Thursday, December 20, 2012

Urdhri për hetimin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut, disa muaj para vetëvrasjes”

Flet Kristofor Mërtiro, ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit.
Dëshmitë e Fiqirete Shehut një ditë pas vetëvrasjes së Mehmetit.
Pohimet e panjohura të gruas së kryeministrit të vetëvrarë në zyrat e këshillit në Belsh të Elbasanit.
Pjesë nga libri i Duro Shehut, vëllait të ish-kryeministrit komunist: “Mehmet Shehu, im vëlla”
“Mehmetin e izoluan para se ta likuidonin”

Ajo që kanë përjetuar familjarët e Mehmet Shehut pas vetëvrasjes së tij në kushte të
dyshimta në dhjetor të vitit ’81 ka qenë një dramë e tmerrshme. Kristofor Mërtiro, ish-kreu i Drejtorisë së Veçantë të Sigurimit të Shtetit, është njëri nga dëshmitarët e paktë që e ka ndjekur çast pas çasti situatën e familjes së Shehut përgjatë datave   17, 18 e 19 të atij dhjetori të largët. I gjendur aty në interes të detyrës, ish-zyrtari i rëndësishëm i Shërbimit të Fshehtë ka parë nga afër tronditjen e shkaktuar nga tragjedia e papritur te familjarët, hutimin e personelit që shërbente në vilën e kryeministrit, tensionin e ekspertëve gjatë mbikëqyrjes së vendit të  ngjarjes, fluksin e thirrjeve urdhëruese në radiot marrëse-dhënëse të hetuesve, që hynin e dilnin pa mbarim dhe njollat e gjakut në dhomën e gjumit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Mërtiro tregon rrethanat si u caktua në krye të grupit special për menaxhimin e situatës në shtëpinë e Shehut, fill pas lajmit të vetëvrasjes dhe dinamikën e zhvillimeve operative me objekt ngjarjen e pazakontë të natës së 17 dhjetorit. Duke kujtuar momentet si u realizua transferimi i banorëve të vilës së kryeministrit nga Blloku dhe vendosjen e tyre në Belsh të Elbasanit, masat e veçanta për sigurimin nga ndonjë rrëmbim i mundshëm prej agjenturave të interesuara për ta, ish-oficeri madhor i Sigurimit rrëfen pohimet e tyre gjatë takimeve në zyrën e këshillit të qytetit, në prani të punëtorit operativ, të caktuar enkas për çështjen. Ndër to paraqesin interes dëshmitë e Fiqiretes, bashkëshortes së Shehut, të cilat janë tjetërsuar më vonë nën presionin e Sigurimit të Shtetit…

Foto e Mehmet Shehut, pak çaste pas aktit të vetvrasjes
(fotografuar nga grupi i ekspertëve mjekoligjorë të Ministrisë së Brendshme)
Zoti Kristofor, në dhjetor 1981, kur ndodhi tragjedia e Mehmet Shehut, ju drejtonit një sektor të rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme. A ishte e papritur kjo ngjarje e rëndë për krerët e Sigurimit të Shtetit dhe si u përjetua prej tyre?
Tragjedia e Mehmet Shehut, më 17 dhjetor 1981, ka qenë ngjarja më e rëndë dhe më e bujshme e regjimit komunist. Ajo shokoi si rrallëherë opinionin publik dhe zuri në befasi Sigurimin e Shtetit dhe strukturat e tij. Për ne, orientimi ndaj ngjarjes së papritur, së paku në momentet e para, dukej i pamundur, por edhe i rrezikshëm. I vetmi argument në shqyrtimin e tragjedisë së beftë mbetej situata problematike në krye të udhëheqjes politike në vigjilje të saj. Ishte kjo arsyeja që iu kthyem raporteve operative të tre-katër muajve të fundit për çështjen e përfolur të fejesës së djalit të kryeministrit me një vajzë me biografi të keqe dhe konfliktit të heshtur që kishte krijuar ajo në krye të lidershipit komunist. Vetëvrasja e kryeministrit (sipas variantit zyrtar) ndodhi kur kjo lidhje ishte prishur…


“Kombinacioni sekret me gruan e djalit të Mehmet Shehut” 
Flet Kristofor Mërtiro, ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit.
“Hetimet e para s’provuan asnjë lidhje agjenturore të Mehmet Shehut”
Ato që artikulonte Hoxha në tablonë e famshme nuk u vërtetuan asnjëherë gjatë procesit të familjarëve të Shehut.
Loja e Sigurimit për lidhjet e nuses së djalit me diplomatin francez. Reagimet e Marieta Shehut gjatë kombinacionit sekret.

Në të njëjtën kohë që Mehmet Shehu stigmatizohej nga Enver Hoxha me cilësimet poliagjent e shërbëtor i agjenturave të huaja, nuk rezultonte i tillë nga procesi i hetimeve të specializuara. Së paku në periudhën që Kristofor Mërtiro, ish-oficer madhor i Sigurimit të Shtetit, ishte pjesë e grupit të hetimit, nuk u provua asnjë rrethanë që komprometonte pozicionin e ish-kryeministrit të vetëvrarë në kushte të dyshimta mbrëmjen e 17 dhjetorit ’81. Ish-zyrtari i shërbimit të fshehtë, ndërsa i qëndron fort këtij fakti të pakontestueshëm, në vijim të intervistës për “Panorama”, zbulon dëshmitë e familjarëve të Mehmetit në procesin e hetimeve, pohimet e tyre për kushtet në të cilat u realizua dhe u prish fejesa e bujshme me Silva Turdiun, si rifilluan hetimet në qelitë e Burgut 313 në Tiranë, çfarë ndryshoi në sjelljen e të arrestuarve rishtas pas kësaj. Pa dyshim, pjesa më interesante e rrëfimit të Mërtiros mbetet zbardhja e prapaskenave të kombinacionit sekret me Marietën, gruan e djalit të vogël të Shehut, e përfolur për lidhje me një diplomat francez…

Mërtiro në kohën kur ishte oficer i sigurimit
Zoti Kristofor, ju keni qenë i pari që e keni pyetur gruan e Mehmet Shehut për rrethanat e fejesës së Skënderit me Silva Turdiun. Çfarë kujtoni nga rrëfimi i saj për këtë ngjarje që u parapriu zhvillimeve dramatike në radhët e udhëheqjes komuniste?
Me urdhër të Feçor Shehut, asokohe ministër i Brendshëm, qysh të nesërmen e akomodimit të familjes së Mehmetit në Belsh, fillova nga hetimi i tyre, duke i thirrur një nga një në zyrën e Këshillit të qytetit në praninë e një punëtori operativ të caktuar enkas për sigurimin e familjes së kryeministrit të vetëvrarë.
Në përgjigje të interesimit për rrethanat e fejesës së Skënderit me Silva Turdiun, Fiqretja tregoi se lidhjen e tyre e kishte mësuar në verën e vitit ’81. Mehmeti ishte njohur disa ditë më pas. Në takimin me Skënderin, ky i kishte thënë se vajza që donte kishte një kleçkë në biografi. Mehmeti ishte zënë ngushtë dhe i kishte kërkuar sqarime të mëtejshme. Skënderi i tha se bëhej fjalë për një dajë të arratisur. “Si kështu?” – e kishte pyetur Mehmeti dhe aty për aty e porositi se pa marrë një përgjigje nga organet kompetente, mos të nxitoheshin me fejesën…
Te cilat organe kompetente ishte adresuar Mehmeti për të zbardhur biografinë e të fejuarës së Skënderit?
Fiqretja më tregoi se Mehmeti, sa u njoh me faktin që familja e Silvës kishte një kleçkë në biografi, iu drejtua Feçor Shehut, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm. Ky i fundit, në linjën e tij, i solli pas disa ditësh një informacion të zgjeruar me të dhënat politike për familjarët dhe fisin e Silvës. Në fakt, biografia e saj, sipas relacionit të Feçorit, përveç dajës së arratisur, përmbante edhe të afërm të tjerë me aktivitet problematik. I befasuar e tronditur nga kjo, Mehmeti kishte kërkuar mendimin e Feçorit si mund të vepronte në këto rrethana. Ky i fundit, tregonte Fiqretja, i tha se duhej të pyetej partia, që me sa dukej, nënkuptohej Enveri…

Mehmet shehu me familjen: Nga fejesa e Skenderit, djalit te Mehmet Shehut me Silva Turdiun
E kishte pyetur Mehmeti Enverin për fejesën e djalit me Turdiun?
Rrëfimi i Fiqretes për këtë çështje ishte pjesa më interesante e bisedës me të. Në fakt, deri në atë kohë ne dinim vetëm problemet që ishin konsumuar në mbledhjen e fundit të Byrosë Politike, ku kolegët e kishin kritikuar rreptë Mehmetin për zbutje të luftës së klasave. Nga biseda me Fiqreten mësova për herë të parë se deri te momenti i prishjes së fejesës, Enveri me Mehmetin kishin biseduar disa herë. Fillimisht, Enveri me të shoqen, sa kishin marrë vesh lidhjen e Skënderit me Turdiun, kishin shkuar për të uruar në vilën e tyre. Tri-katër ditë më vonë, Hoxha, që me sa duket ishte njohur me biografinë e të fejuarës së djalit të kryeministrit, e kishte thirrur këtë të fundit tri-katër herë në shtëpinë e tij dhe aty kishin diskutuar gjerë e gjatë për pasojat e kësaj lidhjeje. Takimi i parë ishte përqendruar në aspektin parimor të çështjes. I dyti dhe i treti kishin rrjedhur ndryshe. Në këto të fundit, thoshte Fiqretja, Enveri ishte shfaqur më autoritar dhe kishte kërkuar prishjen e fejesës me çdo kusht. Kjo e kishte futur në një lloj makthi familjen e kryeministrit. Krushqia me Turditë e bënte të pamundur bashkëjetesën e mëtejshme të Shehut me Hoxhën. Vendosëm familjarisht për t’i thënë jo asaj, shpjegonte Fiqretja, dhe njoftuam Enverin se ishte bërë siç kishte porositur ai…
Pra, me prishjen e krushqisë me Turditë ishte kapërcyer hallka që cenonte marrëdhëniet e Hoxhës me Shehun…
Çuditërisht jo vetëm nuk kishte ndodhur kështu, por raportet midis tyre ishin bërë më problematike. Fiqretja më tregonte se “kur prisnin normalizimin e marrëdhënieve të tronditura, Hoxha largohej gjithnjë e më shumë. Tanimë, – rrëfente ajo, – nuk ishte vetëm Enveri që qëndronte ftohtë, por edhe gruaja e fëmijët e tyre”. Nga ana tjetër, përtej raporteve familjare, Mehmeti e Fiqretja brengoseshin nga mënyra si kishte nisur izolimi politik ndaj tyre. “Për ne, – thoshte Fiqretja, – ishte një gjendje e pashpjegueshme”.
Çfarë kujtonte Fiqiretja nga reagimet e Mehmetit në këtë situatë problematike?
Mehmeti, sipas Fiqretes, e kishte përjetuar shumë keq prishjen e fejesës së Skënderit. Sakaq, e terrorizonte sjellja misterioze e Enverit. Ai kishte humbur qetësinë e parë dhe gjithnjë e më tepër po mbyllej në vetvete. Ishte bërë nervoz dhe i paduruar. Shpesh shfaqej i tronditur. Më shumë se sedra e lënduar për mënyrën si kishte ndërhyrë për prishjen e lidhjes së përfolur, e tundonte një parandjenjë e frikshme, të cilën mundohej ta fshihte me çdo lloj mënyre. “Megjithatë, – tregonte Fiqreti, – kishte raste kur më linte të kuptoja se diçka jo e mirë po i afrohej fatit tonë”.
Si e shpjegonte Shehu penalizmin e kryeministrit pas prishjes së fejesës?
Nga mënyra si shfaqej Fiqretja, së paku në takimet  e atyre ditëve në Belsh, nuk kishte ndonjë ide konkrete si kishte nisur goditja ndaj të shoqit pas prishjes së fejesës. Ngjarjet kishin ardhur aq vrullshëm, saqë gruas së kryeministrit i dukej e pabesueshme tragjedia që kishte goditur familjen e tyre…
Po për tragjedinë e 17 dhjetorit, çfarë u tregoi Fiqiretja?
Nuk dinte si ta shpjegonte. Aty për aty e përligjte aktin e vetëflijimit të të shoqit me karakterin e fortë të tij. “Na ra si bombë”, thoshte ajo sa herë që e pyesja për këtë dhe shpërthente në dënesë.
Çfarë dëshmuan familjarët e Shehut gjatë hetimeve në Belsh për lidhjet e përfolura me agjenturat e huaja?
Në hetimet e Belshit as që bëhej fjalë për pohime të tilla. As seancat e zhvilluara në burgun e Tiranës, së paku për sa kohë unë isha pjesë e procesit, nuk nxorën ndonjë të dhënë lidhur me agjenturat e huaja.
Kur u zhvendosën hetimet e familjarëve të Shehut nga Belshi në qelitë e Burgut 313?
Atëherë kur u zhvendos edhe objekti i tyre. Kur u bë arrestimi i Fiqretes dhe djemve për t’u marrë në përgjegjësi penale.
Kur ndodhi kjo?
Më 5 janar ’82 u arrestua Fiqretja me Skënderin. Këtë e mësova rastësisht kur isha duke pirë kafe në qendër të Belshit me Gëzim Hilën, punëtorin operativ që ishte caktuar për ruajtjen e tyre dhe kryetarin e Këshillit të qytetit. Grupi operativ që kishte ardhur nga Tirana shkoi te banesa e tyre, u komunikoi urdhrin e prokurorit dhe i mori në makinë të prangosur. Nga ky moment u zhvendosa edhe unë në Tiranë…
Ndërkohë vijuat hetimet në kushte të tjera?
Të nesërmen e mbërritjes në Tiranë më thirri në zyrë Feçor Shehu, asokohe ministër i Brendshëm, dhe në prani të Kadri Hazbiut më urdhëroi të vazhdoja hetimet ndaj Skënder Shehut. Sakaq, Piro Dauti dhe Elham Gjika, dy hetues të njohur, po atë ditë kishin marrë detyrën për të hetuar Fiqrete Shehun. Që këtej procesi u vu mbi baza më të organizuara, por rezultati gjithsesi mbeti i pakënaqshëm për udhëheqjen e lartë të partisë. Për të ishin pa interes raportet familjare dhe misteret e krushqive të kryeministrit që kishim zbardhur deri atëherë, por lidhjet e këtij të fundit me agjenturat e huaja. Kjo na vuri përballë një presioni të paparë, që më shumë se aftësitë profesionale, testonte besnikërinë tonë politike. Në këto kushte, bëmë të pamundurën për të zbuluar qoftë edhe një detaj të vetëm që provonte lidhjen e kryeministrit me agjenturat e huaja.
E keni fjalën për teknikat e hetimit kur thoni se bëtë të pamundurën?
Pa dyshim për teknikat e hetimit, por jo vetëm për to. Në këtë rast, në bashkëpunim me policinë sekrete, përdorëm një mori procedurash speciale. Me grupe të veçanta realizuam kombinacione të fshehta, morëm në përpunim disa nga familjarët e Shehut, legjenduam situata të ndryshme, aktivizuam bashkëpunëtorë të Sigurimit afër objektit në hetim etj. Ndër to më kujtohet me imtësi loja e shërbimit të fshehtë me Marietën, nusen e djalit të Mehmetit.
A mund të na thoni diçka më konkrete mbi lojën e Sigurimit me Marietën?
Ideja për të futur në kombinacion Marietën merrte shkas nga marrëdhëniet e saj me një diplomat francez. Shoqëria me këtë të fundit vlerësohej si rrezja e vetme për të ndriçuar gjurmët e lidhjeve të Mehmetit me agjenturat e huaja. Sipas legjendimit të procesit, ajo bashkë me të shoqin u thirrën për t’u marrë në pyetje veç e veç. Kjo u realizua disa ditë pas arrestimit të Fiqretes dhe Skënderit. Qysh në fillim Marieta pranoi lidhjen me diplomatin francez, por nuk pohoi ndonjë rrethanë komprometuese të natyrës agjenturore. Përballë këmbënguljes sime për takime me të huaj të tjerë, ajo dëshmoi se gjatë kohës që frekuentonte “Dajtin” dhe “15-katëshin” ishte përballur e përshëndetur me disa syresh, por nuk kishte biseduar me ta. Veç këtyre, rrëfimet e Marietës nuk i shtonin ndonjë gjë të re ecurisë së procesit. Po kështu edhe ato të të shoqit, Bashkimit, të cilat vërtiteshin mbi raportet në familjen e kryeministrit dhe mënyrën e sjelljes së çiftit të ri që e tejkalonte normalitetin e jetesës në Tiranën e asaj periudhe.
Pra, as ky kombinacion i fshehtë nuk ofroi të dhëna me interes për lidhjen e Mehmetit me agjenturat e huaja?
Kjo ishte faza e parë e lojës së Sigurimit me Marietën. Me mbylljen e hetimeve, ajo u rikthye pranë fëmijëve në Belsh. Në krye të dy ditëve, sipas legjedimit, u lirua edhe Bashkimi. Me ribashkimin e çiftit, nisi një etapë e re për vëzhgimin dhe përpunimin e tyre. Nga aparaturat e montuara në shtëpi kur Marieta e Bashkimi ishin të izoluar, përgjonim bisedat e tyre pa ndërprerë dhe i shqyrtonim ato me imtësi. Veç reagimeve për kushtet e vështira që përjetonin, nga regjistrimi i tyre nuk rezultonte ndonjë rrethanë interesante.
Po pastaj si u procedua me çiftin Marieta e Bashkim Shehu?
Në përfundim të konsultave me grupet e ekspertëve, vendosëm transferimin e tyre nga Belshi në Kryevidh të Kavajës, për të verifikuar me mjete të specializuara interesimin e agjenturave të huaja, posaçërisht atij francez për fatin e çiftit Shehu.
Çfarë konstatuat gjatë këtij operacioni?
Nga gjithë ai kombinacion kompleks, nuk konstatuam ndonjë lëvizje të dyshimtë në adresë të çiftit Shehu. Madje as diplomati francez i përfolur për lidhjet me Marietën që ato ditë ishte rikthyer në Shqipëri, nuk shprehu ndonjë interes për t’u takuar me mikeshën e dikurshme tashmë të internuar.
Pikërisht në këtë kohë kur ju operonit për të provuar lidhjen e ish-kryeministrit me zbulimet e huaja, Enver Hoxha e kishte zyrtarizuar Shehun poliagjent dhe shërbëtor të shumë agjenturave. Mbi çfarë faktesh mbështetej ai në këto akuza?
Në faktet pa fakte, në fantazinë e tij të sëmurë që prodhonte armiq e agjentë si ia donte situata. Ky ishte tipari më mizor i Hoxhës. Me të operoi, madje më furishëm, edhe në rastin e Shehut.
Marrëzia e tij në atë periudhë krijoi një realitetet paradoksal. Ndërkohë që hetimet intensive nuk provonin as dyshimin më të vogël për lidhjet e kryeministrit me agjenturat e huaja, Enveri kishte përfunduar tablonë e famshme dhe artikulonte publikisht veprimtarinë agjenturore të Shehut tradhtar e shërbëtor të shumë agjenturave(!). E gjithë Partia ishte ngritur në këmbë dhe denonconte fuqimisht kryeministrin e pabesë. Komiteti Qendror që drejtonte këtë fushatë të paparë deri në atë kohë filloi të rriti presionin jo vetëm mbi grupin e hetimit, por mbi tërë organet e Sigurimit, të cilat filluan të nxirrnin në dritë dokumente të panjohura që mendohej se penalizonin Shehun. Në morinë e tyre bënin pjesë ato nga vitet e luftës, materiale nga takimet e Mehmetit me disa misionarë britanikë e amerikanë pas çlirimit, shënime nga vizita e tij në vitin ’60 në SHBA etj. Ndërkaq, Sigurimi tërhoqi në bashkëpunim Marietën, me anën e së cilës synohej një rivlerësim i raporteve me shërbimet e huaja.
(vijon nesër)
Duro Shehu, pjesë nga libri “Mehmet Shehu, im vëlla”
Si e mora vesh lajmin për vdekjen e Mehmetit mesditën e 18 dhjetorit
Erdhi ora tragjike e 17 dhjetorit 1981. Më 18 dhjetor, aty rreth orës 15:00, isha duke ngrënë drekë në shtëpi. Ra telefoni. Ishte Veli Llakaj, shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Më pyet: “Ku je ti Duro?”. Pas pak, pasi unë i thashë se do shkoja në zyrë, më tha: “E di ti Duro që shoku Mehmet vrau veten?”. Shtanga. Telefoni u mbyll. U ktheva në kuzhinë gjunjëprerë dhe dyllë i verdhë. Kur gruaja dhe vajzat më pyetën se ç’kisha, u thashë: “Bëhuni të forta. Sa mora vesh se xhaxhi Mehmeti ka vrarë veten…”. “E vranë Mehmet Shehun!”, u shpreh aty për aty gruaja. Vendi nuk më zinte. Mendja më fluturonte vetëtimthi gjithandej. Ç’të bëja? Mora në telefon Veli Llakajn. “Shoku Veli, i them, ministri i Mbrojtjes, shoku Kadri, në zyrë është?”. “Po, më thotë, në zyrë është, në zyrë jemi të gjithë”. “Të lutem, i thashë, thuaji shokut Kadri se dua të vij ta takoj”. Më tha mirë dhe mbylli telefonin. Kaluan 40 minuta që mua m’u dukën si 40 vjet. Nuk rrija dot në një vend. Dola në ballkon. Po errej. Shikoj se dritat në rrugë llamburisnin më shumë se më përpara. Gruaja dhe vajzat më thanë se kishin vënë llamba të reja gjatë kohës që kisha qenë në Vjenë…
Mbas dyzet minutash më merr në telefon Veli Llakaj e më thotë: “Duro, hajde. Shoku Kadri të pret në zyrë”.  Vajta i ndjekur nga dy oficerë të Sigurimit nja 10-15 hapa pas meje. E mora me mend se do të më arrestonin, por nuk e dija se kur…U desh një orë që të takoja Kadri Hazbiun. Me sa dukej ai kishte biseduar me Komitetin Qendror për këtë takim me mua. Fjala e parë që më tha Kadri Hazbiu, pa më dhënë as dorën, ishte: “Çfarë do Duro? Pse erdhe?”. Më erdhi shumë keq nga ajo pritje e Kadriut, por s’kishja ç’të bëja… Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: “Po ja more Duro, Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut”. “Më fal që të ndërpres, i thashë Kadri Hazbiut, por unë nuk di asgjë për atë vajzë”. Pasi më tha nja dy fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike, Kadriu më porositi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë, të shkoja dhe ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim. “Atje është dhe Fiqireti me djemtë”, më tha… “Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart”, më tha Kadriu. “Nga Kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata. Kam kaq me ty. Ik tani”.
AFRIM IMAJ

1 comment:

Anonymous said...

Excellent pieces. Keep posting such kind of information on your site.
Im really impressed by your blog.
Hi there, You have done an excellent job.
I will certainly digg it and for my part suggest to
my friends. I'm sure they'll be benefited from this
web site.
Also see my site :: cure acne