Pak javë më parë botova në faqet e gazetës “Panorama” një shkrim të frymëzuar nga libri madhështor “Në kërkim të sensit të humbur” i publicistit të shquar polak Adam Michnik, botuar nga Instituti
Tani një libër tjetër politik po nga Instituti i Mediave, nga një tjetër autor i shquar “lindor”, bullgari Ivan Krastev, më pak bullgar sesa është Michnik polak, më shumë universal sesa vendor në gamën dhe markat
e problemeve që trajton në librin e tij një mendje e hapur dhe e mprehtë, që referohet tashmë në mbarë botën e “think tankut” për vëzhgimet e holla dhe analizat e thella rreth zhvillimeve politike bashkëkohore. Libri i tij me titullin kontrovers “I besojmë mosbesimit” paralajmëron dhe përmbledh qysh në titull një seri paradoksesh në demokracinë bashkëkohore, të tilla si, sa më e madhe duket në pamje të parë pjesëmarrja e qytetarëve, aq më pak marrin pjesë ata në përcaktimin e politikave të qeverisë, sa më shumë duket se kemi transparencë, aq më pak kemi njohuri dhe informacion për punët e qeverisë, sa më të mira e më të detajuara duken masat për garantimin e zgjedhjeve, aq më i madh rreziku i manipulimit të tyre me duar të pastra, sa më të shumtë jemi e ndihemi në bashkësinë pa kufij të rrjeteve sociale, aq më të vetmuar, më të largët e më të tjetërsuar bëhemi në raport me të tjerët. Në fakt, libri, më saktë eseja e Ivan Krastev, më ka magjepsur pikërisht për kapjen dhe zbërthimin me nge me ftohtësinë e një eksperti, të kurthit të ri që epoka e sotme, sidomos ajo dixhitale, i ka ngritur individit në shoqërinë perëndimore, duke e iluduar sikur e ka venë në qendër të universit, gjykatës të madh të gjithçkaje me telefonin e tij inteligjent, që klikon “jo” për çdo gjë që nuk i pëlqen dhe ashtu ndihet i realizuar apo pjesëmarrës në versionin modern të demokracisë së drejtpërdrejtë, si në mbledhjet e mëdha të popullit (eklezisë) në Greqinë e vjetër, por që vendos shumë pak ose nuk vendos për asgjë në lidhje me politikat konkrete të sigurisë, zhvillimit dhe demokracisë. Kjo nuk do të thotë se autori është kundër revolucionit dixhital. Përkundrazi, ai e konsideron atë një ndër pesë revolucionet e mëdha të pesëdhjetë viteve të fundit, që kanë sjellë një progres të jashtëzakonshëm, të panjohur në histori, edhe në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore. Ai thjesht konstaton me mprehtësi edhe anën negative të pasojës, që ky revolucion ka prodhuar në planin e raportit të individit me tjetrin, me bashkësinë, me shoqërinë, duke shtjelluar bashkë me kriticizmin e tij edhe pikëpamjen se si mund të pajtohet revolucioni dixhital me detyrat qytetare të individit në shoqërinë e lirë. Nga kjo pikëpamje, libri i Krastev është si me thënë zbulesa dhe paraqitja lakonike e problemeve të reja madhore që ka krijuar për demokracinë jo kriza e saj, por normaliteti, rutina, suksesi i saj.
Një prej këtyre problemeve gjen shprehje në pyetjet e rënda që jehojnë në të nëntëdhjetë e tetë faqet e librit në fjalë: “A është populli ende në fuqi? A kanë më pushtet votuesit? Mos është bërë demokracia përfaqësuese diçka sa për sy e faqe”?
Përgjigjja e menjëhershme që të vjen në mendje, është: “Po, patjetër, përderisa demokracia është sistemi i zgjedhjeve të lira”. Me cinizmin e tij të çelët autori citon kalimthi një shprehje, që thotë se e ka lexuar të shkruar në një faqe muri gjatë një fushate zgjedhjesh në Bullgari: “Sikur zgjedhjet të ndryshojnë gjë, do t’i kishin ndaluar”. Përtej batutave me të qeshur e me të ngjeshur, siç themi në të folurën tonë popullore, problemi i delegjitimimit dhe shfunksionalizmit të zgjedhjeve është shumë serioz dhe bëhet akoma më serioz me trajtimin e thellë që i ka bërë Krastev në librin e tij. Forcat që ia kanë dalë t’ia marrin për fare apo, në rastin më të butë, të ndajnë me popullin fuqinë e tij të votës, janë disa. Në esenë e tij, Krastev fokusohet te dy prej tyre: Tregjet në një anë dhe regjimet autarkike me fasadë demokratike në anën tjetër. Në rastin e parë, autori sjell shembullin e rrëzimit nga pushteti të qeverisë italiane të Silvio Berluskonit para dy vjetësh. Berkuskoni i kishte numrat e votuar për të qeverisur, por në një moment të caktuar, duke shfrytëzuar e përdorur protestat e opozitës dhe sindikatave, bankat dhe kapitali “urdhëruan” rrëzimin e tij për t’i hapur rrugë qeverisë së teknicienit Mario Monti. Pavarësisht se nuk shpreh simpati për Berluskonin si lider politik, autori nënvizon ne hidhësi se njerëzit që po protestonin në rrugë kundër tij nuk ishin më aktorët, por spektatorët e historisë. Duke shtuar: “Një numër gjithnjë e më i madh çështjesh si ato të madhësisë që duhet të këtë një deficit buxhetor për të qenë i pranishëm, nuk janë më kompetencë e politikës elektorale”. Ai thellohet në këtë argument duke evokuar e analizuar në dritën e zhvillimeve bashkëkohore konfliktin e vjetër midis demokracisë që i trajton individët si të barabartë dhe sipërmarrjes e tregut që i mat në bazë të vlerës. Tensionet që prodhon ky lloj konflikti, thërrasin në kauzë profesionalizmin në politikë dhe në qeverisje për të kuptuar e menaxhuar qartë përgjigjet që jep demokracia në një anë dhe përgjigjet që jep e duhet të japë qeveria në anën tjetër.
Në lidhje me format “e reja” të devijimit të vullnetit të zgjedhësve nga një regjim autarkik apo oligarkik me fasadë demokratike, Krastev sjell shembullin e instalimit nga regjimi i Putinit i kamerave dhe web-eve në të gjitha qendrat e votimit, ku gjithkush që dëshironte mund të ndiqte live zhvillimin e zgjedhjeve të fundit në Rusi. Nga një anë ky ishte shembulli me ekstrem i transparencës në historinë e botës, por nga ana tjetër, nënvizon autori, Putin kishte llogaritur t’u linte për të kuptuar zgjedhësve në Rusinë e thellë e të paanë se vota e tyre vëzhgohej.
Pa dashur t’i heqim lexuesit të interesuar kureshtjen e leximit të këtij libri, që u rekomandohet më përparësi atyre që merren e duan të merren me politikë, le të kthehemi menjëherë “te delet tona”, siç thotë fjala e njohur, dhe të shtrojmë pyetjen: Si qëndron çështja e votës së shqiptarëve në dritën e trajtimeve të esesë në fjalë? Vota e shqiptarëve jo vetëm nuk bën përjashtim, por është e para në kontinent për sa i takon dobësisë, shfuqizimit. Përveç faktorëve të jashtëm që diktojnë politika monetare dhe fiskale që nuk janë realisht, si në shumicën e vendeve demokratike, pjesë e politikave elektorale të partive- dhe këtë ne e pranojnë si një humbje të vullnetshme të sovranitetit të votës deri në masën që politikat standarde të mos i marrin frymën zhvillimit të vendit-, në Shqipëri veprojnë si askund tjetër gënjeshtrat elektorale dhe blerja e votës. Të lidhura se bashku, këto dy sëmundje e kanë çuar praktikisht drejt shuarjes fuqinë e votës së shqiptarëve. Edi Rama gënjeu, fjala vjen, për legalizimet, jo sepse nuk e dinte se premtimi për ta bërë “falas” ishte një mashtrim, por ai po luante me fjalën falas për qëllime elektorale, duke konfonduar e duke lënë me dashje pa sqaruar faktin se me “falas” kishte parasysh shërbimet dhe jo çmimin e tokës, mbi të cilën janë ndërtuar ndërtesat që presin për t’u legalizuar. Në këtë mënyrë ai po premtonte një gjë të gënjeshtërt, të cilën sipas tij do të kishte kohë ta sqaronte pasi të fitonte, duke qenë se “ky popull nuk ka se çfarë të të bëjë pasi ia ke hedhur”. Në të vërtetë, në rastin e premtimeve të pamundura të llojit të legalizimeve falas, vepron ligji i matrapazllëkut, ku përfshihen edhe ai që e bën, edhe ai që e ha. Ai që e bën, nuk e ka problem ta mohojë sapo të mos i duhet më. Ai që e ka ngrënë, nuk e ka të lehtë të reagojë pa u demaskuar paksa si sylesh dhe budalla.
Ky i legalizimeve “falas” është shembull tipik i “blerjes” së votës me premtime kallpe. Por ka edhe blerje me premtime normale, që janë braktisur pa asnjë shpjegim dhe ndjesë nga qeveria “Rama”, duke shkuar me mendimin se shqiptarët flasin, ankohen, dalin edhe në rrugë një pjesë, por nuk ngrihen masivisht si trup i vetëm kundër gënjeshtrave elektorale pa pritur që të vijnë zgjedhjet e radhës, siç kanë bërë e siç bëjnë qytetarët në vendet perëndimore.
Premtimet e bëra me paramendimin për t’u braktisur janë një formë e “zarfit” për blerjen e votës. Forma tjetër janë blerja me premtimin e posteve dhe vendeve të pamerituara të punës për militantë me diploma false dhe me rekorde kriminale, fenomen shumë i përhapur në administratën e qeverisë PS-LSI. Kjo ka bërë që Shqipëria, ndryshe nga disa vende europiane ku meritokracia i është mbivendosur disi demokracisë dhe për këtë është dhënë alarmi, të jetë në këtë rrafsh një vend pa demokraci dhe pa meritokraci njëkohësisht. Forma e tretë është zarfi me para, blerja e votës kundrejt shumës 3-7 mijë lekë të rinj, aplikuar masivisht nga parti dhe kandidatë të shumicës qeveritare, në shumë zona të Shqipërisë, që janë sot fotografia e pllangave të turpit në hartën e shpërndarjes së votave. Shitja e votës është dorëheqje ekstreme e zgjedhësit nga fuqia e tij, është mandatimi me fuqi të pakontrollueshme i atij që jep paratë, është shprehje e humbjes së besimit nga një numër i madh zgjedhësish se gjërat mund të rregullohen me votë, është vrasja e zgjidhjeve. Të gjitha këto mund të thuhen vazhdimisht, madje me nerv. Por themelor është rikthimi i vlerës së votës, rrjedhimisht i pushtetit real të popullit. Njerëzit nuk mund të jetojnë në mosbesim. Kjo do të ishte mizore.
“Thelbi i politikës demokratike është gatishmëria për të qëndruar dhe për ta ndryshuar realitetin”, shkruan në fund të esesë së tij të trishtë Ivan Krastev.
Bashkohem me të kur i përgjigjem kështu pyetjes themelore “A është populli ende në fuqi”? Pavarësisht nga të gjitha, përgjigjja më e saktë sipas meje është: “Nëse do, po”. “Nëse nuk do të gënjehet, po”.
No comments:
Post a Comment