Wednesday, January 25, 2012

Kriza ul çmimet e ndërtimit, Tiranë- Elbasan 110 mln euro më pak



Sabina Veizaj
Maxhoranca dhe opozita kanë miratuar me konsensus dje në komisionin e Ekonomisë dhe Financave marrëveshjen prej 50 mln dollarësh, kredi e dhënë nga banka Abu Dhaib për ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan. Diskutimi rreth marrëveshjes ka nxitur debate mes mazhorancës dhe opozitës, pasi nëndrejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Skënder Çota deklaroi se kostoja e rrugës Tiranë- Elbasan do të kushtojnë 110 mln dollarë më pak se parashikimi. Para që i kursehen buxhetit të shtetit. “Kjo është mënyra e ndërtimit të një vepre madhore që synon të shkurtojë kostot për buxhetin, mënyra e prokurimit e bën më të qartë dyshimin e ndërtimit të 56 km të tjerë dhe ndërtimit të rrugës Durrës- Kukës”, – u shpreh deputeti socialist, Erion Braçe, anëtar i komisionit kuvendor të Ekonomisë. Opozita hodhi hije dyshimi mbi uljen e shpenzimeve të kësaj vepre madhore, duke theksuar se për veprat të tilla gjithmonë është kërkuar rritje shpenzimesh dhe jo më ulje. Opozita kërkoi që me gjithë uljen e kostos së rrugës prej 110 mln dollarësh të mos abuzohet me cilësinë e saj, pasi ajo është pasuri e qytetarëve. Skënder Çota, nëndrejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, argumentoi se kursimi prej 110 milionë dollarësh vjen si rezultat se segmente të caktuara të rrugës janë kërkuar për t’u ndërtuar nga kompani të ndryshme, gjë që ka sjellë uljen e kostos. Pra, autostrada Tiranë-Elbasan nuk do të kushtojë më 400 milionë dollarë sipas projektit fillestar, por 290 milionë dollarë. Kursimi prej 25 për qind të shpenzimeve të parashikuara, që ndryshe do të thotë 110 milionë dollarë më pak të shpenzuara nga buxheti i shtetit, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ka ardhur si pasojë e kërkesës së lartë të kompanive për të marrë pjesë në ndërtimin e segmenteve në dy anët e tunelit të Krrabës. Sipas Çotës, ulja e kostos së ndërtimit të kësaj vepre nuk reflektohet në uljen e cilësisë së punimeve. Nëndrejtori Cota bëri me dije se deri tani punimet i kanë superuar të 41 % të projektit. Aktualisht po punohet me 0.5-1 % progres çdo ditë. Ndërsa kryetari i komisionit kuvendor të Ekonomisë dhe Financave, Edmond Spaho e argumentoi shkurtimin e kostos për ndërtimin e autostradës Tiranë – Elbasan me reflektimin e krizës ekonomike globale, gjë që ka sjellë kërkesa të firmave të ndërtimit me kosto më të ulëta. Sipas Spahos, ky është efekti i parë pozitiv i krizës ekonomike për vendin tonë. Komisioni i Ekonomisë dhe Financave pritet që të diskutojë edhe një kredi tjetër në vlerën e 24 milionë dollarëve, që jepet nga fondi i OPEC-ut. Pritet që tuneli i Elbasanit të jetë gati për 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Autostrada Tiranë – Elbasan është 26.9 km e gjatë. Sipas projektit, rruga është e ndarë në tri lote, nga të cilat: loti i parë fillon nga Unaza e Madhe deri në kilometrin e 13-të; loti i dytë është tuneli, ndërsa loti i tretë është nga dalja e tunelit në qytetin e Elbasanit.

Sommario

“Kjo është mënyra e ndërtimit të një vepre madhore që synon të shkurtojë kostot për buxhetin. Mënyra e prokurimit e bën më të qartë dyshimin e ndërtimit të 56 km të tjerë dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës”, – u shpreh deputeti socialist, Erion Braçe



Disa nga parametrat e autostradës Tiranë-Elbasan

Shpejtësia e projektimit është     100-120 km/h
Gjerësia e një vije kalimi është     3.75 m
Gjatësia e rrugës në mbushje     18.5 km
Gjatësia e rrugës në gërmim     17.4 km
Gjatësia totale e viadukteve     4.65 km
Gjatësia totale e tuneli për të dy tubat 4.3 km
Numri i mbikalimeve         7
Numri i nënkalimeve         4
Numri i viadukteve         21
Numri i kryqëzimeve në disnivel

No comments: