Sunday, September 15, 2013

Paloka: Nëse Rama provokon sërish, opozitën do e largojmë nga salla

Intervistoi: Nevila Perndoj
Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, garanton se  opozita në Kuvend do të jetë solide dhe cilësore nga ana profesionale. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, Paloka flet gjerësisht mbi arsyet e largimit të opozitës nga seanca parlamentare, ku Rama prezantoi programin qeverisës, si dhe përmbledh piketat kryesore të aksionit të ardhshëm parlamentar. “…Ne do të jemi bashkëpunues në çdo iniciativë në interes të shqiptarëve, por do të bëhemi ‘të frikshëm’ për Ramën nëse do të guxojë të shkelë mbi interesat e kujtdo për interes të tij, siç është mësuar në fakt
që të bëjë. Në të vërtetë jemi pak deputetë në Parlament, por përfaqësojmë qindra mijë shqiptarë që janë me ne”, – shprehet ai. Paloka komenton edhe rotacionin politik brenda PD-së, si dhe flet për rolin e ardhshëm të Berishës në parti. “…Të themi që z.Berisha dha dorëheqjen dhe tani nuk ka asnjë ndikim në PD, do të ishte gënjeshtër dhe hipokrizi, përkundrazi unë mendoj që është fat që ne të kemi ende ndihmën e tij…”, shprehet ndër radhë Paloka
Z.Paloka, kronika politike e shtatorit nisi menjëherë me konflikt në Parlamentin e ri. Fillimisht ishte debati për kohën në dispozicion të opozitës lidhur me programin qeverisës dhe më pas fjalimi i Ramës në Kuvend. A ishte përmbajtja e kësaj fjale, arsye e mjaftueshme për opozitën që të braktiste që në fillim seancën parlamentare? Si e analizoni ju këtë nisje jo me këmbë të mbarë të sezonit të ri politik?
Për fat të keq apo për vullnet të keq të Ramës, ndryshe nga vullneti ynë i shprehur për një marrëdhënie sa më bashkëpunuese në Parlament, shenjat e para janë mjaft negative. Siç e përmendët edhe ju, neve na u desh ta fillojmë me një betejë krejtësisht të panevojshme, për të “fituar” një të drejtë që na takonte plotësisht, atë të kohës së nevojshme për t’u njohur me programin e Ramës përpara se të zhvillonim debatin parlamentar. Në fakt edhe në këtë rast ishim ne që toleruam duke lejuar një procedurë jashtë normales, pasi paraqitja e programit dhe debati duhej të vazhdonin pa shkëputje. E pas gjithë kësaj, ne u detyruam që në Parlament të përballemi me fyerjet e sulmet banale të atij që do të qeverisë këtë vend. Braktisja e seancës në ato momente ishte në fakt vendimi më i lehtë që mund të merrej, sepse ne mund të reagonim edhe ndryshe. Prapë ne u treguam më luajalë dhe bëmë atë që duhej të bënte Rama, respektuam solemnitetin e asaj seance dhe thjesht u larguam. Por mund të kishim bërë dhe që të largohej Rama, e jo ne nga salla. Ai zotëria që e ka natyrë të tij provokimin, bën mirë ta llogarisë një gjë të tillë nëse do të vazhdojë të fyejë e provokojë opozitën.
Në PD kanë ndodhur shumë ndryshime që pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Zoti Berisha dha dorëheqjen, duke marrë përsipër humbjen e zgjedhjeve dhe prej gati dy muajsh partia drejtohet nga zoti Basha. A keni ndonjë koment për këtë rotacion brenda PD, dhe si e vlerësoni drejtimin e deritanishëm të partisë nga kryetari i ri?
Unë mendoj që, megjithë situatën jo të mirë që u krijua me humbjen e zgjedhjeve, dorëheqja e z.Berisha ishte momenti më i vështirë për të gjithë ne. Ai qe një vendim i pakthyeshëm i z.Berisha dhe ne ishim të detyruar të ambientoheshim sa më shpejt me një realitet aspak normal për ne. Deri në atë kohë, gjithnjë në situata të vështira ne ishim mësuar dhe e dinim që kishim Berishën dhe ai do të gjente zgjidhjen e duhur. Tani Berisha ishte me ne, por zgjidhjet duhej të fillonim t’i gjenim dhe vetë. Në këtë aspekt fushata që u zhvillua për kryetarin e PD-së rezultoi mjaft pozitive edhe për fillimin e ringritjes së PD-së. Unë personalisht, për disa arsye mendoj që z.Basha ishte zgjedhja dhe zgjidhja më e përshtatshme për PD-në. Mos harrojmë që z.Basha e ka mundur një herë Ramën, por jo vetëm për këtë arsye unë mendoj që është figura e duhur për të ringritur PD-në dhe për ta rikthyer në fitore. Rezultoi që kështu mendonte dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të PD-së që e votoi në masë z.Basha.
Si një prej politikanëve “të vjetër” të PD-së, a keni ju një parashikim politik për të ardhmen e kësaj force politike? Ku e shihni atë, dhe nisur nga disa qejfmbetje nga zëra jo pak të rëndësishëm në PD, a mendoni se mund të ketë plasaritje raportesh brenda saj?
Realisht unë mendoj qe periudha e parë. Tani nuk do të jetë e lehtë për ne. Opozita në vetvete është e vështirë për një parti politike në Shqipëri, po të kemi parasysh dhe se kush do e drejtojë këtë vend, bëhet edhe më e vështirë. Jo të gjithë i rezistojnë vështirësive, por unë mendoj që për sa i përket Grupit parlamentar të PD-së, pavarësisht atyre që ju i quani qejfmbetje, ne do të kemi një grup jo vetëm solid, por dhe cilësisht mjaft lart si opozitë në parlament. Sa për të ardhmen e PD-së, shoh një ringritje të shpejtë. Shumë shpejt edhe ata që mund të kenë votuar për të majtën në këto zgjedhje, besoj se do arrijnë të dallojnë diferencat e mëdha që ekzistojnë midis nesh dhe Ramës. Do arrijnë të kuptojnë se me gjithë gabimet që ne mund të kemi bërë dhe me gjithë pakënaqësitë që mund të kemi krijuar gjatë tetë viteve të qeverisjes sonë, përsëri futja në krevatin e një mullixhiu si Rama është një gabim fatal. Unë e di që në rrugën tonë do të na ndihmojë jo pak dhe Rama vetë. Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare unë besoj se shqiptarët do të zgjedhin përsëri PD-në.
Ekziston një debat publik mbi rolin e zotit Berisha në PD, tashmë që ka dhënë dorëheqjen. Shumë analistë mendojnë se ai vazhdon të jetë ende kryetari de facto i partisë. Ju vetë, si e shihni ndikimin e zotit Berisha? A duhet PD-ja të krijojë një fizionomi të re apo duhet t’i qëndrojë besnike trashëgimisë së liderit historik?
Zoti Berisha në mënyrë absolute ka pozicionin e tij në PD dhe që nuk mund të lidhet me asnjë funksion në parti. Të themi që z.Berisha dha dorëheqjen dhe tani nuk ka asnjë ndikim në PD, do të ishte gënjeshtër dhe hipokrizi, përkundrazi unë mendoj që është fat që ne të kemi ende ndihmën e tij. Jemi ne që kemi nevojë e kërkojmë ndihmën e tij, por kjo nuk ndryshon aspak faktin që z.Basha tashmë është kryetari i PD-së dhe i pari që e respekton këtë fakt është vetë z.Berisha.
Ka pak ditë që jeni zgjedhur kryetar i Grupit parlamentar të PD-së. Ku mendoni se duhet përqendruar aksioni parlamentar i PD-së, tashmë në opozitë?
Ne kemi deklaruar që do të jemi një opozitë luajale, që do e mbështesim aksionin tonë mbi të vërtetat e jo shpifjet, që do bazohemi tek argumentet e jo tek dhuna. Por që në mënyrën më absolute nuk do të lejojmë të cenohen interesat e qytetarëve shqiptarë dhe të drejtat e opozitës. Ne do të jemi bashkëpunues në çdo iniciativë në interes të shqiptarëve, por do të bëhemi ‘të frikshëm” për Ramën nëse do të guxojë të shkelë mbi interesat e kujtdo për interes të tij, siç është mësuar në fakt që të bëjë. Në të vërtetë jemi pak deputetë në Parlament, por përfaqësojmë qindra mijë shqiptarë që janë me ne.
Ju keni në dorë programin qeverisës të mazhorancës së re. Në vija të përgjithshme, si ju duket përmbajtja e këtij dokumenti? Mbi cilat çështje do të përqendrohet debati juaj si grup parlamentar të shtunën në seancë parlamentare?
Ai nuk ishte program. Ishte thjesht një paçavure politike në vazhdim të fushatës së tij elektorale, mbushur me sharje dhe shpifje ndaj opozitës. Rama ende nuk e ka kuptuar që është kryeministër dhe kam frikë se nuk do ta kuptojë deri në momentin që do të dalë sërish në opozitë.

No comments: