Friday, December 7, 2012

Themistokli Gërmenji, viktimë e sigurimit francez

Nga Skifter KËLLIÇI
Ka ditë që kanë mbaruar kremtimet me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe në shtypin tonë vazhdojnë të përmenden emra personalitetesh të shquara atdhetare, që lidhen ngushtësisht me këtë ngjarje kaq të madhe më historinë e Shqipërisë, të cilët mbetën të harruar. Një ndër ta është dhe atdhetari i madh Themistokli Gërmenji, i cili “... bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit në Vlorë, më 1913 -1914 dhe kreu detyra të rëndësishme në
administratën e shtetit të pavarur shqiptar”. (Fjalori Enciklopedik 1, faqe 764, 2008). Më 9 nëntor të këtij viti u mbushën 95 vjet nga dita e pushkatimit të tij nga Sigurimi i ushtrisë franceze, me qendër në Korçë. Këtij akti të shëmtuar mizor dhe rrethanave në të cilat u krye u kushtohet dhe dossieri i mëposhtëm.
Prolog
Gestapo, Simi, KGB, UDBA, Stasi, Sekuritate, Sigurimi i Shtetit…
Sa herë i kemi dëgjuar këto emërtime, kemi përfytyruar miliona mijëra njerëz në Gjermani, Itali, B. Sovjetik, RD Gjermane, Rumani, për të mos shkuar në Kinë, Korenë e Veriut, sidomos në vendin tonë, në Shqipëri dhe kudo në vende ku kanë sunduar dhe sundojnë diktatura të egra fashisto-komuniste, të cilët kanë humbur shumë vite ose jetën e tyre në burgje e kampe shfarosëse përqendrimi, ose pas plumbash… Atyre u duhet shtuar edhe Syrte-ja, (Surete), Sigurimi i Ushtrisë franceze, themeluar që më 1812 nga Napoleon Buonaparti, edhe ai nga më të egrit, që përmendëm më sipër. Në këtë dossier do të argumentoj mënyrat djallëzore që ky Sigurim përdori ndaj atdhetarit tonë të shquar, Themistokli Gërmenji, për ta mposhtur për ta gjunjëzuar, për ta asgjësuar. Në dhjetor të vitit 1973, atëherë gazetar në TVSH, së bashku me një grup xhirimi u ndodha në Korçë, për të realizuar një reportazh televiziv. Ndër pamjet simbolike të këtij qyteti, zgjodhëm edhe përmendoren e Themistokli Gërmenjit, vepër e skulptorit të njohur, Odhise Paskali, ngritur me 1932, me ndihmesën e vetë qytetarëve atdhetarë korçarë. Një burrë gjigant, me pallto zbërthyer, duar të kryqëzuara nga prapa, fytyrë me tipare të theksuara ,ku bien në pah mustaqe të dendura, sy të përqendruar diku në horizont, me një vështrim ngulmues, ja se ç’përfaqësonte ajo përmendore vigane e këtij njeriu të madh, copëz e pandarë e historisë së Shqipërisë që u mbyll më një pushkatim mizor nga Sigurimi i ushtrisë franceze, (Syrte) në Korçë, më 9 nëntor të vitit 1917. Kisha dëgjuar, lexuar madje edhe mësuar për Themistokliun që i vogël, së pari në shkollën tetëvjeçare, në gjimnaz e pastaj në universitet. Gjithmonë më kishte bërë përshtypje jeta e vrullshme e këtij atdhetari, përpjekjet e tij me çetat e luftëtarëve për çlirimin e Shqipërisë, krijimi i Krahinës Autonome të Korçës, e mbiquajtur Republika Shqiptare e Korçës, nga vetë korçarët gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, (1914-1918), dhe rrethanat që sollën arrestimin,gjykimin me dyer të mbyllura nga një grup gjykatësish ushtarakë francezë, deri disa ditë më parë miq të tij, dhe pushkatimin si agjent austro-hungarez.
Unë kundroja shtatoren e Themistokliut e më dukej se vështrimi i tij depërtonte tutje horizontit, sikur t’u thoshte jo vetëm shqiptarëve, por historisë: “Mos harroni kurrë! Unë as u shita, as u bleva!”. I ngacmuar këto mendime, vendosa së bashku me shokët e grupit të xhirimit të vizitonim shtëpinë e Themistokliut, ku jetonte e shoqja, Evdhoksia.
Duke rikujtuar pushkatimin
Një shtëpi tipike korçare, një shkallë e gjerë, pas saj një mesore e përballë një dhomë e madhe me tavan të lartë, me minderë të mbuluar me shilte, jastekë, një tryezë në qoshe, në mure foto të Themistokliut, midis të cilave edhe foto të tij me Evdhoksinë e vajzën e tyre të vetme, Elcen.
Evdhoksia na pret me përzemërsi, aq më tepër që është mësuar të kuvendojë me gazetarë, shkrimtarë, studiues. Eshtë pasqyrë e gjallë e të shoqit. Ndërsa ajo rrëfen, mua më ndërmenden Çerçiz Topulli, Isa Boletini, Bajram Curri, Avni Rustemi... Sa të përafërta këto figura njera me tjetrën, sa të ngjashme. Të gjithë të vrarë pabesisht: Çerçizi nga forcat pushtuese malazeze, Isai, gjithashtu, nga shovinistët malazezë, Bajram e Avniu nga plumbat pas shpine të njerëzve të Zogut. Këtë fat pati edhe Themistokliu, por këtë radhë i pushkatuar nga miq, që iu shndërruan në armiq.
- U tmerrova kur më dhanë mandatën që Themistoliun e kishin vrarë frëngjtë-zuri të na thoshte Evdhoksia. -Pikërisht ata frengj që e kishin çmuar e disa ditë më parë edhe e kishin dekoruar.
Duke thënë këto fjalë fytyra e saj e zymtua.
- Tërë mllef e pezm kërkova të di se për çfarë shkaku ata e kishin dyfeqisur burrin tim, ndaj kërkova të takohesha me shefin e Sigurimit të ushtrisë frënge në Korçë. Ai më priti e më tha, gjoja me keqardhje, se Themistokliu ishte pushkatuar sipas provash të sigurta. “M’i tregoni këto prova!”, sa nuk ulërita në kulmin e dhembjes. Më premtoi, por këto prova nuk m’u rrëfyen kurrë.
Ajo heshti një grimë e shtoi:
- Themistokliu shtrëngoi frengjtë që ta linin Korçën të mëvetme, që të kishte guvernë të sajën, vetëm me shqiptarë. E kur panë se punët po shkonim më mbroth se ç’e mendonin, që ta hiqnin qafe përgjithmonë, sajuan mënyra se kinse ai merrte e jepte me austro-hungarezët që ishin kundërshtarët e tyre në Luftën e Parë Botërore.
I nxitur nga ky rrëfim i së shoqes së Themistokliut, që atëherë më lindi mendimi të shkruaj ndonjë tregim a novelë. Por kjo do të ndodhte më pas, kur do të lexoja studimin e historianit Muhin Cami, “Rreth dënimit të Themistokli Gërmenjit dhe ekzekutimit të tij” dhe sidomos librin “Themistokli Gërmenji” të studiuesit, Pirro Tako, dy miq të mij të hershëm... Atëherë nuk do të shkruaja as tregim as novelë, por romanin me titull “Vrasës me duar të bardha”. Kurse në këtë dossier, nëpërmjet ngjarjesh, faktesh, dokumentesh dhe natyrisht, dy veprave të mësipërme, do të shpalos këtë ngjarje kaq tronditëse në historinë e Shqipërisë. Aq më tepër, këto ditë në prag të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, për të çështjen e shenjtë të së cilës ai punoi deri në fund të jetës së tij.
Cili ishte Themistokliu?
Lindur në Korçë më 1871, detyrohet që i ri të mërgojë në Rumani, ku lidhet me shoqëritë atdhetare “Drita” dhe “Dituria”. Më pas veprimtarinë tij atdhetare e vazhdon në Korçë, në Monastir, e më vonë krijon një çetë luftëtarësh që vepronte në rrethinat e Korçës kundër pushtuesve turq. Pasi Korça pushtohet nga forcat e armatosura greke, vihet në shërbim të qeverisë së Ismail Qemalit në Vlorë. Më 1914 shkon në Rumani e më pas në Bullgari, ku boton revistën “Biblioteka, zëri i Shqipërisë”, në të cilën shtron probleme të rëndësishme që i dilnin Shqipërisë pas Shpalljes së Pavarësisë,veçanërisht kur një pjesë e shtresës së feudalëve të pasur po luante rol negativ lidhur më çështjen kombëtare.
Veprimtaria e tij atdhetare arriti pikën kulmore ë vitet 1916-17, kur u kthye në Shqipëri. Aty nisi menjëherë organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e krahinës së Korçës dhe të gjithë Shqipërisë së Jugut nga pushtuesit grekë. Vijmë kështu në çastet që shënojnë periudhën e fundit dhe më të ndritur të veprimtarisë së tij atdhetare që u mbyll në mënyre aq tragjike, periudhë që përbën edhe qëllimin e këtij dossieri.
Një pushtues zëvendësohet me një tjetër, por…
Gjatë Luftës së Parë Botërore, (1914-1918), Shqipëria u bë shesh luftimi midis forcave ushtarake ndërluftuese të Antantës, (Francë, Rusi, Itali, Angli dhe më pas SHBA...), dhe të Fuqive Qendrore, (Gjermani, Austro-Hungari, Bullgari…). Vlora, Gjirokastra, me rrethinat e tyre, ishin pushtuar nga Italia, Shqipëria e Veriut, deri në kufijtë e Elbasanit dhe Pogradecit, nga ushtritë e Fuqive Qendrore, kurse krahina e Korçës nga ushtritë franceze. Me to në pranverë të vitit 1916 ishin bashkuar edhe forcat e ushtrisë greke të Venizelosit, i cili iu kundërvu mbretit Kostandin dhe partizanëve të tij, të cilët kërkonin që Greqia të mbetej asnjanëse në këtë luftë.
Si pasojë, Venizelosi u vendos në maj të atij viti në Selanik, ku ndodhej edhe komanda e përgjithshme e Armatës së Lindjes, komanduar nga gjenerali Sarraj. Pranë tij qëndronte edhe Esat pashë Toptani me një tabor kaçakësh, gjoja si aleat, me dëshirën që pas përfundimit të Luftës, natyrisht, siç po parashikohej, me fitoren e Antantës, të kthehej me ndihmën e francezëve në krye të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Venizelosi krijoi qeverinë e “Mbrojtjes Kombëtare”, e cila kishte si synim të vinte në jetë synimet ambicioze të qarqeve shoviniste për realizimin e ëndrrës së madhe të Vorio Epirit. Këto synime kishte edhe mbreti Kostandin, të cilit Gjermania, nga ana e saj, i kishte premtuar Shqipërinë e Jugut.
Themistokli Gërmenji së bashku me Sali Butkën, një tjetër atdhetar i madh, arritën në përfundimin se nga Fuqitë Qendrore, nuk i priste asgjë e mirë. Dhe kjo, qoftë edhe vetëm për faktin se gjermano-austriakët”, në vend që të pranonin kërkesën e tij për ngritjen e një administrate shqiptare në Kolonjë, lejuan atje vendosjen e bandave greke të Papagjeorgjiut, Dakasit dhe të Karvunit.”( Pirro Tako,”Themistokli Germenji”, faqe 223).
Mirëpo, kur forcat e Armatës së Lindjes u dukën në Fushën e Korçës, Themistokliu e ndjeu veten të lehtësuar. Shanset e fitores në Luftën e Përbotshme, nga sa shihej, se po anonin nga Antanta. Dukej se francezët, ndonëse duhej marrë me një farë ndrojtjeje, nuk kishin qëllime pushtuese ndaj Shqipërisë.
Në këto kushte vuri në lëvizje “Komitetin e Fshehtë”, një lidhje atdhetare, aq më tepër që Armata e Lindjes rifilloi përsëri operacionet luftarake dhe, e mbështetur edhe nga forcat venizeliste, hyri në Korçë. U arrestuan nëpunësit mbretërorë dhe vendin e tyre e zunë ata venizelistë. Prefekt u emërua venizelisti Argjiropullos. Meqë ushtritë gjermano-bullgare nuk kishin forca të mjaftueshme, u detyruan të tërhiqeshin pa hyrë në luftime. Atëherë Themistokliu vendosi të rrethojë Korçën, i mbështetur edhe nga çetat e Sali Butkës. E ndodhur në këto kushte, komanda e ushtrisë franceze kuptoi se shqiptarët donin të ishin të lirë dhe autonomë, se ata nuk pranonin asnjë qeveri greke, qoftë venizeliste a mbretërore se ata ishin gjithashtu kundër ndërhyrjes italiane. Së fundi, donin gjithashtu, një regjim demokratik dhe refuzonin t’i bindeshin Esat Pashës. Me këto kushte ishin gati të merreshin vesh me francezët, në qoftë së këta mbronin rregullin dhe u siguronin shqiptarëve autonominë. Sidoqoftë, francezët, duke gjykuar se kishin epërsi ndaj forcave shqiptare, vendosën të futeshin në luftë me çetat e tyre që i cilësonin banda. Mirëpo, duke u ndeshur me to, forcat franko-venizeliste të komanduara nga koloneli Burnazel, u thyen keqas nga forcat e Themistokliut të mbështetura edhe nga ato të Sali Butkës.
Në këto rrethana, duke parë se ushtria franceze do ta kishte pisk me këto formacione kaq të shkathëta dhe të rrezikshme të kryetrimave shqiptarë të sipërpërmendur, kryekomandanti i Armatës së Lindjes, gjenerali Sarraj, e pa të arsyeshme që të mbështeste dëshirën e shqiptarëve për vetëqeverisje. Kështu mund t’i arrihej synimeve ushtarake: Të mbulohej me shpenzime sa më të pakta mbrojtja e Korçës, nga ku tashmë nuk kishte rrezik, duke e përqendruar luftën vetëm kundër ushtrive gjermano-austro-bullgare.
Ndërkohë, në Selanik bisedohej për çështjen e Korçës. Pas disfatës së Burnazelit, Sarraji vendosi të dërgonte si komandant të qarkut të atjeshëm kolonelin Dakoen. Po me urdhër të tij u shkarkua prefekti venizelist Argillopullos. Kështu u hap rruga për të arritur një marrëveshje me drejtuesit shqiptarë sipas parimit: “Përpiquni t’i bëni për vete shqiptarët. Këtë e kërkojnë interesat tona deri në mbarim të luftës”. (P. Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 234).
Dakoeni arriti në Korçë më 21 nëntor 1916. Pas katër ditësh Themistokliu bashkë me familjen, i shoqëruar nga 120 luftëtarë të çetës së tij, u fut në Korçë, ku u prit me brohoritje nga populli që mbushte rrugët dhe që andej u paraqit në prefekture, ku u takua me Dakoenin. (Sipas revistës “Rilindja”, Korçë, 1935-36, nr. 3-4). Në librin e tij me kujtime “Gjashtë muaj të historisë së Shqipërisë” (Six mois d’histoire de l’Albanie”, Paris 1930 , faqe 14), Dakoeni e përshkruan kështu Themistokliun:”Me fytyrë të çiltër e të sinqertë, i gjatë në trup,me qëndrim burrëror, sjellje të përsosura, i veshur me kostum gjahtari,Themistokliu më bëri përshtypjen më të mirë. Në thelb më tha:“Nuk kam aresye të këm të kem armiqësi me francezët dhe s’kam qenë kundër jush. I quaj shovinistët grekë armiqtë tanë më të këqinj. Jam me ata që garantojnë lirinë e mëmëdheut tim”. Të nesërmen, më 24 nëntor, Themistokliu iu drejtua me një thirrje popullit të Korçës, i cili edhe pse vinte nga zona bullgare e pushtimit, kishte besim tek ai që as nuk shitej as nuk blihej, as nuk gënjehej, prandaj edhe adhurimi ndaj tij ishte i pakufizuar dhe i sinqertë. (“Gazeta e Korçës”, 20 korrik 1929). Në fund Themistokliu u bënte thirrje kryetarëve të çetave që të mos përdornin armët kundër ushtrisë franceze, duke lënë të kuptohej se ndryshe nga Fuqitë Qendrore, Franca nuk ndiqte qëllime pushtuese ndaj vendit tonë dhe se me mbarimin e luftës ushtritë e saj do të largoheshin. Me fjalë të tjera, theksonte se “…pushteti ishte i përbashkët dhe përkonte me interesat e të dyja palëve. (P. Tako “Themistokli Gërmenji”, faqe 239). Por për fat të keq, siç do të shohim më pas, nuk do të ndodhte kështu…
Protokolli i 10 dhjetorit të vitit 1916

Më 8 dhjetor gjenerali Sarraj i dërgoi një telegram Dakoenit, tashmë komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, në të cilin e njoftonte që të krijonte sa më parë një administratë me nëpunës shqiptarë dhe polici vendore, nën drejtimin e prefektit. Ndërkohë, komanda ushtarake franceze do të kishte të drejtën e mbikqyrjes administrative dhe ushtarake në të gjithë qarkun e Korçës. Këto rekomandime ishin pasojë e bisedimeve që kishte pasur Dakoeni me Themistolkiun disa ditë më parë, “…përfundimet e të cilave komandanti francez ia kishte paraqitur Sarrajit, kryekomandanti i Armatës Franceze të Lindjes, me qendër ne Selanik”. (P. Tako “Themistolki Germenji”, faqe 243).
Si pasojë, më 10 dhjetor të vitit 1916, një komision shqiptar, i kryesuar nga dr. Haki Mborja, ku bënte pjesë edhe Themistokliut, u prit në prefekturë nga autoritet ushtarake franceze, të cilave iu shpreh në mënyrë zyrtare dëshira e popullit të Korçës për vetëqeverisje nën mbrojtjen e Francës. Lidhur më këtë çështje të rëndësishme, nga komisioni shqiptar dhe Dakoeni u nënshkrua një protokoll. Pastaj të gjithë pjesëmarrësit e këtij akti historik dolën në ballkonin e prefekturës, nga ku Themistoki Gërmenji ngriti flamurin e Shqipërisë, shoqëruar nga brohoritjet e popullit korçar që priste me padurim para sheshit të prefekturës, me thirrjet: “Rroftë Shqipëria!”, “Rroftë flamuri!...”, (Gazeta “Adriatik”, 13 dhjetor 1916).
Kështu me dëshirën e popullit, qyteti i Korçës, bashkë me qarqet e Bilishtit, Kolonjës, Gorës dhe Oparit, formuan Krahinën Autonome të Korçës, të qeverisur prej shqiptarëve nën mbikëqyrjen e autoriteteve ushtarake franceze.
Krahina do të qeverisej nga një këshill i përbërë nga 14 vetë, 7 të krishterë e 7 myslimanë, me nëpunës shqiptarë, të miratuar nga autoritetet franceze. Prefekt u emërua Themistokli Gërmenji. Ai kishte të drejtë të drejtonte xhandarmërinë dhe policinë vullnetare për ruajtjen qetësisë dhe rregullit. Në rast lufte, këto formacione do të viheshin nën urdhërat e komandës franceze. Nënshkrimi i këtij protokolli pati rëndësi historike, sepse në këtë mënyrë “…u njoh karakteri etnik i popullsisë së trevës së Korçës dhe u krijuan gjithashtu kushte më të përshtatshme për të luftuar më me forcë edhe pretendimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. (“Studime Historike”, 1977/1, M. Cami”Lëvizja patriotike në trevën e Korçës në vitet 1916-17”, faqe 74-76). Këtë mendim e përforcon edhe ushtaraku Tyber, me të cilin do të njihemi më mirë në vazhdim të këtij cikli, kur në një raport të tij dërguar Komandë së Armatës së Lindjes, me qendër në Selanik, shkruante: “Shqipëria, në kundërshtim me legjendën, nuk është një vend hajdutësh,kusarësh dhe vrasësish, përkundrazi të gjitha shqiptarët kanë një pikëpamje të përbashkët dhe kjo është pavarësia e vendit, e ndezur edhe kjo nga shtypja turke dha nga tirania e mërzitshme e grekëve…”, (po aty).
Dhe në një raport tjetër Tyberi vazhdonte: “Dhuna dhe intolerimi që kanë treguar grekët (pushtues), ndaj shqiptarëve, i kanë bashkuar këta të gjithë, muslimanë e të krishterë, në një urrejtje të përbashkët.”
Edhe një ushtarak tjetër francez, kapiteni Holc, që është takuar më pas me Sali Butkën, nga fundi i muajit gusht 1917, nënvizon në një relacion dërguar eprorëve të tij fjalët që i ka thënë Themistokliu: “Unë nuk jam armiku i Francës… Ne ndjekim zhvillimin e ngjarjeve dhe kemi vërejtur se administrata juaj në Korçë u siguron shqiptarëve lirinë. Por, në qoftë se Franca do të sjellë aty grekët, ne do të jemi gjithnjë të gatshëm të derdhim gjakun tonë për atdheun tonë.” (Muin Cami, “Rreth dënimit dhe ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit”, “Studime Historike” nr.4, 1977, faqe 113).
Francezët sulmohen nga aleatët
Ndërsa ky protokoll pati jehonë në Shqipëri dhe te shqiptarët jashtë atdheut, në SHBA, Kanada e gjetkë, siç e përshkruan gazeta “Dielli” Boston, 30 janar 1916, 20, 21 mars 1917, për më tepër nga shqiptarët në zonat e pushtimit gjermano-austro- bullgar, pushtuesve italianë në zonat e Vlorë e Gjirokastrës nuk u erdhi aspak mirë një veprim i tillë i aleatëve të tyre francezë. “Franca po luan një lojë të keqe duke lejuar ngritjen e flamurit shqiptar në prefekturën e Korçës. Kjo do të krijojë telashe,-deklaroi shefi i shtabit të shtatmadhorisë italianë të Vlorës. (P. Tako, “Themistokli…”, faqe 249).
Roma protestoi pranë Ministrisë se Jashtme franceze për një veprim të tillë pa u këshilluar me qeverinë italiane. Nga ana e tyre, zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Francës, u befasuan nga një veprim i tillë që ishte bërë pa pyetur qeverinë franceze dhe i kërkuan menjëherë shpjegime gjeneralit Sarraj. Ky i fundit iu përgjigj menjëherë se koloneli Dakoen, që ishte komandant i forcave ushtarake franceze në Korçë, me këtë veprim kishte marrë parasysh kërkesën e popullit që kazaja e Korçës të bëhej krahinë autonome.
Nga këto reagime dilte se ushtarakët francezë nuk kishin marrë për këtë qëllim pëlqimin e Parisit. Por tashmë kjo ishte bërë fakt i kryer. Kuptohet që edhe qarqet shoviniste greke, jo vetëm që nuk e pranuan një veprim të tillë, por u fyen. Aq më tepër Venizelosi që ishte tashmë aleat i Antantës pra, edhe i Francës. Ai i nuk e aprovoi dëbimin e Argjillopusit, ish- prefekti grek i Korçës dhe zëvendësimin e tij me Themistokli Gërmenjin. Që këtu nis një etapë e re në zhvillimet e kësaj ngjarjeje që do të karakterizohen nga sulmet ndaj Krahinës Autonome të Korçës dhe Themistokli Gërmenjit, i cili vazhdonte detyrën në dobi të çështjes atdhetare. Një ndër vendimet e rëndësishme të tij ishte mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe, midis të cilave edhe të ngritjes së liceut të parë shqiptar. Veç kësaj, Themistokliu mori masa, sidomos për sigurimin e drithit në kushtet e një urie që kishte pllakosur në Korçë, si dhe masa për ruajtjen e kufijve që dhunoheshin herë pas here nga xhandarët e Venizelosit.

1 comment:

Anonymous said...

Oh my goodness! Impressive article dude! Thanks, However I am experiencing
issues with your RSS. I don't know why I cannot join it. Is there anybody getting similar RSS problems? Anyone who knows the solution can you kindly respond? Thanx!!
Here is my web blog captain black