Wednesday, September 21, 2011

Edi Martini: Josa e ka të vështirë, Vllaznia as në vend të tretë Superliga,

:11

Nga GJERGJ KOLA
Ish-trajneri dhe ish-sulmuesi shkodran analizon situatën te kuqeblutë dhe është paksa pesimist sa i përket këtij sezoni
Ka qenë vetë trajner i Vllaznisë jo shumë kohë më parë, një vit e gjysmë. Edi Martini, duke e njohur mirë situatën, ambIentin dhe elementin që ka aktualisht kjo skuadër, e konsideron të vështirë të ardhmen e kuqebluve në këtë sezon. Madje ai është pak pesimist për zënien e një vendi të tretë apo të katërt, siç pretendojnë drejtuesit e klubit. Duke folur në lidhje me Vllazninë, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i kësaj skuadre, do të thoshte:
“Ndoshta nuk është fjala e gjetur që jam pesimist për të ardhmen e Vllaznisë së këtij sezoni, por mendoj se kjo skuadër do ta ketë të vështirë të shkojë dhe të arrijë ato objektiva që drejtuesit e klubit mund të kenë. Kam dëgjuar që ata pretendojnë një vend të tretë apo të katërt, por unë e shoh të vështirë këtë gjë.
Duam apo s’duam ta pranojmë, Vllaznia e këtij sezoni është shumë më e dobët sesa ajo e sezonit të kaluar. Vërtet edhe skuadrat e tjera janë në këtë gjendje, por unë dua të ndalem te Vllaznia, që e njoh mirë. Janë larguar disa lojtarë të rëndësishëm. Ka ardhur mbrojtësi Petroviç, që mendoj se ka ardhur në vendin e gabuar. Ndoshta është herët të dal në një mendim të tillë, ngaqë mund të mos jetë ambientuar, por nga sa shoh, ai nuk ka ndonjë cilësi të veçantë dhe, për më tepër, është paguar shumë shtrenjtë.
Mirë ai, por është gabuar edhe me Muçën. Ky është një djalë i ri, ka të dhëna të mira, por ai do ta arrijë formën e tij më të mirë në fund të sezonit. Pikërisht atëherë kur atij do t’i mbarojë kontratën dhe do t’i shkojë i gatshëm sërish Tiranës. Ky është një gabim për drejtuesit e Vllaznisë, që firmosin kontratë njëvjeçare me këtë djalë, ndërkohë që dy shkodranët Lika dhe Bala, janë “të burgosur” te Tirana me kontrata trevjeçare dhe nuk mund t’i marrim.”
Për Josën Analiza e tij është e hollë, rreh aty ku duhet, por ndërkohë është vetë trajner dhe, si i tillë, kërkon t’i dalë në krah Josës, trajnerit aktual të kuqebluve. I pyetur nëse Josa është më pak nën presion tashmë që presidenca është jo më në dorën e një individi, por e drejtuesve të bashkisë, Martini është përgjigjur: “Josa apo çdo trajner tjetër që ka për të qenë në krye të Vllaznisë, nuk ka për të qenë kurrë i qetë. As në kushtet kur klubi drejtohet nga bashkia.
Edhe drejtuesit e këtij institucioni e kanë të qartë kërkesën e llogarisë, edhe ata e dinë kur duhet fituar një ndeshje. Përveç kësaj, trajneri vetvetiu është në presion nisur nga profesioni që ka. Një ndërrim i gabuar, një skemë e gabuar, një veprim i gabuar, sado i vogël qoftë dhe sulmet janë gati. Pastaj vetë Josa ka thënë që në pankinë ka vetëm lojtarë të rinj. Nuk do jetë aspak e lehtë për të.
Nuk mund të mbështetet 100 për qind te lojtarët e rinj Vllaznia, sepse kështu ndoshta do të binim edhe nga kategoria. Pastaj llogarit se çfarë shqetësimi do të ketë trajneri, nëse fjala vjen, mungon Sykaj në ndonjë ndeshje apo dhe ndonjë lojtar tjetër titullar. Vllaznia pati mundësinë të marrë 2-3 lojtarë të saj, si Krajën, Hotin e Kaçin, që ishin të lire, dhe nuk i mori. Të paktën për në stol do t’i nevojiteshin shumë me përvojën që kanë. Duke i menduar të gjitha këto, unë e shoh të vështirë këtë kampionat për skuadrën shkodrane.”

No comments: