Wednesday, September 21, 2011

Arvizu: “Pas 21 janarit ka pasur celulë anti-amerikane”


AMBASADORI I SHBA, ALEKSANDER ARVIZU (MAJTAS) NGA PROTESTAT E 21 JANARIT

Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, ka zbuluar dje për herë të parë se pas 21 janarit ka ekzistuar një celulë anti-amerikane në Tiranë, me drejtues dhe mbështetje biznesi. Gjatë një interviste për emisionin “Tonight” të Ilva Tares në “Ora News”, Arvizu ka folur edhe për ngjarjet e 21 janarit, projektligjin e SHISH si dhe sjelljen e maxhorancës dhe opozitës.
Sipas disa zërave, qeveria shqiptare nuk gëzon besim te anëtarët e NATO-s përsa i përket informacionit konfidencial. Sipas këtyre zërave, SHBA janë të shqetësuara për reformat e propozuara për inteligjencën dhe antispiunazhin. Është e vërtetë kjo?
Kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë, ne nuk komentojmë, ndërsa për këtë çështje do të thosha se nuk jam i njohur me këtë raport.
Ju jeni i njohur me propozimin e qeverisë për të ndryshuar ligjin e SHISH-it. Si është bashkëpunimi juaj me SHISH-in?
Më duhet të mos bie dakord plotësisht, pasi bashkëpunimi me SHISH-in është i shkëlqyer. Në shumë mënyra, përsa u përket aftësive, SHISH përballet me të njëjtat kufizime që shumë prej institucioneve të tjera përballen sa i përket trajnimit, pajisjeve, personelit etj. Bashkëpunimi i përditshëm me SHISH-in është i shkëlqyer, zoti Shaqiri është një drejtor i shkëlqyer. Do të shpresoja që nëse nivelet e ndryshme të bashkëpunimit me agjenci të tjera do të ishin në të njëjtin nivel me atë të SHISH-it, do të isha shumë i kënaqur.
Ka nevojë të reformohet SHISH?
Kam dëgjuar për drafte të ndryshme, versione të ndryshme. Disa njerëz, madje, e kanë mohuar. Nuk është mirë të komentosh për një projektligj të cilin ende nuk e ke parë. E shikoj SHISH-in si një partner të vlefshëm të SHBA dhe çdo gjë që mund të forcojë rolin e tij si një institucion të pavarur është diçka që unë do të bija dakord.
A keni të njëjtën pritshmëri dhe sugjerime për selinë blu?
PD-ja ka ide, ka platformë, por ka mungesë kredibiliteti. Le të flasim për luftën ndaj korrupsionit, ose për sundimin e ligjit. Nuk ka dyshim që zoti Berisha dhe anëtarë të qeverisë së tij kanë sjellë propozime konkrete për të luftuar korrupsionin. Ai flet shpesh për këtë. Ai mund ta shpjegojë edhe më mirë se unë këtë punë. Nëse flasim për njerëzit, nëse ata janë blu apo rozë dhe do të flisnim për korrupsionin, a po përmirësohet, po përkeqësohet, apo qëndron i njëjtë? Ajo që thonë njerëzit është se nuk ka përparim, njerëzit thonë që qeveria po përpiqet, shumë mendojnë se situata është e njëjtë apo po përkeqësohet. Këshilla ime për qeverinë është që duhet të ketë një përpjekje më të konsiderueshme për të luftuar korrupsionin.
PS ka shprehur keqardhje për ndryshimet kushtetuese dhe ka kërkuar ndryshime riparuese. Cili është qëndrimi juaj?
Kur flasim për ndryshime kushtetuese, ato duhet të jenë të hapura, nuk duhet të ketë tabu përsa i përket të folurit për Kushtetutën. Kushtetuta e SHBA është amenduar në një numër shumë të kufizuar, 27 apo 28 herë. Sa u përket diskutimeve mbi reformën kushtetuese dhe Kodin Zgjedhor, duhet të ndodhin në mjedis të hapur, në televizion, në shtyp.
Vitin tjetër do të kemi zgjedhjen e Presidentit të ri apo atij aktual. Mendoni se do të ketë një president konsensual me 84 vota?
Të dyja palët duhet ta diskutojnë një President konsensual. Nëse debati do të kthehet dhe do të marrë një kthesë çështja e Presidentit konsensual, kjo do të sillte një krizë në vetvete. Është mirë të ketë një marrëveshje që të lehtësohet tensioni. Nuk e kam përgjigjen për këtë. Është një gjë që u përket partive. Ajo që shqiptarët duan në rolin e Presidentit është se ata nuk duan dy burra që të zihen me njëri-tjetrin, por nuk duan dhe një figurë që aprovon dhe firmos atë që thotë pala tjetër. Të pasurit e Kryeministrit dhe Presidentit është një koncept shumë i mirë për Shqipërinë. Njerëzit duhet të kuptojnë se cila është mënyra që kjo të funksionojë.
Mund t’ju pyes se ç’mendim keni për Berishën si burrë shteti?
Nëse do të kishte një figurë dominuese politike gjatë 20 viteve të fundit, do të thosha se janë dy persona shumë të qartë, nr. 1 dhe nr. 2. Numri 2 është Fatos Nano, ndërsa numri 1 është zoti Sali Berisha, sepse ka pasur shumë politikanë të mirë, ata që janë shfaqur në skenë në vitet ‘90. Zoti Berisha është një person që ka ditur të mbijetojë politikisht në këto 20 vjet, ka qenë me të vërtetë një politikan i jashtëzakonshëm, ka qenë në pushtetin më të lartë, e ka humbur plotësisht këtë pushtet dhe ka ditur të rikthehet. Ai ka ndryshuar shumë nga ai i fillimit të viteve ’90. Njerëzit mund të emocionohen, të nxitohen, në një shoqëri demokratike kjo është pjesë e lojës dhe duhet të pranohen si një pjesë normale e diskursit politik.
Çfarë mendimi keni për kreun e opozitës, zotin Rama?
Mendoj se zoti Rama është një individ vërtet shumë tërheqës, mahnitës. Kam shpenzuar orë të tëra me të  dhe gjatë kësaj jave do të darkoj me të. Një gjë që do të dojë të thotë se ai nuk është politikan, por është artist. Ai ka pasur një karrierë fantastike, ai ka ndarë me mua disa prej historive të tij, për vitet në Francë, për pasionin e tij si artist, sepse i përket një brezi të ndryshëm nga zoti Berisha dhe Nano. Ai më ka treguar se si puna e tij e parë në administratën publike ka qenë si ministër i Kulturës ka qenë shumë popullor. Ka qenë zgjedhur tri herë si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe ishte kaq ngushtë në rezultat për t’u zgjedhur për herë të katërt. Është një njeri karizmatik dhe është një politikan i jashtëzakonshëm.
Ju pëlqejnë editorialet e tij?
Disa më kanë pëlqyer se sa të tjerët, por pjesa më e madhe më ka pëlqyer.
Si i vlerësoni sulmet ndaj funksionarëve të lartë që mbrohen nga Kushtetuta nga ana e politikanëve dhe maxhoranacës aktuale?
Ndihem i trishtuar dhe i zhgënjyer se ka shumë artificialitet për të gjithë konceptin e krizës politike. Gjatë verës kam shkuar shumë herë në plazh dhe shumë herë kam parë anëtarë të të dyja kampeve politike duke pirë, ngrënë apo tymosur së bashku. Unë u kam thënë se kisha përshtypjen se ju nuk flisnit me njëri-tjetrin. Të jemi të sinqertë. Duket sikur ka një lloj teatraliteti dhe sikur po bëjnë një farë loje mes tyre. Është një opinion-shkruajtës shumë i mirë zoti Fatos Lubonja, të cilin unë e pëlqej shumë. Disa njerëz mendojnë se është i mrekullueshëm, disa të tjetër thonë: “Oh ky!”. Mendoj se njerëzit duhet të lexojnë disa prej shkrimeve që ai ka shkruar. Ai është shumë kritikues ndaj të dyja palëve që janë përfshirë në këtë lojë që duket si konkurs mes dy bandave që janë duke injoruar nevojat e njerëzve.
Le të kthehemi tek 21 janari. Në datën 22 janar ju keni bërë një deklaratë për këtë ngjarje. Tani, pas 8 muajsh, mund të na thoni se e kujt është përgjegjësia për protestën e 21 janarit?
Ju përmendni një ditë që e ka shumë të vështirë që e ka ndjekur. Ka pasur katër të vrarë dhe shumë persona të plagosur, policë që janë rrahur, ka pasur dhe protestues që janë rrahur nga policia pas demonstratës. Kanë kaluar 8 muaj dhe njerëzit pyesin se çfarë po ngjet. Ajo që unë dua të shoh një ditë është që zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të njoftojë për publikun individët që do të akuzohen për x gjë, p.sh. për vrasjet e kryera nga pakujdesia, apo përdorimit të forcës. Këta persona do të akuzohen për vrasjen e 4 personave. Së dyti, zyra e Prokurorit njofton se në bazë të të dhënave, provave që janë mbledhur gjatë hetimit që këta individë x, y, z janë persona të cilët do të mbajnë përgjegjësi sepse kanë penguar hetimin, kanë fshehur prova, nuk kanë lejuar që hetuesit të zbulojnë të vërtetën lidhur me atë që ka ngjarë dhe së treti, Prokurori i Përgjithshëm njofton se akuza penale do të ngrihen për individët x, y, z, sepse kanë organizuar, planifikuan dhe kryen një demonstratë të dhunshme që është hartuar në mënyrë që të merrnin një reagim të ashpër nga ana e qeverisë. Dhe, mbi këtë bazë, Prokuroria do të kërkonte imunitetin e këtyre individëve e të mund të vazhdonte hetimin. Kjo është ajo që unë pres të ndodhë.
Cili ishte ai grusht njerëzish që kishin një axhendë të organizonin atë ngjarje, sipas jush?
Është tejet e qartë që ka pasur një grup njerëzish që kanë organizuar këtë demonstratë, që ajo të shndërrohej në këtë mënyrë. Nuk bëhet fjalë thjesht për përgjegjësi të asaj apo kësaj, por fakti është që 4 persona janë vrarë, kështu që këta persona janë vrarë nga persona të sigurisë. Ne kemi dërguar ekspertë nga FBI, ekspertë të kriminalistikës, janë shpenzuar shumë para, në mënyrë që të shikohen provat. Të gjithë e dinë që kjo ishte një protestë aspak e ngjashme me ato që janë zhvilluar këtu ndonjëherë. Pse ka ngjarë kjo?! Kjo duhet të jetë pjesë e hetimit. Në fazat e para kanë ardhur provokime nga turma njerëzish. Nëse ka ndodhur ndryshe, të dalë dikush e të më thotë të kundërtën, sepse unë nuk e kam parë këtë. Kam parë policinë me tymhedhëse, me mjete të pakta. Situata u përkeqësua. Deri në atë pikë, në bazë të asaj që unë kam parë, përgjigjja e Policisë ka qenë e mirë, duke parë rrethanat. Policia e Shtetit shqiptar nuk është e mirëpajisur, sepse në këto rrethana, nëse do të kisha qenë polic, do të isha larguar menjëherë. Nëse dikush do më kishte gjuajtur, do ta kisha kapur atë person.
Zoti ambasador, analistë të ndryshëm kanë shfaqur ndonjëherë për herë të parë një rritje të ndjenjës së antiamerikanizmit, sidomos për deklarimet tuaja pas ngjarjeve të 21 Janarit. Nga ajo që u zbulua nga Ëikiliks, duket se e kanë qetësuar këtë ndjenjë antiamerikane. Cili është komenti juaj për këtë?
Mendoj se po bëhet fjalë për dy fenomene të ndryshme. I pari ka lidhje me kriticizmin ndaj ShBA-së dhe i dyti është antiamerikanizmi. Të flasim për kriticizmin, dhe mendoj se është e rëndësishme dhe madje të gjithë e kuptojmë që është në rregull të kritikosh ShBA-në. Njerëzit duhet të jenë kritikë. Për kriticizmin ndihem mjaft komod, por mendoj gjithashtu që është ndihmues, mesa ai ndihmon. Le të flasim për katër komentatorët, shkrimet e të cilëve unë përpiqem t’i lexoj, për shembull Andi Bushati, Andrea Stefani, Mustafa Nano dhe Skënder Minxhozi. Mendoj që të katër ata janë miq të ShBA-së, sigurisht janë miq të mi, por të katër kanë shkruar gjëra që kanë qenë kritike, madje dhe për mua personalisht. Me Skënder Minxhozin kemi diskutuar disa herë dhe kemi rënë dakord që të mos biem dakord. Le të flasim për antiamerikanizmin. Në vende si Shqipëria njerëzit janë gati 96 për qind proamerikanë, 4 % mund të mos jenë dakord, por kjo është tjetër gjë, ndërsa ne po flasim për një gjë krejt tjetër. Më lejoni të përmend një komentues tjetër, Artur Zheji, dhe e di se disa nga shikuesit tuaj do thonë, oh Artur Zheji. Ai është dhe një opionionshkrues, shkrimet e të cilit unë i lexoj. Në prill ai ka shkruar një artikull dhe që quhej “Antiamerikanizmi i porositur”. Dhe ai ka shpjeguar një fenomen që për mua është shumë i qartë dhe që ne e kemi parë në atë periudhë, që ka qenë një antiamerikanizëm i organizuar, i drejtuar dhe ka pasur një celulë, ka pasur drejtues, ka pasur mbështetje biznesi, ka pasur gjithashtu dhe makineri. Pra, ka qenë një aktivitet i organizuar që ka pasur në plan të mund të marrë një kah politik. Por gjithashtu në një shoqëri demokratike, unë e pranoj këtë. Por unë mendoj që kjo gjë nuk drejton siç duhet, nëse shkon kështu. Megjithatë flasim për njerëzit në Amerikë dhe ata thonë që çfarë lidhje ka kjo me këtë? Ky është një aktivitet i drejtuar, i orientuar, nuk është diçka organike. Është diçka për të cilën paguhet, është diçka që është e skicuar e hartuar në këtë formë. Ka një plan dhe të gjitha veprimet që ndërmerren për ta realizuar. Kështu që mendoj se është e rëndësishme për ta dalluar, për ta kuptuar për atë që është. Ne e dimë se ç’po ngjet këtu.
E dini dhe se kush e organizon?
Mendoj që po.
Mund ta bëni publik?
Jo. Mendoj që të gjithë teleshikuesit e dinë, madje njerëzit që e bëjnë këtë e dinë.
Po i paralajmëroni?
Mendoj se ata e dinë.
ILVA TARE

No comments: