Wednesday, April 4, 2012

Muho Asllani: Si i priti Byroja Politike trazirat e vitit 1997 dhe rënien e Berishës

Kur ndodhën trazirat e vitit 1997 unë gjendesha në burgun e Tepelenës, së bashku me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike, të cilët ishin dënuar për genocid kundër njerëzimit”. Kështu u shpreh dje, ish anëtari i kësaj byroje dhe kreu i Partisë së Punës, Muho Asllani, i cili ndodhej në të njëjtin burg ku ishin edhe Ramiz Alia, Fatos Nanua, apo Sudja e firmave piramidale.
Aty ku ndodheshin gjithashtu edhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Më tej Asllani rrëfen se si e pritën byroistët tragjedinë e këtij viti, rënien e Berishës dhe çfarë ndodhi pasi ata u kthyen në shtëpitë e tyre. Në këtë mënyrë gazeta “Sot”, duke bërë radioskopinë e ngjarjeve të vitit 1997, ka hedhur dritë mbi aktivitetin e grupimeve të ndryshme shoqërore, ndërsa sot zgjodhëm grupin e anëtarëve të Byrosë Politike për t’i fokusuar në këtë projeksion. 

Zoti Asllani, sipas mendimit tuaj, a ishin trazirat e vitit 1997, pjesë e rebelimit komunist, apo një reagim për humbjen e parave në firmat piramidale?
Mendoj se termat e përdorura si psh, “rebelim komunist”, “revansh i të përmbysurve”, apo gjëra të tjera me ngarkesa politike janë të tepërta për t’u përdorur në raste të tilla. Por do të thosha se këto etiketime nuk zgjidhin gjë dhe nuk mund të shkarkojnë në asnjë mënyrë përgjegjësinë e ngjarjeve.
Përse e thoni këtë?
E para, këtë e them se për periudhën e vitit 1997 Partia Komuniste kishte dalë jashtë ligjit dhe në një farë mënyre ishte inekzistente. Pavarësisht, nga organizimet e vogla që thuhej se bënin një aktivitet të kufizuar në ilegalitet, (deri tek shkëmbimi i mendimeve) përsëri ndihej qartë se ora e komunistëve në atë fragment të kohës ishte stopuar. Dhe komunistët i kishin hapur rrugën një zgjidhjeje më të mirë duke mos u bërë pengesë për skemat e reja që po aplikoheshin nga koalicioni qeverisës. Pra, ne në asnjë mënyrë nuk donim të bëheshim pengesë për zhvillimin e Shqipërisë dhe në atë kohë mendonim se nëse kishim gabuar, duhet të tërhiqeshim nga pushteti, për të gjetur një zgjidhje të re për mirëqenien e popullit. Por edhe për të reformuar veten tonë.
Pra, sipas jush cili ishte shkaku i fillimit të protestave?
Shkaku ishte humbja e kursimeve të shqiptarëve në firmat piramidale. Dhe kjo besoj se dihet prej të gjithëve. Pastaj, në lidhje me atë se kush i krijoi këto firma piramidale dhe kush lejoi shtrirjen e tyre në të gjithë Shqipërinë, është një çështje tjetër, së cilës më mirë se kushdo duhet t’i përgjigjen specialistët e ekonomisë. Por sipas mendimit tim, tolerimi që iu bë firmave piramidale kishte të bënte me një tendencë fillestare për t’i ndihmuar shqiptarët që të pasuroheshin disi më shpejt. Dhe fakti që këto firma po funksiononin në fillimet e veta tregonte nuk kishte ndonjë gjë për t’u shqetësuar.
Ju doni të justifikoni qeverinë e Berishës dhe të Meksit?
Duhet ta kuptoni pozicionin tim. Unë shumë më kollaj mund të shkrehesha me akuza kundër qeverisë së atëhershme të Berishës dhe Meksit, për traumën që u krijua nga firmat piramidale, por këtë nuk mund ta bëj për disa arsye.
Cilat janë këto arsye?
E para, ka të bëj me moshën time, kur njeriu e ka për detyrë të shprehë gjithmonë atë që mendon. Pra, këto që thashë më lart janë të vërteta. Dhe e dyta ka të bëjë me faktin se këto ngjarje ndodhën në një moment kur politika shqiptare nuk kishte eksperiencën duhur për t’i paralajmëruar. Sidoqoftë, gabimi ishte tepër i madh për faktin se lulëzimi i tyre vazhdoi për shumë kohë. Por piramidat janë piramida dhe një ditë butaforia e tyre të rrëzon.
Ku  ishit ju, kur nisën trazirat e vitit 1997?
Unë isha në burgun e Tepelenës. Isha dënuar sipas vendimit të Gjykatës me akuzën për genocid kundër njerëzimit. Dhe për hir të së vërtetës, nuk kam pasur shumë njohuri për atë që ndodhte jashtë burgut. Por natyrisht, që komunikimi ynë me të afërmit ishte normal në bazë të rregullave dhe gjatë bisedave mësonim ndonjë gjë. Por sidomos, më shumë mësonim nga bisedat me njeri-tjetrin, apo me punonjësit e burgut. Në një libër të Shekspirit, thuhet se: “Nëse do të mësosh se çfarë ndodh në pallatin e mbretit, shko pyet të burgosurit politikë”.
Si u ndjetë kur mësuat se kishin plasur protestat në lidhje me firmat piramidale?
Të them të drejtën jemi ndjerë shumë keq për shumë arsye. Sepse ne të gjithë që ndodheshim në atë burg, ishim ish zyrtarë të lartë të nomenklaturës dhe gjëja e parë që kishim krijuar si edukatë ishte respektimi i shtetit dhe institucioneve të tij. Sepse e dinim mirë që nga trazirat, vendi do të kishte pasoja. Por sidomos shqetësoheshim për jetën e shqiptarëve. Sepse lajmet që vinin, njoftonin për hapjen e depove dhe ne e dinim fare mirë, se çfarë do të thoshte që armët të binin në duart e civilëve.
Çfarë ndodhte me byroistët e burgosur, kur situata politike po dilte jashtë kontrollit të shtetit?
Nuk ndodhte pothuajse asgjë. Ata prisnin se çfarë do t’i thoshin eprorët e burgut dhe zbatonin pikë për pikë porositë, apo këshillat e tyre. Në ato ditë para se të dilnin nga burgu i takova të gjithë. Ishin të shqetësuar e të merakosur për familjet e tyre, por edhe për kombin. Më shumë dukeshin të tronditur. Disave i dridheshin duart. Nga sëmundja dhe mosha. Gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ata dolën të gjithë nga burgu, së bashku me të burgosurit e tjerë. Ikën në shtëpitë e tyre, duke mos e ditur se çfarë do të ndodhte në javët vijuese. Por thuajse të gjithë u shprehën të gatshëm, që nëse do t’i kërkohej nga eprorët,  që të riktheheshin për të kryer pjesën tjetër të dënimit, ata do të vinin përsëri. E thashë edhe më lart se ata kishin qenë vetë zyrtarë të lartë të shtetit dhe e respektonin anën ligjore pa bërë asnjë lloj diskutimi.
A pati trazira nga të burgosurit në burgun e Tepelenës, gjatë këtyre momenteve?
Po, pati disa trazira. Pati grindje dhe përleshje midis disa individëve. Madje, kishte edhe disa plagosje. U qëlluan me thika. Armët kishin hyrë edhe në burg. Këto ishin gjëra që mund të priteshin të ndodhnin në momente të tilla.
Po ju, ish- politikanëve të lartë a ju hapën telashe nga të burgosurit e tjerë?
Jo, ne nuk patëm ndonjë telash, ose më mirë të them se nuk patëm asnjë problem me ta. Por këtu është momenti për të nënvizuar faktin, se ne respektoheshim pa hipokrizi nga nëpunësit e burgut, apo nga të burgosurit e tjerë. Bashkë me mua ishin edhe shumë anëtarë të Byrosë Politike, në atë burg, por ishte edhe ish presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia. Gjithashtu, në atë burg vuante dënimin edhe kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano. Të gjithë këta emra që përmenda gëzonin një respekt të padiskutueshëm prej të burgosurve të tjerë. Por edhe prej drejtuesve të burgut.
Ju thatë se “të gjithë dolën nga burgu”. Po ju vetë përse nuk ikët që andej?
Unë mbeta në burg me Ramiz Alinë, Fatos Nanon, një mikun tonë që quhet Marash, e ndonjë tjetër. Ne nuk pranuam të dalim, pa komunikuar me gjykatën e cila kishte marrë vendimin e dënimit tonë. Në realitet, ne kërkonim vendimin e së njëjtës gjykatë, që të sanksiononte faljen, apo pafajësinë tonë. Në mënyrë që të mos konsideroheshim sikur ishim arratisur nga burgu.
Si vepruat më pas?
Unë shkova në dhomën ku ishte Ramiz Alia dhe Fatos Nano. Po kështu edhe Marashi. Dhe të gjithë bashkë qëndruam në pritje të një zgjidhjeje nga drejtoria e burgut. Për pak harrova të thosha se aty në burg vuante dënimin e saj, edhe njëra nga drejtueset e firmës piramidale të Tiranës, e cila quhej Sude. Edhe ajo nuk pranoi të dilte nga burgu.
Përse nuk pranoi të dilte nga burgu Sudja?
Ndofta për të njëjtën arsye. Ajo kërkonte dokumentin e gjykatës për lirimin e saj. Ose thjesht për faktin se donte të mbrohej, ngaqë kreditorët e shumë mund ta rrezikonin gjatë ditëve vijuese.
Dhe sa ditë pritët në burg pasi kishin ikur të tjerët?
Kemi pritur pak kohë. Pastaj ka ardhur drejtori i këtij burgu, i cili ishte një njeri i nderuar dhe na kërkoi që të dilnim. Madje, ai na tha se do të na shoqëronte vetë deri në shtëpitë tona. Dhe kështu u bë. Ai mori në makinën e tij Ramiz Alinë dhe Fatos Nanon, ndërsa ne ishim në makinën pas tyre.
Ju u kthyet në shtëpi me autoburgun?
Jo. Ishte një makinë me xhama të blinduara dhe e sigurtë në rast rreziku të ndonjë sulmi spontan që mund të na bëhej. Por për fat, nuk ndodhi asgjë e papritur dhe rruga na shkoi mbarë.
Çfarë thoshte Sudja gjatë atyre ditëve të fundit të burgut?
Thoshte se ajo do të rikthehej përsëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit, sapo të stabilizohej shteti. Ishte bindur se do të rikthehej në burg për këtë gjë. Ndërsa, për fajdet ajo e pranonte se kishte gabuar dhe prandaj, kishte falimentuar.
A iu tregoi gjë Sudja në burg, se cili ishte personi që qëndronte pas saj, të cilin ajo e kish quajtur “kompetenti”?
Jo, nuk tha gjë për këtë. Por isha i bindur se pas saj nuk kishte asnjë kompetent apo ekspert. Historia e fajdeve ishte një papjekuri e iniciuar prej saj, apo edhe prej ndonjë mbështetësi tjetër. Askush prej tyre nuk e kishte parashikuar gjerësinë dhe thellësinë e shtrirjes së kësaj tragjedie që pasoi më vonë.
Çfarë ndodhi pasi drejtori i burgut iu shoqëroi për në shtëpitë tuaja?
Unë për shkak të itinerarit, por edhe të rrethanave nuk zbrita në Durrës, por erdha në Tiranë. Dhe atë natë fjeta në shtëpinë e Marashit, i cili ishte në mik shumë i mirë. Ndërsa të nesërmen u nisa për në Durrës. Ika me një makinë.
A ju ndalën rrugës gjatë vajtjes për në Durrës?
Jo, patëm fat që nuk na ndali askush, megjithëse rrugët ishin plot me postblloqe civilësh. Të mos harrojmë faktin se ishte gjendje e jashtëzakonshme. Por qeveria ishte dorëhequr. Ndërsa Qeveria e Pajtimit Kombëtar u dekretua atë ditë kur ne dolëm nga burgu. Dhe për këtë arsye ishte e pafuqishme për të kontrolluar situatën. Ndërsa, pjesën tjetër të ngjarjeve e përjetova në Durrës si të gjithë qytetarët e tjerë.
Çfarë thoshin anëtarët e Byrosë Politike, më vonë për trazirat e këtij viti?
Nuk kishin asnjë pikë entuziazmi. Përkundrazi, ishin mjaft të tronditur për atë që po i ndodhte shoqërisë shqiptare. Ata nuk ishin shumë të shqetësuar për aftin e tyre personal, sepse ishin të vjetër në moshë. Ata ishin të shqetësuar për fatin e gjithë shqiptarëve. Sepse e dinin mjaft mirë se çfarë vonese do t’i shkaktonte kjo ngjarje, zhvillimit të vendit.
A shprehën byroistët ndonjë entuziazëm të shfrenuar për faktin se qeveria e Berishës kishte dështuar?
Asnjë entuziazëm. Ata ishin në fund të jetës dhe reflektonin zhgënjim për shumë probleme. Natyrisht, disa prej tyre duke përfshirë edhe Ramiz Alinë i pranonin disa gabime, apo disa teprime të sistemit të kaluar. Por në të gjitha rastet, askush prej tyre dhe prej nesh, nuk u gëzua për gjëmën që po i ndodhte vendit tonë. Ne, me të vërtetë ishim komunistë, por në rradhë të parë ishim patriotë që e donim Shqipërinë me një ndjeshmëri tepër të lartë. Dhe e kuptonim se përpara nesh po shfaqej një rrezik për luftën vëllavrasëse, të cilën nuk e dëshironte asnjë shqiptar. Sepse të gjithë shqiptarët janë vëllezër të një gjaku e të gjithë meritonin një fat të mirë.
Si vepruat në Durrës, pas lirimit nga burgu?
Me aq sa pata mundësi ndikova tek njerëzit e afërt për të ulur armët. Për të rivendosur paqen, qetësinë dhe stabilitetin. Meraku im kryesor në ato ditë ishte vetëm që kjo tragjedi të kalonte me sa më pak pasoja. Prandaj, këdo që takova gjatë atyre ditëve, pra të majtë e të djathtë, i thashë që të punonim së bashku për paqen. Sepse në ato momente vendi ynë nuk kishte nevojë për thellimin e luftës politike, por për  rivendosjen e shtetit dhe mirëkuptimit midis njerëzve.
Çfarë keni biseduar më vonë me byroistët e tjerë për ngjarjet e atij viti?
Jo vetëm që nuk kemi biseduar ndonjë gjë, por disa prej tyre vdiqën njëri pas tjetrit, fill pas ngjarjeve të vitit ‘97. Kjo ndodhi për shkak të sëmundjeve që kishin, por sidomos edhe për shkak të moshës. Kështu që asnjëherë më vonë nuk u mblodhëm për të biseduar lidhur me këto ngjarje. Madje, as me Ramiz Alinë nuk kemi folur për këto probleme. Ajo tragjedi e vitit 1997 na ra si një ortek mbi kokë të gjithëve dhe na tronditi. Pasojat e kësaj tragjedie ishin aq të mëdha saqë askush nuk pati kohë të gëzohej për humbjen e të djathtëve, apo të majtëve, për humbjen e kundërshtarëve politikë, apo anasjelltas.
Përse e thoni këtë?
Sepse ne e dinim se ajo që kishte humbur ishte Shqipëria. Dhe në vorbullën e fatit të përgjithshëm të shqiptarëve, ish anëtarët e Byrosë Politike përbënin një pjesë shumë të vogël e të papërfillshme për zhvillimet e ardhshme.  

Kush është Muho Asllani
Muho Asllani ka lindur në tetor të vitit 1937 në Bërdicë të rrethit të Shkodrës në një familje të varfër, por tepër patriotike. Gjyshi i është vrarë nga serbët në vitin 1913. Në vitin 1953 mbaroi shkollën 7-vjeçare në fshatin e lindjes (Bërdicë). Pas kësaj shkon në shkollën e mesme bujqësore në Lushnje, por bën vetëm një vit dhe ndërpret shkollën për tu kthyer sërish në shtëpi. Mbaron teknikumin bujqësor të Shkodrës, në vitin 1958. Në viti 1961 fillon Institutin Bujqësor dhe e mbaron në vitin 1964. Ka mbaruar Shkollën e Partisë me korrespondencë në vitin 1968. Nëntori i vitit 1971, pikërisht në Kongresin e VI të PPSH-së, u zgjodh direkt anëtar i Komitetit Qendror të Partisë, pa kaluar fare fazën e kandidatit. Ndërkohë kryente edhe detyrën e Sekretarit të Komitetit të Partisë së Shkodrës, ku sekretar i parë ishte Prokop Murra. Më 3 janar të vitit 1974 u emërua Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Matit. Nuk do të vononte shumë dhe në korrik të po atij viti, pra në 1974-ën, u emërua me detyrën e Sekretarit të Parë të rrethit të Kukësit. Në maj të vitit 1976 u emërua zëvendësministër i Bujqësisë. Në mars të vitit 1979 emërohet Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Burrelit. Ka qenë Sekretar i Parë, në Shkodër. Në nëntorin e vitit 1981, pikërisht në Kongresin e Tetë të Partisë u bë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Më pas, duke qenë anëtar i Byrosë politike u emërua sërish Sekretar i Parë në Durrës. U shkarkua në vitin 1991 nga Byroja politike e drejtuar nga Ramiz Alia. Dhe pas periudhës së pluralizmit politik, Muho Asllani është dënuar për genocid nga gjykata.
Ilir Bushi

No comments: