Sunday, August 5, 2012

IDENITETI DHE DILEMAT


Nga Ymer Halimi
Ka kohë që polemizohet rreth ”kombit Kosovar”, dhe “gjetjet e ndryshimit” mes nesh, në një apo mënyrë tjetër, qëllimshëm apo jo qëllimshëm, shkencërisht e jo shkencërisht, që po e bëjnë vendor e diplomat ndërkombëtar, duke na sjell shqetësim. Nëse shikohet nga brendia kjo është brengë, sepse mospërfillja e mikroproceseve të zhvillimi i kombit mund të na shp
ie ne kah te paparashikueshëm, aq më parë kur është gjendje e re me dy shtete të pavarura me shumicë shqiptare. Disa po e mbështesin “lindjen e kombit te ri” shkak i lindjes së shtetit të ri, dhe përpiqen ta argumentojnë bile edhe më ëndje dhe kërkojnë të heqin çdo dilemë rreth ekzistencës së tij. Të tjerët, ndërkaq, në asnjë mënyrë nuk e pranojnë këtë interpretim. Mendimet lë të janë të lira, por veprimi duhet të jetë në kahun e duhur. Si komb duhet të kemi vizion real, të ndërtojmë një lidhmëri procesesh për të krijuar vlera, në dobinë e t’ardhmes sonë. Por, vizionin politik e përcaktojnë edhe finesat, që duken si të parëndësishme në politikë, e që janë përcaktuese. Ta zëmë, si do të ishte kombi i ynë sot, po të shpallej pavarësia në Manastir, Shkup, Prizren?! E sakta: kombi nuk do të ishte kështu siç është. Apo ç’do të ndodhte po të mos pranohej pavarësia e Kosovës, kështu skajshme e kushtëzuar? Sigurisht, gjendja nuk do të ishte kaq e renduar. Prandaj, më të drejt thuhet: në themelet e të sotmes ngritët e nesërmja. Sot duhet ta kemi te qartë jemi komb i ndarë.

Por, politikanët në Tiranë e Prishtinë, synim e kanë te bashkohen në Bruksel. Ta zëmë si me slloven, çek, grek e serb etj. Të mendosh të jesh i ndarë në hapësirën tënde e i bashkuar ne hapësira evropiane, është miopi politike, se gjurmët e ndarjes te shqiptarët do jenë të pashlyera. Atje do luftohet për identitet, Kosovë e Shqipëri. Kjo është dialektika e ndarjes, dhe ne përsëri mund t’u ngjajmë fiseve ilire.

Disa gjëra janë të pa rëndësishme në dukje, por i dhënë përmbajtje proceseve, prandaj dilema për kombin kosovar do zgjidhje. Nuk vlen heshtja. Zgjedhje është në përpjekjen shekullore që të jemi komb i bashkuar. Kështu, në këtë fazë zhvillimi, në asnjë mënyrë nuk duhet pranuar ngjashmërinë: Austri-Gjermani, Moldavi-Rumuni, Maqedoni- Bullgari, apo siç është bota arabe. Ngjashmërinë tonë duhet gjetur në përmasën e bashkimit të kombit gjerman. Por, mjerisht fati historik i kombit tonë, me mija vite ka qenë i copëzuar dhe asnjëherë pa arritur që në territoret ku jetuam, të kemi një kompaktësi organizative politike e fetare, dhe kjo po na mungon sot e gjithë ditën, për një qasja me një frymë te fuqishme te modelit gjerman, qe do sakrificë të përbashkët se bashkimi nuk është një akt por proces. Prandaj, politkëbërësit, në Tiranë dhe Prishtinë, nuk kanë guxim e as vullnet që këtij procesi t’i bëjnë zgjidhje reale dhe po shpenzojnë energji ne identitet e tyre.

Dhe, si mund të kuptohet ndryshe vizita e ministrit të jashtme të Shqipërisë I. Metës në Serbi, e cilësuar si “historike”, duke anashkaluar më lehtësi tensionet Kosovë -Serbi. Ligjet e tregtisë, në të dy shtetet janë më ndaluese, se më të gjitha shtetet e rajonit. Si mund ta kuptosh mosmarrëveshjen te projekti i hidroelektranës së Zhurit, ndërlidhjen e rrjetit elektrik 400KV, etj. Dhe, si mund te kuptohet qëndrimi i sportistes M. Kelmendi që me çdo kusht të shkojë n’olimpiadë, së fundi, edhe si sportiste e pavarur por të mos shkoj nën flamurin e Shqipërisë, e kjo mbështetej nga institucionet e Kosovës. Asaj i dhanë me veti flamurin e Kosovës, thua se nuk i mjaftonte kombëtari. A nuk flet kjo me shumë se shkuarja e saj në olimpiadë!? Siç shihet kur është fjala e interesit shtetërore karshi interesit kombëtar, ne të dyja vendet, po luftohet për interesa te ndara vetanake. Kjo është shqetësuesja dhe vetëm në çaste të caktuara, nën ndikimin e opinionit, institucionet po e ndjenë gabimin.

Prandaj, prijëse politike duhet te jetë Tirana, e jo pjesët e kombit që janë në nevojë, siç ishte Kosova dje e janë shqiptarët në Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi sot. Shqipëria londineze, asnjëherë deri me sot, mjerisht, ndoshta shkak i rrethanave të brendshme apo trysnisë së jashtme, nuk ka përfill interesin e pjesëve të kombit jashtë territorit të saj në mënyrën e duhur. Kombi ynë ishte (është) inferior përballë te gjitha kombeve në Ballkan. Shihni, kujdesin sllavo-maqedon, për pakicën sllavo-maqedone, në Greqi, Shqipëri, karshi kujdesit të Shqipërisë për pakicën shqiptare ne Serbi, Greqi apo Mal te Zi e Maqedoni. Pa folur për kujdesin e Serbisë, Malit te zi, Greqisë, Turqisë per pakicat e tyre. Kujdesi i Shqipërisë nuk ekziston fare. Pse...?!

Çka po ndodhë me ne!?

Sot, çdo ditë e më shumë po e përdorim emërtimin kosovar, në një kuptim të ri. Ne gjithherë i kemi ik këtij emërtimi duke e quajt vetën, ata që jemi, shqiptarë dhe Kosovën e kemi parë “pjesë të Shqipërisë”. Kështu ishte një shekull, luftë e përpjekje. Asnjëherë, ne asnjë çast ne nuk kemi hezituar të themi ndryshe përveç se jemi shqiptar, por sot, Kosova shikohet si Kosovë e jo më si pjesë e Shqipërisë. Ky është perceptimi real i sotëm, na pëlqeu e nuk na pëlqeu.

Në paraluftë vështirë do të gjeje dikë, në Kosovë, që nuk do ndjente kënaqësinë e bashkimit, por sot krejt rëndomtë, kemi n- raste me bollëk, që nuk e shihnin nevojën e bashkimi kombëtar. Bile shumë intelektual e thonë: mirë jemi kështu. Shikoje Shqipërinë e shikona ne! Ç’na duhet bashkimi? Do jemi vetëm një rrëmujë edhe më e madhe. Çuditërisht në këtë “formë” e mendojnë bashkimin! Në Shqipëri ka rritjeje të idesë së bashkimit që dikur ishte ide e individëve. Prandaj sjellja, në të dy shtetet tona se “ne” dhe “ata” i mjaftojmë vetvetes, ka rrit dilemën çka do të ndodh nesër me ne?

Sot shprehemi: “jemi vëllezër” dhe kjo mjaftuaka duke lënë anash atë se jemi një, një komb. Vërtet s’jemi vëllezër, por jemi një. Bavarezët nuk u thonë Prusëve vëllezër, më që janë gjerman. Si mund te jesh vëllezër me vetveten! Vetë shprehja vëllezër krijon një ndryshim e ngritë dilemë. Tirana zyrtare e përdorë shprehjen “vëllezërit kosovar”, po e përdorë edhe “vëllezërit turq”. Edhe Prishtina zyrtare e bënë po te njëjtën. E njëjta filozofi politike. Vëllezër mund t’u themi malazezeve, kur i konsiderojmë të trungut – ilir. Në fund të fundit, vëllezër jemi me gjithë racën njerëzore. Kjo në shikimin e parë e padukshme si fines politike, por është përcaktuese për të ardhmen tonë që të jemi diferent brenda kombi.

Prandaj, kur në Jugosllavinë e Titos, bëhej presion që Krahina Autonome e Kosovës të këtë flamurin e ndryshëm nga ai kombëtar, e të na quanin shqiptarë e shqiptarët e Shqipërisë londineze ti quanin“Albanci”, nuk pranonim të na quanin ndryshe përveç “Albanci”, e as flamurin të na e ndërrojnë. E arritëm! Ishte e padurueshme që ne të shfaqeshim ndryshe nga shqiptaret e Shqipërisë. Por, pas demonstratave të vitit 1981, flamurit i’u ndryshua, për një nuancë, pozita e yllit. Rënd e përjetuam. Pastaj, Presidenti Rugova e propozoj një flamur më ndryshe më ca simbolika kombëtare. E dogjën patriotët. Ndërsa, në ditën e shpalljes së pavarësisë u hoq dorë nga flamuri kombëtar, që me shekuj e ruajtëm, e ne luftën për çlirimin e Kosovës ushtarët u betuan para tij. Doli një flamur edhe më i papranueshëm se ai që e propozoi Presidenti Rugova e dikur Vllasi, se klasa politike në tavolinën e bisedimeve për pavarësinë ishte e pa vizion politik. E zhveshur. Në emër të pavarësisë pranohej çka u ofrohej, shantazhohej me asgjë,e pranohej çdo gjë qe te tjerët donin. Pranuam ndryshimin absolut tek simbolika e shtetit: flamurë dhe himnin, pasojat do i shihen së shpejti.

Në vitin pavarësisë së Kosovës, edhe një vit pas, 28 Nëntori, festa më e çmuara e kombit, në Prishtinë nuk festohej. Ç’far flet kjo! Ndryshim shpirtëror brenda nate! Thuhej, (e thuhet), e kemi shtetin tonë! Po shfaqet “ndryshimi” mes nesh, Shqipëri dhe Kosovë, dhe ja dilema: Kush jemi ne Kosovarët?! Sot, pa fije dyshimi jemi në përpjekje për një identitet ndryshe nga ajo që ishim dje karshi Shqipërisë, që ndjeheshim pjesë e saj. Kjo s’ka pse mohohet kur është, por duhet të luftohet.

Prandaj, këtë ndryshim nuk e bëjnë analistët e “kombit Kosovar”, por “realiteti politik” qe Politikat ne Tiranë e Prishtinë, po krijojnë veçori diferente në këto hapësira të ndara legjislativisht dhe po shtohet presioni që të kemi arkitekturë shpirtërore e historike të ndara. E gjitha kjo në emër të rregullave evropiane, e karrierave politike të politikanëve, të cilët po falin tokë e det fqinjëve.

Duhet ta kuptojmë drejt se brezat e reja po (do) edukohen në këtë frymë ndryshimi, me identitet e simbol shteti të Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk do ta kenë nostologjinë e gjysheve dhe prindërve të tyre për bashkim dhe simbolin kombëtar.

Megjithatë, rrethanat historike nxjerrin shtete të reja dhe kombe, por, një mbi te gjitha, është e nevojshme: dëshirën për bashkim ta shndërrojmë në normë shtetërore. Kështu vepruan kombet e ngritura ata e kuptuan lirinë ne komb të bashkuar e assesi të ndarë.

Prishtinë, 29.07.2012
 POSTOI NE  ALBDREAMS.NET   FLORI BRUQI

No comments: