Thursday, May 10, 2012

Rama: Me Metën jo për të rishkruar të kaluarën, s’pendohem për ato që kam thënë

Një thuajse betejë televizive maratonë mes gazetarit Blendi Fevziu dhe kreu të PS Edi Rama, ky i fundit konfirmoi takimet me Metën dhe vullnetin për të takuar Berishën duke thënë se nuk kishte Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pas disa vitesh mungesë në studion e “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, komentoi takimin e tij të para dy ditëve me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe një sur ë zhvillimesh të reja nga ana e PS. “Unë nuk jam takuar me Ilir Metën për të rishkruar të kaluarën. Qëndrimet e kaluara kur janë mbajtur, janë mbajtur në rrethana të qarta politike dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë dhe unë nuk ndiej asnjë arsye që të ndihem keq. Partia Socialiste përmes meje dhe të tjerësh kemi hyrë me vullnetin për të dhënë një shembull pozitiv të munguar, kur ndërmarrim nisma të tilla ne nuk marrim përsipër të rishkruajmë të shkuarën por për ecurinë e të ardhmes”, u shpreh Rama. I pyetur nëse Partia Socialiste ka një emër konkret për President, Rama u shpreh se, “Duhet një proces, më tej një emër. Nëse Presidenti më i mirë i mundshëm për vendin duhet gjetur në atë sallë parlamenti me 140 vetë, se jashtë asaj salle nuk ka njerëz me po aq integritet, atëherë ruana Zot. Partia Socialiste ka vetëm një kusht sa na takon ne, që Presidenti të mos jetë i imponuar nga radhët e Partisë Demokratike, ashtu sikurse nuk do imponohet nga Partia Socialiste”. Ndërkohë ai ka thënë se nuk pendohet për ato që ka thënë me herët ndaj Metës apo Berishës.
“Qëndrimet e mia si kreu i PS janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë. Unë nuk ndjej arsye që të mendoni se do më bëni të ndjehem keq për çdo gjë që kam thënë dhe bërë nga koha që drejtoj PS”, deklaroi Rama.


Pjesë nga intervista:

Në datën 1 maj në mbrëmje ju keni takuar, darkuar dhe qëndruar për një kohë të gjatë me një nga rivalët më të mëdhenj tuaj, zotin Ilir Meta. Pse duhet të bënit një takim, apo pse duhet të vinit në një darkë gjysmë të fshehtë kur do kishit një takim publik më pas?
Ne kemi bërë publik me kurajë dhe ambicie një vizion për një rilindje shqiptare. Dhe unë besoj që rruga për të shkuar drejt rilindjes shqiptare kalon edhe përmes ndryshimit të sjelljeve tradicionale në udhëkryqe të rëndësishme kur bëhet fjalë për çështje madhore si ajo e Presidentit të Republikës, që padyshim për t’u zgjidhur ashtu siç duhet kërkon bashkërendimin e forcave mes kundërshtarëve.
Por Rilindja mund të ishte në një kohë të bukur paradite… dhe pse duhet të ishte në mes të natës në Gjirin e Lalëzit?
Nuk ka asgjë të fshehtë, unë kam bërë një ftesë publike. Është e njohur për të gjithë, ku i jam drejtuar të gjithë përfaqësuesve të forcave politike, që nga kryeministri deri te përfaqësuesi i një force të sapokrijuar politike, për t’u takuar për të eksploruar mundësitë e hapjes së një dialogu, i cili të na çojë drejt një zgjidhjeje të dakordësuar.
Por nuk jeni takuar publikisht, por privatisht…
Patjetër dhe unë po ju përgjigjem. Dhe pas ftesës sime unë kam marrë mbrapsht një ftesë nga kryetari i LSI-së, i cili ka shprehur dëshirën për t’u takuar paraprakisht për të biseduar sy më sy. Nuk kam menduar asnjë sekondë ku është vendi, ku është ora apo detaje të tjera të karakterit protokollar, por kam shkuar për ta takuar, për t’i thënë në sy gjithçka unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ta ndajmë së bashku me gjithë përfaqësuesit politikë, por duke besuar se kësisoj mund të mbillet dhe një farë besimi në një klimë mosbesimi absolut mes të gjitha palëve dhe pas një moskomunikimi të gjatë, i cili sigurisht është i lidhur me një histori jo të pëlqyeshme dhe me një histori që na ka vendosur ballë për ballë. Le të mos e harrojmë për asnjë moment se unë jam takuar me kryetarin e LSI-së si përfaqësues i forcave që sot qeverisin, pra me një nga kundërshtarët e sotëm.
Meqenëse jeni takuar privatisht, Meta hyn te miqtë tuaj?
Unë do të dëshiroja që të fokusohemi te çështja, tek arsyet që janë shumë madhore dhe të biem dakord bashkë që ky është një moment për të folur për arsyet e këtyre takimeve, për të folur për psenë e kësaj hapjeje dhe për nevojën e këtij dialogu mes palëve.
Cili ishte shkaku që ju detyroi të bënit 50 km rrugë për të takuar Metën, cila ishte biseda konkrete?
Shkaku që ju thashë, për të diskutuar jo në rrugë protokollare, por sy më sy, lidhur me atë shqetësim që unë kisha shprehur në ftesën time publike. As më shumë, as më pak.
Por kanë dështuar t’ju takojnë me përfaqësues të mazhorancës, Kantrimeni, Lajçak, Baton Haxhiu. Tani, o një arsye shumë e madhe, o është magjistar Nard Koka që ju bashkoi?
Unë do preferoja që t’i referohemi të vërtetave dhe mos t’i referohemi dhe as përrallës që është shpërndarë për publikun me shumë folklore brenda dhe me detaje krejtësisht të paqëna dhe as thashethemeve të mëparëshme. Sepse e vërteta është që edhe me kryeministrin unë jam takuar. Jam takuar në presidencën e republikës dy herë, jam takuar edhe kur kërkua një takim me përfaqësuesit e BE-së, dhe nuk kam shprehur asnjëherë dhe për asnjë arësye asnjë refuzim për t’u ritakuar në rast se do të ishte shfaqur nevoja dhe do të ishin krijuar kushtet.
Çfarë pati konkret nga takimi. Arritët një vendim konkret?
Shprehja e gjithë atij shqetësimi shumë serioz që unë kam, por që unë besoj se është një shqetësim i ndarë me shumë të tjerë faktorë dhe padyshim në opionin publik, për të krijuar kushtet që Shqipëria të zgjedhë një president që të përfaqësoj unitetin kombëtar, të jetë mishërim i aspiratës tonë europiane. Të mos harrojmë asnjë çast se bëhet fjalë për një provë e cila do të përcaktojë në mënyrë të qartë fatin e provimit tonë të vjeshtës së ardhëshme. Unë do të bëj çmos me mish e me shpirt që Shqipëria të marrë statusin e BE-së.
A ka një problem moral në këtë takim? A e amniston ky takim Ilir Metën nga akuzat që i keni bërë më parë?
Së pari unë nuk jam takuar me Ilir Metën për të rishkruar të kaluarën. Qëndrimet e mia si kryetar i PS-së në këto momente dhe në të tjera momente të caktuara kur kemi mbajtur qëndrime politike janë qëndrime të mbajtura në rrethana të qarta dhe pa asnjë dyshim janë pjesë e historisë.
Janë pjesë e historisë?
Patjetër. Dhe unë vetë nuk ndjej asnjë arësye që të më bëj të mendoj se mund të ndjehem keq për gjithçka unë kam thënë si kryetar i PS-së. Por më lejoni nga ana tjetër t’iu them se është shumë më e rëndësishme të kuptohet që procesi në të cilin ne, Partia Socialiste përmes meje dhe të tjerësh kemi hyrë me vullnetin për të krijuar kushtet që politika shqiptare të jap një shembull pozitiv të munguar me vite përballë familjes ku ne duam të integrohemi, asaj Europiane, por edhe një shembull pozitiv të munguar në vite karshi shqiptarëve që kanë qëndruar dhe qëndrojnë të ndarë dhe përçarë prej shumë kohësh, imponon një komunikim dhe përpjekje për krijimin e një klime besimi mes kundërshtarësh. Pra është e domosdoshme që të mbajmë parasysh se kur ndërrmarim një nismë të tillë politike, me këtë qëllim madhor dhe me këtë vullnet ne nuk marrim përsipër të rishkruajmë të shkuarën, por marrim përsipër të flasim për të ardhmen. Politika është qënie e gjallë e cila funksionon në të sotme në funksion të së ardhmes.
Pa patur ndjesi ndaj të shkuarës. Pra mund të jesh çdo lloj vrasës kriminel dhe ju nuk mbani asnjë qëndrim ndaj saj?
Ky nuk është një princip, por është një spekullim. Më lejoni të përmend një rast të parapak ditëve. Në debatin e fundit para garrës presidenciale në Francë presidenti Sarkozi iu drejtua rivalit të tij me një fjali ku i tha ju jeni një shpifarak i vogël. Pak ditë më pas presidenti fracez Sarkozi në homazhet tradicionale nuk u detyrua të shkonte sëbashku por theu një traditë të gjatë të atyre homazheve duke ftuar presidentin e sapozgjehdur. Atëherë sipas jush çfarë duhet të mendonin francezët?  Të mos harrojmë dhe diçka tjetër këtu nuk bëhet fjalë për komunikim mes personash, këtu nuk bëhet fjalë për komunikim ku njeriu zgjedh se me kë do të kaloj kohën e lirë dhe baohet te simpatitët, afeksionet apo të dashuritë e tij. Këtu nuk është çështje personi, as sipamtiash dhe as antipatisht. Këtu është çështje njerëzish që përfaqsojnë vullnete të shprehura të opjesëve të ndryshme të të njëjtit popull që ka të njëjtin qëllim dhe aspiratë që sa më parë të ndahemi nga kjo rrugë e rënimit të mëtejshëm.
Ky vullnet kërkon që të jemi gjithmonë korrekt dhe të ndershëm në raport me të tjetrin. Kjo do të thotë që unë dhe ju të ndajmë një mendim të ndryshëm në lidhje me videon Meta-Prifti. Unë kam besuar se nuk është fajtor ju keni menduar të kundërtën… A mendoni se mendimi i drejtësisë që e shpalli të pafajshëm Metën është I gabuar?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje më lejoni t’iu them tre gjera. Së pari unë nuk kam parë në asnjë emision në televizionet prestigjoze që intervistat të bëhen me inserte të kësaj natyre. Ky është problemi juaj dhe i kësaj shtëpe mediatike ku njësoj si te ajo shtëpia tjetër ardhja ime është një hap për t’i parë gjërat me syrin e së ardhmes dhe për të mos ngatërruar për asnjë moment as historinë në çështjet që duhen zgjidhur së bashku në funksion të interesit kombëtar dhe as qëndrimet të cilat ua përsëris, janë qëndrime politike të mbajtura gjatë gjithë periudhës time si kryetar i PS-së. Unë besoj se për një mijë e një insertet e një mijë e një arësyet që ne mund të rendisim duke iu referuar të shkuarës, është dita për ta kërkuar rrugën e së ardhmes duke i ndarë qartësisht betejat politike të palëve për të cilat edhe demokracia duhet të funksionojë me betejn për aspiratat e një populli të tërë që të gjitha palët përfaqsojnë. Edhe Sali Berisha është ai që është dhe unë kam bërë ftesë dhe për të. Do të takohem dhe me Sali Berishën.
S’ka ndonjë gjë të jashtëzakonëshme?
Pse qënka e jashtëzakonëshme që takohem me Ilir Metën apo me Shpetim Idrizin? Këta përfaqësues të këtyre forcave parlamentare përfaqsojnë pjesë apo pjesëza të një populli që nuk është i ndarë kur pyetet e do apo nuk e do integrimin në BE. Nuk është i ndarë kur pyetet e do apo një President që t’i përfaqësoj të gjithë. Unë në kohë të padyshimta kam qënë se nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Ndaj pikërisht për të hapur një faqe të re ne jemi sot në prag të këtij udhëkryqi për të dhënë gjithçka që mundemi.
Drejtësia si veproi që e shpalli të pafajshëm Ilir Metën?
E para punës një herë që unë në konceptimin tim të gjuhës shqipe dhe të përdorimit të saj nuk di të shaj. E dyta e punës jua përsëris unë fola për një situatë në të cilën udhëkryqi para të cilit jemi e imponon një përpjekje për bashkërendim. Unë nuk fola për një rrugë rozë tash e mbrapa ku politika do pushojë së bëri politikë dhe ku palët do pushojnë së mbajturi qëndrime ndaj njera tjetrës. Ju jeni gazetar por nuk jeni prokuror dhe as gjykatës. Ju jeni gazetar dhe duhet të bëni çdo përpjekje që kur i referoheni detajeve të jeni të saktë, sepse nuk ka patur as udhëtim në mesnatë dhe as makinë të fshehtë. Ka pasur një takim normal, jo publik pas një ftese të hapur publike për trë hapur rrugët e komunikimit me të gjithë ata që kanë një zë dhe kanë disa vota në një process që nuk duhet të vendoset numerikisht por duhet të vendoset dakortësisht. Ka një thënie që paqja bëhet me armiqtë dialogu bëhet me kundërshtarët. Sali Berisha nuk është armiku im, Ilir Meta nuk është armiku im, janë kundërshtar sot me histori të ndryshme…
Nesër mund të jenë aleatë?
Është dita për të kërkuar dialog dhe për të gjetur dakortësisnë dhe kjo nuk nënkupton as rishkrimin e historisë dhe as vendosjen në rendin e ditës të gjykimeve me natyrë morale të cilat nuk kanë lidhje me çka ne po diskutojmë dhe po bëjnë. Për një arësye shumë të thejshtë se ka një moral më të lartë sesa morali i deklaratave reciproke të nxjerra nga konteksti, kur ne flasim për dialog për një çështje më të madhe dhe ky është morali i Shqipërisë që ne duam të ndërtojmë.
Ishte apo jo fajtor Ilir Meta, se kemi dëgjuar shumë që tani akuzojnë pas gjashtë muajësh bashkëpunojnë dhe thonë ato ishin politike?
Unë jam gati të bëj më shumë dhe jam gati që edhe në këtë rast të tregoj nga pozita e kryetarit të opozitës sot atë që do të bëj nesër nga pozita e kryetarit të qeverisë. Nëse sot është ende një çudi e madhe që po u takoka kryetari i opozitës me kryeministrin apo me një përfaqësues i mazhorancës, kur unë do të jem kryeministër i Shqipërisë një nga gjërat të cilat do të jetë prioritet në politikën time të komunikimit do të jetë vendosja e kontakteve normale me liderin e opozitës dhe kjo nënkupton kontakte publike por edhe kontakte jopublike.

A i kërkuat falje Ilir metës?
…Unë me kryetarin e LSI-së nuk jam takuar dhe nuk do të takohem përsëri për të rishkruar të kaluarën, por për t’u përpjekur që të shkruajmë një faqe të re në të ardhmen pavarësisht se në cilat pozicione si kundërshtarë me qëllimin që Shqipërisë të mos i mungojë më ajo që ka munguar deri më sot për shkak se kundërshtarët nuk kanë dashur të kuptojnë se ka ditë politike kur nuk ka asgjë për të zgjidhur së bashku, por ka momente politike historike kur gjërat mund të zgjidhen vetëm së bashku. Dhe ky është një moment i tillë
Do ndryshojë kapitulli i Kurbanit për Ilir Metën?
Kapitulli i Kurbanit nuk do të ndryshojë. Unë nuk di se si do të ndryshojnë kapitujt e librave për Enver Hoxhen në të ardhmen…

No comments: