Friday, September 7, 2012

Uidhers: Berisha mos kandidojë për një mandat të tretë, Rama s’e di si do jetë Kryeministër

Intervistë e ish-ambasadorit amerikan dhënë për gazetarin Sokol Balla në Top Story
Ish-ambasadori amerikan, Xhon Uithers, në një intervistë për emisionin Top Story të Sokol Ballës, komenton zhvillimet në Shqipëri, dhe jep vlerësimin e tij për dy liderët e politikës Ramën dhe Berishën, si dhe zgjedhjen e presidentit të ri. Për sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, Uithers nuk di të thotë se kush mund t’i fitojë, por rekomandon që Berisha të veprojë si Xhorxh Uashingtoni, i cili megjithëse u propozua për një mandat të tretë si president, sërish nuk pranoi të kandidonte. Sa për Ramën, Uthers thotë se nuk di të thotë nëse do ishte një Kryeministër apo jo.


Mund t’ju drejtohem në emër si Xhon, por në fakt ata të cilët janë duke ndjekur këtë intervistë ju njohin si ambasadori Uidhers nga aktiviteti juaj trevjeçar në Shqipëri, aktivitet i cili në fakt vijon të diskutohet edhe sot mes shqiptarëve. Në fakt siç e thashë në fillim të programit, se ju keni heshtur për gati dy vjet, mbase nuk është korrekt pasi ju keni folur për një revistë shqiptare dhe për Zërin e Amerikës. Gjithashtu keni dërguar edhe një deklaratë gjatë kohës së publikimit të kabllogrameve të Wikileaks. Shumë shqiptarë mund të pyesin përse i thatë po ftesës sime për ta zhvilluar këtë intervistë me premtimin për t’i thënë gjërat troç?

Arsyeja përse pranova lidhet me faktin se pavarësisht po bëhen gati dy vjet që jam larguar nga Shqipëria, unë ndjehem thellësisht i lidhur me vendin dhe njerëzit. E kam shumë për zemër. Kujdesem për atë që ndodh atje. Ne jemi miq për një kohë të gjatë. Kam qenë i nderuar, njëkohësisht jam i privilegjuar të bisedojmë përsëri pasi gjithmonë i kam pëlqyer intervistat që kemi zhvilluar së bashku pasi janë provokative dhe me pyetje të formuluara mjeshtërisht. Pavarësisht se kanë kaluar dy vjet, për mua shqiptarët janë njerëz me të vërtetë të veçantë. Nuk flas këtu vetëm për elitat, por për njerëzit e thjeshtë, të cilët më kanë trajtuar mua me shumë respekt. Kjo mundësi të flas me ju përsëri është një nder për mua, por tani unë flas në një kapacitet tjetër pasi siç ju thashë tashmë unë do t’i them gjërat troç, pasi tani mund ta bëj një gjë të tillë. Një diplomat duhet të flasë një gjuhë të veçantë, atë diplomatike. Mesazhi përçohet tek ata të cilët e njohin gjuhën diplomatike pasi është një traditë e gjatë që përfshin trajnime dhe të kuptuarit e asaj që kam dashur të them. Ndërsa tani si një qytetar i thjesht, i cili nuk flet në emër të qeverisë amerikane, Departamentit Amerikan të Shtetit apo ambasadën, por si një amerikan dhe siç e dini për një amerikan ka shumë rëndësi liria e shprehurit. Unë do të jem shumë i hapur me pikëpamjet e mija se çfarë po ndodh në vendin tuaj të mrekullueshëm.




Ajo që ju keni bërë për Shqipërinë dhe demokracinë shqiptare, a mos vallë shkoi përtej funksionit tuaj, si ambasador i SHBA-së?

Nuk mendoj kështu. Të jesh një ambasador amerikan është nder dhe njëkohësisht një privilegj i madh, pasi ju jeni ai person që përfaqëson presidentin. Dhe unë i kam shërbyer si ambasador dy presidentëve, Xhorxh Bush dhe Obama. Ju viheni përpara një besimi për të prezantuar politikat amerikane dhe kjo është një diçka shumë e rëndësishme. Një ambasadori nuk i besohet vetëm bërja e politikave amerikane, por mbi të gjitha të prezantuarit e vendit tonë mbi ato parime që është ndërtuar, mbi ato vlera që Amerika mbart. Një ambasador, i cili nuk arrin të përçojë këtë lloj prezantimi siç e shpjegova më sipër duke ia shpjeguar njerëzve që ne jemi amerikanë, ne jemi miqtë tuaj dhe ne besojmë në të njëjtat vlera sikurse edhe ju, do të thotë se nuk është duke ushtruar kompetencat që i janë ngarkuar. Shumë prej ambasadorëve amerikanë nuk janë gojëkyçur dhe janë të përzgjedhur me shumë kujdes, pasi ka një konkurrencë të gjerë, por mbi të gjitha është një privilegj. Kështu që shumica e ambasadorëve amerikanë veprojnë kështu duke përfaqësuar Amerikën në nivelet e vlerave politike, por gjithashtu ato sociale përfshi vlerat morale.

Kur u larguat nga Shqipëria ishit i shqetësuar për nivelin e demokracisë në vend, balancimin e pushteteve, korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe në fakt raportet ndërkombëtare kanë treguar atë që ne jemi duke shkuar keq në çështje që lidhen me korrupsionin, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e të shprehurit gjithashtu në nivelin e demokracisë. Kjo ju jep të drejtë juve, por a jeni i kënaqur me këtë?

Jo, nuk besoj që asnjëri, i cili e njeh Shqipërinë dhe kujdeset për të, do të gëzohej nga zhvillimet më të fundit. Atë kohë shpreha shqetësimet e mia. Tani si një observues në distancë, pasi nuk mund të jem një observues i afërt siç e bëja në të shkuarën, duke parë atë që është duke ndodhur tani, situata është përkeqësuar. Unë mendoj se frika (dhe do ta përdor këtë fjalë frikë), që unë kisha për atë që do të ndodhte me institucionet e pavarura demokratike, ndodhi. Presioni mbi to ishte i dukshëm. Tani me zhvillimet e fundit, përfshi këtu edhe zgjedhjen e presidentit nga vota njëpartiake duke zgjedhur një person, të cilin unë e respektoj shumë si individ pasi e njoh nga koha kur ishte ministër i Brendshëm. Ai është një burrë kurajoz. Por situata me shëndetin ku ai u gjend e kaloi me një durim të madh dhe trimëri, gjë të cilën mbase shumë njerëz nuk do ta kishin demonstruar. Të tilla karakteristika dolën gjatë situatës ku ai ndodhej. Por nuk po merrem këtu me individin Bujar Nishani si njeri, por me rolin e zotit Nishani. Ai është edhe siç premtoi Kryeministri, një besnik i Partisë Demokratike. Nuk është aspak gabim të jesh besnik i Partisë Demokratike, por në klimën dhe rrethanat që kalon Shqipëria sot, a do të demonstrojë zoti Nishani se është një njeri i pavarur në ato raste kur do t’i duhet të ngrihet kundra vullnetit të Kryeministrit? Jam shumë skeptik se ai do ta bëjë një gjë të tillë. Jam skeptik pasi nëse shikoni shumë politikanë shqiptarë besnikëria është diçka për të cilën kur Kryeministri flet për diçka ata veçse e ndjekin nga pas. E kam të lehtë ta drejtoj gishtin tek shumë prej tyre që futen në këtë kategori. Ndjesia ime është se në një demokraci merr parësi ndëshkimi: ai politik dhe moral. Nëse ju nuk keni pikëpamjet personale dhe vullnetin për t’i mbrojtur këto pikëpamje, thjeshtësisht ktheheni në atë që ne e quajmë “YES Man”, njeriu lepe-peqe për gjithçka.



Pra, po thoni se zoti Nishani nuk mund të ngrihet dhe të ketë qëndrimin e tij për çështje të caktuara duke u kthyer kështu në një “YES MAN”?

Nuk mundem të parashikoj se çdo të ndodhë në të ardhmen, por ai duhet ta provojë gabim skepticizmin tim rreth rolit të tij në lidhje me marrëdhëniet me Kryeministrin. Tani ai ka një rol të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare. Ja ku jemi tani, kemi Kryeministrin dhe kishim presidentin Topi, i cili kërkonte të vendoste drejtues të mirë në sistemin e gjykatave. Tani lind pyetja: cilët do të jenë njerëzit që do të emërohen nga Presidenti Nishani dhe a do të munden ata të qëndrojnë të pathyeshëm nga tekat e PD? Sepse kështu Bujar Nishani ka krijuar deri tani karrierën e reputacionin e tij sikurse edhe të tjerët si Lulëzim Basha e të tjerë e të tjerë. Tani nëse keni një gjykatë të kompozuar nga gjykatës, të cilët do të anojnë nga njëra parti politike, si mund të keni një sistem drejtësie që flet dhe i shërben të gjithëve? Ne e dimë rrezikun e politizimit të gjykatave.

Në çfarë drejtimi na çon një zhvillim i tillë? Drejt çfarë rreziku?
Për momentin kemi situata interesante po aq edhe ironike në rrethana të caktuara. Partitë po tentojnë të heqin imunitetet e zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Unë jam një mbështetës i fuqishëm i kësaj gjëje, për të cilën u përpoqa kur isha ambasador. Arsyeja për këtë është se me pasjen e imunitetit mund të ndodhin shumë gjëra pasi një person mund të kryej diçka, ta fshehë dhe mos të jetë përgjegjës. Prandaj imunitetet duhet të hiqen dhe nuk ka asnjë pikëpyetje për këtë. Pavarësisht kësaj vjen ajo që do ta përshkruaj si një rrezik. Në mënyrë që heqja e imuniteteve të jetë në përputhje me shtetin ligjor, duhet të keni gjykata, të cilat janë të pavarura nga ndërhyrjet politike. Ju patjetër duhet të keni gjykata që flasin vetëm në emër të ligjit dhe jo për cilindo që është një aktor i fortë politik. Në të kundërtën gjykatat kthehen në një armë në duart e një partie politike duke realizuar dëshirat e asaj force politike. Kam lexuar sot një citim të bërë disa ditë më parë nga Kryeministri Berisha. Ai sulmonte Partinë Socialiste për mosvotimin më datë 6 gusht. Dhe çfarë ai deklaronte. Thoshte që të gjithë deputetët e opozitës janë milionerë. Mos vallë është kjo përse Kryeministri kërkon heqjen e imuniteteve duke sulmuar deputetët e Partisë Socialiste? Pyetja ime për Kryeministrin mund të jetë kjo. Tashmë për shtatë vjet ju jeni Kryeministër, përse ne nuk kemi pasur një luftë madhore ndaj korrupsionit gjatë këtyre viteve. Për një moment mund të themi se kjo s’ka ndodhur pasi njerëzit janë me imunitet. Por po ata të cilët janë dyshuar për korrupsion dhe nuk kanë imunitet? Përse ju nuk u morët me ta? Dhe nëse çështjen e imuniteteve e keni sinqerisht, a do të jeni ju i gatshëm të merreni edhe me të korruptuarit brenda partisë tuaj të dyshuar për korrupsion? Apo vetëm për deputetët e PS-s? Nëse në këtë deklarim Kryeministri është cituar në mënyrë korrekte, kjo për mua është shqetësuese. Është ky motivi i vërtetë? Dhe nëse ky është motivi i vërtetë, e gjithë çështja ngre pikëpyetje në lidhje me nevojën imediate që Shqipëria ka për t’u pastruar sa më parë nga korrupsioni. Nëse tentohet një manipulim i korrupsionit, kjo nuk sjell asgjë tjetër përveç zmadhimit të korrupsionit duke gllabëruar çdo institucion të formuar për të mbrojtur jo të pasurit e korruptuar, por qytetarët e thjeshtë.

Në fakt zoti ambasador ndërkohë që flisni, mua më vijnë ndërmend disa fakte. Fakte që vërtetojnë këtë që thoni ju. Faktin që gjatë këtyre muajve të fundit shumë vendime të gjykatës për shpifje, të ngritura kryesisht nga qeveritarë ose familjarë të tyre, ka akuzuar dhe dënuar më pas deputetët e opozitës. Apo faktin e kundërt, disa çështje të mëdha, që lidheshin me korrupsionin apo me abuzimin e pushtetit duke filluar nga Gërdeci, rruga Durrës-Kukës apo edhe një video-skandal i vitit të kaluar që solli më pas edhe 21 janarin, të gjitha këto çështje të mëdha u mbyllën në favor të zyrtarëve të qeverisë dhe kjo në fakt është situatë shqetësuese për demokracinë apo jo?
Është një risk shumë i madh mospasja e një sistemi të pavarur drejtësie. Është një kërcënim i madh tejet e i madh për një demokraci. E tërë ideja e një demokracie është një qeverisje e kufizuar në pushtetin e saj. Dhe nëse do t’ia thonit këtë çdo politikani amerikan, zotit Romney apo zotit Obama, ata do të binin dakord me këtë. Pushteti domosdoshmërish duhet të ketë atë që njihet si kontroll dhe balancimi i tij. Pushteti i përqendruar në duart e një partie politike apo individi konsiderohet si një rrethim i demokracisë. A e dini se cili është rreziku i një sistemi gjyqësor të politizuar? Këtu në shtëpinë time është një foto e Musine Kokalarit gjatë gjyqit të saj ku në fytyrën e saj duket një shprehje shpirtërore pafajësie, sepse ajo ishte e pafajshme. Por ishte politikisht e domosdoshme për regjimin komunist të sulmohej, pasi konsiderohej e rrezikshme për ata.
Mos doni të thoni se jemi duke shkuar drejt të njëjtit model?
Për momentin Shqipëria është duke qëndruar në buzë të greminës. Nëse gjykatësit apo njerëzit e drejtësisë zgjidhen sipas kritereve politike apo u janë borxhli pushtetit në një formë apo tjetrën për mos të kundërshtuar njerëzit e pushtetit, atëherë kjo është e rrezikshme. Sepse gjyqësori përdoret për qëllime politike dhe jo, por të përmbushur misionin e dhënies së drejtësisë. Kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Shikoni se çfarë është duke bërë Putini në Rusi. Shikoni ç’po ndodh në Hungari, Rumani, Gjeorgji. Në të gjitha këto vende, shikoni ç’po ndodh në Ukrainë. Atje ju keni një kundërshtar politik të gjithë-pushtetshëm, i cili e burgosi atë, të cilën fliste në emër në popullit, duke urdhëruar gjykatat të vepronin në këtë mënyrë. Kjo është ajo rrëshqitja e ngadaltë në drejtim të së keqes. Për tre vjet unë kam ngulmuar kur jam shprehur për t’i pasur institucionet e pavarura. Tani gjithnjë e më shumë kjo pavarësi po rrëmbehet.
Kjo është një tendencë nga partia në pushtet apo është një tendencë e ngjashme mes klasës politike shqiptare? E them këtë pasi ju ishit në Shqipëri kur dy forcat më të mëdha politike ndërmorën ndryshimet kushtetuese brenda një nate, duke limituar pushtetin e Presidentit, atë të Prokurorit të Përgjithshëm për interesat e axhendës së tyre politike. E shikoni këtë si një rrezik që vjen nga qeveria aktuale shqiptare apo e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qeverinë e ardhshme socialiste për të pasur tendenca të ngjashme?
Nuk mund të flas se çfarë mund të bëjë një parti tjetër nëse vjen në pushtet. E gjitha mund të jetë në kuadrin e hipotezave. Ajo që mund të them është kjo. Sistemi që duket se është duke u aplikuar do të kthehet në një rrezik për cilëndo forcë politike që do të drejtojë vendin.
Pra, krijohen premisa që kushdo që të jetë në pushtet ta përdorë këtë sistem për interesat e veta politike?
Nuk mund të shprehem në mënyrë të prerë. Janë njerëz të veçantë me karakteristika të veçanta. Për shembull Xhorxh Uashington, i cili jetonte jo shumë larg nga këtu, u quajt babai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Popullariteti i tij ishte përtej çdo popullariteti që kanë gëzuar presidentët tanë në historinë e SHBA-së. Ai u zgjodh herën e parë dhe më pas për të dytën herë. Kur vajti herën e tretë në Uashington i thanë garo përsëri se ke për të fituar, por ai kishte një detyrim moral dhe u shpreh se dy mandate mjaftojnë për çdo president. Dhe me të gjithë atë pushtet që ishte gati për ta pasur përsëri të tijin, ai zgjodhi të tërhiqej.
Por në fakt keni pasur president që është zgjedhur tre herë….?
Vetëm një. Në të gjithë historinë e SHBA-ve vetëm një. Një rast i veçantë në mes të një lufte të madhe. Asnjë president nuk ka shërbyer më shumë se dy mandate. Çfarë unë gjej të mangët në lidershipin politik shqiptarë është pikërisht ky kualitet, ky shembull që vjen nga Uashingtoni. Flas për atë kualitet që Uashingtoni vendosi kur zgjodhi të tërhiqej pas dy mandatesh si president. Këtë e bëri në emër të ndryshimit dhe sipas këndvështrimit të tij për një qeverisje më të mirë të vendit dhe të tijën personale. Nuk shikoj tek lidershipi shqiptarë pasjen e këtij vizioni për të mirën e vendit. Çfarë shikoj janë politikanë, natyrisht anëtarë të qeverisë aktuale që kanë krijuar një dominim pushteti. A janë ata të përsosur në qeverisje? A janë ata të përsosur në pasjen e një koncepti se çfarë është mirë apo keq për demokracinë dhe të ardhmen? Do t’ju tregoj një histori të shkurtër. Çfarë më mungon këtu duke mos qenë në Shqipëri? Ajo që më mungon është se jam ulur këtu dhe po më bëni pyetje në gjuhën shqipe, gjë e cila më mungon. Edhe muzika shqiptare më mungon. Sigurisht më mungon edhe kafja e mirë shqiptare, mishi i qengjit i pjekur, ballokumet, tava e kosit, rakia.
Zoti Uidhers, tani më duhet t’ju pyes si një qytetar amerikan. Çfarë ju thoni është shqetësuese. Ish-presidenti Topi dy javë më parë shprehu po të njëjtat shqetësime kur pohoi se demokracia jonë po shkon drejt një diktature dhe vendit i duhet një ndryshim politik. Në 2013-ën ne kemi zgjedhjet e përgjithshme. Me këtë të ardhme që e përshkruar si shqetësuese, mendoni se në 2013-ën Shqipëria ndodhet përpara nevojës së një rotacioni politik?
Fillimisht do të thosha që Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të cilat shkojnë përtej pikëpyetjeve dhe dyshimeve. Pra, të lira dhe të ndershme. Ku nuk ka dyshime apo problematika siç ndodhën në zgjedhjet e shkuara. Jo manipulime, jo ndërrim rregullash loje, jo dominim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, jo një kolegj elektoral, i cili braktis përgjegjësitë e tij që i jep ligji. E theksoj se duhet me doemos të mbani zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është parësore. Unë mendoj se ngrihet një pikëpyetje e madhe përpara shqiptarëve. Dhe kjo pikëpyetje e madhe është se a kanë mundësi politikanët të zgjidhin hallet tuaja. A është politika rruga e duhur për të përmirësuar shoqërinë tuaj. Pra, janë pyetje që duhet marrin përgjigje nga vetë shqiptarët. Ajo çfarë duhet të kini parasysh është se hallet tuaja nuk ka për t’i zgjidhur komuniteti ndërkombëtar. Ata thjesht mund t’ju ndihmojnë, por jo të zgjidhin problemet tuaja. Zgjidhjet duhet të vinë nga brenda vendit. Pak më herët më pyetët nëse më mungonte Kryeministri Berisha. Nuk e di se çfarë ai mendon apo çfarë problemesh ka me mua. Berisha është një person i jashtëzakonshëm. Ajo që unë nuk bie dakord janë politikat që ai kërkon të implementojë. Të kundërshtuarit e këtyre politikave nuk do të thotë se unë jam mbështetës i ndonjë platforme të ndonjë force tjetër politike. Unë nuk mbështes asnjërën prej tyre. Çfarë unë mund të mbështes është koalicioni për demokraci. Jo ndonjë forcë politike, por një lëvizje sociale në të mirë të popullit shqiptar. Kjo për mua është e rëndësishme. Shikoni se çfarë ndodhi në Birmani. Një grua e vetme, trime pavarësisht vuajtjeve shikoni çfarë bëri. Shikoni se ç’po ndodh në Filipine, ku filipinasit luftuan për mbajtjen e zgjedhjeve të lira kur Markosi po tentonte t’i manipulonte dhe Akino u zgjodh president.
Dhe kjo është dilema që kanë shqiptarët kur thonë se ne e dimë se çfarë mund të prodhojë Berisha, por a do të mundet Edi Rama të jetë një kryeministër i mirë…
Prandaj është e rëndësishme që njerëzit të bëhen aktivë. Kjo është ekzaktësisht ajo që duhet të bëjnë, duke u kthyer në arbitra të demokracisë dhe jo politikanët. Qytetarët duhet të jenë ata të cilët të dalin kundër…
Nuk ju përgjigjët direkt pyetjes time nëse Edi Rama mund të jetë një Kryeministër i mirë.
Si mundem unë mund ta di këtë? Ai kurrë nuk ka mbajtur një post të lartë drejtues në nivel kombëtar. Nuk kam asnjë ide dhe nuk dua të përfshihem në një çështje të tillë. Çfarë unë di, lidhet me ato veprime të ndërmarra nga qeveria aktuale dhe të them që Rama do të veprojë njësoj, këtë nuk mundem ta di. Nuk mund të gjykoj rreth të ardhmes.
Ishte me të vërtetë tragjike.
Dhe këto para duket se kanë shkuar ditën kur ndodhi 21 janari për të blerë pajisje përgjimi nga shërbimi sekret i ushtrisë. Përmendët Xhorxh Uashington në 1784, një prej gjërave që bëri dha dorëheqjen duke ja kaluar pushtetin autoriteteve civile duke dhënë një shembull se si ushtria duhet t’i bindet apo të kuptojë se nuk janë mbi autoritet civile. I keni dëgjuar pretendimet e opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes për përgjime ilegale ndaj opozitës, gazetarëve dhe figurave publike përfshi këtu diplomatët?
I kam dëgjuar këto pretendime. Është e pamundur nga kjo distancë e largët të jem i mundur për të vlerësuar në një mënyrë apo tjetrën …..
Ndjesë për ndërprerjen. Gjatë kohës kur ishit diplomat në Shqipëri a ka pasur ndonjë rast kur kishit ndjesinë që po ndiqeshit, ishit nën survejim apo përgjoheshit nga autoritetet?
Jo. Kurrë nuk e kam pasur një ndjesi të tillë. Jeta ime në Shqipëri ishte tërësisht e hapur. Kudo që kam shkuar përnjëherë jam dalluar dhe njohur nga njerëzit në rrugë. Asgjë s’ka qenë sekrete, s’kisha ç’të fshehja. Nëse dikush ka tentuar të spiunojë për mua, do jetë zhgënjyer pafund. S’ka pasur ndonjë skandal që ata mund të zbulonin apo ndonjë gjë joshëse. Për ata do të ketë qenë një jetë e mërzitshme. Nuk e di nëse pretendimet janë të vërteta. Nëse janë të vërteta, atëherë jemi përballë një çështje shumë serioze dhe diçka duhet bërë për këtë. Më lejoni të shtoj disa gjëra për të rinjtë shqiptarë shumë prej tyre kur më takonin shprehnin dëshirën për gjetjen e një mënyrë për t’u larguar nga Shqipëria pasi thoshin se për ta nuk kishte të ardhme. Kjo ta thyen zemrën pasi Shqipëria ka potenciale. Nëse për ta nuk ka të ardhme në Shqipëri, kjo vjen sepse lidershipi nuk është duke zhvilluar këtë potencial. Çfarë më shqetëson lidhet me të gjitha ato veprime që kam parë që i ngjasin një loje të kalkuluar e të avashtë shahu me qëllimin final për përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme. Veçanërisht në duart e një personi.
Sipas jush Berisha?
Po, Kryeministri. Ajo çfarë nuk dëgjoj janë njerëzit brenda partisë së tij, ishte vetëm një deputet që foli hapur…

Mark Marku
Pra, njerëzit brenda PD-s nuk flasin. Kam lexuar një poemë të Migjenit, vijoj të lexoj poezi shqiptare, natyrisht të përkthyera.
Marrë me shkurtime nga Top-Channel

1 comment:

GeorginA said...

Isha një njeri shumë i vetmuar ... Në janar, Dr. Obodo hodhi një magji për të gjetur një zonjë Austriake për mua. E diela e parë në mars takova një grua të mrekullueshme vietnameze. Ishim të angazhuar për gjashtë javë dhe u martuam vitin e ardhshëm. Dr.Obodo më ka dhënë zonjën e ëndrrave të mia.visit Dr. Libero Via:
(templeofanswer@hotmail.co.uk)
(whatsapp +234(815) 542-5481) Bloomington, MN