Wednesday, June 5, 2024

“Story” informale e Agron Shehaj


 Nga Indrit Vokshi  “Story” informale e Agron Shehaj

Agron Shehaj u shfaq në PD në vitin 2017. Thashethemet ishin se ka paguar 500 mijë euro tek Lulzim Basha për të qenë i pari i listës së Vlorës.
Ky thashethem zinte vend, pasi Shehaj ishte i panjohur e i paangazhuar, nuk kishte spikatje argumentuese as organizative. Kandidimi i tij si i pari i Vlorës, duke hequr nga lista e Vlorës Sekretarin e Përgjithëshëm të PD Arben Ristani, linte vend për dyshime; Ristanit, pas heroizmit në KQZ, nga vetë udhëheqësi i ishte thënë me shpoti se “Dy shehe do ketë Tirana, sheshin Skënderbej dhe, sheshin Arben Ristani” për t’i treguar mirënjohje.
Ristanin e zhduku arbitrarisht e pabesisht, duke e shtyrë të katërtin në Vlorë në kundërshtim me rregullin partiak dhe, duke caktuar Agron Shehajn të parin, madje-madje, ia vërsuli militantët Ristanit duke ia numëruar gotat e birrës e të wiskeyt, në përputhje të plotë me moralin komunist ku armiku njolloset si pijanec.
Vetë Luli deklaroi në Opinion se e kishte lutur Shehajn 6 muaj që ai të pranonte kandidimin. Këtu zuri edhe më shumë vend versioni undergroung, thuhej, pa dyshim, për 500 mijë euro lutet tjetri edhe 5 vjet, jo 6 muaj.
Në vitin 2021, Agron Shehaj bëri një fushatë të mirë, mori shumë vota dhe spikati si politikan. Investoi për veten dhe e ngriti imazhin e vetes.
Pas humbjes së zgjedhjeve, Shehaj tentoi ta ngrinte edhe më lart imazhin e tij dhe kandidoi për kryetar të PD. Procesi i votimit u manipulua fuqimisht. Në shumicën e degëve bojkoti i demokratëve në votim u kompesua, duke shtuar mijëra vota për Lulzim Bashën, kap e fut vota nëpër kuti, aq sa kryetari humbës, doli me aq vota sikur t’i kishte fituar zgjedhjet, jo sikur t’i kishte humbur. Kadilli, Harxhi e Shehaj, quheshin armiq dhe të huaj të cilët donin të merrnin partinë në emër të një komploti armiqësor.
Sot po thuhet lart e poshtë, deri tani me zë të mekur, se Shehajn e ka futur Edi Rama për të krijuar parti me qëllim për të dobësuar opozitën. Kush është opozita? I bie Shehaj nuk është opozitë, opozitën e kanë monopol Saliu e Luli, dmth po qarkullon kjo përralla e vjetër.
Po a nuk është vetë ekzistenca e Lul Bashës me parti personale si fondacion biznesi e cila e dobëson opozitën sepse nuk lejon përfshirje demokratike? Po. A nuk është vetë ekzistenca e Sali Berishës në ketë format që e dëmton opozitën? Po. Në ketë pikë Rama ska asnjë nevojë për të paguar asnjë lek sepse shkatërrimin e opozitës e bëjnë vetë këta të tjerët duke e uzurpuar dhe përdorur si mjet transaksioni për biznese!
Unë shoh që Agron Shehaj kësaj radhe thjesht po paguan për veten e vet. Deri dje i ka paguar PD-së, sot po i paguan vetes, partisë së vet. Shehaj është njeri i pasur e i pasuruar me biznes, është më dinjitoz se këta të tjerët sepse pasurinë ka mundësi ta deklarojë në emrin e vet pasi e ka fituar ne biznes si jashtë Shqipërisë, si brenda Shqipërisë. Pra nuk i duhet të luajë atë rolin patetik si politikan i varfër siç luajnë këta milionerët informalë të cilët informalisht janë më të pasur se Shehaj mirëpo me letra skanë lek. Sepse Shehaj është milioner formal dhe e ka shpëtuar Zoti nga ky roli i fshehjes së parave dhe shtirjes si politikan i varfër. Ndoshta i pari nga e djathta me këto kredenciale.
Nervozizmi lind në ketë pikë: Ky spo paguan më tek ne. Iu ka ikur një klient. Këta gjoja politikanë veprojnë si kompani biznesi, i shohin të tjerët si klientë dhe ikja e klientit dmth ikje e parasë. Nuk e di sa vota merr Shehaj, nuk më duket se ka ndonjë vrull lidershipi, mirëpo më duket e pandershme të tentosh ta denigrosh tjetrin vetëm sepse spo paguan më tek ti, ka vendosur të paguajë për vete.
Këta edhe të vjedhin votat apo manipulojnë kur po investon tek struktura e tyre, edhe lëshojnë lukuni të të denigrojnë nëse tenton të investosh për veten tënde. Mafia në koalicion me injorancën.

No comments: