Nga Rudina Bardhi **
-Kënaqësi të jem e pranishme mes jush…për të diskutuar rreth botimit të fundit të tekstit “Këlmendi …dritë hije”, refleksione të autorit nga e njëjta krahinë, z.Rush Dragu.
Duke qenë mësuese e gjuhës dhe letersisë shqipe jam e prirur që ti jap rëndësi sa formës aq edhe përmbajtjes së tekstit.
Është një vepër e ndërtuar mbi 25 kapituj duke filluar me përshkrimin e bukurisë natyrore të Këlmendit bashkë me historinë e krijimit të tij dhe zonave kryesore si Tamara,Selca,Lëpusha,Vukli apo edhe Nikçi…
Më në brendësi shohim organizimin e Bajraqeve dhe toponiminë e këtyre krahinave.
Vështrimet historike vijonë me memorandumin e Greçës,me përcaktimin e kufirit veri-perëndimor të Këlmendit. Ndërsa sa u përket personazheve historike,më vjen mirë që ky kapitull hapet me figurën e Nikë Lekë Pepës…një luftëtar i vërtetë në funksion të mbrojtes së territorit shqiptar,një figurë serioze,po aq e rëndësishme sa ajo e Prekë Calit…
Më pas kemi ngjarje historike të cilat u përkasin perudhës kohore 1943- 1990 me situatat politike të kohës e me statistika patriotësh të rënë, kryesisht për arsye politike, vuajtjet e këtij komuniteti nga varfëria e skajshme edhe arratisjet masive nga shteti duke shfaqur kështu pjesën e hijeve të “Këlmendit… dritë hije”
Pastaj kemi zhvillimet me zgjedhjet administrative të zonës pas viteve 90
Kurse në kapitullin XIV paraqitet Kultura,arti dhe tradita në Këlmend duke i dhënë hapsirë veshjes kombëtare me xhubletë,folklorit,valleve tradicionale edhe personave që dhanë kontribut ndër vite por që vazhdojnë të japin akoma edhe sot e kësaj dite siç janë artistët e Luigj Tinaj,Luigj Gjerkaj,Lisa Bujaj,Ylli Sufaj,Pëllumb Naçaj,Bashkim Vushaj etj,me në krye Pretash Nilën e Jonuz Delën… dhe si organizatore eventevesh përmendet disa herë emri i Dila Vaçit natyrisht edhe për humorin që e karakterizon.
E lexova me shumë dëshirë këtë pjesë pasi në dhjetor të vitit që shkoi promovuam tekstin shkencor “Rrëfim për xhubleten” të cilin më vonë e diskutuam në një lidhje direkte sëbashku me Albdreams Media dhe trajtuam çdo element përbërës të veshjes që aktualisht gjenden në mënyrë të përmbledhur në tekstin “Këlmendi…dritë hije”
Prandaj pasqyrimi i kulturës së kostumografisë kombëtare që kemi, është një nga “dritat” dhe jo “hijet” e këtij teksti. Pasi krahas të gjitha zonave të Malësisë së Madhe, në Këlmend, ky kostum ruhet dhe vishet më hieshëm se askund tjetër… këtë e tregon më së miri aktiviteti kulturor i përvitshëm “Logu i Bjeshkëve”.
Për të mos u zgjatur shumë… doja të thoja se kur u emrova mësuese e gjuhës dhe e letësisë shqipe para dhjetë vitesh në shkollën e mesme në Tamarë, kam vërejtur se ai brez mësuesish të cilin e gjeta aty, e kujtonin Rushin me shumë respekt e nostalgji sa ishte drejtor shkolle,po ashtu me po aq nderim e respekt edhe Gjergj Bujën –një ndër matematicienët më të mirë të veriut të Shqipërisë.
Kësisoi unë mendoj se ky vend, me këta njerëz, të lindur e të rritur në ata shkëmbinj, me këtë shpirt, me këto aftësi e vlera, përfaqësojnë gjithçka çka bota e sotme moderne ka nevojë e cila sheh me t’dy sytë dhe nuk po e njeh vetveten.
Paraqitjen grafike nuk kam dashur ta shoh me vëmendje…, ose do e kisha parë edhe një herë përpara faqosjes… Prania e një fjalori në fund të tekstit qartëson formën arkaike të disa fjalëve a shprehjeve në gegnisht të cilat nuk janë më në përdorim të përditshëm ose krejt rrallë por është mirë të dihen.
Duke përfunduar desha të them se: ” Këlmendi…dritë hije” është një tekst me një stil origjinal narracioni, një dokumentar i shkruar, i cili duhet të jetë pjesë e bibliotekës familjare të çdo këlmendasi si një suvenir i këtij atdheu bashkë me dritat dhe hijet e tij!
Faleminderit
** Kjo kumtesë është mbajtur në promovimin e librit “Këlmendi …dritë hije” (Refleksione) në sallen e konferencave të hotel “Rozafa” Shkoder me 28 tetor 2023
Eshte publikuar në: www.AlbDreams.Net
Eshte publikuar në: www.radioiliria.net
No comments:
Post a Comment