Tuesday, December 23, 2014

PD i jep fund bojkotit, tërheq kërkesën për dekriminalizimin e Parlamentit

Përditësuar: 23 Dhjetor 2014 - 23:49

Mazhoranca dhe opozita, pak minuta para mesnate kanë përfunduar negociatat mes tyre dhe shpallën se kanë arritur një marrëveshje përmes të cilës i japin fund bojkotit dhe votohet një rezolutë. Partia Demokratike hoqi dorë nga kërkesa themelore e saj, ajo për dekriminalizimin e Parlamentit.

Në negociata, nga PS ishte Taulant Balla, nga LSI, Petrit Vasili kurse nga PD, Genc Pollo dhe Oerd Bylykbashi. Palët nënshkruan marrëveshjen që i jep fund bojkotit parlamentar nga opozita dhe i hap rrugën plotësimit të kërkesave të tyre nga mazhoranca.

Takimi i mbrëmjes së sotme ishte i treti mes palëve përfaqësuese të tre forcave kryesore politike.

Deputeti demokrat, Pollo, konfirmoi i pari, arritjen e një pakti mes palëve: “Arritëm një marrëveshje”, - konfirmoi ai, duke shtuar se “fjalën e fundit e kanë deputetët nesër në Kuvend”.

Deputeti socialist Taulant Balla tha se “marrëveshja është gjithëpranuar nga të gjitha palët dhe shtoi:

“Presim që këtë marrëveshje të përkthyer në rezolutë ta votojnë nesër të gjithë deputetët”, - tha z.Balla.

Ai tha se “sigurisht që baza e marrëveshjes është deklarata e Kukan dhe Fleckenstein”.

Këtë deklaratë noa.al e publikoi gjatë ditës dhe e gjeni të plotë më poshtë. Kjo deklaratë me katër pika nuk e përfshinte kërkesën e PD që të dekriminalizohet Parlamenti, duke mos lejuar persona të dënuar në Shqipëri ose jashtë vendit që të jenë pjesëtarë të Kuvendit.

21:29 - Pezull marrëveshja mazhorancë-opozitë

Deri sonte në mbrëmje, ende nuk ka një rezultat konkret për një marrëveshje mes mazhorancës dhe opozitës, edhe pas tërheqjes së Bashës nga kushti kryesor i marrëveshjes së mbikëqyrur duke pranuar edhe një rezolutë.

Pasdite pati një tjetër takim mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës, por asnjëra nga palët nuk dha detaje. Ndërsa zgjidhja është pezull, mbetet e paqartë se çfarë i pengon palët që të firmosin një tekst për të cilin sipas ndërmjetësve evropianë është rëna dakord në parim.

Në mungesë të një rezultati konkret përfundimtar, dy ndërmjetësit e Parlamentit Europian Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, shpërndanë sot nga Brukseli një deklaratë të përbashkët sipas së cilës saktësohej se "partnerët shqiptarë në bisedimet ishin shprehur të gatshëm të binin dakord me propozimin mbi parimet e bashkëpunimit në Parlament", duke inkurajuar më pas palët që ta finalizonin atë duke e konfirmuar këtë përmes një rezolute parlamentare.

Deklarata u përshëndet nga opozita dhe më tej nga mazhoranca, por deri tani nuk ka asnjë dritë jeshile dhe nuk dihet asgjë zyrtare nëse nesër PD do të shkojë në Parlament.

Që ende bashkëpunimi mbetet pezull këtë e tregojnë tre deklaratat e dala, dy nga PD dhe një nga PS.

E para që nxori PD thoshte se “përshëndet deklaratën e negociatorëve të Parlamentit Europian dhe dy grupeve parlamentare PPE dhe PSE dhe falenderon eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein për angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës parlamentare”.

Pas saj, PS me Taulant Ballën tha se “të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolute fjalë për fjalë siç është”. Kurse shtoi se PS ishte “në pritje të reagimit të PD”. PS theksoi edhe se “ne do të shohim mundësinë që sidoqoftë të votojmë nesër këtë dokument, si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë”.

Pas Ballës pati një dalje të dytë nga PD, me Genc Pollon. Ky i fundit, tha: “Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim”.

Tërhiqet Basha, pranon rezolutë në vend të marrëveshjes me Ramën

Paralajmërimi jopublik që bëri pak ditë më parë kryeministri Edi Rama se nuk do të firmosë kurrsesi një marrëveshje të mbikëqyrur ndërkombëtare por maksimumi të votojë një rezolutë në Parlament, duke se dha efekt.

Opozita është tërhequr nga kërkesa e saj themelore, sepse ndryshe nga qëndrimi i deridjeshëm ku këmbëngulte në firmosjen e një marrëveshjeje nga ana e Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentari Meta, me kreun e PD, Basha, sot pohuan s ejani gati të votojnë një rezolutë.

Drafti për të cilën Eurodeputeti ka marrë dakordësinë edhe nga kreu demokrat Basha flet për një rezolutë të miratuar nga Parlamenti, ç’ka flet qartazi për një tërheqje të demokratëve nga varianti fillestar, me qëllim rivendosjen e dialogut ndërpartiak dhe gjetjen e një zgjidhjeje të frytshme për funksionimin e Parlamentit.

Deklaratë e deputetit Genc Pollo:

“Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim.”

PERDITESUAR/ Tiranë, 23 dhjetor 2014, NOA.al-

PE publikon draft-rezolutën me 4 pika. Takohen deputetët e PS dhe PD

Knut-Rama

Europarlamentari Eduard Kukan ka publikuar bazat për marrëveshjen politike mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri.

Në draft- rezolutën me katër pika kërkohet kthimi i normalitetit në parlament, ndërsa shtohet se të gjitha palët duhet të kontribuojnë në dialogun politik, i cilli duhet zhvilluar kryesisht në parlament. Ndërkohë rreth orës 15.00 të ditës së sotme në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u zhvillua një takim mes një grupi deputetësh socialistë dhe atyre demokratë, takim i cili mbahet një ditë para seancës së fundit parlamentare për këtë vit.

Bazat për marrëveshjen politike mes pozitës dhe opozitës në Shqipëri: 

-Opozita të kthehet në parlament dhe për të rivendosur plotësisht funksionimin normal të punës së parlamentit dhe ti japë fund bojkotit; ndërsa shumica në pushtet nuk duhet të përdorë shumicën e saj (3/5) dhe të anashkalojë opozitën, por të kërkojnë së bashku konsensusin me opozitën, për reforma të rëndësishme, kurdo që të jetë e mundur.

-Të gjitha palët duhet të kontribuojnë në dialogun politik, i cilli duhet zhvilluar kryesisht në parlament dhe të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca dhe opozita duhet të angazhohen në rishikimin e rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve hetimore parlamentare, bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

-Opozita dhe shumica në pushtet duhet të angazhohen që të punojnë së bashku në mënyrë konsensuale me ndihmën e Bashkimit Europian, në lidhje me çështjen e personave me precedentë penal që janë zgjedhur apo kërkojnë të zgjidhen në poste zyrtare në bazë të standardeve europiane dhe asistencën e Komisionit të Venecias.

-Përfaqësuesit e grupeve të mëdha politike në Parlamentit Evropian S& D dhe PPE do të mbështesin marrëveshjet politike.

Kukan-Fleckenstein: T'i jepet fund bojkotitkukna

Europarlamentarët Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein kanë publikuar një deklaratë të përbashkët lidhur me negociatat për dhënien fund të bojkotit nga ana e opozitës.

Pas vizitës së tyre në Shqipëri për të negociuar mes opozitës dhe mazhorancës lidhur me rikthimin e Parlamentit në normalitet, në qëndrimin e përbashkët thuhet se pas vizitave të dy europarlamentarëve më 19 dhe 22 dhjetor 2014, të udhëhequr nga përpjekjet për të inkurajuar partnerët e politikës shqiptare për të rivendosur dialogun politik ndërpartiak dhe për të gjetur zgjidhje për funksionimin efikas të parlamentit, nxitet dialogu dhe dhënia fund e bojkotit.

"Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik midis mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të plotësojnë ambiciet evropiane të qytetarëve të saj. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve për të krijuar kushte dhe të sigurojnë që dialogu i tillë i partisë kryq është duke u zhvilluar kryesisht në parlament.

Ne vlerësojmë se të gjithë partnerët tanë politikë janë në gjendje të bien dakord mbi propozimin tonë në lidhje parimet e bashkëpunimit në parlament. Propozimi në fjalë është kthimi në normalitet dhe gjithëpërfshirëse të parlamentit, respektimit dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të adresuar çështjen e njerëzve me të dhënat kriminale që konkurrojnë për poste publike. Ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në Shqipëri të vazhdojnë dhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të finalizuar zgjidhje të qëndrueshme për punën efikase të parlamentit dhe të konfirmuar marrëveshjen e tyre në formë të rezolutës së përbashkët parlamentare", thuhet në qëndrimin e tyre.

Deklarata e përbashkët

Ne i kemi siguruar partnerët tanë politikë në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve tona politike në procesin e integrimit evropian. Gjatë ditëve të fundit ne kemi treguar këtë mbështetje dhe gatishmërinë për t'u angazhuar në rinovimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës në pushtet dhe duke inkurajuar opozitën për t'i dhënë fund bojkotit të parlamentit.

Shqipëria ka nevojë për dialog të qëndrueshëm dhe konstruktiv politik midis mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të plotësojnë ambiciet evropiane të qytetarëve të saj. Kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve për të krijuar kushte dhe të sigurojnë që dialogu i tillë i partisë kryq është duke u zhvilluar kryesisht në parlament.

Ne vlerësojmë se të gjithë partnerët tanë politikë janë në gjendje të bien dakord mbi propozimin tonë në lidhje parimet e bashkëpunimit në parlament. Propozimi në fjalë është kthimi në normalitet dhe gjithëpërfshirëse të parlamentit, respektimit dhe zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të adresuar çështjen e njerëzve me të dhënat kriminale që konkurrojnë për poste publike.

Ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në Shqipëri të vazhdojnë dhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të finalizuar zgjidhje të qëndrueshme për punën efikase të parlamentit dhe të konfirmuar marrëveshjen e tyre në formë të rezolutës së përbashkët parlamentare. Politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë për funksionimin efektiv të institucioneve demokratike në vend. Për këtë arsye apelojmë edhe një herë opozitën që të rifillojë punën në parlament dhe të vazhdojë me detyrat parlamentare, dhe ndaj mazhorancës kërkojmë respektimin e kushteve për dialog politik gjithëpërfshirës në kuadër të këtij institucioni.

Ne mbështesim përpjekjet e mëtejshme për të rivendosur dialogun ndërpartiak politik dhe bashkëpunimin, i cili është thelbësor për procesin e integrimit në BE dhe besueshmërinë e Shqipërisë në BE.

Knut Fleckenstein, Zëvendës-Kryetar i Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S &D) dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian

Eduard Kukan, anëtar i Grupit të Partisë Evropiane Popullore (EPP) dhe raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian

PD përshëndet deklaratën e negociatorëve

Partia Demokratike tha sot se përshëndet deklaratën e negociatorëve të Parlamentit Europian dhe dy grupeve parlamentare PPE dhe PSE dhe falenderon eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein për angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës parlamentare.

Partia Demokratike konfirmon mbështetjen e plotë për Deklaratën e Parimeve dhe është e gatshme të fillojë menjëherë punën së bashku për rezolutën e përbashkët parlamentare. Partia

Demokratike përshëndet dhe mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të BE për mbështetjen në vazhdim, të procesit të normalizimit të jetës parlamentare.

PS: Shpresojmë që PD të kthehet në punë

ballaDeputeti socialist Taulant Balla në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përshëndeti qëndrimin parimor të dy përfaqësuesve të dy grupeve më të mëdha politike në Parlamentin Europian, të grupit të Socialistëve dhe Demokratëve dhe të grupit të Partive Popullore Europiane.

“Për ne, deklarata e tyre është 100 përqind në linjë me qasjen parimore që PE ka dhe që i takon tashmë Kuvendit të Shqipërisë ta mbështesë tërësisht. Ne jemi gati ta kemi këtë qëndrim parimor një rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë dhe ta votojmë nesër sëbashku me deputetët e Partisë Demokratike në Kuvend. Le të shpresojmë që PD është gati të kthehet në punë dhe të votojë bashkë me ne këtë rezolute fjalë për fjalë siç është”, u shpreh Balla.

Në vijim ai shton se në pritje të reagimit të PD, do të shihet mundësia që të votohet nesër ky dokument, si shprehje të palëkundur të shumicës parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë./a.y/noa.al/

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek pr@noa.al

No comments: