Friday, March 8, 2013

“Nano ik” apo “Nano eja”?

Nga Hamza HATIKA
Fushata elektorale e 23 qershorit duket se po rithërret edhe një herë “Nano eja!”. E ky duket se do të rikthehet jo me ngut në ringun e politikës shqiptare, tanimë jo si një arbitër, që mund të vendosë mbi fatin e palëve ndërluftuese. Presidenca mbetet një mollë e ndaluar dhe test kuptimplotë se revanshi s’është utopi dhe ai duhet të rikthehet me një vend në parlament për të shkarkuar bateritë cinike dhe mllefin e akumuluar.
“Nano ik”, me sa duket, iku bashkë me mitingjet madhështore të Berishës
kur ishte në opozitë, bashkë me ikjen e tij reale në vitin 2005, kur tok me humbjen e PS-së ai pranoi të largohej fisnikërisht nga kreu i selisë së vjetër të ish-komunistëve, tashmë të reformuar dhe milionerë.
Ai iku bashkë me shumë ujëra që rrodhën në politikën tonë të zënë gjithmonë në gracka politike, si: Dushku, Gërdeci apo dhe Rruzhdia, përmbytjet, kutitë, që duhet të hapen si dikur me urdhër partie, e turli farë gjërash të mbrapshta, që nuk paskan të sosur për nga maskaradat e radhës që politika ofron me stabilitetin fals pas votimeve më të mira në këta 18 vjet pluralizëm. Nanoja mbeti vetë për një kohë të gjatë në hije, në ekzilin e tij sharmant vjenez, duke u kujtuar vetëm rrallë e tek të lëshonte ndonjë të shtënë pisqolle në “Opinon”, në këtë teatër të rrëmujshëm të politikës shqiptare.
Por “Nano ik” apo “Nano eja” duket se do të jetë prapë kryefjala e ditës për politikën tonë në krizën artificiale, e cila po kërkon zgjedhje të detyrueshme me standarde, të pranuara paq edhe nga ndërkombëtarët, për të vazhduar rrugën drejt Europës së dëshiruar.
Po të ishte Nanoja në parlament, dëmet e 3 ligjeve nga mosvotimi ai do të dinte t’i kthente në bumerang për të majtën dhe ajo t’i kishte qershi për qershorin mbi tortën e pushtetit e jo të shkonin në referendum. Ata që njohin shifrat dhe politikën fiskale apo edhe ritmin e saj në këto kohë krize, qajnë Nanon liberaldemokrat. Nanoja ka pritur në gjysmëhije pasigurinë dhe miopinë e Ramës diletant. Gjithmonë sharmant, befasues e karizmatik me batutat e radhës, duke luajtur më shumë kaubojsin sesa politikanin, Nanoja diku po kurdis orën e shumëpritur për ata që ai i mori nga rruga dhe i bëri sikur vetëm ai di të bëjë gjëmën. Rama as denjon ta kandidojë në qershor, ai i kall krupën, ndërsa xhaketat e vjetra janë unison nën trysninë e të riut të pangopur me pushtetin e falur të Nanos.
Ai i kërcënon të gjithë pazarlinjtë e rinj të së majtës, tashmë filozofia e respektit dhe e mirënjohjes duket se nuk ka lindur bashkë me djalin që priste radhën te lulishtja e Ladi Dianës për një takim shkatërrues të Nanos. Ndërkohë që koha pa të në teatrin akoma pa aktorët kryesorë politik të këtij vendi ka qenë një periudhë e katarsisit së tij, e ku shumëkush, ndoshta jo pa njëfarë të drejte, mendon dhe gjykon se Nanoja ishte një politikan liberal dhe vizionar, madje akoma i domosdoshëm.
Vizitat rrufe të perëndimorëve janë kambana për këdo, pasi me komentet fakultative ata vetëm sa i hedhin ujë zjarrit, sepse partitë me masmediet nën kontrollin e tyre i komentojnë si favorizuese vetëm për kauzën e tyre. Nanoja duhet të rikthehet për të marrë sërish pjesën e luanit, që ia kanë grabitur e shpërdoruar të tij, por dhe kundërshtarët e tij politikë në kohën kur ai nuk ka qenë as i preferuar në festat e partisë së tij. Ish-kryetari i PS-së pritet të rivijë për të kërkuar borxhin nga të dyja palët, së pari nga bashkëluftëtarët dhe të pagëzuarit e tij, ku edhe ka shumë kaubojsa e plëngprishës, por dhe nga ata të PD-së, të cilën e ka pajisur me parzmore në janar-korrikun e 2007-s.
Jo më pak borxhli i është Doktori, flirti politik i të cilit me zotin Nano ka qenë pjesë editorialesh në shtyp dhe në mediet vizive, e takimi më 16 janar në Pallatin e Brigadave vetëm sa e frenoi djaloshin Rama. Nanoja ka investuar kohë dhe ide për të qetësuar mëtonjësit, kështu që të gjithë presin sloganin e radhës nga “shefi”, siç e thërrasin akoma djelmoshat kur ai bisedon me tel nga Vjena për lajmet e fundit nga selia rozë.
Rekrutët në kampin socialist kanë orën për të treguar besnikërinë dhe mirënjohjen ndaj atij që më parë se t’i punësonte i kungonte më parë të gjunjëzuar, pikërisht për këtë orë historike kur ai duhet të thotë fjalën e tij. Afrimi i ditës së zgjedhjeve elektorale e konturon rishtas zotin Nano si një faktor politik predominues në skenën politike shqiptare. Rama dhe Nanoja e dinë mirë që “5 heronjtë e Vigut’’ (LMN) u shpërbë, madje edhe në ekzil, tashmë të deklaruarit janë strukur nga frika e listave të Ramës. Rama ka marrë masat me mjaftuçët dhe G-99-shat, të cilët janë rritur këto vite në “selinë e çliruar” dhe kërkojnë revanshin përfundimtar. Zoti Rama e ka keq me këmbënguljen e tij inatçore, por politika që motivohet nga inati dhe mllefi nuk besojmë se do ta shpjer larg. Asllan Dogjani dhe Erion Braçe nuk janë rastësi dhe aksidente, ata janë mesazhe për ata që duan listën. Tashmë i kërkojnë llogari për humbjen jo vetëm biznesmenët-deputetë, që i rropi për fushatë, por dhe pjesa “e lodhur” e deputetëve, pasi jo të gjithë janë të pajisur me garancitë statuore të shefit ilegal. Alibia më e mirë e tij ishte “hap kutitë”, të cilat “u hapën” dhe “u mbyllën”, po sipas kodit që edhe ai vetë e votoi në parlament, madje edhe në të fundit korrigjoi vetveten, duke e servirur si një risi të “politikës së re”. Nano, që gjithë këtë kohë ka qëndruar në pritje, tani ka shansin të diktojë rregullat e lojës. Ish-lideri rozë e ka treguar një herë, në rastin e zgjedhjes së presidentit Topi, se di të luajë për interesat e tij dhe të klanit që e pason. E rikthimi te dosjet e vjetra janë këmba që Rama nuk besoj se nuk i kupton, ku edhe dosja e fasadave është kopsitur dhe lënë në harresën e frikshme, se një ditë do të rihapen po nga ish-shefi i tij Nano. Rruga e tij drejt Presidencës nuk është më një utopi. Next Presidenca do të jetë zgjedhja e preferuar për lojtarin e të gjitha lojërave.
Tani është më pranë se kurrë për finalen e madhe gjatë gjithë karrierës së tij politike – president. A thua ka ardhur ora që ata që dikur thërrisnin “Nano ik” tashmë të thonë “Nano eja”? Ora politike e liderit karizmatik që prej thundrës së zonjës Hoxha kërkon hakmarrjen, ndaj “thonjpaprerit” dhe mosmirënjohësit Rama po vjen. Pse jo dhe demokratët duhet të shlyejnë borxhet ndaj gatishmërisë së Nanos, kur ata edhe e thërritën me aq ngut.
Mazhoranca indirekt mirëpret Nanon. Ky i fundit pret i qetë ftesën e historisë, e cila paska përsëri nevojë për kapriçot e radhës, që ai të rikthehet nga ekzili i gjatë për t’i dhënë një impuls të ri politikës së vjetër e të lodhur shqiptare, por brenda ciklit butaforik nën okelion “Nano ik” apo “Nano eja”. A duhet të presim menynë e radhës?
“Nano ik” apo “Nano eja”?…

No comments: