Saturday, December 21, 2013

Një propozim publik për liderët politikë Rama e Basha

ZEF PREÇI

  Po ndjek me kërshëri profesionale dhe deri diku me shqetësim qytetar debatet mediatike dhe retorikën politike post-shtyrjes së marrjes së ftesës për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Në fakt, shtetet mosbesuese ndaj “udhëheqësisë” së vendit tonë janë jo vetëm disa nga shtetet kryesore të BE, gjë që e bën shumë serioze të ardhmen e këtij procesi, por edhe ndër vendet që mbajnë peshën kryesore të mbështetjes së derisotme financiare dhe teknike ndaj vendit tonë. Kjo do të thotë se tingëllojnë të pabaza si deklarimet e “nivelit të lartë”
qeveritar sikur gjoja Shqipëria (qeveria) ka plotësuar më së miri “detyrat e shtëpisë”, ashtu edhe sikur “mbështetja pa kushte e opozitës në procesin e integrimit” nga ana e opozitës e çon barrën e përgjegjësisë tërësisht te qeveria aktuale.
E vërteta, sipas meje, qëndron, së pari, në monitorimin e veprimtarisë së qeverisë, së cilës, për fat të keq, ende i mungojnë reformat që e afrojnë vendin me Bashkimin Europian. “Show” i këtyre muajve vlen, por ndoshta vetëm për segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare. Por ky “show” nuk përtypet kollaj në Europë…
Së dyti, për gjithë klasën politike të Shqipërisë, për pushtetin dhe për opozitën, dinamika e procesit të integrimit europian mund dhe duhet parë si dëshmi e vullnetit politik të kësaj klase që ky proces të realizohet. Thënë me fjalë të tjera, refuzimi duhet parë edhe si mosbesim i Brukselit në vullnetin e klasës politike shqiptare për të ecur përpara në procesin e integrimit. Por a ekziston vërtet ky vullnet politik? Fjala është për të ndërmarrë reforma serioze që çojnë në reduktimin e korrupsionit, fuqizimin e institucioneve të shtetit të së drejtës, përshpejtimin e rritjes ekonomike, reformën në Drejtësi, në administratën publike etj. Natyrisht, këto lidhen me rishikimin e Planit të Veprimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por edhe me materializimin e këtyre reformave. “Tiranës zyrtare i kërkohet, përtej planeve, projektligjeve e vendimeve, të provojë zbatim, me gjurmë provash e rezultate”, – shkruante shtypi dy vjet më parë, duke analizuar një deklaratë publike të z. Fyle.
Në fakt, refuzimi i dhënies se ftesës për Shqipërinë edhe ketë vit, mendoj se duhet parë plotësisht si një “problem shqiptar” që buron nga vullneti politik thjesht deklarativ dhe pak ose aspak nga nevoja e shndërrimit të procesit të integrimit në një motiv të fortë për ndryshime pozitive progresiste të brendshme… Pra, ishte një notë negative për maxhorancën dhe opozitën dhe nuk ka të bëjë aspak me “vullnete negative” të këtij apo atij zyrtari, apo më keq, shteti të Bashkimit Europian.
E tani të vijmë te propozimi im: nëse duhet një Plan Veprimi Kombëtar për Integrimin, një dokument kuadër që tejkalon mandatin dhe fuqinë e qeverisë, përse të mos mbahet një takim publik midis z. Rama, si lider i maxhorancës dhe z. Basha, si lider i opozitës, me fokus rënien dakord për përmbajtjen e këtij Plani dhe përcaktimin e listës së reformave prioritare, afateve përkatëse etj.? Përveç shprehjes së vullnetit politik për integrimin e vendit, ky hap jo vetëm do të ndihmonte në stabilitetin politik të vendit, por do t’i jepte një shans të madh qeverise “Rama” të bënte publik vizionin e saj për reformat që duhen ndërmarrë në vendin tonë gjatë viteve të mandatit të kësaj maxhorance.
Përndryshe, askush nuk mund të parashikojë ecurinë e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, dhe mund të ndodhë si me buxhetin e vitit 2014, që po shqyrtohet pa njohur e miratuar më parë nga Kuvendi të një Strategjie Zhvillimi Ekonomik e Shoqëror të vendit (nën çfarëdo emri tjetër specifik), si dhe në mungesë të Programit Buxhetor Afatmesëm (i rishikuar) për shkak të ndryshimit të prioriteteve të përdorimit të fondeve publike dhe modifikimeve në proces në Paketën Fiskale…

No comments: