Saturday, November 10, 2012

“Shuhet” në heshtje Festivali i 13 i Filmit Shqiptar, publiku “dorëzohet” para ftesave

Festivali i 13 i Filmit Shqiptar prej disa ditësh ka startuar në Tiranë, një eveniment i cili rikthehet pas gjashtë vitesh mungesë. Festivali i filmit ishte premtuar nga organizatorët se do të ishte model, do të kishte të ftuar emra të njohur të kinematografisë botërore, do të ishte si një festë e filmit shqiptar aq më shumë do të kishte rëndësi dhe në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.
E ndërsa festivali ishte menduar që do të kishte një atmosferë të tillë festive, në fakt panorama që ka shoqëruar këto ditë zhvillimin e tij ka qenë krejt e kundërt nga ajo që kanë deklaruar më herët drejtuesit e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Gjatë ditëve të festivalit ka pasur një mungesë të theksuar të publikut, i cili duket se nuk ka shfaqur shumë interes për të qenë në sallën e kinemasë ku shfaqeshin filmat, apo dhe në sallën e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Nga ana tjetër edhe pse ishte premtuar për një festival i cili do të sillte emra të njohur të kinematografisë botërore, festivali ka mbetur vetëm me aktorin italian Remo Girone, ndërsa ftesës për të qenë në festival nuk i janë përgjigjur aktori italian Raul Bova si dhe aktori Robert De Niro. Në tetor, QKK-ja kishte konfirmuar se i kishte bërë ftesë De Niros për të qenë i ftuar nderi në edicionin e 13-të të festivalit, që nisi rrugëtimin me 3 nëntor për të përfunduar sonte me ndarjen e çmimeve. Ftesa i është bërë dy javë pasi De Niro, siç kishte shkruar në një komunikatë Zyra e Presidentit të Shqipërisë, i kishte premtuar kreut të shtetit shqiptar se do të vizitojë Shqipërinë. E ndërsa festivali i filmit krenohet vetëm me Remo Girone, të vjen keq kur shikon që drejtuesit e QKK kanë harruar të kujtojnë se si zhvillohen festivalet e filmit nga privatët në vendin tonë. Kujtomë se Festivali i Filmit në Durrës apo dhe TIFF kanë arritur të sjellin emra më të njohur të kinematografisë botërore, edhe pse mundësitë financiare mezi e kanë lejuar këtë. Mes tyre më herët edhe regjisori Pirro Milkani për filin e tij solli në Tiranë Michele Placido, ndërsa organizatorët e festivalit nuk arrijnë të sjellin emra të tjerë. Me çfarë do të krenohen organizatorët e këtij festivali? Me çfarë premiere, apo të ftuarish? Si mund të mjaftohet  një festival kombëtar me një Remo Girone dhe Nino Celeste. Festival do të thotë të zbulosh trendin, të sjellësh premierë dhe të ftuar, këto janë komponentët e festivalit të suksesshëm, por këtë herë mungojnë, pasi dhe filmat artistik që shfaqen nuk janë premiera. Ndërkaq që nuk kanë munguar dhe shumë probleme të tjera gjatë festivalit, kështu në ditën e dytë të tij për  t’ju bërë qejfin ministrave pati dhe shtyrje të orarit të filmave, duke bërë që një pjesë e të ftuarve edhe të largohen nga festivali. Por nuk munguan dhe të tjera probleme, të cilat shqetësuan regjisorë dhe producentë. Kështu regjisori Ilir Harxhi thekson se çudia më e madhe në këtë festival është se mungojnë dhe programet për festivalin. “Ne pjesëmarrësve në festival na dhanë një çantë që kishte vetëm një katalog, i cili në fakt ka dhe një cilësi të dobët dhe kishim dhe një program. Ka një mungesë të theksuar materiali mbi festivalin. Për mua ky është festivali më i varfër nga ana organizative. Nuk e di se si mund ti kenë pasur problemet me fondet, por duke menduar që ky festival bëhet pas gjashtë vitesh mendoj se duhet të kishte pasur më shumë organizim dhe vëmendje. Festivali i 13 i Filmit Shqiptar me aq sa kam parë deri tani ka shkuar në një lloj derexheje ku nuk ke asnjë lloj mjeti propagandistik, nuk gjen asnjë copë letër që të shohësh programin, kjo më duket e habitshme. Katalogu ishte një botim pa cilësi, foto me ngjyra apo dhe bardhë e zi, kishte dhe foto që ishin sterrosur shumë”, u shpreh Harxhi.
Publiku larg festivalit, salla mbushet me nxënës shkollash
Festivali edhe pse pritej të kishte një vëmendje të madhe të publikut, gjatë paraditeve salla e kinemasë mbushet me nxënës shkollash. Duket se mosinteresimi i publikut tregon se kinemaja shqiptare ka jo pak problem me nivelin artistik të filmave. Ndërkaq që në orët e mbrëmjes ka pak më shumë publik, kjo duket se është meritë e ftesave që kanë ndarë organizatorët e festivalit, pasi në këtë kundërt edhe në orët e mbrëmjes salla e kinemasë do të ishin me pak publik. Të vjen keq kur mendon që një aktivitet i tillë vjen në 100-vjetor me këtë nivel, pa arritur akoma për të folur për cilësinë artistike të filmave që u shfaqën. Tapeti i kuq i shtruar në pedonale këtë edicion është shkelur nga pak personalitete të kinematografisë, ndërsa nuk mungojnë dhe pohimet se festivali i vitit 2006 ka pasur organizim më të mirë. Në Festivalin i 13-të i Filmit Shqiptar konkurrojnë 15 filma të gjatë artistikë që janë krijuar në Shqipëri e Kosovë, prej vitit 2007 deri më sot. Nga ana tjetër duket se në përfundim të tij do të ketë jo pak reagime dhe mbi cilësinë e filmave artistikë dhe dokumentarë, pasi gjatë shfaqjes së tyre janë vënë re dhe probleme. Nga Julia Vrapi

No comments: