Wednesday, January 19, 2011

Mehmeti, nga Estrada në rrugë me gajde

Ermelinda Hoxhaj

Një mënyrë tepër origjinale për të fituar bukën e gojës ka gjetur Mehmet Xhelo. 60-vjeçari i bie gajdes, një instrumenti të lashtë muzikor, edhe pse ai nuk është gajdexhiu i vetëm që mbush me tinguj rrugët e kryeqytetit pasi si ai janë dhe 2-3 persona të tjerë. Ndofta diferencën mes tyre e bëjnë historitë e trishta që kanë pasur në jetë. E tillë është edhe historia e gajdexhiut që shpeshherë luan me instrumentin e tij në qendër të Tiranës pranë Muzeut Kombëtarë. Zanatin ia ka mësuar i ati, romi muzikanti më i njohur në gjithë Pogradecin. Ai tregon se babai, para vdekjes i la pasuri dy zanate, me të cilat mundohet të mbajë frymën gjallë. I mësoi si të përgatiste këtë vegël mijëravjeçare, por mbi të gjitha mënyrën e përdorimit të saj. Mehmeti çdo ditë ulet në ndonjë trotuar të populluar, për të kënaqur veshin e ndonjë kalimtari, i cili tregohet bujar duke i dhuruar ndonjë qindarkë.
Gajdexhiu
Tingujt e gajdes që i bie 60-vjeçari e njohin të gjithë kalimtarët në rrugët e Tiranës. Edhe pse ndofta nuk janë ndalur ta dëgjojnë dhe t'i japin ndonjë lekë, tingujt e lëshuara nga gajdja e tij u kanë vrarë veshin, edhe pse shpeshherë notat muzikore të saj tingëllojnë si migjeniane dhe të kaplojnë shpirtin. Teksa e dëgjon këtë të moshuar që lufton për bukën e gojës të zë trishtimi dhe muzika nuk të duket më e bukur, por një zë çjerrës, një trumbetim i fort karshi kalimtarëve dhe mbarë shoqërisë. Ej njerëz jam dhe unë! Ndofta këtë gjë duan të thonë tingujt e gajdes me lëkurë keci të Mehmet Xhelos. Një prej vendeve ku e gjen më shpesh është trotuari përpara Muzeut Kombëtarë, por edhe në urën pranë Bllokut në rrugën "Dëshmorët e 4 shkurtit", apo edhe në afërsi të "Zogut të Zi". "Lëviz shpesh në zona të ndryshme, në ato rrugë që janë më të populluara sepse dikush do e vë dorën në zemër për të më ndihmuar" - tregon 60-vjeçari. Prej disa vitesh profesioni i lypjes nëpërmjet tingujve të gajdes së tij disa vjeçare është burimi i vetëm i të ardhurave për Mehmetin. "Jam transferuar nga Pogradeci në Tiranë, kam disa vite. Dhe e vetmja mundësi për mua për të mbijetuar ishte kjo, të lypja në rrugë duke i rënë kësaj gajdeje, e cila është dhe mikja ime më e mirë" - thotë gajdexhiu. Por edhe në këtë punë ka ditë të mira dhe të këqija, ka raste që ai fiton shumë por ka raste dhe pak. Por në shumicën e rasteve fiton 4-5 mijë lekë të vjetra. "Varet nga ditët se sa fitoj, por shpesh herë më rastisin njerëz bujarë e të mirë dhe më falin para. Dita më shkon në 4-5 mijë lekë" - tregon Mehmeti duke shtuar se kalimtarët në rrugët e kryeqytetit janë ata që e mbajnë me bukë. Dikur ai ka qenë pjesëtar i Estradës së Pogradecit bashkë me gajden e tij. Për të ato ishin kohë të arta, sepse e ndiente veten një artistë të vërtet. Fatkeqësitë e tij nuk patën të sosur, pas vdekjes së të shoqes 20 vite më parë, duke i lënë pas pesë fëmijë, të cilët i rriti me mund humbi dhe shtëpinë. Por më e trishtë është se humbi dashurinë dhe respektin e fëmijëve. Ndaj prej vitesh jeton vetëm në Tiranë, ku të shpeshta janë netët që errësira e zë poshtë ndonjë ure.

No comments: