Friday, November 7, 2014

FSHF i kërkon qeverisë shpejtësi për “Loro Boriçin”

Institucioni i futbollit vë alarmin për Loro Boriçin nëse ai do të jetë gati për një ndeshje ndërkombëtare pasi puna atje mund të jetë shumë e madhe
Në Federatën Shqiptare të futbollit janë të bindur se është vonë për stadiumin “Loro Boriçi”. Që prej 24 tetorit kur kryeministri Edi Rama dha zyrtarisht lajmin po mendohet çdo hap për stadiumin “Loro Boriçi”. “Është vonë. Duhet të lëvizim sepse muajt ikin dhe do ta kemi vështirë që të jetë gati për ndeshjen e tetorit të ardhshëm”,
ka thënë një burim në FSHF. Pra institucioni i futbollit vë alarmin për Loro Boriçin nëse ai do të jetë gati për një ndeshje ndërkombëtare, pasi puna atje do të jetë shumë e madhe dhe gjërat ende nuk janë gati.
Stadiumi “Loro Borici” do të rikonstruktohet. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare. Ende nuk dihet sa do jetë buxheti që do shpenzohet dhe çfarë projekti do realizohet. E sigurtë është që tribuna qendrore do prishet e tëra dhe do të ndërtohet nga fillimi. Për të plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga UEFA për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares. Sa i takon tribunës në pjesën jugore, nuk dihet nëse ajo do ndërtohet apo jo sepse ende nuk ka një projekt konkrekt. Ajo çfarë duhet bërë medoemos, është rregullimi i ambienteve rreth e qark stadiumit sepse pamjet aktuale tregojnë për një kaos të vërtetë dhe një gjendje të mjeruar.
Përveç amortizimit stadiumi “Loro Borçi”i rrethohet nga mbetjet, gropat dhe uji.  Gjatë kontakteve të dy ditëve të fundit me arkitektët shkodranë, por edhe me një projekt të ofruar nga zyra e urbanistikes së Bashkisë së Shkodrës, dorëzuar pak kohë më parë nga një studio italiane, mësohet se krahas ndërhyrjes në pjesën e dy tribunave të larta të përfunduara që përpara vitit 1990, të cilat do të kthehen në cilësinë bashkëkohore, pjesa tjetër e tribunës anësore, nuk do të ngrihet në nivelet e lartësisë së tyre, duke e lënë në ato shkallë që është, por me një arkitekturë speciale. Ajo do të jetë në sinkron edhe me pjesën e tribunës qendrore, përfshirë edhe atë VIP, së cilës do t’i kushtohet vëmendja më e madhe, ku krahas anës arkitektonike, do t’i kushtohet një vëmendje po aq e madhe përmbushjes së kërkesave së kushteve për sektorin mediatik si dhe atë të personave VIP. Grupi i punës që po merret me projektin në fjalë po punon me shumë seriozitet dhe intensitet, objektivi i të cilëve është për ta dorëzuar pranë kabinetit të kryeministrit brenda kësaj jave.
Kanë filluar matjet në terren për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Është mësuar se fondi që do të jepet për rikonstruksionin e stadiumin e ri do të jenë 5 milionë dollarë. Ai pretendohet të jetë gati për ndeshjen e kthimit Shqipëri-Serbi që do të luhet në tetor 2015. Federata Shqiptare e Futbollit ka kontraktuar një kompani që merret me punimet dhe studimet topografike si dhe matjet në terren, brenda e jashtë stadiumit të qytetit. Shpëtim Ibraliu, drejtues teknik i kompanisë, tha se na duhet të paktën një javë punë në terren dhe më pas të kalohet në fazën tjetër. Dorëzimi i punimeve është kërkuar në mënyrë urgjente nga Federata, por bashkia e Shkodrës, si pronare e stadiumit, nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për punimet dhe ende nuk është vendosur as vendi se ku do të luaje Vllaznia, pasi të nisin punimet në stadiumin “Loro Boriçi”.
(SportEkspres)

No comments: