Sunday, November 4, 2012

Anët e pa njohura të Ismail Qemalit në udhëtimin drejt Vlorës

Udhëtimi historik i ‘plakut të Vlorës’ nga Stambolli, nëpër kancelaritë e Europës e më pas, herë më këmbë e herë në karrocë, nëpër rrugët e baltosura të Shqipërisë së 1912-ës, vjen me hollësi gati intime nën penën e gazetarit të Zërit të Amerikës, Ilir Ikonomi. Libri ‘Pavarësia-Udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit’
mbërrin nën siglën e botimeve të UET Press si pjesë e kolanës së botimeve historike me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Promovimi i librit bëhet të mërkurën, ora 18.00, në hotel Tirana International, me pjesëmarrjen e posaçme të kryeministrit të vendit, Sali Berisha, i cili kryeson edhe Komitetin e Festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Libri i gazetarit Ikonomi, të seksionit shqip të Zërit të Amerikës, është sprova e tij e dytë në botimet historiko-publicistike.
Vjet, ai provoi suksesshëm me aktivitetin dhe jetën e Faik Konicës në Uashington, ndërsa këtë vit i kthehet një tjetër personazhi ilustrativ, Ismail Qemalit, burrit që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. “Faktet që jepen në këtë libër janë nxjerrë nga qëmtimi i mijëra dokumenteve historike dhe asgjë nuk është e fantazuar. Është kërkuar nëpër arkiva. Janë shfletuar më shumë se dyqind libra, botime të vjetra e të reja, që trajtojnë historinë e asaj periudhe. Janë nxjerrë të dhëna nga gazeta të panumërta austriake, angleze, rumune, gjermane, italiane, serbe, franceze, amerikane dhe shqiptare’, shkruan autori në parathënien e librit.

Kolana historike e UET Press
Shqipëria 1911-1974, nga Romeo Gurakuqi
Geraldina, Mbretëresha e Shqiptarëve; nga Gëen Robyns
Vitet shqiptare 1943-1945, nga David Smajli
Pavarësia-Udhëtimi i paharruar i I. Qemalit, nga Ilir Ikonomi
_____________________________________
Fragment nga libri

Fjalimi i Ismail Qemalit që shpalli Pavarësinë
Jashtë shiu i imët vazhdonte, por oborri përpara shtëpisë së Vlorajve ishte plot me njerëz. Jani Minga dhe nxënësit e mësuesit e shkollës shqipe ishin të gjithë aty. Mes toskëve shquanin trupat e gjatë të gegëve, të gjithë me koka të rruara, me qeleshe të bardha dhe me veshjet e tyre të veçanta, secili me nga një pushkë në krah. Askush nga dëshmitarët e ngjarjes nuk na ka dhënë ndonjë shifër, qoftë edhe të përafërt, sesa veta mund të ishin. Por duhet të kemi parasysh se hapësira përpara dhe anash shtëpisë mund të nxinte qindra njerëz, megjithëse një pjesë ishte e zënë nga pemët dhe bimët e tjera. Distanca mes mureve anësore ishte 165 metra, ndërsa nga balli i shtëpisë e deri te muri përballë, ku ndodheshin stallat, duhet të ishin së paku 100 metra të mira. Sipas dëshmitarëve, atë ditë rrugët e qytetit qenë plot me njerëz, sepse kishin ardhur shumë nga fshatrat rreth e rrotull dhe nuk kishte arsye që ata të mos dyndeshin në oborrin e Vlorajve nga dëshira për të festuar dhe nga kërshëria për të parë.
Brenda shtëpisë, përpara tryezës, ku disa thonë se ishte shtruar një flamur, Ismaili mbajti një fjalim me shqipen që e fliste për bukuri. Mjerisht, fjalët e tij kanë arritur në ditët tona të perifrazuara, sepse procesverbali i mbledhjes nuk u mbajt me stenogram, por me shënime. Pak a shumë ai tha:

Shqiptarët nuk e kanë harruar kurrë as gjuhën, as kombësinë e tyre dhe prova më e mirë janë përpjekjet dhe kryengritjet që u bënë herë pas here e sidomos në këta katër vjetët e fundit për të ruajtur të drejtat e zakonet e veta. Qeveria osmane nuk deshi kurrë t’u shpërblejë me të mirë shqiptarëve shërbimet e mëdha që i bënë. Në këtë kohë të fundit rrëfeu ndopak dëshirën që të merrej vesh me kombin tonë, po prapë nuk vuri të gjithë vullnetin e mirë e nuk mori të gjitha masat e nevojshme për të paqësuar shqiptarët. Në këtë e sipër krisi lufta me të katër mbretëritë e Ballkanit, të cilat kërkonin përmirësime e të drejta për vëllezërit e tyre të një kombi e të një bese.
Më vonë këta e harruan qëllimin e parë, e pasi lufta u vajti mbarë, u morën vesh për copëtimin dhe ndarjen e mbretërisë e pra edhe të Shqipërisë. Shqiptarët, kur e panë se ushtria e Turqisë u mund e se mbretëria nuk mund të qëndronte më, vrapuan të merrnin masat që koha kërkonte. Për këtë qëllim u nisa nga Stambolli e pasi u mora vesh edhe me shqiptarët e Bukureshtit, vajta në Vjenë ku nisa marrëveshjet me ato mbretëri të mëdha që kanë interesa më të gjalla në punët e Ballkanit. Pasi nuk mbetej më as ndonjë shpresë për ta shpëtuar Shqipërinë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia. Këtë mendim e këtë qëllim vura përpara: mendim e qëllim që u pranuan me simpati nga të gjitha qeveritë e mëdha e sidomos nga Austria e nga Italia. Vetëm Rusia mund të mbahet pak si e ftohtë nga shkaku i sllavëve, por edhe ajo nuk e mohon Shqipërinë e kombin shqiptar. Për të mbaruar këtë qëllim, ftova të gjithë shqiptarët të mblidheshin në Vlorë e sot jam i gëzuar që thirrja nuk më vajti dëm, por nga të gjitha anët e Shqipërisë u dërguan delegatë që të mendoheshin e të përkujdeseshin së bashku për shpëtimin e atdheut. Masat më të para dhe më të nevojshme që duhet të marrë sot kombi shqiptar janë këto: Të bëhet Shqipëria më vete nën një qeveri të përkohshme; të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të qeverisë; të dërgohet një komision në Europë për të mbrojtur çështjen shqiptare përpara mbretërive të mëdha.

Po t’i keni lexuar me kujdes rreshtat e mësipërm, do të keni vënë re se fjalimi i Ismailit ishte të paktën paqtues. Ai nuk e shau Turqinë, por vetëm e qortoi. Nuk përmendi as Serbinë, as Malin e Zi dhe as Greqinë, por foli vetëm me nënkuptime, kur tha se këto shtete “u muarën vesh për copëtimin e Shqipërisë.” Si diplomat që ishte, ai e gjykoi me vend të mos fliste kundër ndonjë shteti në atë situatë delikate, kur qeveria e re do të përpiqej të kërkonte njohje ndërkombëtare. Ismaili iu shmang hollësive dhe shpjegoi shkurt pikën më të rëndësishme, arsyen se përse duhej bërë shkëputja nga Turqia. “Sepse nuk mbetej më as ndonjë shpresë për ta shpëtuar Shqipërinë me armë,” ishte arsyetimi i tij, i cili dukej i kënaqshëm për delegatët. Fjalimi u prit me miratim dhe me thirrjet “Rroftë Shqipëria e lirë.”

No comments: