Sunday, March 31, 2013

Dom Gjergji kundër mëkatit të heshtjes

Stefan Çapaliku
Dom Gjergj Meta është ndoshta i vetmi klerik shqiptar i gjendur në majë të kreshtës së opinionit mediatik që prej një dekade. Ai jeton si famullitar i Kamzës, atje ku tamponohet qytetërimi kitch i Tiranës me kulturën e hibridizuar të ardharakëve dhe jep meshë në një kishë të improvizuar prej betoni, mbushur plot prej besimtarësh, të cilët duke i dhënë dorën i përcjellin edhe lutjen “Mos na lër vetëm!” Libri i tij “Ditar periferie”, që ju të dashur lexues e keni në dorë, është plotësim i lutjes “Mos na lër vetëm!”. Aty Dom Gjergji merret me historinë dhe restaurimin, me shpresën, me mungesën e drejtësisë, me zgjidhjen që vjen nga vetja, me mungesën e hapësirave publike,
me poetin e harruar, me pamundësinë për me heshtë, me dinjitetin e përfaqësimit, me intelektualin e vetëvrarë, me gjykimin juridik, me homoseksualët, me integrimin, me kreshmën, me flijimin, me faljen, me lajmin e mirë, me librin, me antikomunizmin, me zotinlame, me qelizën, me autoritetin, me vëllanë e madh, me shpirtin, me Zef Kolën, me Dom Simonin, me Imzot Prenushin, me hakmarrjen, me klasiken, me nënën, me martesën, me profetin e vdekjes së Zotit, me mungesën e autoritetit moral, me guximin, me kriminalitetin, me kontrabandën, me pikat e referimit, me degradimin moral, me orientimet seksuale, me bamirësinë, me vdekjen, me tempujt e së keqes, dashurinë dhe seksin, me dialogun, me pafajësinë, me besnikërinë, me vetëvrasjen, me pedanterizmin, me përkujdesjen, me çmimin. Etika sociale, tradita liberale e edukimit dhe e përkujdesjes ndaj vlerave qytetare, lidhjeve dhe mënyrave të jetesës, dhe para së gjithash familja si njësia më e vogël sociale përbëjnë bazat shpirtërore dhe politike që i paraprijnë analizave sociologjike të Dom Gjergjit. Ai përpiqet që megjithë modestinë e skajshme të përhapë konceptin kristian për njeriun, që mbështetet tek individualiteti i veçantë dhe dinjiteti i paprekshëm i çdonjerit. Të gjitha shkrimet e tij na dëshmojnë se njeriu nuk është eksponent i një klase sociale (si në marksizëm), por është unik dhe i paprekshëm, individ me të drejta të patjetërsueshme dhe qenie sociale, e cila realizohet vetëm gjatë bashkëjetesës me njerëzit e tjerë. Pra Dom Gjergj Meta i është përkushtuar me të gjitha mjetet çështjeve morale dhe zakonore, raporteve midis njerëzve dhe përgjegjësive të gjithsecilit për veten e tij ashtu edhe përgjegjësisë kolektive. Modeli i njeriut kristian, që predikon ndër shkrimet e veta Dom Gjergji ka të bëjë me pranimin e dinjitetit individual të njeriut, respektimin e lirisë dhe përgjegjësisë, mbrojtjen e jetës, ruajtjen e krijesës dhe vlerave të veçanta të familjes. Kësisoj ai e ka shndërruar kishën e vet të improvizuar prej betoni edhe në studion e një publicisti që nxit shpirtin qytetar dhe mirëqenien publike. Ai nuk akuzon, ai bashkëndan fajin.

No comments: