi të veçantë.

Autoritetet shqiptare janë shprehur se kjo marrëveshje mund të quhet një pasaportë për Shqipërinë, ju mendoni njësoj? Jam i të njëjtit mendim. Mund të shtoj se është një pasaportë shumë e mirë dhe e besueshme.

Holanda ka thënë që Shqipëria duhet të presë edhe pak për të marrë statusin. Ju që jeni përfaqësues i vendit tonë në Holandë, mendoni se ky ishte vendimi i duhur për Shqipërinë?
Parlamenti i saj ka miratuar së fundi një rezolutë që i kërkon qeverisë të vërë veto dhënies së statusit të vendit kandidat. Unë absolutisht që mendoj se kjo rezolutë nuk është e duhura për Shqipërinë.

Pse ka arritur Holanda në këtë konkluzion?
Pyetja më e drejtë do të ishte përse partitë parlamentare që përgatitën rezolutën dhe votuan pro saj kanë arritur në konkluzionin se Qeveria holandeze duhet të bllokojë dhënien e statusit për vendin tonë. Gjatë një sesioni të gjatë në Komisionin për Çështjet Europiane dhe një seance plenare që vijoi sesionin, partitë parlamentare holandeze dhanë dhe mbrojtën qëndrimet e tyre. Këto qëndrime janë përcjellë gjerësisht dhe nga mediat tona. Pa rënë në përsëritje, do të përmendja faktin që më bie në sy se për momentin në opinionin e gjerë në Holandë, çka pasqyrohet dhe në qëndrimet e partive parlamentare, nuk ka entuziazëm për zgjerimin.

Cilat kanë qenë përpjekjet tuaja që Holanda të jepte një përgjigje pozitive?
Janë bërë të gjitha përpjekjet për të bindur jo vetëm autoritetet, por edhe çdo parti parlamentare, se e meritojmë plotësisht statusin për këtë vit. Fushata lobuese është shtrirë edhe tek grupet e ekspertëve dhe opinionistëve për çështjet europiane, tek organizatat joqeveritare dhe formacionet e biznesit. Arritëm të organizojmë me sukses ditët e fundit një vizitë të rëndësishme të ministrit të Jashtëm, z.Ditmir Bushati dhe ministres së Integrimit, znj.Klajda Gjosha. Në të njëjtën kohë në Holandë u gjend dhe ministri i Punëve të Brendshme, i cili po ashtu mori pjesë në disa nga takimet më të rëndësishme. Takime u organizuan në Ministrinë e Jashtme, Kryeministri e Ministrinë e Sigurisë e Drejtësisë (me funksione të ngjashme me ministrinë tonë të Brendshme). Në Parlament morëm pjesë në sesione të veçanta me komisionet për çështjet europiane si në dhomën e lartë, senat, po ashtu edhe në dhomën e ulët, dhoma e përfaqësuesve. Më parë Tiranën e kishte vizituar edhe ministri i Jashtëm holandez, z.Frans Timmermans. Në përpjekjet tona, nuk ka munguar asgjë.

Ju atë ditë keni qenë në Parlament, cilat ishin debatet e zhvilluara mes deputeteve për vendimin që u dha në fund? Kam qenë i pranishëm dhe kam ndjekur me vëmendje debatin e Komisionit për Çështjet Europiane me ministrin e Jashtëm holandez dhe seancën plenare që vijoi e ku u miratua rezoluta kundërshtuese. Debatet, që janë përcjellë edhe në shtypin tonë, ishin rreth faktit nëse Shqipëria i ka përmbushur kushtet për të marrë statusin. Një grup partish, që përbënin shumicën e ku fatkeqësisht bënte pjesë dhe partia liberale në koalicionin qeveritar, kërkuan më shumë rezultate konkrete. Rezultatet u kërkuan në po ato fusha kyçe që përcaktohen në progres-raport. Theks të veçantë iu dha luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Nga ky grup partish do të nxirrja mënjanë një parti populiste opozitare, e cila ka pikëpamje dhe arsye të tjera për të kundërshtuar. Grupi tjetër i partive, të kryesuara nga partia laburiste e ministrit të Jashtëm, z.Timmermans, ngulmoi se Shqipëria e meriton plotësisht statusin.

Pse imazhi i Shqipërisë në shtetin holandez është kaq negativ, gjë që u vu re edhe gjatë periudhës kur në Shqipëri u përfol se do të vinin armët kimike? (Në atë kohë, Holanda e cilësoi vendin tonë si vend me korrupsion të lartë dhe shumë probleme të tjera).
Nuk më rezulton se në Holandë ka një imazh veçanërisht negativ për Shqipërinë. Nëse e krahasoj me vende të tjera të Europës Perëndimore, ku më ka rënë rasti të punoj, nuk mendoj se në Holandë kemi probleme shtesë. Por kam vënë re se informacioni që kanë holandezët për ne dhe vendin tonë është i mangët.

A keni dijeni se Holanda mund të jetë pjesë e ndonjë lobi shtetesh jodashamirëse ndaj Shqipërisë? (Politika e saj e jashtme mund të jetë e lidhur me Serbinë, Rusinë, etj.). S’kam kurrfarë dijenie se Holanda mund të jetë pjesë e lobeve jodashamirëse. As që nuk e besoj këtë, përkundrazi. Holanda është një vend që ka ndihmuar shumë e vazhdon të ndihmojë Shqipërinë. Për këtë i jemi mirënjohës. Holanda mbështet perspektivën europiane të vendit. Ka përkrahur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ka marrë pjesë aktivisht në luftën e Kosovës. Përmes disa programeve efikase vazhdon dhe jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë, pa llogaritur ndihmën që marrim dhe nga BE. Ndihma e mbështetja e Holandës për Shqipërinë fillon këtu e njëqind vjet më parë me misionin paqeruajtës në komandën e Kolonel Thompsonit.

(a.n/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)  

No comments: