Monday, January 13, 2014

Viti '50, Mustafa Kruja, Abaz Kupit: Më ndihmo, kam thikën në asht

Se në ç’gjendje ishin intelektualët e mërguar shqiptarë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, të shpërndarë në gjithë vendet e botës, na e dëshmon edhe kjo korrespodencë mes Mustafa Krujës dhe Abaz Kupit diku në villim të viteve ’50.  Saktësisht janë dy tekste, ku nuk shënohet një datë e saktë, por ngjarjet dhe rrethanat na çojnë në përfundimin se ato janë shkruar pas vitit 1949, kur Kruja ishte ende në Itali e Abaz Kupi me shumë gjasa në SHBA.

Bëhet  fjalë për një letër të Mustafa Krujës në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetiake nëpërmjet Oborrit - Mbretëror dhe në tjetrën janë “porositë” që ish kryeministri, në sajë të përvojës dhe disa viteve më shumë si moshë, i lejon vetes t’i përcjellë mikut  në lidhje me veprimtarinë  e tij në Lëvizjen e Legalitetit
e në Komitetin “Shqipëria e lirë”. Është një shpalosje e opinioneve të tij mbi shumë pjesëmarrës në politikën shqiptare.
Të dy këto materiale i serviren lexuesit nga nipi i Mustafa Krujës Eugjen Merlika, i cili vitet e fundit po zbardh gjithë epistolarin të gjyshit, përmes të cilit personaliteit i Mustafa Krujës merr një tjetër ngjyrim nga ai që i ka dhënë historiografia deri më sot.

Vlla i dashëm,
            Ka kohë qi e kam marrë letrën t’ate. Faleminderës Zotit për shëndet e jetë qi të ka dhânë. Sa të jenë këto dý gjâna themelore për tjerat rron njeriu me shpresë.
Vërte, si thue ti, koha e ardhëshme âsht krejt e panjohun për né. Si duken sod punët e botës vështirë âsht për kêdo me pasë nji mendim të qartë për ç’do të gjajë nesër. Prandej kshillet dhe nxitjet e urta për nji bashkim të gjithë shqiptarvet të përjashtëm qi po vijnë herë mbas here ka do kohë e këndej prej rrethit të Mbretit janë fare me vênd.
            Por, o i dashun Baz e din edhe ti e sidomos Mbreti vetë mâ mirë se kushdo tjetër qi ne na ka mallkue Zoti nji ditë mâ keq se çfutnit e kishem me thânë se vetë i Lumi me pasë për të dalë për fushë s’ka me i bâ pare kshilli e fjala për me na bashkue ! Shtëpia ka marrë zjarm, robt gati të gjithë i kemi atje në njimijë gazepe, na vetë khâ prap në pikë të hallit e në mëshirë të rasavet, me halle e me rreziqe : e me gjithë këtê e shikojmë shoshoqin shtrêmbët e me mëní në zêmër. Thuhet se jemi të damë trísh. Por e vërteta âsht se jemi sa bishta aqë krenë : gjithkush ka mendimet e bukura të vetat për Shqipnín qi sod nji herë po e ka në dorë tjetërkush, edhe s’i ep të drejtë kurrkuj me e mendue ndryshe, se cilido e njeh veten mâ të mêndshëm se tjerët !

            E me gjithë këtê pra lum Vllai, rruga e bashkimit për Shqiptarët mbrênda e jashtë kudo qofshin, qyshë kur qe pá mâ se si po mbaron puna e Shqipnís mbas ksaj lufte, ka qênë e âsht nji e vetme dhe nj’aq açik sa me e pá e me e gjetë deri kalamâjt e djepit : me u vue të tânë në dispozicjon të Mbretit si ushtarë të dishiplinuem. Por un s’e shoh e s’e besoj qi të gjajë kjo mrekullí.
            Mblidh e çëmblidh nji pjesë mezi mbërrîni me vêndue qi duhet çue nji delegacjon në Kajro! Nji pjesë tjetër mezi  mundi me qitë prej nji grumbulli të madh njerzish ndonji qi ishte mâ i panjoftuni ndër të gjithë, ndonji kalamâ qi porsa âsht hudhë në fushë të politikës me nji vrullë ambicjoni të pandalueshëm edhe ndonji të tretë qi, në rasa tjera, mund t’ishte nji ndër mâ të mirët por qi koha s’i përmeton sod me u dukë në ballë. Edhe këta përbâjnë nji delegacjon të dytë. Për të tretin s’âsht nevoja të flas un.
            Tashti për vete.

            Sa për ndonji farë veprimtarije, me të thânë të vërtetën, e kam pá t’arsyeshme me ndêjtë krejt mbë nji anë me hallet e kasavetet e mija. Sa herë qi kam pasë rasë me u takue me miq e me shokë qi më besojnë e më ndigjojnë i kam kshillue ashtu siç m’a ka marrë mêndja mue se e lyp e mira e përgjithshme. Tjetër ç’mundet me u bâ sod për sod? Për mue âsht edhe rreziku i jetës s’atyne qi kam në duer të xhelatvet.

            Vlla i dashëm, po due me t’u lutë për nji nderë, në qoftë se ka si bâhet. Këtu n’Italí gati qyshse kam ardhë  jam vû me kërkue ndonji farë pune për me i sigurue vetes nji kafshatë bukë. Deri sod s’ka qênë e mundun me u gjetë kurrgjâ. E thika ka hasë n’asht ! Kam dashë me shkue në Tyrqí, ku ndoshta me ndihmën e ndonji miku të vjetër mund të gjêjshem ndonjë punë. Por Tyrqia s’ka pranue deri sod kurrkênd. Tashti kam do kohë qi kam diktue nji mik n’Argjentinë. Ky m’âsht zotue se ka për t’u mundue me më gjetë punë atje. Mirë po dhe atje s’âsht pun’ e lehtë me shkue. Vështirsít janë të shumta. E mâ e para nji herë pasaporta.

Qe pra kjo âsht ndera qi po due me të lypë sod. Kam ndie se Përfaqsija mbretnore e Misirit u ka lëshue pasaporta disave, qofshin edhe njerëz si un e me emën të madh. Por kjo âsht punë për t’a gjykue tjetër kush e jo un. Po të mbyll këtu edhe dý fotografí e shënimet qi duhen për pasaportën. Emnin po e vê Asim Merlika e s’âsht nevoja me u zgjatë me spjegime për hjekjen e Mustafait dhe të Krujës. Ti e kupton vetë. Sa për Asimin, ky ka qênë heret bishti i emnit t’em, e sod po e ngjallim prap e bâjmë emën.
Po qe pra se ka si lëshohet pasaporta e ime, do të mendojsh edhe për Bashkimin Ky tashti merr doktoratin në kimí e del kimist në këtë muej qi vjen ase mâ së largu në korrik. Bashkimi, sa për nji bark bukë, ka gjasë qi të gjêjë punë edhe n’Italí. Por s’po m’a bân zêmra me u largue fort prej të vetmit djalë qi mund të kem afër vetin. Edhe për tê pra po të çoj fotografí e shënime.

Si vênd për me shkue, duhet me vue gjithë Shtetet, mbasi puna e jonë âsht ku të na dalë fati.
Të lutem shumë, Baz i dashun, mos me m’a vonue nji përgjegje për këtë punë, se ti e merr vesht sa rândsí ka ajo për mue. Deri sod kam jetue në kurriz të vjehrrit t’Asllanit qi ka nji restorant të vogël. I kam rá n’oxhakt edhe nji miku tjetër. Por nuk rrohet gjithmonë me lypa e lëmosha. Ti më njeh e më beson se s’i qahem kot as mikut mâ të dashëm si ti.

Mâ e mira gjâ për këtë turmë të padishiplinueme politikansh do t’ishte me u gjetë kund ndonji vênd e punë për t’u sigurue kafshatën e gojës, mbasi ûja për fat të zi âsht kshilltarja mâ e mbrapshta, se t’u vên perde syvet e të çon edhe ku s’duhet me shkue. E dij se s’âsht punë e lehtë, por po e shënoj si nji qëllim për t’i rá mbrapa. Këtu mbasandej janë të gjithë me frikë e, deri diku me të drejtë, se mos të dorzohen nji ditë në dorë t’anmikut.
Mustafa

Kshilla Abaz Kupit

            1. Me bâ çmos për me fitue zêmrat e besimin e burrave të ndershëm përgjithsisht. Por mâ të parët e në krye të të gjithve për tý, Baz, janë Kapidani e Vërlaci qi i ke në dy krahët e vêndit t’ând. Vetëm me bashkpunimin e ju të treve bâhet vêndi nji copet prej Mirdite e deri n’Elbasan. Mos harro kurrë se këto krahina janë zêmra e Shqipnís e se këto e kanë luejtë gjithmonë mâ të madhin rol në historín e Shqipnís. Prandej komitet a pa komitet, ju të tre duhet të jeni të padá prej njâni tjetrit.

            2. Ju të tre bashkë mbasandej duhet të bâhi qêndra tërhjekse e nji përmbledhjeje mâ të gjânë e mâ të plotë me burra të mirë sa të jetë e mundun e me njerëz tjerë qi mund të luejnë nji rol në Veri e në Jugë. Të përpiqi mos me ftofë kurrkênd, por besimin e shpresën duhet t’a mbështetni vetëm në burra qi para çdo gjâje, edhe para vetvetes, mendojnë Shqipnín. Ȃsht e vërtetë se ksi burrash ka pak, por duhet të dijni me zgjedhë ata mâ të mirët qi janë.

            3. Muharrem Bajraktari âsht egoist e i marrë. Por për fat të keq ka nji emën e âsht guximtar. Prandej mundet me luejtë nji rol në Veri. Prej asaj ane si elementa të dorës së dytë për influencë, por burra me vjeftë, keni Tahir Kolgjinin, Asllan Zenelin e Miftar Spahín. Dibranë qi mund t’i besohet për besë e patrijotizëm, âsht Fiqriu, por mjerisht âsht i plogët. Atij qi âsht i gjallë, Hysniut, s’i besohet as deri ke dera. Cen Elezi s’meriton as me e zânë me gojë.

            4. Prej Kosovarvet, për burrní, gjallní e kulturë, Xhafer Deva peshon mâ rândë se të gjithë tjerët bashkë. Seid Kryeziu, ndër sŷt e të tânë Shqiptarvet qi u qán zêmra për vêndin, nuk âsht tjetër veçse nji agjent i huej.

            5. Për në Jugë pa dyshim rolin kryesuer e luen Balli. Me mendue ndryshe don me thânë vetëm me i bâ qejfin vetes me ândrra. Përjashta Ballit s’kemi tjetër element me vjeftë e qi mund të luejë nji rol n’at’anë, përveç Ago Agajt. Ky sod në gjithë krahinën e Vlonës zên edhe vêndin e Qazim Koculit e të Shaskajvet. Sikurse dihet, veç, Balli përbâhet sod prej dý tendencash të kundërta, njâna ekstremiste, me Abaz Ermenjin në krye, e tjetra e urtë, e matun e antare e nji bashkpunimi të përgjithshëm, me Ali Këlcyrën si prîs. Na pra duhet të bâjmë gjithë ç’âsht e mundun qi influenca e ksaj tendencës së dytë të shtohet sa mâ shumë në Ballin Kombtar e mundsisht drejtimin e ksaj organizate t’a marrë ajo në dorë. Ali Këlcyra âsht edhe njeriu qi gzon mâ fort se kushdo tjetër besimin e nji krahine të madhe në Jugë, si në Kurvelesh, Këlcyrë e Tepelenë. Ȃsht i vetmi, bashkë me Koço Mukën e shokë tjerë, qi mund t’u rrijë kundra në Jugë ekstremistave të Ballit.  

            6. Duhet me u përpjekë me çdo mënyrë qi të krijohet nji besim e nji bashkpunim ndërmjet gjith’elementave t’urtë kundra ekstremizmës, pa shikue krahina e partina. Gabohet fort kush mendon se ekstremistat s’kanë ç’na bâjnë, sepse janë të pakët e persona pa rândsí. Vërte të pakët e pa rândsí janë në krahasim me tjerët, por nuk duhet harrue qi janë edhe të guximshëm, të lidhun ngusht me shoqishoqin e të dishiplinuem. E kemi pá me komunistat se ç’do me thânë guxim e dishiplinë për nji pakicë kur shumica gjindet e shkatrrueme e e palidhme me besë e me zêmër. Pra në mos daçim qi të përsritet prap nesër me nji formë tjetër e njâjta gjâ qi na gjet dje, duhet qi të bâjmë nji front të fortë e të dishiplinuem kundra ekstremizmës së Ballit tue marrë në këtë front edhe elementat e urtë ballista. Tue bâ kështu, largojmë edhe rrezikun e nji dasije ndërmjet Gegvet e Toskvet.

            7. Nuk duhet harrue asnji minutë qi influenca në vênt, trimnija e zotsija me tërhjekë dhe me komandue turmat nuk mjaftojnë për t’a fitue daván t’onë, sidomos deri atë ditë qi s’do të ketë ardhë ende koha me përdorë forcën. Sod jemi ende në fazën përgatitore, ku rolin kryesuer e luen politika. E në këtê duhen mênde të prefta, kulturë e eksperjencë. Kudo në botë tjerë janë ata qi luejnë rolin politik të nji kombi e tjerë ata qi përgatisin planet e luftës, tjerë edhe ata qi vênë në zbatim këto plane. Prandej edhe ju, burrat e luftës, keni nevojë të domosdoshme sod për bashkpunimin e shokve t’uej të dijshëm e të regjun në politikë, sidomos në marrdhânjet me të huej, qi në çdo hapë kanë para sŷsh vetëm e vetëm interesat e vêndit të vet.

Për këtë rol në krye të të gjithve qëndron Mbreti, politikani mâ i holli i vêndit t’onë e prandej, edhe pa qênë mbret, do t’a lypte interesa e Atdheut qi të pyetej për çdo gjâ me rândsí. Këtu jam edhe un e nuk më vjen marre me thânë se kam nji kompetencë politike mâ të madhe se shumkush prej Shqiptarvet. Ȃsht Ago Agaj, me kulturë të gjânë e inteligjencë të preftë, qi nderojnë jo veç emigracjonin, por gjithë kombin t’onë.Ndër shokët qi kemi n’Italí, për kulturë e të gjitha cilsít tjera bashkë, un nuk mund të rakomandoj kurrkênd tjetër në fushën e politikës para Ernest Koliqit. Prej Ballit Kombtar vijnë në krye Hasan Dosti e Ali Këlcyra. Të gjithë këta burra duhet t’i apin çâshtjes kombtare kontributin e mêndes e të dijes së tyne e jo të lêhen në nji anë si pushkë të gjata. Atdheu ka nevojë sod mâ fort se kurdoherë për veprën e gjithë bijve të vet të vjefshëm. Çâshtjen kombtare kurrkush s’ka të drejtë t’a monopolizojë për vete e të jetë aq’i guximshëm sa me marrë mbi kurriz të vet nji përgjegjsí aqë të rândë. Ka Shqiptarë t’urtë e të dijshëm edhe tjerë përjashta, por s’âsht nevoja me i përmêndun këtu të tânë.

            8. Me të huejt duhet me pasë guximin  edhe me u  kundrështue kur t’a lypë interesa e kombit t’onë, e jo me i u shtrue qorras planeve të tyne. Këtê e lyp jo veç patrijotizma, por edhe burrnija. Ata duhet t’a kuptojnë qartas qi s’kanë para tyne vegla qorre, por burra e atdhetarë. Për ç’do gjâ qi kërkojnë ata lypset me u mendue mirë e me u kshillue mâ para nëse i përshtatet interesës së popullit t’onë. Kështu duhet të veprojë Komiteti e jo sikur me qênë nji zyrë e Intelligence Service-it ingliz.

            9. Komitetin përpiqi jo veç me e plotsue, por mundsisht edhe me e reformue. Në të dý pjesët e tij ka elementa qi s’duhen gjâ. Qaje Zot të keqen e Shqipnís, veç, se si âsht formue ky komitet ! Ky duhet të përmbledhë në gjît të vet njerëz qi kanë të drejtë e zotsí me marrë fatin e Shqipnís në dorë, lulen e burravet shqiptarë qi gjinden përjashta, jo disa kalamâj qi s’i njef kurrkush në Shqipní e disa tjerë, me të cilët disa burrave s’u ka as hije qi t’ulen bashkë në nji sofër. Ȃsht e tepër të shtoj këtu qi  s’jam tue dashtë me folë për vete, qi s’jam për atë vênd si për arsye të përgjithshme ashtu edhe private.

            10. Derisa mos të na kenë sigurue Aljatët me nji deklaratë zyrtare – e jo me përrallat e agjentave të tyne – se kufîjt t’anë edhe indipendenca e jonë s’kanë ndoj rrezik, âsht nji krim me i çue njerzit e popullin t‘onë në kasaphane. Ju duhet t’a mendoni shumë mirë këtë përgjegjsí. Me marrë më qafë njerzín, popullin mbarë e vêndin t’onë, për interesë të tjetërkuj, këtê lenjau atyne qi i a kanë nisë, Enver Hoxhës e Mehmet Shehut me shokë !

                                                                                                                  M. Kruja



Shkrimi u publikua sot (10.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Se në ç’gjendje ishin intelektualët e mërguar shqiptarë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, të shpërndarë në gjithë vendet e botës, na e dëshmon edhe kjo korrespodencë mes Mustafa Krujës dhe Abaz Kupit diku në villim të viteve ’50.  Saktësisht janë dy tekste, ku nuk shënohet një datë e saktë, por ngjarjet dhe rrethanat na çojnë në përfundimin se ato janë shkruar pas vitit 1949, kur Kruja ishte ende në Itali e Abaz Kupi me shumë gjasa në SHBA.

Bëhet  fjalë për një letër të Mustafa Krujës në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetiake nëpërmjet Oborrit - See more at: http://www.shqiptarja.com/dossier/2711/viti---39-50-mustafa-kruja-abaz-kupit-m--ndihmo-kam-thik-n-n--asht-195062.html#sthash.2aTkowqh.dpuf
Se në ç’gjendje ishin intelektualët e mërguar shqiptarë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, të shpërndarë në gjithë vendet e botës, na e dëshmon edhe kjo korrespodencë mes Mustafa Krujës dhe Abaz Kupit diku në villim të viteve ’50.  Saktësisht janë dy tekste, ku nuk shënohet një datë e saktë, por ngjarjet dhe rrethanat na çojnë në përfundimin se ato janë shkruar pas vitit 1949, kur Kruja ishte ende në Itali e Abaz Kupi me shumë gjasa në SHBA.

Bëhet  fjalë për një letër të Mustafa Krujës në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetiake nëpërmjet Oborrit - See more at: http://www.shqiptarja.com/dossier/2711/viti---39-50-mustafa-kruja-abaz-kupit-m--ndihmo-kam-thik-n-n--asht-195062.html#sthash.2aTkowqh.dpuf
Se në ç’gjendje ishin intelektualët e mërguar shqiptarë pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, të shpërndarë në gjithë vendet e botës, na e dëshmon edhe kjo korrespodencë mes Mustafa Krujës dhe Abaz Kupit diku në villim të viteve ’50.  Saktësisht janë dy tekste, ku nuk shënohet një datë e saktë, por ngjarjet dhe rrethanat na çojnë në përfundimin se ato janë shkruar pas vitit 1949, kur Kruja ishte ende në Itali e Abaz Kupi me shumë gjasa në SHBA.

Bëhet  fjalë për një letër të Mustafa Krujës në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetiake nëpërmjet Oborrit - See more at: http://www.shqiptarja.com/dossier/2711/viti---39-50-mustafa-kruja-abaz-kupit-m--ndihmo-kam-thik-n-n--asht-195062.html#sthash.2aTkowqh.dpuf

No comments: