Thursday, May 10, 2012

Skënder Gjinushi: “Edi Rama e Ilir Meta të kërkojnë falje për 21 janarin pas takimit”

Intervista/ Kreu i PSD:  Paqja nuk bëhet me dreka e darka, apo me pajtime të rreme dhe kompromise personale.
Kreu i PSD: Konsultimet, alibi për Berishën.
“Paqja nuk bëhet me dreka dhe darka apo me pajtime të rreme e kompromise personale”
Socialdemokrati Skënder Gjinushi i kërkon Edi Ramës të kërkojë falje për ngjarjet e 21 janarit. Sipas tij, në paqëtimin e dy politikanëve, pas disa vitesh përplasje parimore, duhen dhënë shpjegime se cilat ishin arsyet që i kishin ndarë dhe ato që i kanë bashkuar.
Ndryshe, sipas Gjinushit, paqja është e rreme, ndërsa më së shumti tingëllon si pazar. Në intervistën e tij, kreu i PSD-së e sheh procesin e konsultimeve për Presidentin jashtë një tryeze institucionale, një alibi që mund ta përdorë Kryeministri Berisha për të justifikuar zgjedhjen e kreut të ri të shtetit nga Partia Demokratike.
Zoti Rama ka iniciuar një cikël takimesh me kryetarët e partive parlamentare për ndërtimin e një procesi për zgjedhjen e Presidentit. Sa optimistë jeni për rezultatet e tij?
Deri tani jemi, siç u bë në 2007 madje dhe më prapa, si në formë ashtu dhe në përmbajtje. Sepse forma se si shkohet në një President konsensual, është shumë e thjeshtë. Fillimisht duhet pranuar politikisht që nuk do abuzohet me votën formalisht apo me Kushtetutën, por për hir të stabilitetit dhe standardit të pranohet që Presidenti të dalë nga një proces dhe të jetë konsesual. Një deklaratë të tillë nuk e kemi. Por thuhet qartazi që do të ketë e shumta konsulta, të cilat për mua janë sa për të larë gojën. Dhe në fund thuhet se kemi një Kushtetutë, e cila interpretohet sipas qejfit të atij që “do të pyesë 100 vetë dhe do bëjë siç di vetë”.
Nisur nga përvoja juaj, lëvizjet e deritanishme premtojnë për një President konsensual?
Meta dhe Rama gjatë një takimi
Deri tani nuk fryn asgjë për mirë. Madje, fatkeqësisht të gjitha këto mund të shërbejnë vetëm si alibi. Berisha do të thotë nesër se gara nisi tre muaj para, pati konsultime me kryetarë partish, gara u bë transparente dhe në fund ne e zgjodhëm sipas Kushtetutës. Pra, pa një tavolinë të institucionalizuar qartazi me vendimin politik se do të zgjedhim një President konsensual, të gjitha të tjerat u ngjajnë lojërave të mëparshme, apo lojës që po bëhet tani për sistemin zgjedhor. Saliu mburret se do zbatojë Kushtetutën, e cila edhe me ato ndryshime që iu bënë, detyron zgjedhje të Presidentit me konsensus. Presidenti është emërues i të gjitha institucioneve të pavarura; marrim dy gjykatat, Kushtetuese dhe e Lartë. Gjykata e Lartë është i vetmi organ gjyqësor që gjykon korrupsionin apo veprat penale të politikanëve, pra të qeverisë. Atëherë si mund të mendohet se kjo Kushtetuta jonë ia lë qeverisë të zgjedhë Gjykatën e Lartë apo Kushtetuese, të cilat janë rojet e vetme që do ruajnë të korruptuarit. Nëse i akuzuari për korrupsion, zyrtari i lartë i maxhorancës, zgjedh rojën e vet, më mirë lëre pa roje, se nuk na duhet.
Do të ishte më mirë që këto takime të zhvilloheshin në Parlament dhe jo në hotele?
E para, këto janë lëvizje bosh, sa kohë nuk ka një vendim politik. E dyta, këto rrezikojnë të përdoren si alibi dhe do të përdoren prej Berishës për të thënë se pati konsultime. E treta, janë përpjekje të dëshpëruara për të krijuar idenë e një klime të re, ku absolutisht nuk ndryshon asgjë e re për mirë, nëse nuk ndryshojnë gjërat në realitet. Në situatën ku ndodhemi, nuk mund të ketë një rikthim në normalitet pa zbardhjen e “21 Janarit”, pa nxjerrjen e përgjegjësive morale e politike së pari, e më pas dhe penale. Nëse kërkojmë të vendosim një paqe duke mbyllur skandalet dhe aferat e mëdha, sigurisht paqja është e rreme dhe s’është afatgjatë, ndërsa në sytë e njerëzve tingëllon pazar.
Një video-përgjim i zotit Dritan Prifti me zotin Meta çoi opozitën në një demonstratë të dhunshme me pasojë katër viktima. Por pak ditë më parë kemi pasur një darkë private të zotit Rama me zotin Meta. Si ju tingëllon kjo pas gjithë atyre akuzave?
Vazhdimisht, që në ’97-n ka qenë nevoja që Shqipëria të shohë përpara, por jo me ata që e kanë lënë prapa dhe pa vënë pikat mbi “i” për shpërdorimet madhore, mbi krimet madhore. Pra, edhe sot ne jemi në kushtet që, nëse duam të ecim përpara, kjo nuk bëhet me dreka dhe darka apo me pajtime të rreme apo kompromise personale, por duke vënë të drejtën atje ku është shkelur. Thuhet gjithashtu të luftojmë korrupsionin. Në Shqipëri korrupsioni trajtohet si një epidemi dhe, të gjithë ata që i ka zënë ajo, janë hallexhinj. Për epidemitë që të zënë nga halli, vatrat e infeksionit i djegin, ndërsa bartësit e infeksionit i izolojnë të paktën, kurse ne u bëjmë thirrje të gjithë bartësve të infeksionit të luftojnë epideminë. Këtu luhet me një gjë: kur zihen dy politikanë apo dy individë është pozitive që të pajtohen, por kur ti nuk je zënë, por ke përplasje parimore reale të faktuara që kanë qenë dhe platforma fushate, kërkohet një shpjegim shumë i madh për të treguar pse sot je bashkë. Pra, nuk mund të mbyllësh 21 janarin pa kërkuar falje për familjet, pa e thënë edhe një herë që ata janë viktima dhe dëshmorë. Sepse fatkeqësisht ende flitet sikur janë dy palë. Më 21 janar është opozita që organizoi, është qeveria që vrau, por është dhe populli. Por politika jonë popullin nuk e quan, por populli u vra në mënyrën më skandaloze, më të padrejtë, më barbare, thjesht për terror ndaj opozitës, për t’i thënë opozitës mos më shkel më gardhin. Pra ajo që s’ka ndodhur as në ‘90, as ’97, as në ‘98 nga ana e qeverisë ndaj protestuesve, ndodhi në 2011 prej saj, për “t’i treguar vendin” opozitës. Së paku, kjo histori kërkon një zbardhje reale, kërkon marrjen e përgjegjësive politike, që absolutisht jemi larg kësaj, përgjegjësi penale dhe, nëse do të thuhet se ishin dy palë, duhet të kërkohet falje nga të dyja palët për këtë ngjarje. Por faji i atij që vret nuk është i barabartë me fajin e atij që organizon protesta.
Populli protestues edhe i 21 janarit, dhe ju si opozitë ndiheni i tradhtuar nga takimet e fshehta mes politikanësh të papajtueshëm deri dje mes tyre?
Unë pas 2007 kam deklaruar se sot ka vdekur përfundimisht morali politik, ose më saktë morali i politikës është imoraliteti. Sepse janë bërë disa “paqe të mëdha” pa zbardhur atë që i kishte ndarë. P.sh. u takua Nano me Berishën, kur Nano ishte 4 vjet i burgosur politik i Sali Berishës dhe nuk iu kërkua asnjëherë falje atij. Por Nano hyri si kryetar opozite në burg dhe jo si individ. Berisha kur bëri pakt me Nanon për të cilin u kishte thënë padrejtësisht shqiptarëve se ishte hajdut, duhet t’i kishte kërkuar falje shqiptarëve për atë vendim. Por po kërkove falje, bëhesh i tepërt për të vazhduar në politikë. Më tej, ai sulmoi me armë qeverinë për hakmarrje se gjoja Nano ishte kupola në vrasjen e Azem Hajdarit. Atëherë si mund të bëhet ky pajtim pa u zbardhur e vërteta?! Janë të detyruara të dyja palët të japin shpjegime se çfarë i ndau dhe çfarë i bashkoi. Pastaj ka një gjë që kuptohet thjesht: “Unë kam bërë të miat, ti ke bërë të tuat, hajde të bëhemi bashkë dhe të vazhdojmë vazhdimin”.
Po paqja e fundit në cilin kontekst bëhet?
Hë për hë jemi po aty. Paqja reale fillon në rrugë institucionale, me reflektime dhe ndryshime thelbësore. Nëse nuk janë të tilla, kuptohet që janë të rreme.

No comments: