Monday, July 15, 2013

Tapitë për tokat bujqësore, ja kriteret e plota

Procesi i ndarjes së tapive për tokat bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjet bujqësore ka nisur tashmë zyrtarisht. Vendimet e qeverisë janë botuar në Fletoren Zyrtare, duke marrë kështu fuqi ligjore, ndërsa pohohet se përdoruesit faktikë të tokës bujqësore të ish-kooperativës bujqësore, të cilët nuk janë pajisur me tapi, e njohur si Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi do të kenë afat 45 ditë që të paraqesin
në komunë apo në bashki dokumentet për t'u bërë pjesë e këtij procesi.
Ata duhet të paraqesin kërkesën për t'u pajisur me AMTP, për tokën që përdorin faktikisht, në të cilën përcaktohen numri kadastral i ngastrës ose emërtimi popullor, sipërfaqja e saj dhe kufitarët, planvendosja e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët, një çertifikatë të gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, e komunës dhe/ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes përfituese ose individit, në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, si dhe dokumentacionin që vërteton se është përfitues si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.
Shpenzimet administrative për përgatitjen e dosjes fillimisht do të paguhet nga komuna dhe më pas do të rimbursohen nga vetë subjekti përfitues.
Në momentin e marrjes në dorëzim të AMTP-së, përfituesi paguan kostot e shpenzimeve administrative të kryera nga komuna/bashkia.
Vlera e shpenzimeve administrative përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë dhe të ministrit të Financave.

Disponimi i hartës kadastrale

Në rast se ZVRPP-ja nuk disponon harta kadastrale, për të cilën shprehet zyrtarisht brenda afatit të përcaktuar, atëherë kryetari i komunës/bashkisë kërkon nga Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës (DAMT), pranë Këshillit të Qarkut, hartat kadastrale përkatëse, në bazë të të cilave është realizuar ndarja e tokës bujqësore. DAMT-ja ia dërgon hartat kadastrale komunës/bashkisë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.
Komuna/Bashkia, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton në harta kadastrale ngastrat e tokës në përdorim faktik, vetëm për përdoruesit që plotësojnë kushtin e subjektit përfitues, sipas shkronjës "c" të pikës 1/1 të nenit 17 të Ligjit Nr. 9948, datë 7.7.2008, të ndryshuar.

Përfundimi i hartave kadastrale

Harta kadastrale përmbledhëse përgatitet në dy kopje origjinale, nga të cilat njëra kopje mbetet në arkivin e Komunës/Bashkisë dhe tjetra i përcillet zyrtarisht kryesisë së secilit fshat që ndodhet nën juridiksionin territorial të Komunës/Bashkisë.
Komuna/Bashkia afishon për konsultim publik, për 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, në vendet publike të fshatit e të Komunës/Bashkisë, listën e përdoruesve në fakt të tokës bujqësore, vendndodhjen e saj, sipërfaqen dhe kufitarët për çdo ngastër.
Gjatë periudhës së afishimit, çdo pretendues si përdorues, që nuk e gjen emrin në listë, paraqet ankesë me shkrim pranë kryetarit të Komunës/Bashkisë, i cili pas shqyrtimit bën korrigjimet përkatëse.

Afishimi i listave të përdoruesve

Kryesia e secilit fshat të Komunës/Bashkisë, mbas afishimit të listës së përdoruesve, verifikon në prani të përfaqësuesve të çdo familjeje bujqësore dhe bën saktësimet e nevojshme në raport me dokumentacionin e paraqitur sipas pikave 5 dhe 6 të këtij vendimi.
Në përfundim të afatit 15-ditor, kryesia e fshatit, në një mbledhje me të gjithë përdoruesit faktikë të tokës bujqësore, komunikon rezultatet e verifikimeve të kryera, duke evidentuar edhe vërejtjet e pretendimet e paraqitura.

Roli i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme

ZVRPP-ja, pasi verifikon vetëm elementët formale të AMTP-ve të paraqitura për regjistrim, procedon brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e marrjes së tyre. Kur regjistrimi fillestar nuk kryhet nga vetë ZVRPP-ja, kjo e fundit brenda 5 (pesë) ditëve, vë aktet në dispozicion të subjekteve të kontraktuara për të kryer procedurën e regjistrimit fillestar, sipas parashikimeve të Ligjit Nr. 33/2012 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", dhe të akteve nënligjore, në zbatim të tij.
Nëse ZVRPP-ja gjatë verifikimit formal konstaton praktika abuzive apo korruptive të organeve të qeverisjes vendore, paraqet menjëherë kallëzim penal në Prokurorinë kompetente.
Kryetari i Komunës/Bashkisë, raporton çdo muaj për ecurinë e kryerjes së këtij procesi, si dhe në përfundim të tij, te prefekti i Qarkut.
Shpenzimet administrative për përgatitjen e dokumentacionit, të përcaktuar në pikën 17 të këtij vendimi, parapaguhen nga komuna dhe rimbursohen nga vetë subjekti përfitues.

Marrja në dorëzim e tapisë
Në momentin e marrjes në dorëzim të AMTP-së, përfituesi paguan kostot e shpenzimeve administrative të kryera nga Komuna/Bashkia. Vlera e shpenzimeve administrative përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe të ministrit të Financave.
Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ministri i Drejtësisë, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, ministri i Financave, Komisioni Qeveritar i Tokës, prefektët, komunat e bashkitë, Drejtoritë e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës dhe Drejtoritë e Urbanistikës, pranë këshillave të qarqeve, zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, agjencitë vendore për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave informale për zbatimin e këtij vendimi.
D. ÇOKAJ

No comments: