Friday, July 13, 2012

Rikthimi i sopranos/ Inva Mula shkëlqen në teatrin antik të Orange

Inva Mula ka shkëlqyer të martën në mbrëmje me rolin e Mimisë në operan “La Boheme”, në “Les Chorégies d’Orange”, që është festivali më i hershëm francez, i cili daton qysh prej vitit 1869. Interpretimi i sopranos shqiptare është duartrokitur gjatë dhe është vlerësuar për interpretimin dhe ngjyrat e zërit. “Mimi është një personazh që unë e dua shumë, sepse është një vajzë e thjeshtë dhe mjaft e ndjeshme. Ka një botë të brendshme të mrekullueshme”,- tha sopranoja për “Francë 2”, që transmetoi live shfaqjen. “Skena është dominuar nga zëri i fuqishëm i sopranos Inva Mula dhe baritonit Tézier Ludovik”, – shkruajnë kritikët. Kështu, vetëm pak muaj pasi është bërë nënë për herë të dytë, sopranoja Inva Mula i kthehet sërish skenës operistike. Më ardhjen në jetë të vajzës Nina, sopranoja kishte anuluar disa projekte për t’u rikthyer në festivalin prestigjioz të Orange-s vetëm 3 muaj pas lindjes. Sopranoja u ngjit në skenë me “La Boheme” të Giacomo Puçini-t në amfiteatrin antik roman në Orange, i cili ka duartrokitur interpretimin e saj dhe të disa prej emrave më të njohur të skenës operistike, si Tézier Ludovik, Nicola Cabrone, Vittorio Grigolo, Roberto Alagna, Patrizia Ciofi, Diana Damrau. Opera është drejtuar nga mjeshtri koreano-jugor, Myung-Whun Chung, drejtues i Orkestrës Filarmonike të Radio Francës. Për sopranon shqiptare nuk është hera e parë që shkëlqen në teatrin e Orange-s. Tre vjet me parë ajo është duartrokitur me rolin e Nedës tek “Pagliaçi” dhe ky është një rikthim pas 3 vitesh mungesë. “La Boheme” konsiderohet një nga veprat më të arrira të kompozitorit italian. Pas kësaj Inva Mula do të vijojë me kalendarin e saj, të përcaktuar tashmë. A.T

No comments: