Thursday, November 29, 2012

Sonte të gjitha rrugët në Michigan çojnë në "Imperial House",



Agim Vuniqi *
Sot të gjitha rrugët çonin në Vlorë dhe në Tiranë, dhe kjo atmosferë festive është bartur në të gjitha trojet shqiptare; ndërsa sonte të gjitha rrugët në Michigan çojnë në "Imperial House", për të festuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë e madhe historike lidhet me ditëlindjen e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë. Më lejoni që këto momente dhe emocione festive t'i ndajë sonte me ju.
Flitet se në kohën tonë të re kishte ardhur një njeri nga kohët e mugëta, nga ditët mitike dhe bota e mrekullive…ishte i Kastriotëve, i biri i Gjonit, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, pastaj erdhi tjetri Ismajl Qemajli dhe tha:
"Deshi Zoti, që me punën tonë, trimërinë dhe guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut tonë, sepse këtu e tutje,
jemi të lirë, të pavarur dhe më vete, prandaj, qeshni dhe gëzohuni!" dhe shtoi duke përfunduar fjalimin e Ditës së Flamurit "Ja, pra, ky është flamuri ynë! I kuq e me shqiponjë dykrenare në mes. Dhe tani të gjithë bashkohuni si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta përparuar e për ta qytetëruar, si i ka hije Atdheut tonë të lirë. Duke përfunduar, nuk më mbetet tjetër gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Math për bekimet e Tij…".
U shpall Pavarësia, Ismjal Qemajlit iu bashkangjitën kalorësit shqiptarë nga Kosova me Isë Boletinin në krye, ata ngritën flamurin në Vlorë. Me Isën ishin Luigj Gurakuqi, Mithat Frashëri e shumë patriotë tjerë të të gjitha trojeve shqiptare…
Pas gati pesë shekujsh nën pushtimin otoman, atë ditë valoi i lirë, flamuri i Skenderbeut, siç kishte valuar më 1443 ne Krujën legjendare.
Të gjitha këto ishin para një kohe. Kurse vendin e përcakton gjeografia. Quhet Drenicë, e cila gjendet në Kosovë, në atdheun Shqipëri. Njerëzit këtu janë shqiptarë… Si mundet, vallë, që njerëzit të jenë këtu e historia dhe toka e tyre të jenë atje?!
Në vitet e njëzeta e tridhjeta të shekullit të kaluar Azemi e Shota (nusja e tij) ishin të parët që luftuan kundër serbëve. Pas tyre shqiptarët u bashkuan me partizanët me shpresë se do të çlirohen pas Lufët së Dytë Botërore… Por, liria mbeti vetëm ëndërr… Pastaj ndodhi masakra e Skenderajt u vranë dyqind e pesëdhjetë shqiptarë… Dhe çka i mbeti Drenicës, pos të prodhojë kryengritës. Njëri nga ata quhej Shaban Palluzha, që e vazhdoi luftën kundër serbëve… Dhe në kohën e Shabanit , tok me të, ishte edhe një Shaban tjetër… Ishte i pasur, kishte tokë të mirë, ishte mësues që fëmijëve ua mësonte "Abetaren"… Dhe toka do të jetë deri sa të ketë dëshmorë…
Sipas Librit të Amzës ai quhej Adem…Ishte shtatlartë, i fuqishëm… i kishte hije mjekrra e zezë madhështore…grushti i dorës si putra e luanit… fytyra si hëna e plotë.
Or zotërinj…, Kush thotë se dëshmorët varrosen ?! Dëshmorët mbillen dhe mbijnë dhe bëhen kopshte edhe vreshta…dhe fëmijë të vegjël plot krenari e nder… Në muret e rrugëve e rrugicave, në lojërat e fëmijëve, ndër fletoret e nxënësve, në plisat e pleqve, në krahërorët e rinisë trime, në ballin e bukurosheve i ke sot fotografitë e Adem Jasharit dhe në sytë e të gjithëve tërhiqet vëretja: "Ke kujdes, ne jemi nga ai trim dhe nga ai vend!"
Nga ke ardhur, or kalorës?… Unë jam këtu, gjyshin e kam pasur këtu, por edhe shtërgjyshërit ishin nga ky vend. Unë jam nga toka, ku sa herë që pritet një lis, mbijnë me mijëra lisa të rinj. Unë jam nga toka, ku qumështi i fëmijëve grabitet që në mëngjes dhe kur vjen mbrëmja ata thithin hidhërimin nga gjinjtë e nënës… Çka mund të bësh kur je i pakët e ata zullumin e kanë si fe?
Hekurin, or kalorës, nuk e gdhend asgjë, pos hekurit…Kryengritje… Kryengritja e mposht hekurin… Te ne kryengritja është si prona, e trashëgojmë brez pas brezi…Nuk qetësohet derisa të mos fillojë… Nuk mposhtet deri në fitore…Dhe nëse dëshiron të dijsh më shumë…T’ia fillojmë rrëfimit nga fillimi…
Sot është 28 Nëntor, jemi në "Imperial House", Macomb County, në Michigan, SHBA. Ndaj sot, në ditën e shenjtë të 28 Nentorit 1912, të gjithë të bashkuar rreth flamurit dhe idealit tonë të përbashkët betohemi; Gjithmonë gati! Gati për ta bërë Shqipërinë "Nje Zonjë të randë". Shqiptarë kudo që jeni, sipas mundësive vendosni gurin e themelit të dinjitetit dhe të shpresës kombëtare, Gezuar ky qindvjetor dhe ai tjetri qe vjen pas tij.... Gëzuar!
Sot i emocionuar përcolla lirimin e Ramush Haradinaj, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Den Hag, pasi që Tribunali i Hagës e shpalli atë sot të pafajshëm dhe e liroi nga të gjitha akuzat që e ngarkonin atë dhe dy ish bashkëluftëtarët nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Lahi Ibrahimaj e Idriz Bala, me krimet e luftës. Pritja e tij dhe e bashkëluftarëve të tij ishte madhështore, ata i pritën bashkëqytetarët e Kosovës, në Prishtinë, në sheshin e "Nëna Terezës", ku ishin zhvilluar të gjitha ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, deri në pavarësimin e saj; mu në atë shesh, përballë platos përshëndetëse qëndron i heshtur dhe krenar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili lartësoi lart identitetin shqiptar. Më lejoni që në emrin tim dhe tuajin, të përshëndes lirimin e Ramush Haradinaj dhe të dy bashkëluftaëve të tij, si triumf i drejtësië ndërkombëtare dhe si një fitore e të gjithë ne, ngase komuniteti shqiptar i Michiganit ka dhënë një kontribut të madh luftës në Kosovë, me para, me djersë dhe me luftëtarë,t ë cilët iu bashkangjitën luftës së drejtë çlirimtare. Gëzuar!
*Agim Vuniqi,fjala përshëndetëse në festën e pavarsisë me 28 nentor 2012

1 comment:

Anonymous said...

Thank you for any other informative blog. Where else may just I get that type of info
written in such a perfect approach? I have a mission that I am simply now operating on, and I have been
on the glance out for such information.

Here is my website: online stopwatch.