Wednesday, July 2, 2014

Legjenda “të zeza”. Klishetë që njollosin historinë e Kishës

Që nga Inkuizicioni i Shenjtë, tek gjuetia e shtrigave, klishetë dhe gënjeshtrat që edhe sot njollosin historinë e Kishës. Vatikani ka fajet e tij, nuk ka asnjë diskutim. Në të kaluarën ka bërë padrejtësi të mëdha dhe krime të tmerrshëm. Por faktet duhet të shihen gjithmonë në perspektivën e tyre historike. Gjë që të bën të zbulosh, ndonjëherë, që janë zmadhuar apo madje edhe sajuar

Papesha Giovanna
Zërat për një “papeshë” Giovanna nisën që të qarkullojnë në shekullin XI, por ata i bënin jehonë një episodi që kishte ndodhur 200 vjet më herët: një farë Giovanna e Mainzit, thuhej se ishte zgjedhur në fronin papnor me emrin Giovanni VIII. Gruaja, që ishte veshur si gjoja murg për t’u futur në mjediset e Vatikanit, u cmaskua kur lindi fëmijë në rrugët e Romës gjatë një procesioni.
Historia duket se gjen konfirmim tek ekzistenca e një karrikeje në përdorim për transportin e papës, e quajtur “gestatoria”, tek një fron i mermertë me një vrimë në qendër që do të përdorej që atëherë për t’i mundësuar një kardinali që të verifikonte tek prania e të sapozgjedhurit e atributeve mashkullorë, dhe tek ekzistenca, në Romën e asaj kohe, e një vicus Papissa, që, nga Palazzo Laterano ngjitej në San Pietro. Skandali pati një farë besueshmërie edhe në mjediset e Vatikanit, aq sa u diskutua gjatë Këshillit të Costanza në 1414-18.
Sa të vërtetë ka në këtë rrëfim? Sot historianët bien dakord kur e konsiderojnë një legjendë. Disa mendojnë për një satirë kundrejt Papës – i cili ka ekzistuar vërtetë – Giovanni VIII, i cili qe bërë i njohur për një dobësi në marrëdhëniet me patriarkun armik të Bizantit, Fozio. Për të tjerët, modeli historik i papeshës ka qenë gruaja fisnike dhe e pushtetshme Marozia, e cila në vitin 931 thuri një intrigë me qëllimin për të hipur në fronin e Pjetrit një birin e saj. Të tjerë akoma ia atribuojnë zellit të romakëve për të sajuar histori plot fantazi duke filluar edhe nga dyshimi më i vogël. Rruga Papissa, për shembull, e ka marrë emrin e saj nga familja e pasur Papa, që aty kishte shtëpinë. Kur pasardhësi i fundit, Giovanni, ndërroi jetë në vitin 973, ai la vejushë… Papeshën. Pra, nuk ka aspak të bëjë me një papë grua.
Inkuizicioni brutal
Për të gjithë është simbol i obskurantizmit të Kishës. Dhe shpesh herë ishte vërtetë. E megjithatë, inkuizicioni (i parashikuar nga Këshilli i Veronës në 1184 dhe i vënë në zbatim nga Innocenzo III diku rreth vitit 1230) kishte në fillim detyrën institucionale që të kthente të krishterët e dyshuar për herezi në shtratin e ortodoksisë, duke i shtyrë drejt pendimit më shumë se sa t’i persekutonte në mënyrë sistematike. Sigurisht, nëse predikimet nuk mjaftonin, atëherë përdoreshin metodat më bindëse të torturës (e autorizuar në vitin 1152 nga papa Innocenzo IV): që megjithatë ishte rregulli edhe në gjykatat civile. Ata që kryenin marrjet në pyetje dhe dënimet e inkuizitorëve ishin zakonisht xhelatë të varur nga krahu laik (mbretër apo zotër lokalë). Edhe famëkeqi Bernardo Gui, inkuizitor në Carcassone (Francë) kundër Katarëve (më pas të asgjësuar në masë nga një kryqëzatë) nga 930 dënime coi drejt vdekjes vetëm 32 vetë. Shumë më tepër ia hidhnin me një pelegrinazh pendimi në Tokën e Shenjtë.
Pastaj duhet bërë dallimi mes Inkuizicionit të shenjtë dhe Inquisicion-it spanjoll. Ky i fundit ishte një organ laik, bekuar në 1478 nga Sisto IV por i kërkuar dhe kontrolluar nga “mbretër katolikë” Ferdinando dhe Isabella që e shndërruan në një instrument represioni politik (që në atë kohë nënkuptonte persekutimin e hebrenjve dhe myslimanëve). Autodafe-të e urdhëruar nga Inkuizitori i madh Tomas de Torquemada nuk ishin megjithatë, sic mendohet sot kur thuhet kjo fjalë, turra drush që purifikonin, por procesioni gjatë të cilëve të dënuarit hiqnin dorë nga mëkatet duke kryer një “akt besimi” në sheshin publik.
Ungjijtë apokrifë, të fshehur dhe shkatërruar nga Kisha
Ungjijtë e pranuar nga Kisha janë katër: i Markut, Mateut, Lukës dhe Gjonit. Por tekstet e prodhuar nga komunitetet e krishterë të shekullit të parë janë shumë më tepër. Mes tyre, të ashtuquajturit ungjij apokrifë (të paprovuar): një term me origjinë greke që fjalë për fjalë përkthehet “i fshehur”. Dhe që ka nxitur shumëkënd të arrijë në konkluzionin që ata tekste janë fshehur prej hierarkive kishtare. Këto të fundit ishin të gatshme të konsideronin heretike cdo lëvizje që bënte sipas atyre teksteve, por përkundër asaj që thotë shkrimtari Dan Broun në librat e tij, Kisha nuk kishte asnjëherë nevojë që t’i kundërvihej botimit: dënimi i tyre e kish mbyllur cështjen që 1800 vjet më parë. Shembulli ndoshta më i përmendur është ai i Ungjillit sipas Judës (që rivlerëson figurën e apostullit “tradhëtar”). Ashtu si dorëshkrimet e zbuluar në vitin 1945 në Nag Hammadi në Egjipt, ky apokrif u redaktua ndoshta rreth shekullit II në brendësi të një prej sekteve gnostikë të pranishëm në kristianizmin e fillimit dhe i hedhur poshtë si heretik në po të njëjtin shekull. Nga ky tekst, i konsideruar i humbur, në vitin 1978 u identifikuan fragmente në një kod të zbuluar në El Minya në Egjipt. Por më pas nga dorëshkrimi u humbën gjurmët në sorollatjet e tregut të të antikuarëve (gjë që ushqeu zërat për një shkatërrim të tyre për qëllime censure) deri kur në vitin 2000 u ble në një ankand, u përkthye dhe u botua duke filluar që nga viti 2006.
Obskurantizmi ndaj shkencës
Kisha është akuzuar disa herë se i është kundërvënë progresit shkencor. Rast emblematik është ai i Galileo Galileit, i dënuar në vitin 1633 nga Selia e Shenjtë për shkak të shkrimeve të tij në favor të teorisë heliocentrike të Kopernikut (sipas të cilit është Toka që rrotullohet përreth Diellit dhe jo e kundërta). Në të vërtetë, Kisha ka patur gjithmon një qasje të hapur ndaj shkencës.
Edhe në rastin e Galileos, ndonëse bëri një gabim trashanik (aq sa në vitin 1992 Papa Gjon Pali II e rehabilitoi plotësisht shkencëtarin nga Piza), dënimi i Inkuizicionit erdhi më shumë prej sjelljes kryelartë të Galileos dhe për faktin që kishte tradhëtuar besimin e Papës së atëhershëm Urbani VIII (të cilin e kishte mik), sesa për mbështetjen e tij për heliocentrizmin, që Kisha thjeshtë Kisha nuk e konsideronte të provuar mjaftueshëm.
Pra, ndonëse me ndonjë kontrast aty-këtu, pikërisht në gjirin e Kishës ka lindur shkenca moderne. Vetë Koperniku ishte një njeri fetar. Ashtu si ai, ishin me qindra priftërinjtë që iu dedikuan me sukses kërkimit shkencor. Sa për të kujtuar disa: Luigi Galvani, studiues i elektricitetit tek kafshët, Ruggero Boscovich, astronom, Filippo Cecchi, sizmolog, Giovanni Caselli parashikues i faksit, Eugenio Barsanti, ideator i motorrit me plasje.
Gjuetia e shtrigave, instrumenta të demonit
Vlerësimet më të fundit flasin për 3 milionë persona të gjykuar për shtrigani deri në 1756 – kur në Bavari u dogj në turrën e druve shtriga e fundit – dhe për afro 40 mijë të dënuar me vdekje, prej të cilëve 80 përqind ishin gra. Por gjuetia e shtrigave nuk ishte tërësisht faji i Kishës. Vetë Ligji i Moisiut kërkonte përndjekjen me masa drastike të magjistarëve e fallxhoreve. Dhe një pjesë e madhe e proceseve kryheshin në gjykata civile, duke qenë se Inkuizicioni merrej vetëm me herezitë. Po kaq fals është besimi që persekutimi ka qenë tipik i “shekujve të errët” të Mesjetës: në të vërtetë, kulmi më dramatik në proceset për shtrigani erdhi mes shekullit XV dhe gjashtëqindës. Teksti bazë i “gjuetarëve të shtrigave” (i shkruajtur ky nga një fetar, domenikani gjerman Heinrich Kramer), best selleri Malleus Maleficarum (Cekici i shtrigave) u publikua në 1486: një manual famëkeq që përshkruan kriteret për të njohur dhe ndëshkuar një shtrigë. Mbi të gjitha rreth vitit 1000, disa papë kërkuan madje të frenonin gjuetinë e shtrigave, që shpesh dilte jashtë kontrolli. Në 1080 Gregorio VII i dërgoi Mbretit Harald të Danimarkës një letër që i ndalonte persekutimin e grave të akuzuara se provokonin stuhira, fatkeqësi dhe sëmundje, duke ndaluar gjykimin në bazë të atij që e gjykonte një përdorim barbarik.
Vrasësi i Gjon Palit I
Mëngjesin e 29 shtatorit 1978 u gjet i vdekur në shtratin e tij papa Gjon Pali I. Papati i Albino Lucianit, i zgjedhur gjatë një prej konklavave më të shkurtëra të historisë, kishte qenë po ashtu i shkurtër: vetëm 33 ditë. Që nga emri që i ishte dhënë, i zgjedhur për herë të parë pas 2 mijë vitesh histori, duke bashkuar emrat e dy paraardhësve të tij, atë të Gjon Palit, ishte konsideruar një papat kthese, një fillim i ri për Kishën. Për këtë arsye vdekja e tij e papritur shkaktoi turbullirë. Shumë shpejt nisi të qarkullojë një zë që papa ishte vrarë, për më tepër që Vatikani refuzoi autopsinë. Sa për porositësit, u përmendën emrat e sekretarit të atëhershëm të shtetit, kardinali Jean-Marie Villot, dhe ai i drejtorit të Institutit për Veprat e Fesë, praktikisht Banka e Vatikanit, peshkopi Paul Marcinkus. Qëllimi: synimi i të sapozgjedhurit për të pastruar curia-n romane nga ata prelatë pa skrupuj që ushtronin trafiqet e tyre fitimprurës nën hijen e Shën Pjetrit.
Përkundër kësaj teze, Papa kishte deklaruar në të vërtetë në shumë raste se nuk do të modifikonte asnjë detyrë për të paktën një vit, duke qenë se e njihte shumë pak situatën. Sa për shëndetin e Lucianit, ai nuk ishte aspak i mirë, sic duan të lënë të kuptohet ata që dyshojnë për komplot, kështu që vdekja e tij nuk ishte kaq e papritur. Për vëllanë e tij, Eduardo, Albino kishte qenë gjithmonë me shëndetligë dhe i ishte dashur t’u nënshtrohej disa ndërhyrjeve. Motra e tij, Nina shpjegoi që në shtëpinë e nënës së saj kish patur shumë vdekje të papritura. Dhe Gjon Pali I vuante prej kohësh nga shqetësime në qarkullimin e gjakut. Dy sekretarët e tij dëshmojnë që në pasditen e 28 shtatorit ai u ankua për dhimbje në gjoks, por nuk pranoi të thirrej mjeku, një vendim që rezultoi fatal. Arsyeja përse nuk u urdhërua një autopsi ishte edhe sepse në atë kohë askush, as të afërmit nuk e konsideruan të nevojshme. Mjeku personal i papës tha se vdekja i kishte ardhur nga një infarkt, një diagnozë që më pas u korrigjua në një bllokim pulmonar, që sjell vdekjen brenda pak sekondash dhe është më i pajtueshëm me faktin që papa u gjet në gjumë, pa asnjë shtrembërim në mimikë që vjen prej dhimbjes, sic do të kish qenë normale në rast të një vdekjeje nga infarkti apo helmimi. Focus
Pershtatur nga bota.al

No comments: