Saturday, September 14, 2013

SHBA: Zgjedhjet me standarde, por jo “fituesi merr gjithçka”!

Shkruar nga Rexhep Polisi
Në përfundim të zgjedhjeve të 23 qershorit dhe krijimit të qeverisë së re, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apelojnë që maxhoranca dhe opozita të punojnë së bashku.
Zv.ndihmëssekretari i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Filip Riker, tha në një intervistë për “Bugajski Hour”, dhënë për gazetarin Janush Bugajski në “AS”:
“Këtu nuk ka ‘fituesi merr gjithçka’. Është çështje e të punuarit së bashku. Më pëlqen ajo që thatë për ‘shtrirjen e dorës’.
Pikërisht përpiqemi të bëjmë në diplomacinë tonë, ku mbajmë kontakte me të gjithë spektrin politik në të gjitha këto vende. Ambasadori ynë, Aleksandër Arvizu, ka qenë jashtëzakonisht i hapur për t’u takuar dhe folur me të gjithë njerëzit, dhe e ka bërë këtë që pas zgjedhjeve, përsa i përket angazhimit të tij, urimeve të përcjella në emër të Presidentit Obama dhe SHBA-ve për zhvillimin e mirë të zgjedhjeve dhe nxitjen prej tij për ta rrokur këtë mundësi teksa qeveria e re përgatitet të marrë drejtimin në shtator dhe të ulet të punojë për njerëzit”.
Sipas tij, administrata e re duhet të fokusohet te perspektiva europiane. Riker tha se axhenda europiane i jep Shqipërisë një rrugëkalim shumë të saktë, gjëra të qarta, të cilat duhet të arrihen në lidhje me reformën legjislative, shtetin ligjor dhe në lidhje me pushtetin gërryes të korrupsionit.
“Këtu në SHBA ne jemi marrë me këto sfida dhe duhen shumë përpjekje; nevojitet vullnet i unifikuar, nevojitet një marrëveshje përtej vijave politike dhe që të ketë një axhendë të përbashkët. Detajet specifike se si arrihet kjo mund të diskutohen. Kjo është diçka e shëndetshme; kjo mund ta bëjë një vend më të fortë, një politikan më të fortë, por mendoj se është e rëndësishme që të mos lejohet politika ose axhenda nacionaliste apo axhendat individuale që të dalin para këtij qëllimi të përbashkët”, theksoi më tej zyrtari i lartë amerikan.
Duke folur për zgjedhjet e 23 qershorit, Riker tha se populli shqiptar duhet përgëzuar për procesin që realizoi. Sipas tij, zgjedhjet treguan se arritën standardet e OSBE/ ODIHRit. “Ka pasur një lloj devijimi nga rruga drejt reformave – vështirësi në përmbushjen e kritereve të BE-së, synimi i Shqipërisë për të marrë statusin kandidat u anashkalua nga politika e vitit zgjedhor. Mendoj se këto zgjedhje pasqyruan jo vetëm për popullin e Shqipërisë, por edhe për vëzhguesit në Europë dhe këtu në SHBA, që këto ishin zgjedhje të reja, arritën një standard, arritën standardet e OSBE-së dhe ODIHR-it dhe tani fillon puna e vështirë për t’u kthyer në rrugën e BE-së.
Është një rrugë e gjatë reformash. BE së bashku me SHBA janë aty për ta mbështetur Shqipërinë në këtë proces”. Gjatë intervistës Riker vlerësoi edhe pjesëmarrjen e gjerë të grave në qeverinë “Rama”. “Mendoj se është shumë e rëndësishme të nxitet pjesëmarrja e grave në politikë, në udhëheqje. Mendoj se anembanë Europës, për shembull, shihen raste të forta kur pjesëmarrja e grave ka qenë diçka shumë pozitive, ku barazia gjinore është diçka shumë e rëndësishme dhe sa më shumë pjesëmarrje të ketë, aq më mirë. Gratë bëhen udhëheqëse të shkëlqyera”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan.

No comments: