Saturday, February 3, 2024

Përgjigju Arben Ahmetajt, z. Rama!


 Shkruar nga Gjergj Zefi

I pafajshëm a pjesë e grupit të pushtetit, nga vendi ku është strehuar, Arben Ahmetaj ia bëri këtë shërbim Shqipërisë. Ai foli hapur dhe akuzat e tij kanë emra konkretë...


Me gjithë porositë e dhëna për mediat afër oborrit, për të mos e pasqyruar me rëndësinë që meriton, intervistën e Arben Ahmetajt dhënë për televizionin Syri dhe gazetarin Çim Peka, e vërteta e dalë sheshit mbrëmë në darkë është e pandryshueshme dhe nuk fshihet dot.

E para, nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në historinë moderne të Shqipërisë, që një ish funksionar i lartë i shtetit, të dalë e të flasë troç disa të vërteta e të drejtojë gishtin tek numri 1 i shtetit, Kryeministri Edi Rama.

Ka ndodhur edhe më parë që ish ministra apo funksionarë të tjerë të rangjeve më të ulëta, kur janë akuzuar e kanë qenë në prag të burgut, kanë dalë e folur me mediat duke përcjellë mesazhe të koduara, të llojit "po ika unë do t'ju marr me vete". Por nuk kishte ndodhur deri më sot, që akuzat të ishin konkrete, me emra e interpretime faktesh, para të cilave askush nuk mund të mbyllë sytë.

E dyta, kjo drejtësia e re shqiptare mbrëmë doli zbuluar, krejt lakuriq para opinionit publik. Nga sot e tutje, Altin Dumani duhet të mendohet dy herë para se të dalë para mediave me parullat klishe, "nuk ka rëndësi emri".

Nga halli a nga malli, Arben Ahmetaj i ka bërë një interpretim të atillë dosjes së inceneratorëve, sa tani i madhi i drejtësisë nuk fshihet dot më pas gishtit.

Ai mund ta transformojë akuzën ndaj Ahmetajt, ta hetojë e akuzojë për çdo gjë tjetër, përveçse për skandalin më të madh të historisë së këtyre 30 vjetëve, atë të inceneratorëve. Një emër i ri është artikuluar nga Ahmetaj si i lidhur me skandalin, një interpretim i ftohtë dhe korrekt i dosjes është bërë prej tij, prandaj Dumani nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse t'u shkojë në derë peshkaqenëve të korrupsionit, që deri më sot i ka ruajtur. Nëse nuk ndodh kjo, drejtësia e promovuar si "e treta e vërteta", ka vdekur pa lindur ende.

I pafajshëm a pjesë e grupit të pushtetit, nga vendi ku është strehuar, Arben Ahmetaj ia bëri këtë shërbim Shqipërisë. Ai foli hapur dhe akuzat e tij kanë emra konkretë. Emra që i dimë të gjithë, për të cilët kemi shkruar me mijëra herë, por të dëgjuara nga ish-zëvendës Kryeministri i Shqipërisë,  kthehen, përveçse në shqetësuese, në një kazus për drejtësinë dhe opinionin publik. Një kazus që duhet zgjidhur urgjent.

Fajtorët kanë emër e mbiemër, kanë zyrë e pushtet, kanë dorën të ngjyer me gjak krimi e korrupsioni. Mbi ta ka një akuzë publike.

Erion Veliaj e Belinda Balluku duhet të rreshtohen para drejtësisë e të tregojnë si qëndron kjo punë. E pas tyre, Edi Rama ka kohën për të dalë që t'i përgjigjet ish-mikut, ish-bashkëpunëtorit, një prej njerëzve, dikur më me pushtet në vend.

Edi Rama nuk mundet më të thotë, "nuk di unë çfarë bëjnë vartësit e mi" sepse faktet që vërtetojnë të kundërtën janë të qarta si drita e diellit.

Edi Rama nuk i mbron dot më njerëzit e vet, bashkëfajtorë të tij,  sepse si kurrë me parë një ish-lojtar i fortë i skuadrës doli dhe ua hoqi me forcë mbulesën ku ishin strukur më kot.

Edi Ramës i ka mbaruar koha. Ai e di këtë. Ai duhet t'i përgjigjet Arben Ahmetaj, jo me lojëra fjalësh por me fuqinë e njeriut që e pranon se kjo është koha të dalë nga moçali ku përpëlitet, sado e dhimbshme të jetë. Me urdhra për mediat që i ka në shërbim, për të mos i dhënë zë ish-zëvendës kryeministrit, ai nuk del dot nga kjo gjendje.

Me klishe e parrulla komuniste nuk ia hedh dot më as kryeprokurori i SPAK-ut.

Uji do ta gjejë rrugën e vet për të rrjedhur e dje u shënua një ngjarje qe hodhi dritë mbi kanalin që shumë shpejt do të bëhet lumë./Pamfleti

No comments: