Friday, September 7, 2012

Zbulohen bisedat e Erionit me kushëririn kryetar komune në Tërpan të Beratit

Kjo puna e përgjimeve e kish sëkëlldisur shumë Erionin e Veliajve. Jo se e besonte shumë, po nganjëherë shejtani çfarë nuk bën. Sikur të ishte e vërtetë ajo që thoshin Pirroja me Ilirin. Jo për gjë, po  pse havale kot. Tashi ai nja dy telefonata të pafajshme kish bërë, një për punën e shtëpisë, domethënë vilës nja 200 mijë euro, një pazar i vogël ashtu, për kontributet e mëdha që ka në humbjen e socialistëve në vitin 2005, por dhe ca të tjera me kushëririn e tij Engjëll Veliaj, kryetarin e komunës së Tërpanit,  që u bë copë derisa e vuri atje. Tani Erioni është gjithë ai personalitet në PS e çfarë, nuk do të vinte kushon e tij kryetar komune, si thoni ju? Dhe kushëri, sa shkoi, duket se e ka hapur shpatën mirë. Mor s’ka lënë gjë pa bërë, merr fonde e fut në xhep. Po do t’i bëjë ai, se ka kushëririn udhëheqës dhe nuk i hyn gjemb në këmbë. Madje, thonë se jo vetëm në Tërpan, por dhe poshtë e përpjetë Beratit rreh gjoksin dhe thotë se, sa të ketë kushëririn, s’e vret shumë mendjen.  Nga ana tjetër, ka filluar të bëjë dhe lista diplomatësh, shokë e miq të kryetarit, që t’i dërgojë më pas në Evropë, kur Erioni të bëhet ministër i jashtëm. Dhe piketat për këtë i ka hedhur vetë Erioni me kohë. Që kur nisi letrën për Griseldën në Parlamentin Europian, tani rrugën e kanë të hapur. Dhe bën vaki që ata “mistrecët” e Beratit e lënë dhe një herë me gisht në gojë Erionin, siç e lanë në zgjedhjet e 2009-s, pa ta shihni ju se çka për të punuar Engjëlli! Në rast se tani lë ndonjë kockë për rrugët kushëriri, pasi e ka mbushur xhepin, tani e mbrapa asgjë nuk do të shkojë. Ja, këto muhabete kish bërë Erioni në telefon dhe kish hall mos i dilnin pazarit
Bamiri sakrifikon për librin e Zenepes, desh mbytet në mes të detit

Këtij Bamirit nuk i ecën fare! Ndërsa kish vajtur me gjithë eskortë në Bari të Italisë, i mbetet trageti rrugës dhe kish mbetur nja 20 e ca orë në det. “Po pse s’vajti me avion?” – do të thoni ju. Ehe, me ç’duket, tani në fund të mandatit sikur s’po pyet njeri për Presidentin tonë. Po kafexhinjtë u bënë kuriozë se pse e kish marrë mundimin Presidenti i nderuar tërë atë rrugë deri në Bari. Dhamë e morëm e më në fund sqarimet na i dha Spiro gjenerali, i cili që prej 21 janarit e ka fort për zemër presidentin. “Ishte në Bari, se kish shkruar një libër Zenepe Luka nga Vlora. E mo, është vajzë jona ajo. Ka dhënë goxha kontribut në vitin 1997, kur hodhëm Berishën dhe PD-në nga pushteti. Eh, kohë të arta ato kur shkruante Zenepja për shamizezat e Vlorës, që shkonin derë më derë ku kish vdekje dhe shanin Berishën! Shamizezat ishin vetëm në mëngjes ashtu, se në drekë e në darkë lyheshin e visheshin sipas qejfit. Se atyre që u ishin vrarë me tërë mend njerëzit s’e kishin shumë mendjen për politikë. Po kujt ia ndjen, pak ato e pak Zenepja me të tjerë efektin e bënë. Flakën ia vumë vendit. Bamiri ynë për këtë e nderoi dhe me titullin “Mjeshtër i Punës” Zenepen. Një titull që ai edepsëzi  Rexhep Meidani s’ia dha atëherë. Po shyqyr që e kemi këtë djalë, se flakën e komunizmës më përpara do ta çojë”, – po thoshte Spiroja çakërqejf. Duke e mbyllur me fjalët se për një kauzë të tillë siç është pjesëmarrja në librat e Zenepe Lukës ia vlen dhe të mbytesh fare e jo më të mbetesh ca orë në det.

No comments: