Sunday, November 17, 2013

A duhej menduar paraprakisht?

REXHEP MEIDANI

  Dorëzim i plotë para zërit të fuqishëm qytetar

Bisedime pa bashkëvepruar me anëtarët e qeverisë, pa u konsultuar me Parlamentin dhe Presidentin, do të kishin një përfundim – dështimin nën presionin e protestave popullore nëpër sheshet e Shqipërisë. Me të vërtetë, në mungesë të transparencës, këto ditët e fundit, çështja më alarmante për qytetarët u bë ajo e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri.
Këtë, me sa duket, e kuptoi më mirë shoqëria civile dhe, mbi të gjitha, rinia shkollore dhe universitare, për të reaguar në shërbim të qytetarit e mbrojtjes së tij, në favor të shëndetit dhe mjedisit. E tillë ishte, pikërisht, tentativa e fshehtë për vendimmarrje që do të rrezikonte jetën e individit, që mund të dëmtonte qoftë dhe “një miligram” të ushqyerit dhe shëndetin e tij apo mjedisin ku do të jetojë – përbërëse këto fondamentale të sigurisë njerëzore.
Së bashku me elemente të tjera të sigurisë njerëzore, ato përbëjnë një bazë të mjaftueshme shkencore-profesionale dhe logjistike- infrastrukturore për t’iu kundërvënë çdo trysnie të jashtme për shkatërrimin e mijëra tonelatave armatimi kimik vdekjeprurës në territorin shqiptar me sipërfaqe prej 28,748 km² (e krahasuar p.sh. me Rusinë prej 17,075,400 km² apo me Ukrainën, si vendi me sipërfaqen më të madhe në Europë prej 603,628 km2 (!)). Madje, nëse mund të llogaritej gabimisht nga politika se, në kushte kritike ekonomike, nga një shkatërrim i tillë mund të përftohej ndonjë e ardhur konkrete apo do të ndihmohej punësimi, përfundimi në një shtrirje kohe dhjetëvjeçare apo më shumë do të ishte krejtësisht i kundërt, tërësisht negativ për mjedisin, shëndetin dhe vetë ekonominë, sidomos turizmin…
Sidoqoftë, protestat e fundit kanë krijuar një armë të re emancipuese në zhvillimin demokratik të vendit. Madje, kjo frymë e fuqishme, e shoqëruar kur është e nevojshme me veprimtari dhe protesta, duhet të shtrihet në të gjitha hapësirat shqiptare. Sidomos nxënësit dhe studentët, shkollat dhe universitetet, duhet ta mbajnë të gjallë, në situata të tilla, forcën goditëse të medias sociale. Është kjo e fundit që me shtrirjen e saj në gjirin e rinisë shkollore e universitare, mund të shmangë, sipas përvojës së krijuar, çdo vendimmarrje të gabuar të politikës, që duhet t’ua mbyllë gojën pseudo-emrave të korrupsionit politik, pse jo dhe të nxjerrë jashtë loje “blog”-et e pista në shërbim të politikës. Janë ato që, të ushqyera dhe mbrojtura nga politika, vazhdojnë ta helmojnë opinionin publik, deri duke aplikuar teknologji të shpifje-helmatisjeve individuale për të justifikuar turpshëm helmatisjen kimike kolektive… Por, duhet të jetë po kjo media sociale rinore për të kthyer me këmbë në tokë qeverinë dhe shefin e saj…
“Casinogate”
      Pas aksionit të bujshëm policor për mbylljen e kazinove, mjediseve të basteve apo lojërave të fatit, nga ndjekja e lajmeve në televizion më ishte krijuar përshtypja e një operacioni të suksesshëm apo të klasifikuar si të suksesshëm; kjo, pavarësisht akuzave të disa deputetëve të PD-së, pas vrasjes mafioze të njërit prej ish-pronarëve të këtij lloj biznesi. Por, që nga ajo kohë, mjaft ngjarje të tjera kanë mbuluar ekranet apo kanë përbërë titujt kryesorë të gazetave, duke lënë krejtësisht në hije “historinë e mbylljes së kazinove” dhe vrasjen e lidhur me të. Dhe, meqë në Shqipëri ngjarjet politike, përgjithësisht, nuk kanë rrjedhje normale, ato lihen në harresë shumë shpejt. Ky është dhe qari i politikës, por jo i qytetarit!…
     Në fakt, këtë fundjavë ndalova për disa orë në Korçë. Qëndrimi i shkurtër aty më bëri të reflektoj për “casinogate”-in shqiptar. Dhe arsyeja ishte e thjeshtë: mu pranë qendrës pashë një mori kazinosh apo mjedisesh të ngjashme, që jo vetëm nuk ishin të bllokuar me shiritin e “skenës së krimit”, por në shumicën e rasteve i kishin dyert e tyre ose të hapura, ose nuk dukeshin si të mbyllura (!)… Mundet që e njëjta pamje të ndeshet edhe sot në Tiranë apo në qytete të tjera të Shqipërisë. Ndoshta, dhe për mungesë të kohës së nevojshme për hedhjen poshtë, ndryshimin, hartimin dhe miratimin e një sistemi tjetër ligjor apo rregullator. Në rast se është kështu, këshilla më e mirë është të qenit racional, të menduarit paraprak dhe të vepruarit largpamës!
Duhet gjetur zgjidhje
Dy javë më parë, pas përfundimit të një takimi, eca në këmbë në trotuar pranë një shkolle të mesme, jo larg godinës ku banoj. Ishte pushimi i madh dhe oborri i shkollës ishte i mbushur plot me nxënës. Po e shijoja këtë gumëzhitje rinore, por kjo kënaqësi mu shua shumë shpejt. Pranë kangjellave të oborrit të shkollës, në disa pika të tij vura re grumbullime jo të vogla nxënësish. Ishte e qartë  se ata ishin të mbledhur pranë këtyre kangjellave për të blerë, nëpërmjet hapësirave midis tyre, shishe të vogla uji, kanaçe me lëngje, pako biskotash, sandwich-e apo prodhime të tjera, që dukeshin nga mënyra e mbështjelljes si prodhime shtëpie. Shitësit ishin të të gjitha moshave, me trasta, kosha apo kanistra, të mbushura me gjëra të tilla. Për më tepër, në veshjet e tyre të llojllojshme nuk kishte ndonjë shenjë dallimi. Të krijonte një shije të pakëndshme, shumë më të keqe se rasti i shitësve ambulantë me karroca i fillimeve të tranzicionit. Nuk është problemi që aty bëhej një tregti e vogël e palicencuar, si të thuash më shumë për t’u ushqyer, por, mbi të gjitha, aty nuk mund të bëhej fjalë për ndonjë miratim paraprak të strukturave të shëndetësisë dhe higjienës. Pra, në këto blerje, ishte e qartë se mungonte tërësisht kontrolli i domosdoshëm me domethënie shëndetësore e higjienike. Më bëri shumë përshtypje një gjë e tillë, sepse në vend që nxënësit të merrnin ushqime të kontrolluara brenda rregullave të organeve të shëndetësisë e higjienës, siç ndodhte muaj më parë me blerjet në dyqanin apo bufenë brenda shkollës, tani blerje të tilla ishin jashtë çdo kontrolli. Dhe, natyrisht, përgjegjësia këtu nuk është as e shkollës, as e familjeve që u japin para minimale xhepi fëmijëve të tyre për të shuar etjen apo për të kapërcyer urinë gjatë kohës së shkollës, aq më pak e vetë nxënësve, një pjesë e të cilëve, ndoshta, në “vrapin” e mëngjesit, për të qenë në mësim në kohë, nuk arrijnë të hanë diçka para daljes nga shtëpia. Por kjo nuk do të thotë se për ta “mbyllur” sa më shpejt këtë histori duhet të kërkohet ndonjë zgjidhje kalimtare te Policia Bashkiake apo Policia e Shtetit! Pa e zgjatur më tej me komente të tjera për shitje-blerje të këtij lloji, mund të shtrohet pyetja e thjeshtë: a mund të heshtet duke konstatuar një tablo të tillë?! Pa dyshim që jo! Jo vetëm nga shkolla e mësuesit, nga prindërit nëpërmjet përfaqësuesve të tyre apo nga senatet e nxënësve, por, mbi të gjitha, nga media. Kjo e fundit duhet të reagojë në mënyrë të drejtpërdrejtë për ta futur problemin e mësipërm në rrugën e duhur…
       Në, fakt, ditët e fundit të muajit shtator, në ngjashmëri me vendimin e marrë nga Ministria e Shëndetësisë për mbylljen në spitale (veçanërisht në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë) të aktiviteteve të palidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me shëndetin, edhe ministrja e Arsimit u dërgoi një letër të hapur të gjitha shkollave duke kërkuar mbylljen e çdo biznesi, mosnisjen ose prishjen e kontratave për këto biznese në mjediset shkollore brenda datës 25 tetor. Sipas saj, kjo kërkesë është bërë për rikthimin e mjediseve të zëna në shërbim të mësimit, të veprimtarive të tjera shkollore, pra dhe të vetë nxënësve. Kur e lexova në shtyp këtë lajm, m’u duk si një orientim apo urdhër me qëllim të mirë. Por, me sa po shihet sot, pasoja e këtij urdhri është pikërisht tabloja që unë preka pak më sipër. Të shpresojmë se nuk do të ndodhë ndonjë ngjarje e pakëndshme me konsumin e lëngjeve dhe ushqimeve të shitura në këtë mënyrë. Por, jam i sigurt, se nëse ndodh ndonjë ngjarje e tillë e hidhur, situata e krijuar, e lidhur ngushtësisht me të, do të trajtohet me të gjithë kujdesin e duhur. Puna është që të bëhet gjithçka paraprakisht për ta shmangur atë. Aq më keq nëse në mënyrë të gabuar, përgjegjësia, si në raste të tjera të ngjashme, duke aplikuar “teknologjinë e qyrkut të fajit”, mund t’i kalohet shkollës, drejtimit dhe mësuesve të saj! Në radhë të parë duhet të konsiderohet vendimmarrja e fundit të shtatorit! Për mendimin tim, shumë më e rëndësishme është gjetja alternative e zgjidhjeve racionale, që në thelbin e vet të ndërthurë tri elemente bazike: ligjin dhe rregullat e miratuara, parimet financiare të ekonomisë së tregut dhe shërbimin sa më të mirë dhe ndihmesën konkrete ndaj nxënësit, në përputhje me normat e lejuara të pastërtisë, shëndetit dhe higjienës! Në mjaft shkolla të Europës Perëndimore këtë e realizojnë më së miri mensat e shkollës apo shërbime të tjera të ngjashme…

No comments: