Monday, March 25, 2013

“Botërori në Brazil, i pamundur për ne”

Fitorja e trofeut të madh në ‘Brazil 2014′, pothuajse e pamundur”. Me këtë deklaratë gjatë konferencës për shtyp, menaxheri i kombëtares gjermane, Oliver Bierhof, ia ka prerë këmbët, por jo shpresën e fundit tifozëve gjermanë dhe europianë. Edhe pse Gjermania e ka treguar që di të fitojë Botëror, pasi ka triumfuar tri herë në historinë e futbollit (1954, 1974, 1990), ish-kampioni i Europës 1996, Oliver Bierhof, ka ulur euforinë e lojtarëve të “pancerave”, duke i zbritur ata me këmbë në tokë dhe duke u treguar se në evenimentet botërore jashtë Europës, kombëtaret europiane nuk kanë shanse të dalin
fituese. “Kam respekt shumë të madh për konkurrentët tanë jashtë Europës. Në “Brazil 2014″ na pret “ferri”, pasi atmosfera dhe entuziazmi nga vendësit do jetë tejet i ngarkuar dhe emocional. Në atë kontinent dhurohet futboll atraktiv dhe, veç të tjerave, kombëtaret amerikanojugore kanë shansin të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të bërë mrekullinë, ashtu siç bëjmë ne në Europë. Për europianët ka për të qenë shumë e vështirë të thyejnë tabunë e tyre. Mund të them se ka për të qenë e pamundur që të fitohet trofeu nga një kombëtare europiane. Për mua, përfaqësueset amerikano-jugore janë favorite dhe ka shumë elemente që flasin pro tyre”,- nënvizoi menaxheri Oliver Bierhof, i cili duket se është bazuar edhe te statistikat e botëroreve, pasi asnjë prej kombëtareve europiane nuk ka fituar trofe në botëroret e organizuara në Amerikën e Jugut apo atë të Veriut. Nëse do bazohemi tek eksperienca e tij, ai ka marrë pjesë vetëm në një botëror, atë të 2002-shit, kur arriti në finale dhe humbi 0-2 kundër Brazilit. Duke u marrë edhe me çështjet organizative, Bierhof po bëhet gati të prenotojë edhe hotelin në Brazil. “Ende nuk kemi marrë një vendim për vendin se ku do akomodohemi, pasi do presim të përfundojë edhe Kupa e Konfederatave. Me siguri në Porto Alegre, Recife apo Fortazela jo. Resorti që do zgjedhim, duhet të plotësojë me patjetër kushtet tona. Do përpiqemi të eliminojmë udhëtimet e gjata”,- përfundoi Bierhof.
Përgatiti: ENIAR IBRO

Burimi: http://www.panorama-sport.com/boterori-2014/boterori-ne-brazil-i-pamundur-per-ne/#ixzz2Oc0okKDF

No comments: