Wednesday, January 24, 2024

Lidhjet e korrupsionit/ Si gjeti mbështetje amerikane edhe opozita e “kërpëratave”

 


Një shtrëngim duarsh me politikanë amerikanë, nja dy foto dhe ca fjalë kortezie janë një truk i vjetër i politikës shqiptare si një formë për të legjitimuar mbështetjen përtej Atlantikut dhe për ta shitur më lehtë sapunin për djathë.

Këtë shijë të lë edhe afera që ka denoncuar media amerikane The DailyBeast dhe që përfshin senatorin amerikan Bob Menendez, që për momentin po hetohet nga drejtësia amerikane dhe një politikan periferik të vendit tonë si Korab Lita.


Për të kuptuar rrethanat e kësaj marrëdhënieje që është publikuar si një skandal në mediat amerikane duhet thënë se senatori Bob Menendez është nën akuzë nga drejtësia amerikane për korrupsion në lidhje me shërbimet që ka kryer për shtetet e Egjiptit dhe të Katarit, gjatë kohës kur drejtonte Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Shtetet e Bashkuara.


Prokuroria amerikane ka zbuluar se nëpërmjet një biznesmeni të quajtur Fred Daibes dhe një tjetri të quajtur ëail Hana, senatori zhvilloi kontaktet me personalitetet politike të Egjiptit dhe të Katarit, duke siguruar ekskluzivitetin e biznesmenëve në Egjipt dhe duke bërë deklarata në favor të Katarit në këmbim të dhuratave dhe pagesave të konsiderueshme.

Për të kuptuar më mirë se nivelin e ryshfetit vlen të thuhet se gjatë kontrollit të banesës së senatorit Bob Menendez janë zbuluar qindra mijëra dollarë të fshehura në mobiljet e shtëpisë, bizhuteri të shtrenjta që ishin dhuratë nga biznesmenët dhe disa lingota ari, edhe këto dhuratë nga “miqtë” e tij.


Si u arrit takimi i Bob Menendez me Korab Litën e Partisë Demokratike

Korab Lita ishte në vendin e 21 në listën e deputetëve të PD-së për Tiranën në zgjedhjet e vitit 2017. Kur PD dogji mandatet, ai zëvëndësoi Dashamir Shehin dhe u fut në parlament. Zona e Litës ishte në Kamzë, ku ai kishte qenë zv/kryetar i Bashkisë deri në nëntor të 2018.

Mundësinë për t’u lidhur me senatorin amerikan Bob Menendez ia krijoi vëllai i tij Gazmend Lita shkruan The Daily Beast. Gazmend Lita kishte njohje dhe lidhje me biznesmenët, që ndërmjetësuan qëndrimet e senatorit amerikan Menendez dhe qeverive të Egjiptit dhe të Katarit.

Këto lidhje, Gazmend Lita i shfrytëzoi që senatori amerikan, tashmë i paguar mirë me para kesh, dhurata të shtrenjta dhe lingota ari të bente një takim edhe me vëllain e tij, deputet në Shqipëri Korab Litën.

Takimi u bë në Shtator të vitit 2019 dhe u shoqërua me foto dhe një mesazh që jepte “bekimin” amerikan për reformën zgjedhore në Shqipëri.


Si u përdor mbështetja amerikane nga senatori Bob Menendez

Për të kuptuar më mirë se pse i leverdiste Korab Litës takimi me senatorin amerikan Bob Menendez, duhet kujtuar situata politike në vitin 2019.

PD dhe LSI kishin dorëzuar mandatet e deputetëve dhe kishin bojkotuar zgjedhjet lokale të qershorit. Opozita reale ishte në rrugë.

Njerëzit që ishin në fund të listave të kandidatëve kapën shansin dhe mbushën vendet e lira në parlament. Për të bërë dallimin nga opozita reale, ata u quajtën “opozita parlamentare” ose “opozita e kërpëratës”.

Votat e kësaj opozite i duheshin kryeministrit Rama për të ndryshuar Kushtetutën. Por të gjithë e kishin të qartë se njerëzit që përfaqësonin popullin opozitar ishin jashtë institucioneve. Ndaj “opozitës së kërpëratave” i duhej legjitimitet.

Në këtë situatë, Korab Lita siguroi foton me Bob Menendez bashkë me një mesazh inkurajimi se reforma zgjedhore duhej bërë.

“Menendez vleresoi shume inisiativen tone per te perfaqesuar qytetaret ne Parlament dhe per te çuar me tej Reformat e Bllokuara prej nje kohe te gjate, dhe shtoi se perfaqesimi dhe jo Bojkoti i sherbejne Demokracise” shkruante deputeti në mesazhin që shoqëronte foton.

Nuk kaloi shumë dhe pas “mbështetjes amerikane” që mori nga Bob Menendez ai u bë kryetar i grupit të deputetëve të PD-së. Spostoi Rudina Hajdarin dhe u vu në krye të grupit që do të bashkonte votat me Edi Ramën për ndryshimet kushtetuese të 30 Korrikut.

Qëllimi real ishte bllokimi i koalicionit PD-LSI. Preteksti ishin listat e hapura. Dhe ashtu ndodhi.


Raportimi i Daily Beast

The Daily Beast ka zbuluar se Gazmend “Gus” Lita, vëllai i deputetit shqiptar ishte partner në biznes me miqtë e senatorit amerikan. Por jo vetëm kaq.

Sipas dokumentave të gjykatës amerikane, Gazmend Lita ka pranuar se është fajtor në vitin 2022 për drejtimin e një baze të lojërave të fatit në emër të krimit shqiptar. Megjithatë avokatët e Litës kanë deklaruar se klienti i tyre – i cili kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Shtetet e Bashkuara duke drejtuar projekte të ndryshme ndërtimi dhe një restorant me Daibes – kishte së fundmi një punë si “inspektor i ushqimit hallall”, një rol që kërkonte udhëtime të shumta ndërkombëtare.

As Lita dhe as avokati i tij nuk iu përgjigjën pyetjeve të përsëritura me email nga The Daily Beast dhe një i afërm që iu përgjigj një telefoni të regjistruar në emrin e tij pretendoi se Lita ishte jashtë vendit dhe e paarritshme nga telefoni ose shërbimi i mesazheve.

Në një dosje të vitit 2023 në lidhje me dënimin e tij me kusht, Lita kërkoi leje për të udhëtuar në vendlindjen e tij në Shqipëri për të vizituar familjen. Biznesmeni deklaroi se kishte në plan të qëndronte me vëllain e tij, Korab Lita.

Sakrificat e politikanëve shqiptarë për takime në SHBA

Në vitin 2012, Edi Rama pagoi 80 mijë dollarë për një foto me Barak Obamën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke qenë se ligji amerikan e ndalonte financimin e huaj në mbledhjen e fondeve për fushatë, Bilal Shehu u dënua nga gjykata amerikane se mori transfertën bankare “nga një burim i huaj” për të paguar fushatën e Obamës.

Aktakuza nuk e përmendi emrin e financuesit të huaj të këtij operacioni të paligjshëm në SHBA, por Reuters raportoi se personi që përfitoi nga financimi qe Edi Rama. Kongresmeni Dana Rohrabacher i Kalifornisë në atë kohë u ankua se fotoja e Ramës me Obamën u përdor për qëllime “të këqija” për të nënkuptuar një marrëdhënie mes Ramës dhe Obamës gjatë zhgjedhjeve të vitit 2013 në Shqipëri, zgjedhje që e bënë atë kryeministër.

Lulzim Basha loboi me qindra mijëra dollarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një foto me presidentin Donald Trump para zgjedhjeve të vitit 2017. Por pas deklarimit të financave nga lobisti i tij Nik Muzin, vetë Basha e e pati të vështirë të justifikojë burimin e parave dhe dha disa versione të ndryshme.

Kjo paaftësi e Bashës për të justifikuar origjinën e parave u shfrytëzua nga kryeministri Rama nëpërmjet marrëdhënies me natyrë korruptive që ai krijoi me ish shefin e FBI-së në Neë York, Charles McGonigal. Deri në mbylljen e çështjes, Lulzim Basha kaloi në një kalvar të gjatë hetimi dhe llogaridhënie para publikut./lapsi.al

No comments: