Ish-sekretari për media i Tony Blairit zbulon në memuaret e tij sesi shpeshherë ish-kryeministri britanik lexonte Biblën para se të merrte “vendime vërtet të mëdha”, duke iu referuar vendimeve për bombardimin e caqeve ushtarake të Slobodan Milosheviqit në pranverën e vitit 1999. Alastair Campbell ka shkruar në ditarin e tij “Pushteti dhe njerëzit 1997-99”, se shpejtësia e bombardimit dhe beteja e NATO-s për të formësuar një mesazh të qartë kishte nxitur thashetheme në “Downing Street”. Ai thotë se kishte shprehur gatishmëri t’i ndihmonte ekipit të komunikimit të NATO-s, pas ishte shtuar frika se Aleanca “po humbte betejën e propagandës me serbët”. Gazeta britanike “The Guardian” ka shkruar të shtunën se Tony Blair ishte forca prijëse prapa misionit të NATO-s për dëbimin e forcave serbe nga Kosova, shembulli i parë i asaj që më vonë u njoh si “ndërhyrje liberale”. “Ai kishte folur me Clintonin për druajtjen e strategjisë ushtarake... Ai (Tony Blair) donte të jepnim mesazhin se ishim duke intensifikuar sulmet. I thashë se këtë e kemi thënë të mërkurën”, shkruan Campbell më 2 prill të vitit 1999, botuar në “The Guardian”, që ka siguruar të drejtën e publikimit të disa pjesëve të ditarit të ish-shefit për komunikim me publikun të Qeverisë së Tony Blairit. “Ushtarakisht NATO-ja është shumë më e fuqishme se Beogradi. Por Milosheviç ka kontroll të plotë mbi mediat e tij dhe mediumet tona janë të prekshme nga nxjerrja e informacionit prej tyre. Pra, ne mund të humbim luftën e opinionit publik dhe nëse dorëzohemi në disa vende të NATO-s do të kemi një problem të mbajmë këtë”, shkruan në faqet e së enjtes së tetë prillit.
Campbell ka shkruar se në takimin e 16 prillit me shefin e NATO-s për komunikim me publikun, Jamie Shea, ky i fundit e kishte pranuar se Aleanca Veriatlantike duhet ta ndryshonte politikën e komunikimit me publikun. “Dhe ai ishte i sigurt se kishte mësime që mund të merreshin nga ne”, thuhet në memoarin diplomatik. “Solana më tha se i pëlqente mënyra sesi Britania i kishte ‘urtuar’ mediat. Unë i thashë se nuk i kemi ‘urtuar’, por vetëm i kemi bërë ato të mendojnë se po”.
Madje ai thotë se në një moment edhe komandanti suprem i NATO-s, gjenerali amerikan Wesley Clark, kishte pranuar se lufta mediatike ishte shumë e rëndësishme, “sepse jemi buzë një katastrofe”.
Derisa fushata ushtarake po vazhdonte, Blair ishte i vendosur që NATO-ja duhej të përgatitej për dërgimin e këmbësorisë – që kishte zemëruar disa zyrtarë të lartë në Wshington. Blair kishte marrë rrugë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Samitin e 50-vjetorit të NATO-s, ku kishte diskutuar mundësinë e dërgimit të trupave luftarake në terren. “TB (Tony Blair) tha se duhej të gjeneronim më shumë paqartësi në mendjen e Milosheviqit nëse do të përdornim edhe trupat tokësore. Bill Clinton tha se nuk kishte qëndrim negativ si Sandy (Berger, këshilltar për sigurinë kombëtare). Ai tha se do të ishte e papërgjegjshme të mos bëheshin disa plane, por në njëfarë forme që nuk do ta përçanin Aleancën”, shkruan Campbell në datën e 21 prillit të vitit 1999, kur kishin nisur të shpeshtoheshin zërat që kërkonin një planifikim të sulmeve tokësore kundër forcave serbe, të cilat nuk ishin dorëzuar edhe pas pothuajse një muaj bombardimesh nga ajri.
E në natën e 25 prillit Tony Blair, i cili urdhëroi trupat britanike t’u bashkoheshin trupave amerikane në rrëzimin e diktatorit irakian, Saddam Hussein, nga pushteti në vitin 2003, kishte biseduar edhe një herë privatisht me Bill Clintonin.
“TB e çoi Billin në një dhomë private, vetëm ata të dy ishin aty, ku ai mundohej ta bindte atë për trupat tokësore, duke i thënë se duhet ta fiksojmë se nga po shkojmë, dhe kjo do të bëhej vetëm nëse Shtetet e Bashkuara do ta kishin të qartë se do të jenë aty kur do të vinte koha. Ai tha se Bill pas kësaj ishte bërë më i dëgjueshëm”.
Campbell shkruan se kancelari i atëhershëm gjerman, Gerhard Shroeder, ish-presidenti francez, Jasques Chirac, dhe ish-presidenti rus, Boris Yeltsin, ishin kundër përdorimit të këmbësorisë në Kosovë, “por ushtria thotë se nuk mund të fitohet pa ndërhyrje tokësore, tha Blair”.
NATO-ja i dha fund fushatës pas arritjes së Marrëveshjes së Kumanovës, më 10 qershor, pas një fushate 78-ditore. Dy ditë më vonë trupat amerikane marshuan në Kosovë nëpërmjet kufijve me Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Monday, January 17, 2011
Kujtimet e sekretarit: “Toni Bler ngulmonte për ndërhyrje tokësore në Kosovë, më 1999”
“The Guardian”
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment