Friday, November 1, 2013

Drejtori i Policisë: Ju berishianët jeni të gjithë kriminelë!

Shkruar nga Rexhep Polisi
"Artan Didi u hakmor duke më shkarkuar nga detyra, sepse nuk iu binda urdhrit të tij në vitin 2000 për të shoqëruar Sali Berishën në komisariat”.
Deklarata e fortë ka ardhur nga efektivi i policisë, Shemsedin Abazaj, shefi i krimeve në Elbasan, i cili dy ditë më parë ka marrë urdhrin e shkarkimit nga detyra. Në një intervistë, Abazaj shpjegon marrëdhëniet e tij me kreun aktual të Policisë së Shtetit, duke shtuar se marrëdhëniet mes tyre u prishën
që në momentin që shefi i krimeve nuk pranoi urdhrin për shoqërimin e Berishës dhe arrestimin e Edi Palokës në 29 nëntor të vitit 2000. Abazaj në këtë intervistë tregon të gjitha shkeljet që janë bërë me urdhrin e tij të shkarkimit, operacionet e bujshme që ai ka bërë në postet që ka mbajtur në polici dhe marrëdhënien e tij me Erzen Breçanin, ish-nëndrejtorin e Policisë së Tiranës.
Z.Abazaj, kur ua komunikuan urdhrin për shkarkimin tuaj nga puna?
Urdhrin për shkarkim ma thanë në datën 26 tetor. Unë isha me shërbim atë ditë dhe kur e mora vesh ju kërkova që të ma zbardhnin urdhrin. Urdhri m‘u dha vetëm në datën 28 tetor, pa më komunikuar asgjë për shkaqet e shkarkimit. Çdo gjë ishte bërë fakt i kryer.
Çfarë përmbante urdhri për lirimin tuaj nga puna?
Në këtë urdhër nuk jepej asnjë shpjegim, përveç faktit se unë lirohesha nga puna, në pamundësi për emërim në një detyrë tjetër. Në këtë urdhër thuhej se shkarkimi im ka ardhur pasi shkurtimit të funksionit organik në Drejtorinë e Policisë në Qarkun e Elbasanit, ku unë isha me detyrë si shef seksioni dhe specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve të Hapura. Por, në këtë urdhër janë bërë disa shkelje.
Cilat janë këto shkelje?
Shkelja e parë që është bërë në urdhrin për lirimin tim nga puna është fakti se aty thuhet për shkurtim të funksionit organik, gjë që nuk qëndron, sepse në Policinë e Elbasanit, janë shtuar edhe dy shefa të tjerë të Seksionit për Hetimin e Krimeve. E dyta, duhej që ata të më pyesnin paraprakisht nëse unë isha dakord që të firmosja apo jo për t‘u larguar për një post tjetër.
Keni komunikuar me kreun e ri të Policisë së Elbasanit para apo pas këtij urdhri?
Po, kam komunikuar me z.Neritan Nallbati, para se të merrja urdhrin. E takova dhe e pyeta nëse unë do isha pjesë e strukturave të policisë nën drejtimin e tij apo jo. Dhe ai më tha që “kam respekt për ty. Unë e di se sa shumë punon. Patjetër që do jesh pjesë e strukturave, madje do vinë edhe dy shefa të tjerë në Seksionin e Hetimit të Krimeve, kështu që mos e vri mendjen”.
Pse ka ardhur shkarkimi juaj, sipas jush?
Unë mendoj që në shkarkimin tim kanë lidhje shumë inate personale dhe disa ngjarje që kanë ndodhur më parë, kur kreu aktual i Policisë së Shtetit, Artan Didi ka pasur përplasje me mua. Në vitin 2000, në 29 nëntor të këtij viti, më është kërkuar që unë të bëja shoqërimin e kreut të opozitës në atë kohë, Sali Berishën dhe të arrestoja, Edi Palokën. Në atë kohë, Artan Didi ka qenë kreu i forcave speciale dhe ai më kërkoi që unë të blindoja rrugën ku do kalonte Sali Berisha dhe të bëja shoqërimin e tij në polici. Berisha në atë kohë lëvizte me makinën me targa RSH 054 dhe sipas ligjit në atë kohë, makinat me këto targa duhej të ndaloheshin vetëm kur kishim të bënim me raste flagrante të krimeve të rënda. Për këtë arsye, unë nuk pranova që të bëja shoqërimin e Berishës, sepse i binte që të thyeja ligjin që vepronte në atë kohë. Shoqërimi i Berishës u bë rreth orës 02:00 të asaj nate,por jo nga unë, mesa më kujtohet dhe në orën 03:30 minuta komandanti i repartit Skënder Xhudi më kërkoi që të shkoja në repart,sepse kishim mbledhje. Kam shkuar atje dhe nisi mbledhja nga Artan Didi, i cili më pyeti se pse nuk iu binda urdhrit që më dhanë për shoqërimin e Berishës dhe unë i thashë se po zbatoja ligjin dhe se nuk mund të veproj kundër ligjit. Pas një debati të ashpër me Artan Didin, ai më tha që “ju berishianët, jeni kriminelë”. Unë i thashë: “Zotëri, unë jam oficer policie dhe zbatoj ligjin, nuk kam lidhje me asnjë”. Në atë mbledhje kanë qenë edhe shumë oficerë të tjerë dhe disa prokurorë, të cilët më mbështetën dhe më thanë që nuk kisha thyer asnjë ligj që të mund të më arrestonin. Të nesërmen, rreth orës 14:00, më marrin në telefon dhe më thonë që duhet të paraqitem në Policinë e Tiranës, ku shefi i krimeve të drejtorisë, A.Agasa më tha që të firmosja raport-shërbimin e shoqërimit të Berishës dhe arrestimit të Edi Palokës, për ofendim dhe konfrontim me forcat e policisë. Më thanë firmose këtë raport dhe pas kësaj zgjidh çfarë posti të duash në polici. Unë nuk pranova dhe pas kësaj më është komunikuar pezullimi nga detyra, që zgjati dy muaj. Pas kësaj vendosa që të bëj dorëzimet, sepse kisha frikë nga eliminimi im me jetë. Por, pas tre ditësh kam takuar drejtorin e Policisë së Shtetit, në atë kohë ishte Bilbil Mema dhe nëndrejtorin e përgjithshëm, Niko Brahimaj. Pasi ia shpjegova Memës, ai më tha që do kthehesha në detyrën që kam qenë dhe të mos mërzitesha.
Pra, ju po thoni se shkarkimi juaj mund të ketë lidhje me këtë ngjarje?
Absolutisht që po. Duke shtuar këtu se unë kam shkuar edhe dëshmitar për Edi Palokën, pasi unë duhej të raportoja atë që ndodhi vërtet atë ditën e shoqërimit. Kam shkuar si dëshmitar dhe kam thënë që nuk pati as ofendim dhe as kundërshtim të forcave të policisë nga ana e Berishës apo Palokës.
Z.Abazaj, juve jeni daja i ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit. Mendoni se ka ndikuar kjo gjë në shkarkimin tuaj?
Edhe ky është një tjetër fakt që mendoj se ka ndikimin e vet në shkarkimin tim. Kjo, për faktin se shumë herë më kanë pyetur se çfarë lidhje kam unë me Erzenin dhe unë u kam thënë që ai është nipi im, djali i motrës. Padyshim që kjo ka ndikuar, për shkak të marrëdhënieve aspak të mira që ka pasur ai me drejtuesit e rinj, por unë nuk dua ta përziej Erzenin me këtë. Që të dy ne i kemi shërbyer këtij vendi, por nuk kemi marrë atë që na takon. Unë në detyrën time, nuk kam bërë asnjë shkelje, por kam pasur shumë arritje. Kam qenë oficeri i vetëm i policisë që ka hyrë në Lazarat, kam qenë efektivi që ka bërë arrestimin e Nehat Kullës, arrestimin e Bandës së Lushnjes, Tan Kateshit, etj. Kam parandaluar gjatë karrierës sime shumë krime, duke përmendur vjedhjen e argjendarive në zonën e 9-katësheve, ku autorët kishin hapur një tunel të nëndheshëm, parandalimin e vjedhjes së 54 kishave, kam organizuar aksionin për vjedhësit e bagëtive, për grupin më të madh kriminal për vjedhjen e transformatorëve, etj. Gjatë muajit të fundit që kam qenë shef i krimit në Policinë e Elbasanit, janë arrestuar 24 persona, 2 grupe kriminale. Gjatë 9 mujorit që unë kam mbajtur këtë detyrë, janë evidentuar 654 ngjarje kriminale, nga të cilat nuk janë zbuluar vetëm 53. Gjatë karrierës sime nuk kam pasur lidhje me asnjë parti, madje kam pasur shumë miq nga të majtët, por asnjëherë nuk jam përfshirë në politikë. Prandaj, unë u kërkoj strukturave ligjzbatuese në vendin tonë, Ministrisë së Brendshme, strukturave ndërkombëtare, që të hedhin sytë nga të pambrojturit. Nëse gjatë karrierës sime vërejnë se unë kam thyer ligjin, apo se kam qenë vegël politike, le të më hedhin prangat që tani, le të më hetojnë pasurinë time dhe do kuptojnë se nuk kam as miell për dy muajt në vijim. I vetmi rast që mbaj mend se nuk kam qenë korrekt është kur m‘u dogj frigoriferi dhe meqë nuk kisha lekë, u detyrova që të bija dakord për ta paguar me këste të vogla mujore. Unë nuk i kam asnjë borxh këtij shteti, ndërsa shteti më detyrohet mua bukën e fëmijëve të mi. Unë do u drejtohem instancave të tjera për ta zgjidhur këtë çështje dhe do bëj edhe kallëzim penal ndaj drejtuesit të parë të policisë, sepse kam 16 vjet që i shërbej policisë. Dua të falenderoj të gjithë kolegët e mi me të cilët kam punuar dhe me të cilët kemi kontribuar në polici, ndërkohë që dua t‘u kërkoj falje edhe atyre që i kam bërë dashur padashur pjesë të këtij artikulli.

No comments: