Sunday, August 31, 2014

Jamarbër Malltezi: Planin e bregdetit s’e njeh askush, interesat e Ramës klienteliste

Nga: VALENTINA MADANI
TIRANE- Jamarbër Malltezi, ekspert mjedisi, pedagog i planifikimit të territorit denoncon politikat që po ndjek kryeministri Edi Rama lidhur me territorin. Malltezi flet për "Gazeta Shqiptare" për planifikimin e territorit, prishjet nga INUK përgjatë vijës bregdetare, si dhe vendimin e Bashkisë së Tiranës në zonën e Liqenit. Z.Malltezi i kujton kryeministrit aktual se zona bregdetare ka plan zhvillimi të standarteve më të mira evropiane, por që Rama kërkon të jetë kryeministër dhe kryebashkiak i çdo qyteti.
Z.Malltezi akuzon se: "Edhe Hitleri i mashtroi gjermanët dhe fitoi zgjedhjet me 17 milionë vota dhe pas 12 vitesh përfundoi Gjermania me 7 milionë gjermane të vrarë".

Z.Malltezi, si e konsideroni aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare?
Pse duhet të kemi aksion? Pse të mos kemi shtet ligjor në vend të aksionit? Në një shtet ligjor, shteti vepron çdo ditë dhe jo me shfaqje bajate si ndaj shkelësve privatë, edhe ndaj shkelësve të ligjit me ofiqe shtetërore. Kemi parë edhe veprime sipas ligjit, por edhe shumë abuzime e veprime të kundraligjshme për të cilat nevojitet përgjegjësi financiare dhe penale. Për shembull, kush mban përgjegjësi financiare dhe penale për prishjen e objekteve që ishin të rregullta dhe me hipotekë? Nga prishja e kundraligjshme e një prone në bregdet, gjykata ka vendosur që pronari të dëmshpërblehet me 15 milionë euro. Por pse duhet të paguajmë ne të gjithë shqiptaret (të taksohemi të gjithë ne) për shkeljen ligjore të Edi Ramës? Në një shtet ligjor, prokurori duhet të hapë çështje penale për këtë dëm financiar, për një trill të një personi të çekuilibruar që duhet t'a paguajmë në të gjithë.
Realisht a ka një plan urban zona bregdetare?
Zona bregdetare ka plan zhvillimi të standarteve më të mira evropiane. Përkundër paudhësive të Lames, që pasi shkatërroi Golemin dhe Durrësin, donte të bënte një plan Golemizimi për Jonin, duke caktuar njollat klienteliste të ndërtimit (ngjashëm me pallatet 23-katëshe të Shkrelit, që i shiti për plan francez), zona bregdetare e jugut ka një Plan Zhvillimi Rajonal, të hartuar nga konsorcium britaniko-austriak. Është plan që zbaton Kodin Evropian të Sjelljes në Zonat Bregdetare dhe të miratuar në 2008. Por për fat të keq, as drejtori i Agjencisë së Bregdetit nuk ishte në dijeni të këtij plani dhe u çudit kur i bëra dhuratë para një viti kopjen e planit të botuar. Është i vetmi plan urban i botuar në Shqipëri së bashku me të gjithë setin e dokumenteve, si harta, rregullore, udhëzime, kritere dhe vlerësim strategjik mjedisor. Por është trishtim të shohësh që personat e aftë me eksperiencë janë zbuar nga administrata dhe vendet e punës po plotësohen me militantë me diploma false. Kjo bën që askush në qeveri të mos dijë se çfarë po bën dhe nëse është apo jo e ligjshme veprimtaria e tyre, por veç po plotësojnë trillet e shefit të radhës. Pra, përderisa ka plane zhvillimi që tregojnë qartë se çfarë lejohet dhe çfarë nuk lejohet, administrata nuk ka nevojë për aksione, por duhet të zbatojë ligjin çdo ditë dhe pa përzgjedhje selektive mbi baza politike se kjo e zhvlerëson gjithçka.

Ju keni denoncuar në rrjetet sociale se qeveria është selektive në prishjen e ndërtimeve pa leje, madje keni aluduar për një deputet të majtë. Keni emra konkretë?
Sot që flasim po vijon haptazi mes syve të publikut dhe mes ditës për diell paligjshmëria e Koço Kokëdhimës. Kështjella e Koços në Qeparo është obelisku më i lartë i antiligjit në vend, pasi (i) shkel disa ligje, (ii) dhunon 2 plane urbane dhe (iii) ka të paktën 2 vendime për prishje objekti, që datojnë qysh në 2007 dhe 2010. Po shkelen haptazi 3-4 ligje në fuqi, si 'Ligji i Rezervave Ujore', 'Ligji i Planifikim-territorit', si dhe disa ligje të mbrojtjes së mjedisit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis. Njëherësh po injorohen si Plani i Zhvillimit të Bregut të Jugut, edhe Planet Vendore të Bashkisë së Himarës, që janë në fuqi dhe që nuk lejojnë ndërtimin e Koços. Për më tepër, INUK ka vendime për prishje nr. 688 të datës 03.04.2007 të objektit të Koços, qysh kur ishte në themele në 2007. Koço u bë "qerrata i madh", e mori vendimin për pezullim ekzekutimi të vendimit të INUK dhe çështja u mbajt pezull për disa vjet në gjykatë. Ngjashëm veproi edhe në 2010 dhe gjithë këto vite ai ndërtim i paligjshëm ishte në themele. Vjet në kohën e fushatës elektorale hodhi shtat kështjella e Koços, ndërsa tani në 2014-ën, kështjella e paligjshme është katërfishuar në madhësi krahasuar me 2013. Por çfarë shembulli po jepet për hallexhinjtë që policia u prish banesën ku fusin kokën? Po pse veprohet me dyfytyrësi, me standarde të dyfishta? Po si nuk ka pikë turpi që gënjen kryeministri kur na prallis se ligji do veprojë ndaj çdo shkelësi të tij? Po si nuk vepron fare asnjë institucion i shtetit, as INU, as INUK, as Policia, as AKPT, as Prokuroria? A kemi shtet ligjor apo shtet privat? Dhe imagjino kur shteti privat behet si lojë në duart e dikujt me kartelë psikike.

Meqë po flasim për planifikimin e territorit, si e konsideroni vendimin e fundit të Agjencisë së Planifikimit të Ferritorit për të pezulluar zbatimin e planeve urbane në të gjithë vendin për një periudhë 15-mujore?
Kjo është edhe antikushtetuese, edhe çmenduri një herësh, pasi me këtë akt qeveria po shpërfill marrëveshjet ndërkombëtare ku jemi palë dhe dhunon me dashje dispozitat kushtetuese. Është në dhunim të Kartës së Autonomisë Vendore të Këshillit të Evropës, që është ratifikuar nga Shqipëria dhe kundër vendimeve të gjykatës kushtetuese që ka vendosur disa herë se planifikimi dhe kontrolli mbi territorin janë përgjegjësi të pushtetit vendor. Del tani kryeministri me vendim kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese!? Kjo është një çmenduri që nuk mund të ndodhë në një shtet ligjor. Por këtu ai xhaxhi me kartelë psikike po merr pushtete që nuk ia njeh Kushtetuta. Po kërkon të bëhet de facto edhe kryetar i bashkive të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Himarës, etj. Po përse do organizojmë zgjedhje lokale, nëse ky po bëhet vetë kryetar i të gjitha bashkive të Shqipërisë? Dhunimi i Kushtetutës dhe uzurpimi i pushteteve të pavarura është tipike diktatoriale. Këtë bëri edhe Hitleri.
Po e ekzagjeroni duke e krahasuar me Hitlerin. Z. Rama fitoi zgjedhjet me 1 milionë vota.
Por edhe Hitleri i mashtroi gjermanët dhe fitoi zgjedhjet me 17 milionë vota dhe pas 12 vitesh përfundoi Gjermania me 7 milionë gjermanë të vrarë. Edhe Hiteri e gjente fajin gjithnjë tek të tjerët dhe tek opozita, ndaj Hitleri nxori ligj që bashkoi postin e kryeministrit me të presidentit dhe u bë njëherësh kryeministër dhe president. Edhe Hitleri thoshte "ne jemi socialiste, jemi armiq te sistemit te sotshem kapitaliat per shfrytezimin e te dobteve ekonomikisht..."Më pas nxori jashtë ligjit opozitën dhe krijoi partinë shtet. Po të shohësh, edhe z. Rama ankohet për të gjitha pushtetet e pavarura që nuk i bëjnë fresk. I uzurpoi të gjitha pushtetet e pavarura dhe tani na thotë se ia kanë fajin jo trafikantët e drogës dhe vrasësit që i ka bërë deputetë, por presidenti dhe opozita. Trishtim për gjendjen psikike të këtij njeriu që mashtroi shqiptarët dhe tani përpiqet të fajësojë të tjerët si gjithnjë.
Por vendimin për pezullimin e lejeve z. Rama e argumentoi si nevojë për të mos lejuar leje abuzive që mund të lëshohen…
Por atëherë zgjidhja qenka të marrë rolet edhe të kryetarëve të bashkive? Do na bëhet Rama kryebashkiak i të gjitha bashkive? Ka të pakteë 3 arsye pse kjo masë është thjeshtë rikthim i Ramës te vjelja e 20% tani që ekonomia është përtokë dhe nuk di nga të vjelë para. Së pari, Rama nuk na ka dhënë ndonjë shembull se ka ruajtur territorin në Tiranë, duke tjetërsuar në sheshe ndërtimi të gjitha ish- lulishtet e Tiranës, përfshi lulishtet tek "Partizani i Panjohur", ku po ndërtohet 24-katëshi i Fidelit, apo lulishtet përballe ish-selisë së PD-së, apo ish-lulishten te sheshi "Italia", për të mos folur për ish-lulishtet e vogla mes pallateve. Së dyti, nuk na ka dhënë as shembuj të mirë nga situata e prishjeve në bregdet, ku po prish sipas qejfit dhe jo sipas ligjit, siç shpjegova rastin e antiligjit "Koço". Së treti, ky individ është seriozisht i sëmurë, pasi shpall de facto uzurpimin e pushteteve të tjera, që nuk ia njeh as ligji dhe as Kushtetuta. Me një vendim, Këshilli i Territorit shpërfill marrëveshjet ndërkombëtare, si edhe injoron disa vendime të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka leje ndërtimi të debatueshme apo të kundërligjshme, këto trajtohen rast pas rasti në respekt të shtetit ligjor, por jo "një i çmendur, të gjithë vendin e çmend" se bllokon çdo zhvillim në të gjithë vendin për një periudhe 15-mujore! Autoritetet vendore nuk ka pse të harxhojnë kohën me hallet psikike të Ramës, por të respektojnë e zbatojnë Kushtetutën dhe planet urbanistike që janë në fuqi, pavarësisht qejfeve të këtij njeriu që gjen kënaqësi veç kur prish dhe kur bllokon.
Po ju si e konsideroni vendimin e bashkisë për ndërtimet tek diga e liqenit, që duket si vendim i diskutueshëm? Ju keni qenë ndër hartuesit e vlerësimit strategjik mjedisor.
Ta shohim çështjen sipas parimeve të shtetit ligjor dhe jo sipas dëshirave individuale. Fillimisht z. Rama u bë promotori që tokave private në atë zonë t'iu ndërrohej destinacioni nga zona sportive, në zona urbane. Kjo, pasi pronarë privatë rezultonin dy klientë të afërt të tij, ku njërit i kishte lëshuar dhe më parë leje për ndërtese mbi 20-katëshe në Tiranë, ndërsa tjetrit i kish shitur në mënyrë të kundraligjshme tokën në qendër të Tiranës me një vlerë qesharake, si të ishte tokë në fshat. Pasi ktheu destinacionin e tokës në tokë urbane, Ramës iu hap oreksi dhe prezantoi edhe planin e arkitekturës moderne me ndërtesa 45-katëshe, që tjetërsonin të gjithë zonën, përfshi edhe tokat publike. Plani i Ramës parashihte prishjen e fushave të sportit dhe pishinave për ngritjen e ndërtesave 45-katëshe. Edhe mua do më pëlqente që edhe tokat private të shpallen si zonë e gjelbër apo zonë sportive, por kemi dy parime të shtetit ligjor që duhen respektuar, siç janë (i) një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet pa një kompensim të drejtë dhe (ii) shpronësimi për interes publik. Privatët kanë fituar një të drejtë nga z. Rama, siç është e drejta për t'a pasur si zonë urbane tokën e tyre private. Për t'a kthyer mbrapsht këtë gjë, duhet që shtet t'i paguajë privatit një shpërblim/kompensim të drejtë. Së dyti, nëse ne si shoqëri kërkojmë të zgjerojmë vijën e gjelbër të parkut, apo zgjerojmë zonat rekreative (aktualisht ato toka që janë djerrë dhe jashtë vijës së gjelbër të parkut apo të zonave sportive), ne duhet që t'i kërkojmë qeverisë të nisë procedurat për shpronësim për interes publik. Pra, duhet që si shoqëri të jemi të ndershëm dhe të biem dakord të taksohemi për të rritur sipërfaqet publike (të gjelbra dhe sportive). Duke pasur parasysh që toka private është rreth 20,000 m2 me çmimin e tokës si truall në qendër të Tiranës prej 1,000 euro/m2, i bie që qeveria të paguajë pronarët e tokës të paktën 20 milionë euro, që të kemi zgjerim të zonave rekreative. Tani të kthehemi te vendimi i bashkisë. Plani i Tiranës dhe Vlerësimi Stra-tegjik Mjedisor kërkojnë që të mos zvogëlohen sipërfaqet e gjelbra dhe sipërfaqet sportive në Tiranë (përveçse për një interes të madh publik). Pra, sipërfaqet sportive (që janë veç toka publike se tokën private Rama e bëri truall ndërtimi) nuk mund të tjetërsohen. Vendimi i bashkisë duket se respekton moscenimin e sipërfaqeve ekzistuese sportive, pasi ka ruajtur si zona sportive tokat publike ku ndodhen fushat dhe pishinat, ndërsa ka lejuar zhvillimin në tokat private që u është kthyer destinacioni në zona urbane. Për më tepër, në planin urban është menduar që kjo zonë të kthehet në një pol rekreacioni për qytetin, ndaj edhe bashkia po mendon që në sipërfaqet e tjera publike që ka në atë zonë të ofrojë sipërfaqe për shërbime të tjera rekreacionale si për shembull Cirku i Tiranës, etj. Ndonëse është e pëlqyeshme, nuk është parashikuar as në plan dhe as në VSM që bashkia të përdorë miliona euro për shpronësime për interes publik në atë zonë. Nëse bashkia do kishte miliona euro gjendje për shpronësime, ajo ka më urgjente të dyfishojë sipërfaqet për varreza, që është një gangrenë e përhershme e qytetit. Për gjithë këto arsye, Rama e ka vetë në dorë që nëse e gjykon të rëndësishme, mund të bëjë shpronësim me çmim tregu për interes publik dhe jo të bëjë shfaqje një herë me gaztorin Bushat dhe herë tjetër me gaztorin Lame, që golemizoi gjithë bregun.

(ed.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

No comments: