Sunday, July 22, 2012

“Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana

INTERVISTA/ Fletë këngëtari i mirënjohur “Mjeshtri i Madh” Tonin Tërshana
 
Ja si më lidhi pas tavolinës me litar Tonin Harapi
 
Në Festivalin më të zhurmshëm atë të XI zura çmim të parë.
 
Nëna ime shiste qumshtin e gjirit për të na rritur
 
Peterit Dumja më ndihmoi për t’u futur në Estradën e Ushtarit
 
Albert ZHOLI
Tonin Tërshana ndoshta përbën një rekord në skenën shqiptare pasi qysh në pjesamrrjen, debutimin e parë në festivalin e 4 në RTSH ai zë vend të parë. Dhe athere nuk ishte vetëm 16 vjeç, kur ende nuk kishte zënë një pozicion të caktuar në jetë. Vitet ikin dhe ai merr pjesë në mbi 20 festivale duke zënë 4 çmime të para duke u bërë nëj dnër këngëtarët me më shumë trofe në Festivale. Jeta e tij është e mbushur me shumë peripeci. Këngëtr në Turizmin e Shkodrës, në “Bar sahati” Tiranë, në shumë locale të kohës, derisa  stabilizohet në Estradën e Ushtarit në vitin 1968 me të cilën vazhdon deri në vitin 1993. Një jetë në skenë dhe më vonë ishte i detyruar të shkojë emigrantë në Greqi. Para disa kohësh Presidenti Topi i jep titullin e lartë “Mjeshtri i Madh”, titull të cilin ai e ka merituar me kohë. Por ajo që duhet veçuar nga jeta e tij është kur kompozitori i madh Tonin Arapi e mori në shtëpinë e tij dhe po e përgatiste për festival dhe duke qenë çapkën e lidhi me litar tek këmba e tavolinës për të mos bredhur rrugëve të Tiarnës në kohën që jepte mësim. Në Festivalin aq shumë të diskutuar, pra në festivalin e 11 në vitin 1972 ai zë vend të parë.
 
-Mes miqve të tu flitet s e keni një fëmijëri të veçantë, ku kënga, zëri ju ka ndihmuar të përballoni vështirësitë e jetës?
Kam lindur në qytetin e bukur, qytetin e kulturës dhe të dijes, në qytetin ku liqeni të flladit nga mëngjesi në mbrëmje, kam lindur në atë qytet që ka kalanë me legjendën më të bukur në botë, pra kam lindur në Shkodër. Ishim një familje me shumë fëmijë ku fukarrallëku mbizotëronte në çdo cep të shtëpisë. Qysh fëmij gjeja mundësira nga më të ndryshmet për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të ndihmuar nënën.
 
Kjo ishte shtysa që të provonit zërin që fëmijë?
Ndoshta dhe kjo. Por di që unë këndoja kudo që isha por seriozisht të kënduarit për të qenë në vëmendje e kam marrë në vitin 1963. Në atë kohë në Shkodër kishte dy lokale ku këndohej në turizmin e Shkodrës dhe në  lulishten e vjetër  në Shkodër. Sidomos turizmi i Shkodrës ishte në qendër të vëmëndjes. Unë se dija se këndoja aq bukur. Këndoja nëpër shtëpi, rrugëve dhe më kishin dëgjuar shumë njerëz. Midis tyre më kishin dëgjuar dhe dy vëllezër kitarista. Një ditë një nga këta vëllezërit  më thërret në shtëpi dhe më thotë që do vish të këndosh me ne në Turizmin e Shkodrës. Se besoja. Isha ende i vogël. Deri në atë kohë çfarë  dëgjoja në radio unë mundohesha ti imitoja. Kam ditur edhe disa  këngë italiane. Shkodra ka qenë e lidhur shumë me muzikën italiane dhe në përgjithësi me kulturën italiane.
 
 
Në atë kohë lejoheshin këngët italiane, nuk quheshin shfaqje të huaja?
Viti  1963 nuk ka qenë shumë i kontrrolluar. Ishin vite që kishte ndikim ende muzika e huaj dhe problemet e shumta ekonomike e kishin lënë disi të lirë muzikën.
 
Çfarë këngësh fillove të këndosh në turizmin e Shkodrës?
 
 Në fillim kam kënduar këngë italiane dhe jugosllave. Unë atëherë isha 14 vjeç dhe u prita shumë mirë.
 
Si mund ta përcillni natën e parë që kënduat?
Kisha pak ndroje por dhe emocion. Dihet që sajova ca rroba të pastra dhe pse jo të reja. Ishte veshje e pëlqyeshme. Bëra një dush që të dukesha i pastër. Që në fillim zëri më doli i plotë. Këndova 4-5 këngë atë natë dhe shumë njerëz u interesuan, u bënë kurioz. Një djalë i vogël që këndonte këngë të huaja dhe ku në turizëm. Ishte diçka që  binte në sy për kohën. Pas asaj nate Drejtoria e Turimzit më mori në punë  dhe më paguante 120 lekë në 15-ditësh. Unë u quaja si nxënës apo si ndihmës dhe paga ime shkonte 240 lekë në muaj. Më vonë fillova edhe me këngë shqiptare. Mosha nuk ishte shumë e justifkuar si këngëtar i mirëfilltë. Pas asaj dite edhe në shtëpi filluan të vinin të gjithë shokët të më dëgjonin. U bëra me shumë dashamirës. Zërin e kisha të pastër. Po më dukej çudi,  mu dukte shumë e lehtë të këndoja  dhe mendoja se përse nuk këndojnë të gjithë? (qesh). Mu dukej e lehtë për vetë moshën që kisha dhe nuk e mendoja thellë se zëri është dhuratë e zotit.. Tani i kuptoj të gjitha. Këto janë fillimet e mia.
Si vazhdoi karriera juaj?
 
Pastaj në shtator 1963 mua më  doli shkolla në Tiranë. Shkolla  e kulturës. Më doli me gjysmë burse që ishte 90 lekë në muaj. Ishim një familje e varfër. Bëra dy vjet shkollë (ishim 6 fëmijë) por ishim në një gjendje ekonomike të vështirë. E lashë shkollën në vitin 1965. Fillova të këndoj përsëri në Shkodër dhe u futa në punë. Çdo ndërmarrje ka pasur estradë amatore dhe unë punoja në fabrikën e cigareve në atë periudhë. Gëzim Kruja, Muharrem Nurja, ishin  aktor por kishte dhe shumë këngëtarë me emër në atë kohë që unë kam respekt të veçantë si Fatmira Buka, Marjeta Çuni etj që përbënin estardën e fabrikës së cigareve. Si fabrikë cigareje bëmë një estradë të mirë. Në këtë periudhë unë njëkohësisht punoja mbrëmjeve dhe si këngëtar në turizëm.
 
U shkëputët përfundimisht nga Tirana?
Në këtë kohë në turizëm unë njihem me një oficer nga Vlora që quhej Mersin Maksuti. Ai ishte oficer në Shkodër dhe një dashamirës i imi. Ishte vera e vitit 1965. Një ditë Mersini më  thotë se kam biseduar me ata të Estradës së ushtarit që të mund të punoj atje. Vij në  Tiranë pa mbështetje fare. Shkova tek Estrada e ushtarit por ata kishin shkuar për të dhënë shfaqje jashtë Tirane. Aty gjeta një udhëheqës artsitik që kishte qenë sëmurë dhe nuk kishte shkuar në turrne. Ai ishte dhe në orkestrën e Bar Sahatit. Ishte në dijeni për mua. Më fton në darkë te Bar Sahati. Këndova pa ndroje. Atë natë u prita shumë mirë.Tek Banka Kombetare ka qenë një ëmbëltore dhe një dyqan perimesh. Çdo natë unë shkoja e flija aty mes arkash.  Nuk kisha asnjë lloj përkrahje dhe asnjë lloj mbështetje. Njihja vetëm ish kujdestarin e konviktit të shkollës së kulturës kur isha në shkollë në Tiranë. Ai kishte katër fëmijë. U lidha me këta dhe më krijuan bazë për të ndenjur. Më përkrahu shumë kjo familja dhe tek ata  kam ndenjur shumë kohë. U bëra si i lagjes. Bëhet fjalë për lagjen tek rruga Naim Frashëri.Atje u njoha me të gjithë. Në moshë të tillë kalova edhe shumë aventura. Atëherë mu dukte vetja i pavarur dhe kisha dëshirë që të isha i pamvarur.
 
Po njohjet me kompozitorët e mëdhenj si i realizove?
Një natë tek Bar sahati më thirrin në një  tavolinë. Ishte gusht. Burrat në tavolinë më thanë sa bukur këndon ti. Do të provojmë njëherë në radio më thanë, do vish nesër. Për moshën unë nuk isha shumë koshient se çfarë po bëja. Shkova në Radio dhe aty njoha se kush ishin Tonin Arapi, Nikola Zoraqi etj...Pasi më prezantuan me ta më thanë këndo ndonjë këngë. Unë këndova një këngë të Tonin Arapit. Unë duke parë reagimet e tyre mendoj se ata u habitën. Edhe një këngë tjetër. Në shtator më thanë do të marrim tek anketa e parë e Radio Tiranës. Në atë vit filloi anketa për herë të parë. Këndova një këngë me titull “Gjeologët”. Unë tekstin dhe muzikën e mësova jo më shumë se dy orë.. E incizova këngën në radio dhe të nesërmen do të dilte kënga tek anketa e parë që ishte ditë e dielë. Në këtë anketë fitoi Vaçe Zela këngën e gjyshes të Agim Krajkës. Por dhe unë debutova me shumë sukses, u pëlqeva. Kam ndenjur dhe një javë në Tiranë dhe pastaj ika në Shkodër se fillova punë.
 
Për kë këngëtar ke pasur simpati në atë kohë?
Kam pasur një simpati të veçantë për Qemal Kërtushën.Unë e kisha ëndërr të bëhesha  si Qemal Kërtusha. Edhe këngët italiane më pëlqenin shumë.
Si i mbajte lidhjet me Tiranën?
 
Para se të ikja më morën adresën ku jetoj. U futa përsëri në punë dhe u stabilizova mirë. Më ndihmuan shumë si kompozitori i këngës “Lumturia nuk harrohet”. Ky më ka ndihmuar në ndërtimin e vokalit. Në Shkodër punova një vit, kur më bëjnë telegram në shtëpi që të paraqitem në Tiranë se jeni i caktuar të merrni pjesë në festival. Ka qenë viti 1965. Ky ishte festivali i katërt  në Radio. Paraqitem në radio dhe takohem me Tonin Arapin. Më sistemuan në hotel. Tonini ka punuar në mënyrë të jashtzakonshme me mua. Më jepte udhëzime për çdo gjë. Ishte shumë i duruar. Ai ishte nën ethet e Festivalit, ndrësa unë si jepja dhe aq rëndësi. Isha vetëm 16 vjeç. Tonini më udhëzonte për mënyrën e të kënduarit, vokalin qëndrimin. Pasi e mësova këngën m’u dukte vetja si i tepërt dhe unë ika në Shkodër. Tonini më këkronte në Tiranë unë isha në Shkodër. Ishin ditët e përgatitjes.
Kur u ktheve prap në Tiranë?
Unë se dija rëndësinë dhe u ktheva në Tiranë pas disa ditësh. Kur u ktheva përsëri në Tiranë nuk kam fjetur më në hotel por më mori Tonin Arapi në shpi. Nuk më linte të dilja në rrugë. Shkonim në radio bashkë dhe në shpi bashkë. Ata më mbajtën sikur të isha fëmija i tyre. Madje njëherë kur Tonini shkoi për të dhënë mësim më lidhi këmbën me litar tek këmba e tavolinës. Kur u çova u habita. E shoqja e tij qeshi dhe më tha se e ka bërë me shaka.
 
Pra u ngjitët në skenën e Festivalit të katërt në radio Tirana?
 
Po. Ishte Festivali i parë për mua. Fillova të kem emocion.  Në atë festival unë kisha tre këngë si  "Qesh vogëlushi im”, këngën që fitova “Të dua o det” dhe një këngë tjetër. Një këngë u hoq dhe unë këndova dy këngë. Të dyja janë pritur shumë mirë. Me këngët kam dalë mbi 7 herë me duartrokitjet e spektatorit. “Të dua o det” fitoi çmim të parë. Pra ishte festivali i parë ku unë mora pjesë dhe fitova çmimin e parë në atë festival. Kënga ka qenë “Të dua o det” e kompozitorit Tonin Arapi. Marie Kraja ka thënë se doli një  gjigand i madh i këngës në moshë të vogël. Këtë ma kanë thënë se unë nuk e kam dëgjuar. Favori im ka qenë se unë kam qenë bashkëpunues i muzikantëve dhe kompozitorëve shumë të mirë si Kujtim Laro, Limoz Dizdarit, dhe këngëtarëve si  Fatmira Buka, Qemal Kërtusha e shumë të tjerë.
 
Si do ti krahasonit Festivalet e athershme me ato të sotmet?
 
 Unë dëgjoj shumë këngë por nuk më ngjit asnjëra në këto kohët e sotme. Në festivaet e mëparshëm të paktën 4-5 këngë mbeteshin dhe këndoheshin nga të gjithë edhe më mbrapa.
 
 
Eshtë folur shumë për Festivalin e 11-të, si do ta komentonit këtë Festval?
 
Festivali i 11 është zhvilluar në vitin 1972 dhe për mua mbetet një ndër Festivalet më të mirë. Një Festival me frymë tjetër.  Unë kam kënduar një këngë të kompozitorit  Pjetër Gaci.. Edhe në këtë festival të 11-të unë fitova çmimin e parë. Për mua ishte hera e tretë që fitoja çmimin e parë. Titulli i këngës ishte “Kur vjen pranvera”.Teksti ishte i Fatos Arapit. Çmimet  e para i kam marrë në festivalin e 4, 10, 11-të. Ky Festival  përbënte një risi në ëmnyrën e ideimit të skenës, të skenarit të orkestrës. Një festival që përbënte një avancim pak më të madh  për muzikën shqiptare. Pas tij pati shumë diskutime. Pati shumë debate. Unë që fitova çmim të parë nuk pata asnjë problem. Se di pse. Por athere diskutohej edhe për diçka tjetër...
 
Përse bëhet fjalë?
 Fjala ishte që fituesi i çmimit të parë të shkonte në festival Europian. Unë u përgatita për të shkuar në festivalin evropian që ishte në Gjermani në vitin 1973. Pra për një vit më vonë. E kupton se si  mund të shkohej në atë kohë në Festivalin Europian?
 
Si jepeshin çmimet në atë kohë në Festivale përveç jurisë së Festivalit?
 
Kush ishte nga rrethet nuk vlerësohej shumë. Unë që isha nga rrethet, pikërisht rrethet  mua nuk më dhanë pikë për çmim të parë. Pikë më shumë më ka dhënë Durrësi, Elbasani, Tirana . Nga rrethet e mëdhaja mora pikë më shumë. Rrethet më dhanë një  të katërtën e pikëve. Tirana kishte 400 pikë për të dhënë. Pra aty ku kishte më shumë emancipim mora dhe më shumë vlerësim.
 
Cila ishte pika më delikate e kritikës që ju bë Festivalit të 11?
 
 Festivali  u dënua për tendencën e modernizimit. Edhe tekstet ishin më të avancuara në krahasim me të mëparshmet. Ishin pa ideologji, larg klisheve dhe përmbajtjes së theksuar partiake, kishin më shumë frymë perëndimore.  Partia e dënoi festivalin komplet dhe dënoi edhe disa organizues të saj. U dënuan Mihallaq Luarasi, Todi Lubonja që ishte drejtor i përgjithshëm, dhe këngëtarë të tjerë. Të gjithë përgjegjësinë e kanë mbajtur realizuesit. Në atë kohë  për festivalet nuk gjeje bileta. Ne merrnim nga dy ftesa. Kërkesat ishin të mëdhaja. Kur vinim në sallën e Operas ishin policët me rradhë. Turma të mëdhaja ishin jashtë.
 
 
Kur ka filluar Tonini punë në Estradën e ushtarit?
 
Në këtë estardë kam filluar definitiv që në vitin 1968 deri në vitin 1993. Nuk kam lëvizur fare për 26 vjet. Aty e kam të gjithë karrierën  time  kam  bashkëpunuar me Violeta Simonin, Irma Gurakuqin (ishte shume e aftë.) e shumë këngëtarë të tjerë me emër.
 
Kush të ka ndihmuar më shumë për tu bërë pjesë e Estardës së Ushtarit?
Më ka ndihmuar shumë ish  shefi i Shtabit Petrit Dume. Në vitin 1966 unë shkova ushtar dhe punova me Estradën e ushtarit për dy vjet.. Në atë kohë Vaçe Zela kishte ikur nga kjo Estradë. Unë zëvendësova Vaçen. Ishte pikërisht Petrit Dumja që më thirri dhe më vlerësoi shumë.
Petrit Dumja ose shefi si i thoshim ne. Ai më mbante mend që në festivalin e parë. Kur isha ushtar u tregua shumë i vëmendshëm me mua. Një ditë kur kaloj pranë SHQUP (isha ushtar) takoj Petrit Dumen  rastësisht në rrugë dhe ai më tha se akoma nuk je liruar? Kush do të më lërojë mua i thashë. Shko tek drejtori  më tha dhe thuaj të të fus në punë.  Shkoj tek Drejtori i Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë dhe i them se çfarë më tha Shefi  Shtabit. Ai më emëroi direkt  në Estradën e ushtarit definitiv me një pagesë  730 lekë në muaj. Po këtë ditë u quajta i liruar dhe më vonë mora një shtëpi jo shumë të mirë afër Burgut 313. Shtëpia ishte si gabinë plazhi me një dhomë dhe një guzhinë. Aty në atë shtëpi kam ndenjur deri në vitin 1982. Pastaj mora një apartament. Ishin kohë të vështira, por jeta lëvizte me vështirësitë e veta.
 
Cilët nga aktorët e asaj kohe ke njohur në Estradën e ushtarit?
 Kam qenë ushtar me Roland Trebickën, Dhimitër Furxhiu, Zef Deda dhe Ceken e Beratit, .etj. Athere ka pasur aktorë dhe këngëtarë që kanë bërë emar. Rrallë vijnë aktorë dhe këngëtarë të tillë.
Në sa festivale ke marrë pjesë?
Kam marër pjesë afërsisht në 20 Festivale. Nuk janë pak.  Kam marrë 4 çmime të  para, kam marrë  pjesë edhe te festivali i interpretuesve.
Kur ke dalë jashtë për herë të parë?
Kam dalë për herë të parë jashtë në vitin 1978 në festivalin e Ohrit me Asamblin “Migjeni” me repertor këngë popullore. Ishte ndryshim i madh me Shqipërinë. Nga natyra kam qenë pak  i hedhur  por me shtetin nuk ma ka mbajtur. S’kam bërë kurrë luftë me shtetin. Shihja ç’bëhej jashtë dhe heshtja. E dija ç’më priste. I njihja mirë gjërat. Bëja krahasimet dhe habitesha pse ishim kaq mbrapa.
Pastaj kam qenë në Turqi në vitin 1979. Në Turqi kam qenë dy herë. Në vitin 1980, kam qenë në Greqi. Kam qenë me Radio Tiranën në Kosovë. Këtu, policia na ka ardhur gjithmonë mbrapa. Nuk lëviznim pa polici. Në Kosovë ishim si nën mbikqyrje të rreptë. Skishim fare liri. Mu duk vetja si në burg. Por kudo që shkonim habiteshim me përparimet dhe me tregjet plot të atyre vendeve dhe bënim krahasimet me tregjet tona bosh. Kam dalë mbi 5 herë jashtë në regjimin komunsit. O zot, kur kam shkuar për herë të parë dhe bëja krahasimet. Mos e fol. S’e besoja si ishim ne. S’mund ti bëja krahasimet. Por gojënmbyllur. Bah, kush fliste dot athere. Ta thoshin troç, po  fole e ke vendin në burg. Më mirë të heshtja, ç’më duhej ai sport. Nuk durohet burgu.
 
 
Kur e keni ndjerë veten më keq kur ishit fëmijë?
Kur nëna jonë shiste qumështin e gjiirit për të na ushquer ne. Ishim shumë të varfër dhe qumështin në vend tja jepte motrës së vogël e shiste tek nënat që nuk kishin gji. Ky ishte një heroizëm i paparë. Kjo do të thotë mbijetesë. Për mëse 6 muaj ajo shiste qumështin për të marrë 300 lekë në muaj.
 
Pse ikët emigrant në Greqi?
Në vitin 1997 unë shita shtëpinë dhomë dhe guzhinë dhe i futa lekët në firmat piramidale. Rrugë tjetër nuk kisha përveç emigracionit. Në fund të fundit emigracioni ishte një eksperiencë shumë e mirë. Tani jemi emigrantë në vendin tonë (qesh).
 
 
Po sot a ka po aq vlerësim për festivalin e RTSH sa në regjimin komunsit?
Ndoshta nuk ka atë vlerë pasi sot ka shumë evente të tjera, por unë jam i mendimit se sërishmi Festivali në RTSH nuk mund ta zëvëndëojë askush se ai ka një rugëtim gati shekullor. Në regjimin komunist kur zhvilloheëj Festivali nuk kishte bileta dhe policia ishte gardh se mos futeshin pa bileta. Ne kishim të drejtën e dy ftesave.
 
Si ndiheni në Tiarnë pas kaq vitesh emigracion?
(qesh). Le të themi mirë. Jetoj në një lagje të re që s’më njeh asnjë dhe kur dal në qendër më njohin të gjithë.
 
Keni marrë titullin “Mjeshtër i Madh” ndiheni i vlerësuar?
Ndonjëherë vlerësime të tilla të bëjnë dhe optimist. Sigurisht ndihem i vlerësuar.

Friday, July 13, 2012

Rikthimi i sopranos/ Inva Mula shkëlqen në teatrin antik të Orange

Inva Mula ka shkëlqyer të martën në mbrëmje me rolin e Mimisë në operan “La Boheme”, në “Les Chorégies d’Orange”, që është festivali më i hershëm francez, i cili daton qysh prej vitit 1869. Interpretimi i sopranos shqiptare është duartrokitur gjatë dhe është vlerësuar për interpretimin dhe ngjyrat e zërit. “Mimi është një personazh që unë e dua shumë, sepse është një vajzë e thjeshtë dhe mjaft e ndjeshme. Ka një botë të brendshme të mrekullueshme”,- tha sopranoja për “Francë 2”, që transmetoi live shfaqjen. “Skena është dominuar nga zëri i fuqishëm i sopranos Inva Mula dhe baritonit Tézier Ludovik”, – shkruajnë kritikët. Kështu, vetëm pak muaj pasi është bërë nënë për herë të dytë, sopranoja Inva Mula i kthehet sërish skenës operistike. Më ardhjen në jetë të vajzës Nina, sopranoja kishte anuluar disa projekte për t’u rikthyer në festivalin prestigjioz të Orange-s vetëm 3 muaj pas lindjes. Sopranoja u ngjit në skenë me “La Boheme” të Giacomo Puçini-t në amfiteatrin antik roman në Orange, i cili ka duartrokitur interpretimin e saj dhe të disa prej emrave më të njohur të skenës operistike, si Tézier Ludovik, Nicola Cabrone, Vittorio Grigolo, Roberto Alagna, Patrizia Ciofi, Diana Damrau. Opera është drejtuar nga mjeshtri koreano-jugor, Myung-Whun Chung, drejtues i Orkestrës Filarmonike të Radio Francës. Për sopranon shqiptare nuk është hera e parë që shkëlqen në teatrin e Orange-s. Tre vjet me parë ajo është duartrokitur me rolin e Nedës tek “Pagliaçi” dhe ky është një rikthim pas 3 vitesh mungesë. “La Boheme” konsiderohet një nga veprat më të arrira të kompozitorit italian. Pas kësaj Inva Mula do të vijojë me kalendarin e saj, të përcaktuar tashmë. A.T

Sonila Meço:Pushtuesi që rikthehet me telenovela…

Ajo është një nga ‘gratë e forta’ të televizionit. (Ndoshta e vetmja grua e fortë e televizionit!) E tillë sepse i përket një race tjetër: vjen nga bota akademike dhe arrin të bëhet televizive. Dhe, ky është pothuajse një kalim ylberi: përgjatë tij mund të zhbëhesh, shndërrohesh ose zhdukesh. Sonila Meço ia ka dalë që thelbit dhe kryeneçësisë akademike t’i veshë shpejtësinë dhe formën televizive. Është një lidhje e lumtur, siç e dëshmon edhe intervista më poshtë.

1- Dita e Çlirimit: 28 apo 29 Nëntori?
Dy  dekada në kërkim të një date që prodhon konsensus, dy dekada për t’u dhënë ngjyrë fituesve të luftës, dy dekada për ta degjeneruar debatin në dy të vërteta e në fund të ditës bilanci: bojë e letër harxhuar për të dëshmuar se kur u largua i fundmi gjerman. Rrekja për të politizuar një datë, që, megjithëse produkt i një dekreti,  është simbol, ka harxhuar kaq shumë energji sa më shumë ngjan se po siglojmë ndarjen përtej bashkimit. Çdo shtet ka nevojë për datat, sado sforcueshëm e imponueshëm vendosur, nuk duhet humbur rasti që për përplasje identitetesh ideologjike t’i mësyjmë historisë për t’u pozicionuar secili në istikamin e vet. Në ditët kur përmendet më shumë se ‘buka’ fjala ‘kompromis’ ne e kemi të pamundur ta gjejmë atë edhe për festat. Me apo pa ‘apo’, le ta gjejmë kurajën të biem dakord për një akt formal, pa harruar kthimin e Gjergj Kastriotit në atdhe, pavarësinë, çlirimin pavarësisht ç’solli ai më pas. Qofshin këto në një datë a dy, do të mbeten aty si shenja të forta të historisë së përbashkët të shqiptarëve.
2- Shenjat e cilit pushtues duken më qartë në fizionominë sociale shqiptare?
Pushtimet në shekuj të shqiptarëve, sundimet e gjata, lufta e qëndresa përgjatë tyre kanë ngjizur ndër ne nevojën e formimit të një identiteti të ndryshëm nga ai i pushtuesit. Ngjan se një enzimë e fortë ka ndikuar në unifikimin e kulturës identitare. Nga luftërat ballkanike tek ato botërore kemi dëshmuar se nuk kemi ndenjur urtë, se kemi ditur të bëjmë rezistencë. Edhe në amullinë e kaosin pesëshekullor, në periudhën e zymtë e të errët pas vdekjes së Skënderbeut, kur jetuam gjatë nën perandori, megjithëse në periferi të saj, gjithherë jemi përpjekur t’u rezistojmë pasioneve të fqinjëve për territoret tona. Shumë sjellje tona kushtëzohen nga rezistenca e gjatë kundrejt pushtimit, por kur ky i fundit është i gjatë, shumë i gjatë, për shekuj me radhë, nuk na lë dhuratë veç toponime, emra, ndërtesa e fjalë, por edhe dëshirë për të parë në masë telenovelat në gjuhën e tij (qesh).
3- Kur themi ‘qytet’ në kuptimin ‘polis’, cili prej vendbanimeve shqiptare e meriton këtë emërtim?
Nëse niveli i urbanizimit do të konsiderohej si tregues i mjaftueshëm për zhvillimin e një polisi, Tirana është ende me një draft plani rregullues, e paqartë, e turbullt, e shfrenuar. Por ende me shanset për ta merituar përcaktimin.
4- WikiLeaks, mirë apo keq?
Wikileaks është i sikletshëm për diplomacinë, bezdisës për politikën, shqetësues në termat e sigurisë, fotosintezë për spekulatorët mediatikë, motiv për gazetarinë investigative, me efekt 0 për politikën e jashtme. Megjithatë, zelli për të zhvendosur gjykimin dhe verdiktin përfundimtar te një entitet jashtë nesh nuk qenkërka karakteristikë veç e shqiptarëve.
5- Gegnishtja apo standardi?
Dy hapësira të ndërlidhura, po japin e marrin me më shumë guxim tani. Konvencion i shpirtit, gjuha, shtresëzon shekuj historie e kulture, çdo huamarrje kësisoj duhet bërë me shumë kujdes se të dyja mund të lëndohen, standardi prej një çekuilibrimi nga dyndja e beftë e gegnishtes, por edhe gegnishtja nga fyerja e gjatë akumuluar prej një vendimi deri diku të dhunshëm. Duam apo nuk duam, ashtu si edhe në këto radhë shkruar nga një përmetare, në media, art e kulturë bujtja e gegnishtes po bëhet e pashmangshme, por jo kërcënuese për standardin, që gjithsesi mbetet përbashkues.
6- Shqipëri etnike, apo kështu si jemi mjafton?
Bashkimi ekonomik e kulturor ngjajnë të mundur karshi një teze pretenduese deri në delir si kjo e Shqipërisë etnike. Në këtë vendin tim kam miq edhe nga minoritetet që e duan Shqipërinë, e për këtë jam e bindur që kjo e fundit nuk u përket vetëm shqiptarëve. Ndërsa politikanët gjithnjë e më shumë flasin për bashkimin fizik me hyrjen në Europë, pres ende të bindem e jo thjesht frymëzohem për një kryeministër, një president e një qeveri mbarëshqiptare.
7- A ka një rrezik neo-otoman për Shqipërinë?
Neo-otomanizmi si slogan propagandistik i rri mirë kohërave të krizave, kur të mëdhenjtë humbasin vëmendjen ndaj rajoneve të vogla si Ballkani, për t’u marrë pak më shumë me veten. Në këtë pluhur dhe re paqartësie e pasigurie, nostalgjia formëzon krijesa deri diku garantuese si Fuqitë e Reja Rajonale. Nëse nënkuptohet Turqia si një prej tyre, më ngjan keqkuptim i madh përcaktimi ‘neo-otomanizëm’. Otomanizmi më shpie te perandoria, gjasat e së cilës nuk i shoh kurrkund. Shqipëria, konceptuar historikisht mes Lindjes e Perëndimit, nuk vuan as rënie entuziazmi për t’iu bashkuar Europës e as paragjykim për të bashkëpunuar me miqtë nga lind dielli. Le t’i gjejmë diku tjetër motivet e perspektivës së zhvillimit në Ballkan.
8- A ka pasur një rrezik anglo-amerikan për Shqipërinë?
‘Rreziqet’ e shpallura publikisht janë më shumë pjella të propagandës së pushtetit. Aq më tepër kur ky pushtet është edhe diktatorial. Në ndryshim nga rreziku i mësipërm që i mësyhet Europës për ta shantazhuar në dobësi e sipër, ai anglo-amerikan u injektua për të justifikuar vetizolimin. Ishim shumë të vegjël për të pretenduar pushtimin nga më të mëdhenjtë.
9- Si do i përshkruanit gjurmët në histori të Ahmet Zogut, Enver Hoxhës, Sali Berishës?
Materia ku shkel gjykimi im është ende e nxehtë dhe gjurmët nuk dallohen dot lehtë pa u ftohur ajo. Përshkrimi im personal është i parëndësishëm, sepse nxënëse kam mësuar me librat e historisë së fillim viteve ’90, ku ideologjia komuniste e kish ende bojën e freskët mbi to; u bëra gazetare me perceptimet mbi historinë në vitet 2000, ku persekutuesit konfondoheshin pa problem me të persekutuarit  dhe ende nuk kam guxim të besoj atë që shkruhet prej atyre që gjykimin e kanë artikuluar në të nxehtë. Në këtë ‘përvëlim’ shqisash e lënde historia të paktën ka rënë dakord të pagëzojë mbret të parin dhe diktator të dytin. Teksa për Berishën, ende nuk kanë nisur të flasin historianët, por vetëm kundërshtarët apo mbështetësit e tij politikë. Çfarë doze objektiviteti mund të kenë bashkëkohësit, që më së shumti njihen për dellin kryqëzues? Kjo vlen për çdo politikan të tranzicionit, pak më shumë për më jetëgjatin e periudhës së pluralizmit
10- Ballist, i/e Legalitetit, partizan apo asnjanës?
Gjyshi im u aktivizua me Ballin, për këtë hoqën keq tre breza deri në vitet ’90. Xhaxhai im doli shumë i ri partizan, për këtë mundën të shpëtojnë diçka tre breza për të njëjtën periudhë. Teksa i pari vuajti për diçka që besonte, të dytit iu shpërblye besimi. At e bir sot nuk jetojnë, u ndanë nga jeta pa ardhur demokracia. Jam e bindur që nuk do habiteshin po të mësonin se një prej nipërve është anëtar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Për këtë nuk di nëse beson, apo e bën sepse të jesh asnjanës nuk është as në modë e as shpërblyese. Në kohët e sotme të merr malli për një kauzë të denjë, paragjykohesh keqas  t’i japësh zë një opinioni, por gjithsesi ia vlen të ‘digjesh’ edhe sepse deklarimi është mbrojtja më e mirë. Andaj me këdo, veç jo asnjanëse.
11- A ishte Partia Komuniste Shqiptare vepër e jugosllavëve?
Lëvizjet komuniste në rajon e patën këtë ndikim. Nuk di të them a qe vepër plotësisht e tyre, por di se ai që e gëzoi bëri shpejt të vetën.
12- Në rrafsh simbolik, si do e shpjegonit Hamza Kastriotin?
Të çdokohshëm. Hamza historia ka plot, madje nuk di nëse do kishte histori pa Hamza. Me lindjen e Gjonit, djalit të Skënderbeut, Hamzai, nipi i tij, humbi çdo shpresë për trashëgimin e principatës së Kastriotëve. Nisi gjithçka nga frika, për të marrë formën e zemëratës dhe frustrimit. Kështu ndodh më së shumti. Të paktë janë ata që ia kanë dalë të kenë sukses pa një akt tradhtie.
13- Po mbretëreshën Geraldinë?
Një histori e trishtë e fisnikes së bukur, viktimë e një eksperimenti të dështuar monarkik, mbretërim vetëm për 354 ditë, dashuri e besnikëri për gjithë jetën. Hollywood-i nuk e bindi dot, pavarësisht tundimit të saj, të bënte një romancë frymëzuar prej historisë së Geraldinës. Bekim për çdo krijues fati i saj.
14- Partizani, Tirana, Dinamo, Vllaznia apo Besa?
Zhgënjyese me dhimbje, nuk e ndjek sot Superligën apo Kategorinë e parë. Por më kujtohet kur me një radio të vogël, dhuratë nga kushërinjtë prej Shkupi në vitet ’80, të shtunat dhe të dielat buçisnin nga zëri i Ahmet Shqarrit dhe Ismet Bellovës për të shoqëruar rrjetën e Shehut, Kolës, Demollarit. Me zemër Partizani, me arsye Dinamo, për spektakël Tirona. Kur im atë më tregon se ç’bënte pasioni i Demnerit të dikurshëm me një top llastiku, zerot pas shifrës së trajnerëve nuk i bëjnë drejtësi futbollit, por basteve.
15- A është frymëzuese figura e Krishtit?
Krishti për një muslimane si unë nuk provokon dilemën profet apo bir i Zotit, por më frymëzon përtej çdo besimtari që kam njohur. Jo për mrekullitë, se ato ndodhin e lindin edhe prej nesh, mjafton të shoh Amarisin çdo ditë. Besimi ynë sfidohet çdo herë nga të paudhët, por urtia e Krishtit, si edhe e profetëve të tjerë, të ndihmon të gjesh ekuilibrin e çmuar mes besimit, familjes dhe punës.
16- Nëse do i përballnit si simbole fetare, historike, sociale, por edhe kulturore, cili ka ndikuar më shumë historinë e njerëzimit, Krishti apo Muhameti?
Pyetje enciklopedike, të bësh një krahasim relativ të influencës së tyre është proces subjektiv. Zoti e di më mirë se përse ka zgjedhur t’i sjellë të dy mesazherët e tij, secili në pjesë të ndryshme, secili në kohë të ndryshme, secili i adhuruar e paragjykuar njëkohësisht. Në një perceptim të shpejtë Muhamedi qe themelues i një besimi të madh botëror e lider politik e ushtarak. Krishti themelues i Krishterimit, figurë qendrore e tij. Por sot influenca e tyre ndihet pak atje ku shtrihet pushteti i vërtetë (tokësor të kuptohemi).
17- Besëtytnitë: i njihni, i sundoni apo ju sundojnë?
Të paarsyeshme në ekzistencën e tyre, shkenca nuk ka mundur t’i sundojë. Unë rrekem t’i njoh, pranoj e jetoj me to. Në një mënyrë a tjetër janë tharm i përjetimit dhe komunikimit social.
18- Si do e përkufizonit Haxhi Qamilin?
Kopuk, finok, megjithëse analfabet, ngritur mbi bashkëfshatarët e pagdhendur, mishërim i mentalitetit tipik të kohës, shaka e historisë, ironi e sistemit komunist, krah i armatosur i injorancës, prodhim mediokër i çdo kohe.
19- A është Gjergj Kastrioti mishërimi i pragmatizmit dhe njëkohësisht indiferencës fetare të shqiptarëve?
Debati për Skënderbeun është ndezur kaq shumë sa çdo ashkël që mund të hedh unë në pak radhë mund të përfshijë edhe të tjera përcaktime në këtë zjarr të madh nga i cili nuk privojmë as heronjtë tanë. Për disa është shpikje e shqiptarëve në kohë të ndryshme në emër të kombit, mit në mbrojtje të Europës për të ankoruar shpresat te kjo e fundit për mbështetje në pavarësi, mit i krishterimit, huazuar nga nacionalistët, e kanë përdorur komunistë e fetarë. Në betejën për t’i vënë sfond mitik a historik, mënyra e gjykimit të tij  në kohë të ndryshme është mishërim i pragmatizmit dhe indiferencës fetare të shqiptarëve. Ai është marrë e rimarrë për të paqtuar interesat e veta çdo sistem, rrymë, përkatësi a individ pa u shqetësuar se me kalimin e shekujve, kohëve dhe epokave ai po zhvishet nga konteksti çdo herë, për t’i veshur fenomenit atë që shqiptarët dinë të bëjnë më mirë, harresën
20- ‘Mbahu nëno mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë’…premtim romantik apo përshkruese e rolit të Diasporës në jetën e Shqipërisë?
Patriotizëm folklorik për disa, ëndrra e diasporës së dikurshme tretur metropoleve amerikane për të tjerë, premtim i dilutuar me shumëfishimin e numrit te diasporës. Ekzistenca e saj para dhe gjatë komunizmit artikulohej në terma të tjerë nga ata që sot mishëron një grupim më i madh, por më pak i organizuar, madje i ndarë sipas orekseve politike në mëmëdhe.
21- Feja e shqiptarit është shqiptaria! A është një kredo e tejkaluar?
Nga koha e artikulimit të Pashko Vashës ka rrjedhur shumë lëng historik, nuk ka më pushtues perandorakë apo komunistë në pushtet. Por një soj rilindjeje mbi këtë katrahurë vlerash e bjerrjeje morali po e lusim të gjithë (të paktën publikisht). Droja që kam në shprehje të ngjashme është se kodoshët populistë përfitojnë nga situatat kaotike, të krizës së besimit e vlerave, për të rimarrë kredo të së shkuarës e për të përligjur kësisoj pushtetin e së nesërmes. A nuk po përmenden ca si shumë sulltanët e portat e larta?????
22- Për këtë diell! Për ideal të Partisë! Për nder të familjes! Për Shqipëri apo, për Zotin?
Për Zotin, nuk po di si të të gjegjem (qesh)!
23- Tradita dhe folklori shqiptar njohin pritën dhe jo duelin. Pse?
Vetëm ai shqiptar, thua? Për më tepër që nuk gjej bazë krahasimore të rasteve të shprehura në traditë e folklor për pritën kundrejt duelit. Prita është një formë zgjedhjeje për të realizuar hakmarrjen, që në kushtet e mungesës së një autoriteti të lartë ndëshkues të gjithëpranuar i lihet në dorë palëve të përfshira. Një formë ekzekutimi që shmang përballjen. Dueli është kalorësiak, më shumë ndër fisnikët apo aristokratët që e zgjodhën si formë përballje në mejdan, siç i thonë fjalës, fiton më i forti e jo ai i zënë në pusi. Të ndikuar nga kanunet, ligjet  zakonore,  folklori dhe tradita njohin këto parime dyluftimi. Tjetër gjë se çfarë kanë bërë shqiptarët në kohë të ndryshme për të mbijetuar, për të vënë nderin në vend, për t’i shpëtuar rrezikut, herë kanë zgjedhur befasinë e pusisë e herë përballjen në duel. Kjo nuk se ndryshon gjë në pasojë, qëllimi është ekzekutimi.
24- A është Kanuni libri më pak i lexuar dhe më shumë i interpretuar ndër shqiptarë?
Përçudnim me kosto të frikshme edhe në shek. XXI. Në vend që të ruhej si një relikte e rregullave të pashkruara që normuan sjelljen shoqërore në breza të tërë, si një trashëgimi kulturore për muze e aq, ai keqinterpretohet, keqpërdoret. Përmbledhja e ligjeve, rregullave, normave e zakoneve mbi nderin, mikpritjen, sjelljen e fisin dhe trashëgimi i tyre dëshmojnë urtinë e brezave, ndërsa fytyra e tij sot, përtej frëngjive të ngujimit dëshmon injorancën dhe paburrërinë e atyre që nuk njohin shtet dhe ligj.
25- A keni menduar ndonjëherë ‘ky vend nuk bëhet’?
Shpirti nuk kontrollohet nga gjeografia, por unë këtu kam prindërit, miqtë, punën, shtëpinë. Gjithsesi këto arsye nuk kanë mjaftuar të mos pëshpëris qoftë një herë të vetme ‘ky vend s’bëhet’. Por, qëkurse kam sjellë në jetë Amarisin, energjia është orientuar pozitivisht drejt idesë si ta bëjmë nga pak këtë vend. Kushdo që vendos të rrisë fëmijë në Shqipëri, i bën nga pak mirë vendit dhe vetes.
26- Kur dëgjoni ‘o sa mirë me qenë shqiptar!’ sikletoseni apo rrëqetheni?
Kam një ndërgjegjësim kozmik që shkon përtej flamurit: ‘o sa mirë me qenë njeri!’. Ta nisim nga parimet bazë, se tek e fundit vijmë në jetë pa të drejtë zgjedhjeje shqiptarë, gjermanë, britanikë…
27- Poet Kombëtar: Fishta apo Naimi? Pse?
Nuk di pse kjo zgjedhje e kufizuar, o njëri o tjetri. Që nga gjuha e përdorur, në gjallimin e mrekullueshëm të dialekteve, metaforave e figurave të tjera letrare, për atë pasuri të shprehuri, por edhe  dëshirë për të mos shterur lëngu i poezive të tyre, do t’i pagëzoja poetë kombëtarë, pa qenë shumë e sigurt nëse kemi të dy të njëjtin koncept për këtë përcaktim.
28- Ç’do të thotë për ju ‘e djathtë’ dhe a ekziston e djathta shqiptare?
E djathta shqiptare është ajo që ulet në krahun e djathte në Parlament (qesh). Ndërtuar prej dy dekadash, pluralizmi shqiptar ende nuk është vetëdijesuar për identitete të qarta politike. Qeveri të majta kanë aplikuar politika të djathta e vice versa në funksion të interesave të pushtetit. Nuk ia vlen të bëjmë teori për të djathtën dhe format e saj, por një raport i drejtë me periudhën e komunizmit, me pronën, iniciativën e lirë orientojnë disa prej qëndrimeve programore që do të ishin përcaktuese për votën majtas a djathtas të shqiptarëve. Modeli qeverisës është më shumë traditë e këtu merr vlerë ai 45-vjeçar që krijoi hendekun nga i cili ende nuk kemi bërë shkëputjen e plotë.
29- A shihni vazhdimësi të PPSH në PSSH?
Shoh gjurmë mentaliteti kudo, në çdo organizim të madh a të vogël, vullnetar a të detyruar, majtas e djathtas, në qendër e në ekstrem. ADN-ja jonë do ende breza për t’u shpëtuar aleleve dominantë e atyre të fshehur të asaj trashëgimie.
30- 1913, 1939, 1944, 1997…cilin do konsideronit ‘Vit të mbrapshtë’?
Vitin, kur pasojat erdhën kryekëput për fajin tonë.
31- Ka një alarm rreth ekzistencës së shtypit të shkruar. A do dhe si mund të mbijetojë?
Alarm i justifikuar që në vitet ’90, kur interneti nisi të përdorej. Por edhe kur lindi tv të gjithë menduan se radio mori fund, nuk ndodhi kështu. Kostot e medias on line janë jashtëzakonisht të ulëta, ato të prodhimit dhe shpërndarjes, konkurrenca në këtë pikë është nonsens. Teknologjia e ndërlidhja avancojnë shpejt, mundësia e rifreskimit të informacionit, shpejtësia e publikimit, mundësia për të kërkuar, interaktiviteti favorizojnë median on line. E megjithatë, asgjë nuk zhduket, siç ndodhi me radion. Përmbajtja do të mbetet arsyeja për të cilën shtypi do të konkurrojë. Dhe nëse ka një alarm thelbësor për të cilin mediat duhet të shqetësohen, ai nis te produkti dhe jo thjesht forma e shfaqjes së tij. Edhe për ca kohë, për shkak të aksesit të vështirë në internet, shqiptarët do të favorizojnë shtypin e shkruar, por a jemi të sigurt se ai blihet edhe tani gjithsesi???
32- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?
Mbi lindjen, misterin e ardhjes në jetë, krijimin. Ia kam bërë këtë pyetje Halim Kosovës e më ka rekomanduar Zotin.
33- Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur t’ju bëjnë?
Për çfarë ia vlen të jetosh? /MAPOONLINE/

Historia e Spitalit Ushtarak, nga ndërtimi deri në kapitullimin e Italisë

Spitali i Përgjithshëm Ushtarak (sot Spitali Ushtarak Qendror Universitar), një ndër përkujdesjet e para të Mbretërisë Shqiptare, u themelua dhe nisi rrugëtimin e tij prestigjioz në nivel kombëtar më 26 shtator 1929. Vlera e përgjithshme e investimit arrinte shifrën 548 894 88 franga ari, një tregues domethënës për kohën.  Themelimi i këtij Spitali lidhet ngushtë me emrin e madh të mjekësisë shqiptare, nënkolonel dr. Jani Basho, drejtori i parë i tij në vitet 1929–1935, njëherësh themelues i spitaleve qendrore të Shqipërisë: Spitalit Civil, sot spitali nr.1, dhe atij Ushtarak, sot spitali nr.2 (Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”). I madhi Jani Basho do t’i sillte nga zemra e Europës, pikërisht nga Vjena, projektet e këtyre spitaleve – vepra të arkitektit vjenez Kohler. Atje ai kishte kryer edhe studimet në fushën e mjekësisë, ku qe lauruar me medalje të artë si fitues i vendit të parë në Fakultetin e Mjekësisë te Universitetit te Vjenës dhe i cilësuar “Unicus Medicus Doktor” (mjek i veçantë).  Spitali i Përgjithshëm Ushtarak ishte mjaft i bukur dhe modern për kohën, funksionoi si i tillë deri më 1957, në harmoni dhe afër me Spitalin e Përgjithshëm Civil. Në vitin 1957 Spitali Ushtarak u transferua dhe u vendos aty ku është aktualisht, në Laprakë. Shumica e fotove të nxjerra nga Arkivi i Shtetit duket se janë realizuar nga instituti italian “Luce” gjatë pushtimit italian të Shqipërisë aty nga fundi i vitit 1940. Propaganda italiane e kohës ishte e interesuar që të pasqyrohej çdo hollësi e veprimeve luftarake që zhvilloi ushtria italiane brenda dhe tej kufijve shtetërorë të Shqipërisë në luftën italo-greke. Fotot përfshijnë ndërtimet tërësore, meremetimet, ndërtimin e kishës, barakave shtesë e deri hollësi nga pritja e të plagosurve në urgjencë, në sallën e operacionit, në pavijone, në kuzhinë, në park, në ceremoni zyrtare etj. Pushtimi italian e gjeti Spitalin Ushtarak në gjendje dhe me infrastrukturë shumë të mirë për kohën. Në këtë periudhë Spitali do të drejtohej nga Ismet Gega, nga Gjirokastra, mjek ushtarak me përvojë në mjekësinë ushtarake e civile pas shpalljes se Pavarësisë. Ai i pati kryer studimet e larta për mjekësi në Stamboll më 1905. Pati shërbyer si mjek ushtarak në garnizonet turke në Janinë e Delvinë deri më 1912. Pas shpalljes së Pavarësisë ai gjendet në Vlorë dhe caktohet drejtor i spitalit të parë të Vlorës. Më 1918 caktohet drejtor i Spitalit të Ushtrisë Kombëtare në Shkodër, ku shërbeu deri më 1923. Pastaj u caktua drejtor i spitalit të parë të Gjirokastrës. Më pas ai punoi si mjek bashkie në Vlorë deri 1932. Për merita të veçanta si drejtues u emërua drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak deri në vitin 1939, kur doli në lirim. Ai ishte një mjek i shquar dhe me ndjenja të larta atdhetare. Nuk u pajtua me uzurpimin e Spitalit Ushtarak nga italianët më 1939, dhe kjo qe dhe një nga arsyet e largimit. Vdiq në vitin 1955.  Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939 drejtimin e institucioneve, duke përfshirë edhe Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, e morën italianët. Mjekët shqiptarë nuk ishin në funksione drejtuese, por punonin së bashku me mjekët italianë. Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak në Tiranë u caktua nënkolonel (T.C.M.) Giovanni Cicco, nga Andria (Bari), Itali. Nënkoloneli italian ishte futur në shërbimin ushtarak vitin 1913. Ai shërbeu si drejtor i këtij spitali deri në kapitullimin e Italisë më 1943. Ai do të varej nga Drejtoria e Shëndetësisë e Forcave Ushtarake Italiane të Tiranës, ku drejtonin kolonel Rampi Pietro (drejtor), major Taddia Leo (higjenist), major Bonelli Michele dhe major Caliendo Gennaro. Në këtë drejtori nuk kishte asnjë shqiptar. Në Spitalin Ushtarak të Tiranës, nga 13 mjekë dhe 1 farmacist, vetëm tre ishin shqiptarë. Drejtor ishte nënkolonel Cicco Giovanni. Mjekë italianë ishin nënkolonel Virgillo Saverio, major Carrara, major Nicolo Adelmo, major Cali Domenico, major Borzelli Giovanni, major Lorenzini Giuseppe, major Lagna Donato, major Preite Mario, major De Laurenzi Vincenzo dhe kapiten Augi Guglielmo. Personeli shqiptar përbëhej nga major Selahedin Mborja, kapiten Sinan Imami dhe kapiten Xhevdet Asllani. Farmacist ishte kapiten Terranova Salvatore, italian. (Giornale di Medicina Militare, Anno XC-1942-XX faqe 18, 102).  Disa mjekë italianë pas kapitullimit u rreshtuan me forcat partizane, ndërsa disa prej tyre, si dr. Guglielmo Augi dhe kirurgu Lozi, punuan edhe pas çlirimit të vendit deri më 1946. Dr. Augi arriti të riatdhesohej në Itali, kurse kirurgu Lozi nuk mundi të riatdhesohej. Ai u pushkatua nga autoritetet komuniste të  Tiranës pas çlirimit. Sikurse është e njohur, Italia fashiste,menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë do të vijonte aventurën ushtarake me pushtimin e Greqisë. Sipas urdhrit të Musolinit, më 28 tetor 1940 tetë divizione italiane të përbërë prej 140 000 trupash do të sulmonin Greqinë në kushte tepër të rënda terreni e moti. Përzgjedhjet e gabuara strategjike e operacionale, nxitimi dhe keqpajisja e forcave italiane e rënduan akoma më shumë gjendjen. Për këto e të tjera arsye pala italiane pati rreth 14 000 të vrarë, 50 000 të plagosur, 25 000 të humbur dhe mbi 12 000 të tjerë të gjymtuar.  Fakti i njohur që populli dhe ushtarakët shqiptarë nuk u bënë pjesë në këtë aventurë italiane pati ndikimet e veta. Në këtë kuadër, mjekët shqiptarë të Spitalit Ushtarak do të dinin të bënin dallimin juridik midis pushtuesit të vendit me kërkesën për të ushtruar urdhrin human të profesionit të tyre. Numri i madh i të plagosurve nuk përballohej nga kapacitetet ekzistuese të Spitalit. Në këto kushte, siç shihet dhe në foto, janë ngritur baraka dhe çadra shtesë, të cilat janë vendosur në krah të Spitalit Ushtarak./METROPOLONLINE/

Thursday, July 12, 2012

Qeveria e Gjermanisë

Që nga viti 1949 Republika Federale e Gjermanisë ka qenë një federatë demokratike parlamentare e përbërë nga 16 shtete (Bundesländer), secili me ligjet e veta, parlamentin dhe qeverisjën. Autoriteti më i lartë shtetëror shtrihet tek federata. Përveç Bundestagut gjerman (Parlamentit Federal) edhe Bundesrat (Këshilli Federal) i delegatëve nga qeveritë e dërguara nga 16 shtetet gjithashtu marrin pjesë në procesin legjislativ në nivel federal. Ligji bazë përbën bazën ligjore dhe politike të qeverisë. Ajo lidh legjislacionin ndaj rendit kushtetues.
Rëndësia e veçantë i është bashkangjitur për të drejtat themelore të ankoruara në ligjin bazë. Gjermania mbështet paqën, demokracinë dhe të drejtat e njeriut si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe klimës në mbarë botën, në bashkëpunim me standardet evropiane dhe partnerët e saj transatlantike.
Bundesrat (Këshilli Fedaral)
[www.tatsachen-ueber-deutschland.de] Bundesrat është një nga pesë organet kushtetuese në Republikën Federale të Gjermanisë. është i përfshirë në procesin legjislativ dhe merr pjesë në vendimet federale dhe çështjet e BE-së. Numri i anëtarëve 69 përbëhet nga delegatët e shtetëve. Votat e çdo shteti mvaret për nga numri i banorëve. Çdo shtet duhet të votoj unanimisht. Zyra e presidentit të Bundesrat-it mbahet çdo vit nga ministri i çdo shteti
Bundestag (Parlamenti)
[www.tatsachen-ueber-deutschland.de] Me 27 shtator 2009 është zgjedhur Bundestagu Gjerman i 17-të . Parlamenti i ri është bërë nga 5 parti parlamentare me kualicione. CDU/CSU së bashku me FDP kanë formuar qeverinë. SDP është partia më e madhe opozitare me 146 ulëse.
Gjermania është anëtare e organizatave të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare.
Republika Federale e Gjermanisë është një shtet themelues anëtar i Bashkimit Evropian (BE) dhe ka qenë një anëtare e plotë e Kombeve të Bashkuara (OKB) që nga viti 1973.
Bundeswehr (forcat e armatosura) është e angazhuar në misionet e huaja që janë të mandatuar nga OKB-ja dhe i kryer nga NATO dhe BE.
Kushtetuta e 23 Maj 1949 e njohur si ligji themelor behet kushtetuta e gjermanisë me 3 tetor 1990 gjatë ribashkimit të Gjermanisë dhe kjo mirret zyrtarisht si dita kombëtare e shtetit (dita e pavarsisë).
Udhëheqësit:
President: Joachim Gauck (prej 18 mars 2012 duke zëvendsuar Christian Wulff nga dorëheqja)
Presidenti zgjidhet për një mandat pesë vjeqar (ka të drejtë për një mandat të dytë). Presidentin e zgjedh Konventa Federale e cila përbehet nga antarët e Bundestagut dhe nga një numër i njëjtë i antarëve të zgjedhur nga parlamentet e 16 shteteve.
Udhëheqëse e qeverisë apo Kancelarja: Angela Merkel (prej 22 nëntor 2005).
Kancelarin e propozon partia e cila fiton më së shumti vota gjatë zgjedhjeve dhe pastaj kancelari ka të drejtë të zgjedh vetë ministrat. Kancelari ka autoritetin më të lartë politik.
Zakonisht në Gjermani asnjë parti nuk fiton shumicën absolute të votave prandaj bëhen edhe koalicione dhe në këtë rast kemi koalicionin CDU/CSU ku kancelarja vjen nga CDU-ja.

Tuesday, July 10, 2012

“Tulipani i Koresë” gërshetim i guximshëm kulturash

 

Disa mendime per romani e porsa botuar te shkrimtarit KRISTAQ TURTULLI

Nga Prof Fatmir Terziu

Romani : “Tulipani I Korese” do jete nderi  dhe bukuria e bibliotekave tona

Jemi te informuar per vepren voluminoze te kolegut tone  Kristaq Turtulli. . Me eshte dhene rasti dhe e kam lexuar doreshkrimin e ketij libri, i cili pritet te shenoje nje kulm jo vetem ne krijimtarine e ketij autorit. Ky liber eshte konceptuar si trilogji, pjesa e pare e te ciles eshte “Syri i Rites”  Publiku ka dijeni per ‘te. Tani shkrimtari Kristaq Turtulli po na paraqit me pjesen e dyte te kesaj trilogjije:” Tulipani I Korese”. I uroj librit rruge te mbare tek lexuesi. Jam i sigurt qe ky roman do mirepritet. Do te jete nderi dhe bukuria e bibliotekave tona. Do te sjelle nje galeri te pasur personazhesh midis nesh e do te bashkebisedojme me ta.

           “Tulipani i Korese”  ngerthen nje teater shume te gjere veprimesh, nga Shqiperia e deri ne Kore pra, ne Euroazi  nga pikpamja gjeografike, ne komunizem nga pikpamja e sistemit politik, ne varferi nga pikpamja e nivelit ekonomik, ne diktature nga pikpamja e qeverisjes, ne pesekutim nga pikpamja e lirive dhe e te drejtave te njeriut. Autori ka modeluar nje skeme te kombinuar linjash, mjedisesh, personazhesh, pkepamjesh filosofike per te zbuluar plaget e agravuara te shoqerise e popujve te ketyre dy vendeve, fatin tragjikisht te paracaktuar te personave vepronjes ne roman, i cili nuk ishte aspak me i mire nga populli punonjes, pa ekonomi e pa liri e te drejta. Eshte renqethes realiteti i projektuar e i realizuar ne keto vende simbas tezes sunduese te krijimit te njeriut te ri , i cili rezulton i gjymtuar, i shplare menderish, i sakatosur fizikisht, i denatyruar moralisht; ai eshte i koruptuar ne te gjithe treguesit humane. Mendoj se Kristaqit do t’i jete dashur te kerkoje, te lexoje e te mesoje shume per te siguruar nje material qe do te jete i mjaftueshem per te ndertuar gjithe ato skena, per te pershkruar gjithe ato mjedise aqe te larmishme e me kontraste te medha. Si nje tipologji aziatike, konfucizmi sikur komandon semaforet nga duhet te kalohet per te ngritur kete veper madhore. Si duket, do jene predispozitat jo vetem realiste por edhe romantike te penes se Kristaqit qe e kane bere te mundur linjen e idilit dashuror te Vironit me koreanken e bukur dhe pikerenen Maey Lee.  Vironi, personazhi kryesor, vetem me dy njerez mund te komunikoje ne ate ambient te kallkanosur: me nje shok bashkekombas e me nje bashkestudent nga Kuba. Idili me Maey Lee funksionon nen nje persekutim te jashtezakonshem, nen terrorizimin e paimagjinueshem nga njeriu shume i afert i saj. Shtepia thuajse e braktisur e koreankes se bukur, e studentes se shkelqyer, e valltares artiste, gjyshja shume plake, motra e mitur, dy prinderit e izoluar ne Kine si shkencetare ne uzinat berthamore prej tete a nente vjetesh, behen gjerat dhe njerzit me te adhuruar te djaloshit shqiptar. Pervec ketyre studenti yne atje vuan fatin e mundimshem te shokut bashkekombas me te cilin bejne eksperimente ne spital. Pena e Shkrimtarit sikur e ka klonuar figuren e nje femre ne fakultet, sekretare e partise. Ne ate person nuk ka nerva, nuk ka ndijime, nuk di te qaje sepse as nuk qesh. Ajo eshte e ngrire por ben gjithshka te keqe. Ajo eshte e mpite por mund ti jape vlage cdo intrige. Ajo s’mer fryme por mund t’i mbyse te gjithe. 

      Ky liber sjell modele pershkrimesh, monologesh, sjell vargje sinonimesh dhe epitetesh per te pershkruar, vizatuar apo tipizuar skena, rrethana, dukuri, vecori, personazhe, mjedise si skena e pazarit me shitesin e peshkut, qei binin per toke e, pa u druar fare, i vinte rishtaz ne peshore. Pra, dua te theksoj ketu prirjen e autorit per te punuar shume me gjuhen, me fjalorin, me shprehjet frazeologjike, duke kerkuar cdo fjale te mundeshme per cdo detaj, fare te imet.  Autori jo vetem i krijon, i vizaton personazhet por edhe mban qendrimet e veta emocionale ndaj tyre. Ai eshte shume i preokupuar, i pozicionuar qarte, me pikesynime per te krijuar tipa, prototipa, personazhe-heronj, tek mjaft prej tyre ngjiz personahet e te ardhmes.

       Libri vazhdon me vellimin e trete, i cili ndoshta eshte ravijezuar dhe ky do na jape tablone e plote dhe fatin e personazheve por mos qofshin si fati i Maey Lee me internim ne orizore, ne situata cnjerezore.    

 Ligori Prifti redaktor i librit


“Tulipani i Koresë” gërshetim i guximshëm kulturash

Fatmir Terziu


Trilogjia “Hidhësia e Puthjes”, të cilën shkrimtari Kristaq Turtulli e vendos në pjesën e dytë të prozës së tij nën këtë tematikë, ose më saktë romani “Tulipani i Koresë” është vazhda e gjatë kërkimore që ka bërë shkrimtari për të prurë për herë të parë në vëmendjen tonë ngjarje, të cilat janë dhe mbeten ende mister dhe utopi. E largëta e trajtuar në spektrin e utopisë fiktive në roman, mbetet një distancë, sa për vetë të largtën, aq edhe për vetë distancën që krijon në të hapësira, vendi dhe koha. Është një ‘largësi’ që më së shumti pikëtakon memorje të fragmentuara, por edhe detaje të superizoluara, për fakte, fate, frymëmarrje, apo edhe dihatje frymëmarësish nën diktaturë, se sa aspekte që lidhin e stërlidhin këto fate dhe fakte të pasqyrta në një kënd me të cilin Lakani do të na shpinte ndoshta më afër tek kumti i ‘pasqyrave’, pak më larg ndoshta ‘pasqyrave të Afërditës’, jo për të lexuar vetëm të pathënën, por për të lakonizuar të shkuarën për të sotmen, e për të kanonizuar atë për të ardhmen. Ky kanonizim ‘pasqyrues’ vjen mes një gjuhe tipike, mes asaj në fakt që vetë kjo gjuhë tipike prodhohet si metaforë në të gjitha gjuhët, si një kod me të cilin nuk komunikojnë vetëm fjalët por edhe tërë mimikëria e fytyrës dhe e trupit. Kështu ngjan në fakt në mjaft raste, por më e ndihshme është në këtë rast kjo gjuhë në komunikimin në vend tjetër. Shkrimtari këtë ‘pasqyrëzim’ e shfaq në gojën e heshtur të protagonistëve dhe dikton për lexuesin mirëkuptimin e thellë e të qetë të saj edhe kur ajo vjen nga e shara: “e shara ka një kod të vetëm, të njëjtë, paçka se thuhet në të gjitha gjuhët e botës.” Kjo ndodh edhe për vetë faktin që shkrimtari dikton në morinë e germave të gjuhës së tjetrit si një përmbushje të ardhur nga ‘zvaranikët e germave’. Mes kësaj asfiksie fiktive, pasqyrimi vjen mes të turbulltës si një kthjelltësi për të parashtruar vetë ‘pasqyrimin’ e gjërave që lidhen me fatin e njeriut në roman.

E turbullta si kthjelltësi në pasqyrim

Romani më i ri i shkrimtarit Kristaq Turtulli, “Tulipani i Koresë” na shpie në atë ‘pjesë të largët të botës’ për të cilën përfytyrimi ‘është i turbullt’. Në këtë udhëtim mes turbullsisë së kësaj bote që në fillim dialogu perceptues i emrave të tillë si Vironi Delishurdhi e Mirili, që gatuajnë herë monologun dhe herë dialogun për lexuesin, mbesin analogjia e një pranie jetike, ku zjarri është mjeti që intrigon tërë prezencën dhe gjendjen e njeriut për të cilin kjo ‘turbullsi’ është një grimë. Kjo ‘turbullsi’ është pikërisht ajo grimë mes së cilës kalon fati i studentit Vironi, përpos një arsyeje e përpos ‘drithmave’ që fitohen nga shfaqja e emrit në listën e studentëve që do të studionin jashtë shtetit, pikërisht aty ku zakonisht liheshin gjurmë në qelq. Dhe jo shumëkush e kishte në atë kohë fatin e këtij ‘qelqi’. Sidoqoftë, teksa ‘emrat në qelq’ ishin edhe përzgjedhje, edhe emocion, Turtulli ndjehet në kapjen e të ftohtës së këtij emocioni, që pikërisht e qelqta të difuzojë më tej turbullinë e shfaqur që në hyrje në bisedën prindërore me të birin. E qelqta e emrit të tij si fabulë shënohet pikërisht në atë listë, por edhe në fatin e tij për të studiuar në Korenë e Veriut. Por, kjo e qelqtë shfaqet akoma më e ndjeshme teksa prekja në shpatull e shokut të klasës së Vironit, Bardhi Spahiut, sqaron të ftohtën e saj. Ishte e ftohta që vinte nga skutëria e zyrave që varnin jo vetëm thjesht emra listash, por rivarnin fate njerëzish. E qelqta e ftohtësisë për Bardhi Spahiun ishte diku larg, por e ftohta dhe e acarta e saj vinte mes pëshpërtitjeve të pashuara për xhaxhain e tij të arratisur.

Sakaq romani na ka udhëtuar ndjeshëm në mizinskenën e tij. Na lidh më tej me emra të tjerë si Marina, që percepton për ‘shkollarët e shkollës së lartë’, na lidh dhe na zgjidh edhe ‘fatin’ e vetëvarjes së Bardhit, që mbeti një acar mbi acarët e një jete nën zaptimë. Por na çorodit edhe atë mori përhamendjesh rreth ikjes së Vironit në vendin e largët. Në këtë mes është nënë Vera ajo që perceptohet më dinamike. Kështu i biri i një këngëtari të një grupi që kishte emër dhe me këngë të pëlqyera nga mjaft të tjerë, ishte në një rrugë tashmë të hapur. Mes kësaj rruge të largët për Vironin, nis edhe alarmimi për dhimbjet e nënës, koncertin e Mirilit dhe më tej me tërë ato pritje për shëndetin e saj. Sakaq pas mjaft ditësh Vironi nuk ishte më ai punonjës i ofiçinës…, ai ishte në rrugën e tij me të cilën Turtulli e bën më të prekshme në thënien e Konfucit: “Nuk ka rëndësi se sa ngadalë shkoni, rëndësi ka të mos ndaloni...”. Dhe në këtë udhëtim drejt Koresë së Veriut është avioni një arsye në perceptimin e studentit, por është edhe ajo mori njerëzish që nga lartësia në zbritje e sipër i ngjajnë si kukulla. Ajo pamje pas udhëtimit dhe shfaqja e punonjëses së Ambasadës, me përshkrimin tipik dhe emri i saj Dorina Sulçe, kuadratohen në atë pakprekje të gishtave në takimin e parë. Ndoshta është edhe jolinearja e gjërave që ndërrojnë gjeografi, ajo pasqyrë e autorit për të rikthyer fate njerëzish si Nasi Xela që janë produkt i faktorëve ‘agjitacion e propagandë’ dhe i prangave të katilit Bëzi Kule. Më tej pjesa e romanit është vetë elementi prozaik që udhëton mes elementëve të shumtë për të dhënë fabulën e tij.

Dhuna, elementi mes ‘turbulltisë’ dhe ‘dëshpërimit’

Shfaqja e premisave tipike në roman, emërzimi i njerëzve protagonsitë në kulturën dhe identitetin e tjetrit, natyrshëm janë vetë kurreshtja që prodhojnë dhunë në memorjen e lexuesit. Emra të tillë si Xin Hua, që lidhen me fate të trysnuar nën lidhje anatemike të ‘përbindëshit’ Lymn Walsh dhe gruas ‘së marë në mbrojtje’ natyrshëm janë vetë agonia e citimit të Budës se “dhuna është fryt i dëshirës…”. Xin Hua, ajo femër e bukur, e përshkruar nga autori si një model në vëzhgimin e lexuesit, është vetë perceptimi i dhunës që krijohet si element mes ‘turbulltisë’ dhe ‘dëshpërimit’. Këto faktorë shfaqen në kornizën e leximit të mëtejshëm të Haeji Koo, por edhe në dialogun e krijuar mes studentëve për të saktësuar atë lidhje mes thënieve të Çurçillit për Leninin se “lindja e rusit Lenin ishte kobsjellëse, por vdekja e bolshevikut Lenin ishte shumë më tronditëse’. Këto lidhje që duken disi e turbullta e romanit, janë kapërcime mes dëshpërimit për të lexuar historinë në fragmentizëm mes vetë ‘dëshpërimit’.  

Dëshpërimi në faqe të tëra të romanit pikëtakohet më pas nën kulme e kulminacione të rrënqethura fatesh, që përmblidhen mes dhjetra e dhjetra emrave të lëvizshëm. Kulmi është vetë thënia e Konfucit të cilën Turtulli e citon “përpara se të marrësh rrugën e hakmarrjes gërmo dy varre…”.

Dhe aty nga fundi është ‘përsëri pa titull’ ku Konfuci na vjen në ndihmë: “të shikosh çfarë është e drejtë dhe të mos e bësh atë, është mungesë guximi dhe parimesh…”. por ndërsa avioni hyn mes reve pulpëlore të bardha është rishfaqja e vegimit të Vironit dhe fluturës May Lee që vallëzonte në një fushë të bukur me tulipanë… Romani ka nisur një udhë të guximshme, të cilën shkrimtari, do ta riemocionojë për lexuesit në pjesën e tij të tretë. Le të presim katin e tretë të kësaj ‘ndërtese letraro-artistike’ tipike.

Prof .Fatmir Terziu

Sunday, July 1, 2012

Po Dom Nikollë Kaçorrin, zotërinj?

Alfred Lela
Komiteti shtetëror për 100-vjetorin e Pavarësisë, në një mbledhje të para dy ditëve (me dyer të hapura) ka piketuar në hartën e qendrës së kryeqytetit vendet ku do të ngrihen një radhë monumentesh, të cilat do të shënojnë shekullin e mëvetësisë së shqiptarëve. Monumenti i Pavarësisë do të vendoset në Parkun Rinia, diku në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Shtatorja e Mbretit Zog, diku në krye të Bulevardit që mban të njëjtin emër. Shtatorja e Hasan Prishtinës, në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit. Shtatorja e Ismail bej Vlorës, pas një rishikimi të kërkuar nga Komiteti, do të vendoset në lulishten ku kryqëzohet Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”. Veç këtyre, kryeministri Berisha që kryeson Komitetin e 100- vjetorit, kërkoi edhe nderimin e figurave të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit dhe Bahri Omarit.
Fakti se qeveria ka vendosur të nderojë aktorë të dorës së parë të historisë së Shqipërisë, është në kohën dhe vendin e duhur.Poashtu, fakti që emrat janë disa e jo një luzmë pa krye e fund, është në fund të fundit një shenjë e mirë, gjithashtu. Nuk do të duhej asesi që procesioni tashmë qesharak i dekorimeve të bëhej huq edhe te monumentet e shtatoret. Cilësia, ndër të tjera, nderohet e çmohet pikërisht pse nuk është sasi. Por në këtë përkorë të Komitetit nuk mund të mos shkëlqente me mungesën një emër monumental, për të cilin me sa duket, megjithatë jemi ende në kohë, nuk ka vend në listën e etërve themelues. Është fjala për Dom Nikollë Kaçorrin, ipeshkvin katolik të Durrësit, zv/kryeministrin e qeverisë së parë, si dhe një prej firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë.
Nëse cilësinë e përcaktojmë edhe me anë të krahasimeve, mund të thuhet pa ngërç se Nikollë Kaçorri i rri fare mirë rendit të parë të burrave të mëdhenj ku qeveria ka futur Mbretin Zog, Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Ai, pa ndonjë zoritje, edhe simbolikisht, edhe kulturalisht, pozicionohet më afër Panteonit Shqiptar, nëse do të imagjinonim një të tillë, sesa tri propozimet e tjera, megjithë respektin për ta, përkatësisht: Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari dhe Bahri Omari. Ndoshta Kryeministri, ashtu si për monumentin e Kongresit të Lushnjës, i cili është propozuar të vendoset në qytetin ku u zhvillua takimi, ka ndërmend shtatore lokale për Kupin, Bajraktarin e Omarin. Imzot Kaçorri m’anë tjetër, e meriton shtatoren e tij në kryeqytet, dhe kjo për disa arsye. Ai përfaqëson atë kulturë oksidentale prej së cilës, në 45 nga 100 vite pavarësi, ne u ndamë përdhunshëm nga regjimi komunist. Gjithashtu, përfaqëson komunitetin e martirizuar të klerit katolik. Në fund, por jo më pak të rëndësishme, kryeministri Berisha duhet të gjejë dy pika përkitjeje me Imzot Kaçorrin. Nëse prifti katolik është firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, z. Berisha është firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike, të parës forcë antikomuniste në vend dhe, padyshim, një nga ngjarjet kulmore që shenjojnë harkun e triumfeve përgjatë 100 vjetëve të Shqipërisë së mëvetëshme. Përveçse firmëtarë, ata janë edhe kolegë: njëri zv/kryeministër dhe tjetri kryeministër në kabinetet që kanë qeverisur këtë vend.
Për të mos thënë atë tjetrën, se, si potencë kulturore dhe idealiste, burra si Dom Nikollë Kaçorri i gjen vetëm te kisha (në kuptimin që janë ndër varre, për të shmangur çdo keqkuptim).
Një borxh gjithashtu ia kemi ne të Republikës së Re, Tenzotit të Republikës së Parë. Eshtrat ia sollëm prej jashtë, por jo me dinjitetin e merituar. Ajo karroca rakitike në aeroportin e Rinasit që tërhiqte çantën e zezë e të përzishme me eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit do të qe mirë, si shenjë e shëndoshjes sonë qytetare e patriotike, të shndërrohej në pedanë, mbi të cilën do të ngrihej shtatorja e numrit dy të Qeverisë së parë.

Ilir Meta: Tregoj prapaskenat e zgjedhjes së Presidentit

Kreu i LSI: Më afër ishim me emrin e Zaganjorit.
“Nëse s’do kishte konsensus më 26 korrik, do mbaheshin zgjedhje”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, rrëfen procesin e zgjedhjes së Presidentit duke thënë se nëse nuk do të kishte konsensus më 26 korrik, do të zhvilloheshin zgjedhjet.
Duke folur në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në Vizion Plus, ai tha se më afër konsensusit palët ishin në rastin e zgjedhjes së Xhezair Zaganjorit.
A është e mundur çështja e zgjedhjes së Presidentit nga populli? Si mund të realizohet?
Ne mendojmë se eksperiencat e tri rasteve, të vitit 2002, vitit 2007 dhe aktualisht, kur Kushtetuta kërkonte një konsensus me 84 vota, ndërsa tani lejon që të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë dhe kur përsëri dëgjojmë që është apo jo Presidenti përfaqësues i popullit, e vetmja rrugë që kjo çështje të marrë zgjidhje përfundimtare, por edhe e vetmja mënyrë për të pasur një transparencë totale, është që Presidenti të zgjidhet nga populli. Secili që ka një ambicie për të shërbyer në postin e rëndësishëm të Presidentit të Republikës, të ballafaqohet me qytetarët, pa ndryshuar kompetencat apo në thelb sistemin politik që kemi.
Z. Arvizu deklaroi pak ditë më parë se kanë qenë tre persona që kanë vendosur për Presidentin. Ka qenë kjo një nga vërejtjet që ju kanë bërë të reflektoni me këtë propozim?
Unë jam krenar për këtë. Nuk ka asnjë shqetësim për këtë çështje, ashtu sikurse Presidenti i zgjedhur u vlerësua më shumë të drejtë edhe nga z. Reeker, si një mik i SHBA-ve. Ky është një vlerësim që edhe ambasadori Arvizu ma ka shprehur kohë më përpara për z. Nishani. Është një vlerësim që e kam gjetur te shumë aktorë vendas, por edhe ndërkombëtarë. Mendoj që z. Nishani është simbol i korrektesës institucionale dhe absolutisht zgjedhja e tij, pavarësisht se erdhi pas zhvillimeve të papritura, është një zgjedhje absolutisht legjitime.
Ka pasur një mendim që vjen nga afër opozitës dhe zotit Rama, në bazë të të cilit, maxhoranca dhe roli i LSI-së në tri raundet e para të zgjedhjes së zotit Zganjori nuk ka qenë shumë i sinqertë për arritjen e një konsensusi. Cili është komenti juaj?
Duhet të kemi në konsideratë që në momentin që doli emri i zotit Zaganjori, emri i tij doli nga përfaqësuesit e partive të maxhorancës, në orën nëntë të mbrëmjes, ku në orën nëntë të ditës së nesërme, Komisioni parlamentar përkatës duhet të bënte regjistrimin e kandidatëve. Nuk ishte luksi në drejtim të kohës për të hyrë në negociata pa fund. Ne kemi ardhur tek emri i z. Zaganjori me dëshirën për një mundësi të artë për konsensus. Ky ishte i vetmi qëllim.
Si do t’u përgjigjeni zërave politikë ndaj jush, të cilat thonë se gjatë procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ju keni bërë një lojë politike brenda maxhorancës, më pranë grupit të z. Basha për të mos zgjedhur zonjën Topalli si presidente. Ka ndonjë të vërtetë?
Nuk ka asnjë marrëveshje, as me z. Basha, as me znj. Topalli. Ka një marrëveshje me kryetarin e Partisë Demokratike, z. Berisha, dhe i kam qëndruar në të gjitha marrëveshjet në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar më të. Gjithçka është një aludim. Janë insinuata, janë hamendësime, por jemi në demokraci dhe ne i pranojmë dhe i respektojmë të gjitha këto. Absolutisht për ne çdo kandidaturë që do të ishte e pranueshme nga të dyja palët, qoftë znj. Topalli, qoftë z. Bode, qoftë z. Ruçi, në rast se pranoheshin, për ne nuk ka asnjë problem, qoftë dhe z. Nano. Pra, LSI ka pasur vetëm një kriter orientimi në këtë proces, të jetë një proces konstruktiv, të kemi dialog, të kemi negociata, të kemi konsensus. Në rast se ne do të kishim atë shkallë civilizimi që do të pranonim një figurë politike të palës tjetër, le të themi absolutisht kjo do të ishte gjëja më e mirë. Sepse sa më shumë të ketë Presidenti, aq më mirë është, mendoj unë. Vendi mund të kalojë situata të vështira dhe natyrisht, figura e Presidentit duhet të jetë e mësuar me situata të tilla që të ruajë qetësinë dhe të japë një mesazh të ekuilibruar atëherë kur të tjerët i kanë gjakrat e nxehtë.
Sa pranë zgjedhjeve të parakohshme ishim?
Absolutisht që në rast se nuk do të zgjidhej Presidenti, do të kishim kaluar në zgjedhje. Kushtetuta ishte e prerë. Më 26 korrik do të shkonim në zgjedhje.
Përveç negociatave që dihen, a ka qenë një moment i caktuar në dy takimet me zotin Rama, ose edhe jashtë këtyre takimeve, që keni qenë me afër se kurrë për një konsensus?
Mendoj se arritja e një konsensusi maksimal ka qenë rasti i zotit Zaganjori, sepse mendoj se të dyja palët, këtu kam parasysh zotin Berisha, por dhe zotin Rama, do ta kishin të vështirë të pranonin një figurë politike të njërës palë, kushdo qoftë, pavarësisht nga respekti apo nga konsiderata që mund të kishin, pavarësisht nga respekti që zoti Rama ka për zotin Nishani, pavarësisht nga respekti që zoti Berisha ka për zotin Mejdani, apo zotin Nano, e kështu me radhë. Por, do të ishte e vështirë nga njëra palë pranimi i njërës palë i një kandidati politik të palës tjetër. Politika jonë ende nuk e ka arritur këtë stad për të arritur në këto zgjedhje, kur këto nuk i imponon Kushtetuta.
Meqë thatë që kishte më pak shanse për kandidatët politikë, zoti Nano ka pasur zero shanse?
Për të qenë i sinqertë, shanset e tij nuk kanë qenë të larta. Unë këtë e kam thënë dhe në takimin e zhvilluar me të kur ai paraqiti idetë e tij për arsye sepse përpjekja për të gjetur një President konsensual, sipas vlerësimit tim, e bënin të vështirë që zoti Nano të pranohej nga PD, nga zoti Berisha, pavarësisht nga deklaratat e vlerësimet e tij për figurën e zotit Nano, pasi në fund të fundit ka qenë rival historik i tij.
Zoti Majko ka shprehur rezerva për takimin tuaj me Ramën te Gjiri i Lalzit…
Mbrëmë unë kam ndjekur Super Marion, ju paskeni ndjekur Super Majkon. Nuk besoj se duhet të mërziten një politikan se dy politikanë takohen, pavarësisht se në kë shtëpi dhe në çfarë rrethanash.
Majko pyet nëse Rama shkoi te Meta për të kërkuar falje për ndonjë gjë, apo se ishte fiksuar për t’u bërë Kryeministër? Ka ndonjë të vërtetë?
Nuk arrij t’i kuptoj këto pyetje. Dy golat e Balotelit dje merituan të gjithë vëmendjen time.
Z. Meta, pse u bënë tani lëvizjet në qeveri dhe pse pikërisht këto lëvizje?
Besoj se i kam konsumuar disa prej arsyeve se pse. Është një riorganizim kapacitetesh, forcash në të gjitha frontet e LSI-së, qeverisja, Parlamenti e partia, dhe besoj se janë lëvizje të gjetura dhe do të hapin rezultatin e tyre.
Lefter Koka votoi kundër shkarkimit të Naços. Ju duhet ta zbërtheni këtë mesazh politik sot?
Unë e shoh si një reagim emocional ndaj meje, sepse Lefteri është tifoz i vendosur i gjermanëve, dhe unë i kisha thënë vazhdimisht që sot do të fitojnë italianët. Nuk shikoj ndonjë arsye tjetër.
Si ju duket Lëvizja e Nanos?
Çdo lëvizje e re është e mirëpritur, është pozitive. Politika ka nevojë për iniciativa të reja. E rëndësishme është që ato të jenë pozitive dhe t’u shërbejë proceseve integruese të vendit.
Është rikthyer Nano në politikë pas kësaj?
Nuk mund të bëj dot një vlerësim të plotë, por natyrisht që ai ka qenë aktiv kohët e fundit.
Keni filluar të mendoni për koalicionin e ardhshëm?
Jemi ende tepër herët.
E përjashtoni në mënyrë kategorike mundësinë që të keni një koalicion me PS në 2013-n?
Nuk më duket e natyrshme për të gjitha zhvillimet e deritanishme, por e theksoj se interesi i LSI-së është të respektojë këtë marrëveshje dhe natyrisht të bëj një bilanc të saj në kohën e duhur.

Friday, June 29, 2012

Pse nuk ftuam akademik Qosen? Kosova nuk reagoi

I dredhon vazhdimisht pyetjes "Pse nuk e ftuan Akademik Qosen". Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, nuk tregon emrat e atyre që vendosën, as kriteret. Ndërdhëmbi padashur që kriteri është "moral"...! Se çdo të thotë që kriteri i ftesës për 100-vjetorin "do të jetë edhe moral", është vështirë ta kuptosh...! "Ata që kanë bërë listën kanë qenë një grup historianësh", justifikohet. Po grupin e historianëve që kanë bërë listën, kush e drejton? Kujt do t'i interesonte që më 26 nëntor të këtij viti, Akademia e Shkencave ta kremtonte 100-vjetorin e Pavarësisë, pa praninë e Akademik Rexhep Qoses?! Kjo mbetet ende enigmë. Gjysma e pjesëmarrësve dje në konferencën konferencën "Shqipja dhe gjuhët ballkanike", thoshin se nuk dinin gjë. Gjuhëtarët thoshin s'jemi historianë, nënkryetari i ASHSH-së, Myzafer Korkuti thotë se jam arkeolog. Profesor Seit Mancaku që është gjuhëtar vetëm tha "Mos më pyesni mua. Ka një kryetar akademie. Ka një institucion më të lartë që vendos për ftesat...!" dhe nuk foli më tepër. Të tjerët, iknin të frikësuar, pavarësisht insistimit të gazetarit. Kryetari i Akademisë së Kosovës, Ivzi Sulejmani të lë të kuptosh se nuk ka lëvizur as gishtin më të vogël për ta propozuar si palë përfaqësuese për Kosovën Akademik Rexhep Qosen. "Historianët e bëjnë këtë punë. Ata mendojnë nëse duhet ftuar Rexhep Qosja, ose nëse duhet ftuar Kristo Frashëri, apo dikush tjetër. Nuk di gjë më tepër.", tha. Ndërsa janë ftuar personalitet nga trevat mbarëshqiptare, si Ismail Kadare, Arbën Xhaferri, Kristo Frashëri, Françesko Altimari, Mihal Shmit nga Gjermania, deri edhe arbëreshë të Italisë e arvanitas të Greqisë, nuk e beson më njeri që emrat nuk janë propozuar nga kryetarët përkatës të akademive Shqipëri-Kosovë. Cili grup historianësh dhe për cilën arsye "morale" do ta linte jashtë listës akademikun e shquar, patriotin dhe rilindësin e kulturës kosovare Rexhep Qosen?!

Zoti kryetar, akademik Rexhep Qosja nuk është ftuar për 100-vjetorin e pavarësisë. Në media u publikuan lajme se për refuzimin e ftesës ka ndikuar kryeministri Berisha. Cili është reagimi juaj?
-Ajo është një konferencë me pjesëmarrje jo të madhe, me spektër të shekullizuar dhe prandaj e quajtëm jubilar që të ketë cilësi, për të thënë të vërtetën historike. Kam dëgjuar që qarkullojnë zëra. Ka lloj-lloj interpretimesh nga ato që thoni ju. Kur janë listuar pjesëmarrësit nuk është përmendur fare emri i akademikut Rexhep Qosja, siç nuk është përmendur emri i akademikut Mark Krasniqi nga Kosova. Pra ka edhe akademikë të tjerë që janë të barasvlershëm, por që nuk janë ftuar. Nuk ka absolutisht asnjë lidhje me atë që është nxjerr emri në listë dhe është kundërshtuar. Emri nuk u vendos asnjëherë në listë. Ky komision nuk e pa të arsyeshme, kaq. Dhe emra që përmenda dhe nuk janë në listë janë të rëndësishëm në Akademinë e Shkencave të Kosovës.

Cilët janë ata që vendosin përveç jush për pjesëmarrje të tilla?
-Unë mund të them vetëm kaq se janë një grup historianësh, të cilët u mblodhën dhe vendosën që me rastin e 100-vjetorit të pasqyrohej një konferencë jubilare. Kështu e kanë quajtur ata. Aty u diskutua se çfarë do të bëhej, u fol për platformën dhe gjeografinë e pjesëmarrjes dhe emrat që u ftuan aty janë nga Maqedonia nga Kosova, nga Italia, etj.

Dhe nuk e meritonte Akademik Rexhep Qosja të përfaqësonte Kosovën?
- Është ftuar kryetari aktual i Akademisë sw Shkencave Hivzi Sulejmani,nga Maqedonia është ftuar Arbën Xhaferi... Janë ftuar edhe të tjerë sipas referencave që do të kenë dhe çështjes. Ka emra që kanë kontribuuar dhe sipas këtij grupi pune është bërë edhe kjo përzgjedhje.

Ka një paqartësi zoti kryetar, cili është kriteri themelor i ftesës?
-Kriteri mund të jetë edhe një…ë, ë, domethënë edhe moral, që diku ka kontribuar në shkencë në akademi, qoftë edhe në Maqedoni, qoftë edhe në Amerikë. Në listë janë edhe njerëz të cilët mund të kenë kontribuar për arsimin e lartë, që s'kanë të bëjë fare me akademinë, por janë përfshirë si kontribuues. Ne do të kemi mundësi të ftojmë më shumë njerëz, ne duhet ta organizojmë ashtu siç e meriton këtë ngjarje.

A nuk e meritonte Akademik Rexhep Qosja edhe një ftesë simbolike si figurë e njohur për kontributin e gjatë dhe përpjekjet e tij për pavarësinë e Kosovës?
-Edhe në lidhje me kumtesat ne kemi marrë vendime dhe në atë listë që kemi bërë ne kemi kontaktuar me akademikë të tjerë, kemi kontaktuar edhe me Ismail Kadarenë që ka rënë dakord për vendimet që kemi marrë. Pra, kur të kemi një listë tjetër me të ftuar ne mund të kemi edhe Rexhep Qosen edhe të tjerë.

Zoti Gudar, keni kontaktuar ndonjëherë ju vetë me Rexhep Qosen për të diskutuar për historinë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe parapërgatitore të 100-vjetorit?
-Unë e kam takuar Rexhep Qosen shumë vite më parë, kur unë s'kisha lidhje fare me drejtimin e Akademisë së Shkencave. I kam bërë një vizitë në shtëpi. E kam respektuar dhe e respektoj gjithmonë, kështu që s'kam asnjë problem në lidhje personale me profesorin.

Nuk e kisha fjalën për probleme personale. Pavarësia e Shqipërisë nisi që me lidhjen e Prizrenit në Kosovë. Populli i Kosovës me Rexhep Qosen ka luftuar deri vonw për pavarësinë...Nuk paska lidhje kjo histori në jubileun e pavarësisë?
-Për këtë problem që thoni juve, se kam pasur mundësinë të kem kontakte, por njëkohësisht ne kemi edhe diçka tjetër. Ne kemi një akademi simotër që është ajo me të cilën bashkëpunojmë, Akademia e Shkencave të Kosovës. Në qoftë se nga kjo akademi do të kemi vërejtje për listën e pjesëmarrësve, sigurisht do të reagojmë.
(Intervista u botua ne gazeten Shqiptarja.com)