Thursday, January 24, 2013

Gani Kodra e Ali Çeno kundër Kadri Hazbiut e Feçor Shehut: Mehmeti ju besoi vrasjen e Enver Hoxhës

Gjyqi i Kadri Hazbiut, seanca e 19

“Secili anëtar i grupit bënte detyrën e caktuara. Synimi ishte vrasja e Enver Hoxhës, rrëzimi i pushtetit dhe vendosja e Mehmetit në krye”
Pas Llambi Ziçishtit, janë Gani Kodra e Ali Çeno ata që me deponimet e tyre, rikonfirmojnë ‘Veprimtarinë puçiste e terroriste të grupit agjenturor’, duke rënduar më tej pozitën e drejtuesve të këtij grupi, përkatësisht Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Në seancën e 19-të të gjyqit, ata sjellin dëshmitë rreth veprimtarisë së kryer ndër vite, duke kundërshtuar këmbënguljen e Kadriut e Feçorit se ‘nuk kemi kryer aktivitet armiqësor në grupin e poliagjentit Mehmet Shehu’….
Seanca e 19-të

Kryetari(Aranit Çela):- I pandehur Gani Kodra, organizata juaj akuzohet, domethënë ju akuzoheni si anëtar i një organizate  kundër revolucionare të kryesuar nga Mehmet Shehu, qëllimi i së cilës ka qenë përmbysja e pushtetit popullor me anën e puçit ushtarak. Përveç kësaj, akuzoheni se nga ana e organizatës suaj  janë bërë përpjekje për akte terroriste për likuidimin fizik të Udhëheqësit të Partisë dhe të popullit, Enver Hoxhës. Jepni shpjegime.
Gani Kodra:- Po e përsëris dhe një herë se në vitin 1972, kur pashë veprimtarinë armiqësore të poliagjentit Mehmet Shehu, bashkë me Llambi Ziçishtin e Llambi Peçinin, thashë një herë, në fillim, e nuk di, ja fsheha Partisë. Por unë kuptova që është një grup armiqësor që vepron kundër Partisë e që kryesohet nga Mehmet Shehu. Po prapë, në vitin 1979 kur më thirri vetë poliagjenti Mehmet Shehu dhe më ngarkoi detyrë, duke më thënë se ’me Kadri Hazbiun vendosëm të dërgojmë ty me Skënder Shehun në Suedi’, ja fsheha Partisë. Ata më thanë atë kohë:’Të zgjodhëm ty si njeri pa fjalë, gojë mbyllur, siç i ke kryer përherë porositë tona!’. Këtu unë kuptova se ishte dhe Kadri Hazbiu në këtë grup armiqësor. Po këtë e kuptova (qënien e Kadriut agjent të zbulimeve të huaja), pasi ai më ngarkonte shpesh po ato detyra agjenturore që më kishte dhënë dhe Mehmet Shehu. Më vonë, po këtë porosi, pra shoqërimin e Skënder Shehut në Suedi, ma ngarkoi dhe Feçor Shehu. Pra, kuptova se dhe ai ishte agjent si ne, në të njëjtin grup armiqësor. Po ashtu kuptova se në këtë grup ishin dhe Skënder Shehu e Fiqret Shehu. Unë, thashë, ndihmova, realizova atë takim agjenturor që bëmë me personin e agjenturës amerikane edhe për Nesti Nasen edhe Llambi Ziçishtin që e kishin këtu. Tani, se cili nga ne ka pasur rolin e tij në këtë grup.
Unë kisha rolin e sigurimit fizik të pjesëtarëve të organizatës, siç ishte dhe sigurimi fizik i Skënder Shehut në Suedi si dhe ndihma që do të jepja po të më kërkohej për ndonjë veprim që ata do të kryenin. Ndihmë, që në fakt, unë ua dhashë. Kjo organizatë kishte misione të shumta, por qëllimi kryesor i saj ishte përmbysja e pushtetit popullor. Në radhë të parë, duhet të eleminonim Sekretarin e Parë(Enver Hoxhën). Tani, si i kishin më konkretisht planin në këtë drejtim këta, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Fiqret Shehu, Mihallaqi, etj, këtë nuk e di për arsye se nuk më ka folur kush.  Mua më është ngarkuar vetëm kjo detyrë, dhe unë atë e kreva…
Kryetari:- Shoku prokuror, keni ndonjë pyetje?
Prokurori:- Në organizatë kush të futi?
Ganiu:- Unë nuk e zgjata zoti prokuror. Se thashë, që sigurisht Llambi Peçini qe ai që më ngarkoi dhe detyrën e parë agjenturore në favor të kësaj organizate
Kryetari:- I pandehur Feçor Shehu keni ndonjë pyetje?
Feçori:- Kur foli për mua, atje tha se duke e porositur unë për sigurimin e Skënder Shehut, ky arriti në konkluzionin që unë jam në këtë organizatë. Ky është mendimi i tij, apo di ky se unë e kisha detyrë për të instruktuar këtë për sigurimin e udhëheqjes së Partisë?
Ganiu:- Këtë, unë e kisha nga poliagjenti Mehmet Shehu. Se porosia e tij qe kjo: ‘Çdo gjë që të kesh, nevojë, të lidhesh me Feçor Shehun. Për lëvizjet që do të bënte(Skënderi) nga një shtet në tjetrin, ose gjëra të tjera që do të keni nevojë, vetëm atij do i drejtohesh’.  Po këtë porosi ma kishte dhënë dhe armikja Fiqret Shehu…..
Feçori:- Kam një pyetje tjetër. Kur ky e paska marrë këtë si udhëzim nga poliagjenti Mehmet Shehu, si bëri vaki që gjatë gjithë kohës që qe në Suedi, ky nuk më njoftoi mua as me një telegram, as në një telefon për lëvizjet që bënte ky me Skënder Shehun në Suedi!.
Kryetari:- E ke lajmëruar me telegram këtë ti?
Ganiu:- Edhe me letra. Nga Gjermania i kam shkruar, nga Zhverniu i kam thënë që ‘jemi në Gjermani’….
Feçori:- Unë them që të merrje miratimin tim. Por më bëre një letër mua ti që jemi mirë, kështu, shëndoshë e mirë… Ajo është një letër personale që kam marrë unë…
Ganiu:- Edhe miratimin për të vajtur në Gjermaninë Lindore, ju e dhatë….
Feçori:- Ku u bazuat?
Ganiu:- Fëmijët e udhëheqësve, ishte e ndaluar të shkonin në vendet lindore…
Feçori:- Ku bazoheni ju, më falni, ku bazoheni ju që e kam dhënë unë miratimin, për të gjitha veprimet!?. Për lëvizjet, miratonte ministri i Jashtëm dhe jo ministri i Brendshëm.
Kryetari:- Po këtë, e urdhëronte ministri i Jashtëm?
Feçori:- Po, po, ministri i Jashtëm, për të gjitha lëvizjet , se ato ishin çështje legale, nuk ishin çështje agjenturore. Për të gjitha lëvizjet që bëhen jashtë shtetit, për çdo njeri, bile dhe për njerëzit e zbulimit, do të vendoste ministri i Jashtëm. Pa lejen e ministrit të Jashtëm nuk mund të bëhet….
Prokurori(Rrapi Mino):-  Megjithëse e tha, shoku kryetar, edhe herën e kaluar të kanë hequr vërejtje se kë duhet të njoftosh sipas rregullit… Ishte Drejtoria e Dytë….
Ganiu:- Më kanë hequr vërejtjen Skënder Shehu dhe Fiqret Shehu….
Prokurori:- Si të thoshin?
Ganiu:- Do të njoftosh vetëm Feçor Shehun, dhe këtë, e ke porosi dhe nga Mehmeti.
Prokurori:- Ky i pandehuri Feçor Shehu të ka dhënë porosi?
Ganiu:- Më ka thënë dhe këtë:’Për çdo gjë që të kesh, drejtohu tek unë!’.
Feçori:- Të kam hequr ndonjë herë vërejtjen unë pse ke njoftuar Drejtorinë e Dytë?
Ganiu:- Ke thënë që ‘të më njoftosh mua personalisht për gjithçka, për çdo gjë që të kesh, më njofto mua!’.
Kryetari:- Ulu Gani Kodra. I pandeur Ali Çeno. Ti akuzohesh se ke bërë pjesë në këtë organizatë, si anëtar i organizatës dhe se kjo organizatë ka pasur si qëllim përmbysjen e pushtetit nëpërmjet puçit ushtarak, likuidimit të Sekretarit të Parë(Enver Hoxhës).  Çfarë keni..?
Ali Çeno:- Unë thashë e deponova se detyra unë kam marrë vetëm nga tradhtari Mehmet Shehu, siç është i letrave që çova dhe mora. Njëkohësisht, detyrë më kishte vënë Mehmet Shehu, edhe Kadri Hazbiu, edhe Feçor Shehu që ‘për çdo gjë që shikon e bën, ti duhet të mbash gojën e mbyllur!’.   Kjo, edhe nga llambi Peçini kur ka qenë drejtor. Flas këtu dhe për Gani Kodrën. Unë shikoja që në shtëpinë e tradhtarit Mehmet Shehu që hynin e dilnin këta armiq të Partisë si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti e të tjerë… Nga deponimet që dalin këtu dhe nga dëshmitarët. Ky nuk është një embrion, por është një vazhdë e një rruge të vjetër armiqësore që në bashkëpunim me anëtarët e puçit ushtarak të Beqir Ballukut e Petrit Dumes, e në maj me atë të ekonomisë që kryesohej nga Abdyl Këllezi etj, kanë dashur të përmbysin pushtetin popullor, të vendosin një detyrë fashiste këtu, e të kthenin Shqipërinë në një vend borgjezo-revizionist. Mua konkretisht, as Mehmet Shehu, as Fiqret Shehu, nuk më kanë thënë që kanë krijuar një organizatë kundër revolucionare që do të veproj kundër Partisë, e sidomos për të kryer akte terroriste kundër udhëheqjes së Partisë e të shtetit. Njëkohësisht, edhe nga vetë anëtarët e kësaj organizate nuk kam pasur kontakt dhe të kem biseduar personalisht për sa i përket aktit të terrorit ndaj Sekretarit të Parë. Por këtu del e qartë që gjithë kjo organizatë kundër revolucionare, qëllimin e ka pasur, në radhë të parë, për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë(Enver Hoxhës) dhe të udhëheqjes së Partisë e të shtetit…
Dua të theksoj se armiku Kadri Hazbiu e armikun Feçor Shehu, e shikoja që këta flisnin me një simpati … Këta kanë qenë njerëzit më të ngushtë të tradhtarit Mehmet Shehu dhe flisnin me një simpati të madhe për figurën e Mehmet Shehut. Ata na flisnin gjithnjë për figurën e tij si një njeri i shquar, si njeri i lavdishëm i Partisë, si një stateg i madh ushtarak, i zoti, etj. Unë në përgjithësi këto gjëra kisha….
Kryetari:- Këto ke. Po për disa nga këta njerëz, ke pasur dijeni që kishin allishverishe me Mehmet Shehun?
Ali Çeno:- Unë e thashë, që persona të veçantë si Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Nesti Nase, Llambi Ziçishti, Mihallaq Ziçishti, kanë patur shoqëri shumë. Ata hunin e dilnin atje me kohë e pa kohë. Siç e shpjegova në deponimet e mia, edhe unë kam kuptuar se këta po bëjnë një organizatë kundër revolucionare….
Kryetari:- Çfarë do të bënte ajo organizatë?
Ali Çeno:- Kjo organizatë kishte si synim përmbysjen e pushtetit popullor dhe në radhë të parë, të Udhëheqësit kryesor të Partisë…
Kryetari:- Ndonjë pyetje ka?
Prokurori(Rrapi Mino):-  Po, kam unë një pyetje. Ajo letra që çove ti në vitin 1980 që ta dha Mehmet Shehu, çfarë qëllimi kishte?
Ali Çeno:- Mua Mehmet Shehu ma dha letrën, më tha që ‘e kam për një mikun tim në Amerikë, do ja japësh Skënderit”. Po çfarë qëllimi ka pasur dhe çfarë përmbajtje ka pasur…?
Prokurori:- Po kur u ktheve pastaj, çfarë të tha?
Ali Çeno:- Kur u ktheva pastaj, pas dy-tre ditësh, Mehmet Shehu më thirri në zyrë dhe më tha:’Ali! Ti mos u shqetëso për atë punën e letrës, se ajo nuk ka ndonjë gjë me rëndësi. Sepse këtë e di dhe Kadri Hazbiu, e di dhe Feçor Shehu, sepse ky(amerikani) është miku im, është mik i Kadriut!’. Pastaj edhe Kadriu, duke më marr veçmas në gjueti më tha:’Ky, (amerikani që i dhashë letrën, agjenti i CIA-s) është miku im, i Feçorit, i Mehmetit. Prandaj, këto janë probleme Partie dhe shtetërore. Mehmet Shehu ka miq e dashamirës!’
Prokurori:- Po pse me amerikanët do të bëjmë ne punë Partie, se ti Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun dhe Feçor Shehun i ke njohur që në kohën e puçit ushtarak, që atyre, amerikanët u jepnin porosi e detyra!. Ishte veprimtari armiqësore kjo? Mehmet Shehu të dha letrën e të tha ‘çoje andej’. Kur u ktheve andej të tha ‘mos ki frikë Ali se për këtë punë di dhe Kadriu dhe Feçori’. Po Kadriu me Feçorin janë armiq bashkë me Mehmet Shehun! Ti këtë e dije? Po çove e merrje letrat e agjenturave nga brenda e nga jashtë! Nuk janë detyra të organizatës këto?
Ali Çeno:- E thashë unë që janë detyra të organizatës.
Kryetari(Aranit Çela):- Mihallaq Ziçishti, ke ndonjë pyetje për Ali Çenon?
Mihallaqi:- A më ka parë mua të takohem me Mehmet Shehun?
Kryetari:- Tha për Llambin…
Ali Çeno:- Po, për Llambin. Edhe Mihallaqi ka ardhur në Durrës dhe e ka takuar Mehmet Shehun. Kanë dalë xhiro së bashku dhe unë vetë kam njoftuar që të dalë shoferi nga hyrja kryesore, të presë Mihallaqin tek hyrja në drejtim të plazhit..
Mihallaqi:- Në ç’vit?
Ali Çeno:- Në mos gabohem, ka qenë viti 1981.
Mihallaqi:- Në vitin 1981, vetëm në Komitetin Qendror e kam takuar!
Kryetari:- Llambi Peçini!
Llambi:- …Po. Unë do t’i lutem Ali Çenos që çfarë di Ali Çeno, pse më thërriste grupi mua ‘Shkumbini’?
Ali Çeno:- Për këtë nuk di gjë.
Kryetari:- I pandehuri Feçor Shehu, ke ndonjë gjë?
Feçori:- Ali Çeno tha që për puçin ushtarak kam marr porosi nga Mehmet Shehu, nga Kadri Hazbiu e nga Feçor Shehu. Çfarë porosish kam marrë konkretisht?
Ali Çeno:- Nuk thashë për puçin ushtarak.
Prokurori:- Ai tha se kam dëgjuar Mehmet Shehun që i jepte porosi Kadri Hazbiut që bashkë me Feçor Shehun të manipulonin puçin.
Kryetari:- Tjetër ka?
Feçori:- Kam edhe një pyetje. Nga ajo që thotë ky, ‘hynim e dilnim’ ne duke qenë si titullarë… Kur ka arritur në konkluzion ky që kjo qenka një organizatë kundër revolucionare?
Ali Çeno:- Pikërisht se ju keni ardhur me kohë e pa kohë atje, dhe konkretisht, unë bazohem në ardhjen e 16 dhjetorit që ju keni ardhur në mënyrë misterioze në shtëpinë e Mehmet Shehut. Keni ardhur në mënyrë të fshehtë pa na njoftuar si zakonisht, siç njoftohemi nga tradhtari Mehmet Shehu. Edhe kur keni ikur, të njëjtin veprim keni bërë….

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

SOM 1
“Këtu unë si Ali, e kuptova se ishte dhe Kadri Hazbiu në këtë grup armiqësor. Pra e kuptova (qenien e Kadriut agjent të zbulimeve të huaja), pasi ai më ngarkonte po ato detyra agjenturore që më kishte dhënë dhe Mehmet Shehu. Më vonë, po këtë porosi, pra shoqërimin e Skënder Shehut në Suedi, ma ngarkoi dhe Feçor Shehu. Kuptova se dhe ai ishte agjent si ne, në të njëjtin grup armiqësor. Po ashtu kuptova se në këtë grup ishin dhe Skënder Shehu e Fiqret Shehu. Unë, ndihmova e realizova atë takim agjenturor që bëmë me personin e agjenturës amerikane edhe për Nesti Nasen dhe Llambi Ziçishtin”


SOM 2
“Unë kisha rolin e sigurimit fizik të pjesëtarëve të organizatës, siç ishte dhe sigurimi fizik i Skënder Shehut në Suedi si dhe ndihma që do të jepja po të më kërkohej për ndonjë veprim që ata do të kryenin. Ndihmën, unë ua dhashë. Kjo organizatë kishte misione të shumta, por qëllimi kryesor i saj ishte përmbysja e pushtetit popullor. Në radhë të parë, duhet të eliminonim Sekretarin e Parë(Enver Hoxhën).  Tani, si i kishin më konkretisht planin në këtë drejtim, Kadriu, Feçori, Fiqreti, Mihallaqi, etj, këtë nuk e di për arsye se nuk më ka folur kush.  Mua më është ngarkuar vetëm kjo detyrë, dhe unë atë e kreva..”

No comments: