Anjola Hamzaj
Si është e mundur
të krijohet një raport absurd mes njeriut politik dhe vetë politikës?
Si është e mundur që kjo më pas arbitrarisht të quhet normale?Është e mundur në kategori të caktuara, por që fatkeqësisht për ironi të fatit, të përditshmërisë, të gabimeve të vogla që pjellin plagë të mëdha, të ekzistojnë grupime të tilla. Ai më i freskëti është Albin Kurti dhe filozofia e tij. Duket i freskët, por me origjinë dhe bazë të vjetër.
Dhe në fakt të dëshpëruarit e kanë të vështirë të jetojnë të vetëm.
Ndryshe ndodh me njerëzit e mëdhenj, ku vetminë e bekojnë dhe janë të dashuruar në mënyrë fanatike, sepse vetëm janë të realizuar, vetëm krijojnë, vetëm jetojnë, por që puna e tyre është pjesë e universit. Me të dëshpëruarit është një botë tjetër. Ata kërkojnë miq, aleanca, sepse të vetëm do të ishin hiç.
Kjo nevojë e të dëshpëruarve ka krijuar grupin Vetëvendosje dhe Kuq e Zi. Edhe pse çdo lëvizje e tyre është përpjekje për pushtet, çudi që një nismë ekstreme për të bllokuar kufijtë me Serbinë të gjejë mbështetje pikërisht nga kjo forcë e re politike, e cila është krijuar nga fundërrinat.
Dhe me këtë i referohem nacionalizmit donkishotesk. Edhe fakti që në Shqipëri paska grupe që janë organizuar pikërisht për këtë nismë të Vetëvendosjes, është ose optimizëm televiziv, ose ndjekës të dëshpëruarve në këmbim të 100 eurove. Këto hapësira që më saktë do të quheshin vrima për pak pushtet po krijohen mbi një filozofi asgjësuese, shkatërruese dhe të dhunshme. Këta njerëz që kanë zgjedhur të jenë brenda politikës dhe shtetit po keqpërdorin njerëzit dhe vendet e tyre.
Tani është më e qartë edhe panorama e krijuar e partisë Kuq e Zi, ku në fokus ka krijimin e armiqve ose prishjen e marrëdhënieve me fqinjët. Kjo parti që në fillimet e saj, edhe pse do të votohet në Shqipëri, fushatën e bëri më shumë në Kosove duke shfrytëzuar ndjeshmërinë e popullit kosovar ndaj çështjeve kombëtare ose edhe gjendjen delikate mes Serbisë dhe Kosovës. Atje ishte një bum i madh, ku skena më patetike ishte përlotja e vetë liderit të kësaj partie para turmës së militantëve. Ky skenar u ideua dhe krijua për t’i bërë një copë vend presidentit Topi në të ardhmen kur te mbetet pa punë.
Dhe si president, karriera paskëtaj duhej të mendohej mirë që të ishte patjetër lider i një partie, sepse funksionar nuk mund të jetë një ish-president sipas mentalitetit politik në vendin tonë.
Duke thyer çdo parim, duke kapërcyer çdo limit, duke keqpërdorur besimin dhe dashurinë për të ardhmen, këta janë gjuetarët e dëshpëruar të pushtetit.
Si të mos mjaftonin absurditetet e politikës së ashtuquajtur normale, lindin grupe të tilla ku e kërkojnë të keqen me aq pasion, sa kthehen shekuj pas. Kthehen të kufijtë në kohën kur flitet për globalizim, për heqje barrierash për universalizimin e vlerave nëpërmjet identitetit të kulturave.
Në këtë realitet nuk bëhet fjalë më për këmbim rregullash apo lojë politike, as për pazare, as për koalicione të pandershme. Të shkosh te kufijtë ke shkuar larg, ke shkuar në absurd. Ky rit është jashtë kohës, jashtë çdo llogarie politike, është jashtë vetë politikës. Por edhe pse larg dhe jashtë kohës, është i njohur dhe po kthehet dominues. Nuk është i largët realiteti që krijoi lideri socialist për dy vjet rresht në qëllim të interesave personale. Protestat e organizuara i kaluan kufijtë, kaluan përtej tyre duke shqetësuar mbarë Europën. Protestat e Vetëvendosjes, padyshim këtë qëllim kanë: krijimin e tymit, të zhurmës, për të thënë me zë të lartë që ne jemi këtu, ekzistojmë.
Pavarësisht mënyrës, këta elementë të shtrembër politik dhe social këtë e arrijnë. Por vetëm këtë: zhurmën dhe tymin.
Tashmë këtë metodë e njohim falë eksperiencës dy vjeçare të PS, fundi është i njëjtë për kategori të njëjta. Të dëshpëruarit e Shqipërisë dhe të Kosovës janë bashkuar, por janë thjesht të dëshpëruar edhe pse të bashkuar. Përjashto dëshirën e tyre për shkatërrim të raporteve që mbajnë në lëvizje një vend, vlera dhe sensi universal politik, fillimisht është human.
No comments:
Post a Comment