Friday, June 8, 2012

Nano: Kam gjithmonë një listë me deputetë dalëzotsa

Ish-kreu i PS u kërkon deputetëve të hyjnë në garë për kreun e shtetit.
“Edi Rama me mendësi otomane antigarë për Presidentin”
Fatos Nano tha dje se ka deputetë që do ta mbështesin në kandidimin e tij për President. Kandidati i vetëshpallur për President, në një intervistë dhënë Luljeta Prognit për website-in studimepoliti-ke.com,  tha se do të gjejë mbështetje për garën presidenciale. “Nëse Presidenti do të dalë i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend, atëherë kjo do të jetë dëshmi e pjekurisë së demokracisë shqiptare. E, për ta përmbyllur, po ju them se unë gjithmonë e kam edhe një listë me deputete dalëzotsa”, shprehet Nano. Lëvizja “Nano për President” i bëri apel dje PS-së përmes një njoftimi të shpërndarë mediave që të mos vetëpërjashtohet nga gara. “Prej javësh PS, nëpërmjet kryetarit Rama, ka adoptuar qëndrimin për një proces amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet te një kandidat konsensual. Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetuar e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatët e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare”, thuhet në njoftimin e zyrës së Nanos. Duke analizuar sjelljen dhe qëndrimet e deritanishme të krerëve politikë të dy partive, lëvizja “Nano për President” kërkon nga PS që të dalë nga mendësia antigarë. “Vini re, me këtë mënyrë veprimi, me këtë mendësi otomane antigarë, kundër çlirimit të energjive më pozitive të politikës dhe qytetarëve shqiptarë, shpërfillet dhe asgjësohet edhe dinjiteti e vullneti i lirë edhe i vetë deputetëve. Opozita nuk mund të lejohet që të rrëzohet ndërsa bën gabimin duke shmangur Presidentin. Opozita mund të rritet duke lartësuar Presidentin”, thuhet në njoftimin e djeshëm. Kjo lëvizje u kërkon deputetëve socialistë të bëhen dalëzotsa duke respektuar dinjitetin dhe integritetin e tyre. “Fatos Nano është dalëzots dhe i fton gjithashtu deputetët e PS që të bëhen dalëzotsa, duke i dalë për zot dinjitetit të tyre, integritetit të tyre, Partisë Socialiste, demokracisë shqiptare, lirisë e drejtësisë, si dhe mbarëvajtjes së punëve në Shqipëri në mënyrë që të gjithë së bashku ta festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë edhe me statusin kandidat në BE të fituar”, thuhet në njoftimin e lëvizjes “Nano për President”.
Falënderim
Ish-kreu i PS-së falënderon Stefano Sanninon për misionin e tij të fundit në Shqipëri. “Fatos Nano falënderon dhe i shpreh mirënjohjen e thellë Stefano Sanninos, të dërguarit të komisionerit Stefan Fyle në Shqipëri, për misionin e tij të sotëm moderator në vendin tonë e për përpjekjet dhe inkurajimin që ai ka bërë për të zgjidhur ngërçin e zgjedhjes së Presidentit. Ndihma dhe mbështetja e institucioneve europiane dhe e të gjithë partnerëve euroatlantikë është e shumëçmuar dhe tejet e rëndësishme për mbarëvajtjen e punëve në vendin tonë”, thuhet në njoftim.
Harasani: Nano i bën nder postit të Presidentit
Deputeti socialist Andis Harasani mbështet kandidimin e ish kreut socialist Fatos Nano për postin e presidentit të Republikës. “Përveç se unë e kam mik personal, mendoj që i bën nder postit të presidentit. Zoti Nano është një nga politikanët më të mirë në Shqipëri dhe kupton më mirë nga të gjithë se si funksionon procesi, në të cilin bëhet fjalë për një bashkëpunim, të rënies dakord të dyja palëve në mënyrë që presidenti të jetë konsensual”, shprehet Harasani.
ARISTIR LUMEZI

Wednesday, June 6, 2012

26 intelektualë, thirrje partive: Kandidoni Nanon

Nje grup intelektualesh i jane drejtuar me nje leter te hapur krereve te partive parlamentare, mes te ciles i kerkojne mbeshtetje per kandidaturen e Fatos Nanos per kreun e ri te shtetit.
Ne leter, nenshkruar nga 26 intelektuale theksohet se “Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.”
Letra drejtuar krereve te partive parlamentare
Duke ndjekur me vëmendje debatin për Presidentin e ri të Republikës dhe procesin politik lidhur me këtë zgjedhje jetike për demokracinë dhe institucionet shqiptare jemi të prirur të kontribuojmë në këtë proces duke apeluar ju, deputetë dhe kryetarë të partive parlamentare në Kuvendin e Shqipëri lidhur me kandidaturën e ish- kryeministrit Fatos Nano për President të Republikës.
Duke iu drejtuar juve, kryetarë të nderuar të partive shqiptare të përfaqësuara në parlament dhe më gjerë spektrit politik shqiptare, ne besojmë se kontribuojmë në mbështetjen e një procesi për çështjen e Presidentit që fiton një vlerë të re dhe një përmasë të re emancipuese dhe evolutive në raport me historinë tonë politike të pluralizmit këto 22 vjet.
Ne besojmë se duke mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President të Republikës, formësojmë një precedent të ri dhe pozitiv për demokracinë shqiptare: përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar. Qoftë për moshën e re që ka demokracia shqiptare, qoftë për vështirësitë nëpër të cilat ajo ka kaluar, ky precedent nuk ka qenë i mundur të krijohet deri më tani, ndaj është shans që në fakt më në fund ne kemi mundësi të tërheqim nga tradita jonë më e mirë politike një figurë të tillë si Fatos Nano, për ta inkurajuar në gatishmërinë që ai ka manifestuar publikisht për të kontribuar tashmë në krye të një institucioni të rëndësishëm si Presidenti i Republikës.
Nano, përfaqëson vlera liberalizuese dhe mirëfilli demokratike në traditën tonët re politike, ndoshta si pak kush tjetër, me reformimin e së majtës së vjetër shqiptare, me reformat e para liberalizuese për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare dhe me reformat demokratizuese të gjysmës së dytë të viteve ‘90-të; me marrëveshjet historike mes të majtës dhe të djathtës, ku Nano ka qenë protagonist i dorës së parë duke i dhënë vendit hope dhe avancime të rëndësishme demokratike; me zgjedhjet e lira të organizuara në kohën e qeverisjes së tij dhe me rrotacionin paqësor të pushtetit Fatos Nano ka vendosur precedentë por aq të rëndësishëm sa gurët kilometrikë të një demokracie të re; me dorëheqjen e tij nga Kryetar i Partisë Socialiste në 2005, Fatos Nano ka instaluar në jetën politike shqiptare precedentin e përtëritjes së elitave politike në këtë vend duke i dhënë frymëmarrje dhe konkurueshmëri skenës sonë politike.
Për të gjitha këto arsye, duke qenë të bindur se vlerat dhe përvoja politike duhen përfillur dhe konsideruar nga shoqëria, për t’u vënë në shërbim të saj, ne besojmë se demokracia shqiptare ka nevojë të hyjë në një fazë të re, kombi shqiptar të shpëtojë nga vënia e shkelmit trashëgimisë sonë politike duke kaluar nga fazat e përmbysjeve ciklike në fazën e vijimësisë së natyrshme të takuar të vlerat dhe përvoja pozitive e asaj që ne na ndodhur këto 22 vjet në politike.
Ne besojmë se Fatos Nano përmbush të gjitha kriteret personale, politike dhe kontekstuale për të qenë një President i denjë e Republikës, duke pasur kapacitetin real për të qenë i pavarur, mbi palët dhe garantues i pavarësisë dhe evoluimit të institucioneve të pavarura për t’i ndarë ata përfundimisht nga loja politike partizane, për t’i bërë ato funksionale dhe në shërbimit të shtetit e jo në shërbim të palëve.
Duke ju respektuar fort për përfaqësimin të vullnetit të popullit, ne besojmë se Ju dhe trupa jonë parlamentare mund të na japin me kandidaturën e Fatos Nanos një stad të ri të demokracisë shqiptare. Një stad që i përgjigjet aspiratave të shoqërisë për tolerancë, për ekuilibër, për emancipim dhe për evoluim drejt një shoqërie të pjekur demokratike, të denjë për një Shqipëri në BE, edhe më shpejt se thjesht një ambicie të zakonshme e rutinore.
1.Ylli Popa
2. Dhori Kule
3. Moikom Zeqo
4. Gjergj Sinani
5. Adrian Civici
6. Mihal Tase
7. Arben Gjata
8. Ksenofon Krisafi
9. Aferdita Jonuzi
10. Petrit Malaj
11. Leonard Solis
12. Luan Bregasi
13. Zef Preci
14. Artan Santo
15. Bajram Muco
16. Shaban Sinani
17. Edit Mihali
18. Sulo Haderi
19. Ali Ahmeti
20. Uke Ibrahim Rugova
21. Thimio Kondi
22. Kujtim Cashku
23. Pirro Milkani
24. Ekrem Bardha
25. Arjan Gjonca
26. Anton Lulgjuraj

Tuesday, June 5, 2012

Faleminderit Zaganjori, President Fatos Nano!

ARIAN GALDINI
Faleminderit ambasadorit të SHBA, Aleksandër Arvizu, apo arvizuterapisë, ambasadorit të BE, Etore Sekui, si edhe ambasadorit të OSBE, Eugen Volfarth, apo trojkaterapisë, më në fund procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës duket sikur ka hapur mundësitë për të hyrë në rrugë të mbarë. Sikurse ata thanë dhe Edi Rama e përsëriti: Kriza po shndërrohet në shans për ripërtëritje.
Prof. Xhezair Zaganjori zhvilloi takime me të gjithë krerët e spektrit politik të përfaqësuar në Kuvend. Ky është ndoshta zhvillimi më shpresëdhënës qëkur ka nisur të flitet a debatohet, veprohet a kulisohet për zgjedhjen e Presidentit në këtë vendin tonë të vogël që me kaq shumë ngulm publik e kaq pak vullnet e kulturë politike synon të bëhet europian. Veçse ishte në shtigjet që kishte hapur, standardit që kishte ngritur, modelit që kishte ndërtuar Fatos Nano disa javë më parë.
Prof. Xhezair Zaganjori është një dinjitar shumë i respektuar i shtetit shqiptar për të cilin nuk ke ç’thua veç vlerësime të pakursyera për të gjithë karrierën e tij si akademike, ashtu edhe diplomatike, e patjetër edhe në Drejtësi. I sjellë në vëmendje dhe i propozuar nga maxhoranca qeverisëse, Prof. Zaganjori shqyrtoi brenda tij mundësitë, kualitetet, eksperiencën, dijenitë dhe kapacitetet e tij personale prej nga edhe gjeti kurajën dhe përgjegjësinë publike e qytetare për ta pranuar kandidimin për detyrën e kreut të shtetit shqiptar i ndërgjegjshëm se ai nuk e kishte menduar e as kërkuar këtë gjë më parë. Por këtu nuk çalonte standardi i Prof. Zaganjorit, këtu çalonte dhe vazhdon të çalojë standardi i kryetarëve të partive politike shqiptare, të cilët nuk kanë asnjë vetëdijësim, as sjellje apo shprehi demokratike për të kuptuar rëndësinë e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes publike në një proces zgjedhjeje në një vend demokratik. Kryetarokratët tanë takohen me njëri-tjetrin, herë bashkë e herë kokë më kokë, herë njëra gjysmë, e herë të gjithë, duke menduar e pretenduar se po ushtrojnë demokracinë, ndërkohë që nuk bëjnë as më shumë e as më pak, por e vrasin demokracinë. Ua kemi thënë e vazhdojmë t’ua themi kryetarokratëve tanë se demokracia me dyer të mbyllura është demokraci e vrarë, por ata ende nuk e kuptojnë, ose nuk u intereson ta pranojnë këtë të vërtetë. Ata flasin për procesin a thua se procesi është pazar apo marrëveshje kryetarokratësh e nuk e kuptojnë se procesi është drejtpërdrejt ushtrim demokracie nëpërmjet lehtësimit, krijimit të hapësirave dhe inkurajimit të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, e pjesëmarrjes së publikut. Kryetarokratët bëjnë lojë kungulleshkash duke dorovitur lista emrash e duke u ndjerë ndërkohë zot të fateve të vendit tonë, por edhe të personalitetit e integritetit të të gjithë këtyre emrave që ata kalojnë në sitën e tyre të padenjë. Themi sitën e tyre të padenje sepse vetë loja e kungulleshkave me darovitjen, shkëmbimin, qarkullimin, përgojimin, rrëzimin apo propozimin e emrave, është strukturalisht në moral dhe mendësi krejtësisht anadollake, joperëndimore e, si rrjedhojë, e padenjë për një vend që synon të europianizohet.
Prof. Zaganjori pati kurajën dhe meritën që përtej mangësive, deformimit dhe gjymtimit të procesit nga kryetarokratët, të ngrihet në lartësinë e duhur qytetare e ta pranojë këtë sfidë, por njëkohësisht duke marrë edhe përgjegjësitë e kërkuara mbi procesin, përderisa është emri dhe integriteti i tij që vihet në lojë. Prof. Zaganjori nuk e la më fatin e emrit të tij në lojën e kryetarëve. Vullnetit të maxhorancës qeverisëse për ta propozuar, Prof. Zagannjori, duke i thënë po, i shtoi edhe kurajën e tij për t’u vetofruar. Lëvizja e Prof. Zaganjorit drejt kërkimit të drejtpërdrejtë të konsensusit është akti më demokratik dhe më i shëndetshëm që ka ndodhur qëkur në këtë “industri” po i lëviznin e kontrollonin punët vetëm gjashtë kryetarët e partive. Pasi Prof. Zaganjori vendosi të zbresë vetë në fushë, mund të themi pa asnjë hezitim se loja e kryetarokratëve me darovitje e shkëmbime listash mori fund. Me takimet që Prof. Zaganjori realizoi me krerët e partive politike të të gjithë spektrit të përfaqësuar në Kuvend, ka ndodhur ajo që duhej të ishte lejuar të ndodhte krejt natyrshëm që në nisje të procesit në një vend normal demokratik: Njeriu që ka përgatitjen, ndërgjegjësimin, përvojën, dijet, kulturën dhe kurajën për të shërbyer si simbol i unitetit kombëtar, si kreu i shtetit shqiptar, meriton dhe kërkohet të jetë ndërtuesi dhe zhvilluesi i procesit në bashkërendim me kryetarët e partive, me lehtësimin dhe inkurajimin e tyre, si edhe me konsultimin dhe pjesëmarrjen e publikut, sepse publiku dhe vetëm publiku e zotëron dhe kontrollon procesin. Nuk mundet të mos e falënderojmë Prof. Zaganjorin që e mbylli me aq mençuri dhe integritet kapitullin e procesit të kryetarokratëve, për t’i dhënë nisje, forcë dhe drejtësi procesit për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë demokratike. Këtu është steka tashmë. Justifikimi i kryetarëve ka mbaruar në momentin që kanë pranuar të takohen me Prof. Zaganjorin. Nuk ka më asnjë legjitimitet kërkimi i emrave nëpër xhepa, axhenda telefoni apo zarfe interesash të ngushta politike apo vetjake. Kryetarët pranuan se kandidati për President duhet të jetë njeriu që ka ndërgjegjësimin, përvojën, vizionin dhe kurajën për t’u vetofruar, për të konkurruar e për të marrë të gjitha përgjegjësitë në këtë konkurrim për detyrën e qytetarit të parë të shqiptarëve. Të mbyllen listat, të ndalojë loja e kungulleshkave me emra, të ndalet fëlligështia e pazareve mbi emra, të zhbëhet kjo mendësi jodemokratike.
Më në fund, kemi një kandidat të propozuar nga maxhoranca, Prof. Zaganjorin, i cili e ka pranuar ofertën dhe ka hyrë vetë në lojë duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike. Sot Prof. Zaganjori është kandidat jo thjesht sepse e ka propozuar dhe e ka mbështetur maxhoranca, por sepse ai ka zyrtarizuar ambicien e tij për të konkurruar për postin e Presidentit të Republikës.
E këtu gjithçka merr drejtimin e duhur sepse nuk kemi të tjerë me këtë shpallje ambicieje dhe përgjegjshmërie, përveçse një kandidati tjetër, i cili, me sa duket, nuk i përket asnjërit krah politik aktivisht. Ai është vetofruar prej javësh duke u përballur me publikun dhe vullnetet politike, porse i ka munguar mbështetja nga Partia Socialiste, të cilën ai e drejtoi për 15 vjet. Ky është Fatos Nano. Jemi në mundësinë e një gare që mund të nxjerrë ose kandidatin konsensual të gjithëpranuar që në raundin e dytë, ose kandidatin fitues me vota në një konkurrim të lirë dhe të ndershëm në Kuvend. Nuk besoj se e vë ndokush në dyshim se Prof. Zaganjori vs shumëkujt, i ka të gjitha mundësitë që të jetë kandidati më i mirë.  Por, Xhezair Zaganjori vs Fatos Nanos është një garë që e ka rezultatin që në nisje. Fatos Nano është kandidati që pa asnjë diskutim ka avantazhin e madh të shtetarit të sprovuar, politikanit parësor protagonist, interlokutorit të shkëlqyer, komunikuesit të përsosur. Fatos Nano ka qendrën e tij të pushtetit dhe sferën e tij të influencës, gjë që e bën kandidatin më të mirë për President, i cili qartazi kërkohet nga partnerët tanë euroatlantikë që të jetë mbi palët, i patrysnueshëm nga palët, i aftë për të përballuar e administruar tensione, situata të vështira e kriza, brenda vendit dhe rajonale, i zoti për sipërmarrje politike dhe institucionale, garantues i Kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, negociator i aftë, pikëbashkues dhe përfaqësues i interesave dhe unitetit të shqiptarëve, si dhe i interesave, nevojave dhe strategjive të partnerëve euroatlantikë. Vetëm Fatos Nano dhe Xhezair Zaganjori kanë pranuar të dalin ballazi para politikës dhe publikut shqiptar për ta synuar detyrën e kreut të shtetit shqiptar. Xhezair Zagannjori e ka bërë këtë sepse/pasi ishte maxhoranca që ia mbështeti mundësinë dhe kurajën. Fatos Nano e ka bërë sepse e ka gjetur mbështetjen te përvoja e tij e gjatë politike dhe si shtetar, por edhe te vokacioni për ta vendosur veten në dispozicion si shërbëtor i mundshëm në detyrën e Presidentit të Republikës.
Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk kanë më asnjë justifikim për të mos e mbështetur konkurrimin e Fatos Nanos. Edi Rama ditën që priti Xhezair Zaganjorin në zyrën e tij duhet edhe ta ketë kuptuar se ka pritur në zyrë një njeri, i cili po i paraqiste një model, një standard andidimi, pra një njeri që sikurse ndodh në çdo vend demokratik normal, e ka të shpallur ambicien dhe të qartë kurajën e ndërgjegjësimin për të konkurruar për President Republike. Edi Rama nuk ka pritur në zyrën e tij shumë të tillë. Ka pritur para disa javësh vetëm Fatos Nanon. Nuk ka rrugë tjetër veçse Edi Rama të vendosë në tryezën e konkurrimit përballë Xhezair Zaganjorit, emrin e kandidatit të cilin mbështet PS, i cili nëse do të jetë Fatos Nano, sigurisht që është më i miri. As Sali Berisha nuk ka rrugë tjetër veçse mirënjohjen që shpreh vazhdimisht në publik, Kuvend e kudo tjetër për bashkëpunimet dhe marrëveshjet që ka bërë me shtetarin Fatos Nano, ta materializojë me kurajë, pozitivitet dhe realizëm politik duke e pranuar Fatos Nanon si kandidatin më të mirë konsensual. Justifikimi se Fatos Nano nuk mund të pranohet si konsensual sepse ka qenë 15 vjet kryetar i PS nuk vlen. Sepse në këto 22 vite politike, Fatos Nano ka qenë 4 vjet në burg e 8 vjet i dorëhequr (1998-1999, 2005-20012). Fatos Nano është kandidati me protagonizëm të lartë politik për shkak të vlerave dhe staturës së tij parësore, por jo për shkak të politizimit. Nuk mund të konsiderohet si i politizuar një njeri që ka qenë aktiv realisht në politikë vetëm 10 vjet në këto 22 vite. Së paku, nuk mund të konsiderohet më i politizuar dhe më pak konsensual se sa kandidati tjetër, i cili, ndërsa ka bërë dinjitarin e ndershëm dhe të vlerë, ka ditur t’i shërbejë edhe politikës me zell po aq të madh sikurse është Prof. Zaganjori. Ky është momenti i provës për Edi Ramën dhe Sali Berishën, nëse ata vërtet janë të interesuar për mbarëvajtjen e punëve në këtë vend apo duan për President një pulë që ta komandojnë, sikurse thotë i madhi Arbën Xhaferri. Fatos Nano meriton pa asnjë diskutim të jetë Presidenti i gjithëpranuar i politikës për të qenë përfaqësuesi i denjë i unitetit kombëtar.

Monday, June 4, 2012

Nano pershendet takimin Berisha-Rama, jep 7 keshilla

Edhe pse Fatos Nano nuk ka marre mbeshtetjen zyrtare te PS per te qene kandature per President, me ane te nje deklarate per mediat pershendet nisjen e bisedimeve mes Berishes dhe Rames. Ndersa duke theksuar se garanton qe do te jete nje president qe do ti sherbeje vendit duke shtuar se i ka cilesite per kete, jep 7 keshilla per marredheniet e reja Berisha-Rama
Deklarata e plote
Fatos Nano përshendet takimin e djeshëm  mes Kryetarëve Berisha e Rama. Takime të tilla kërkohet të jenë normalitet dhe pjesë e një kulture dhe sjelljeje natyrale, të vetvetishme për liderët politikë shqiptarë. Ato duhet te vazhdojne te zhvillohen ne klimë mirebesimi, parimore, transparente, me sens te fortë përgjegjshmërie dhe llogaridhënieje para publikut shqiptar për publikun shqiptar, te jenë pjesë e shprehive dhe mendësisë demokratike euroatlantike. Lliderët politikë duhet te vazhdojne t’i kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrat e tyre dhe te vendosin interesat e vendit përmbi interesat partiake, si edhe interesat publike përmbi interesat vetjake.
Fatos Nano shpreh mirëbesimin se deklaratat e dy krerëve politike Berisha e Rama për një përpjekje të përbashkët, për ‘një vijë të hapur’, për të mbërritur në një zgjidhje të përbashkët, do të materializohen me një produkt të matur, parimor e qëllimlartë që do ti sjellë Shqipërisë shanse e mundësi të reja për më shumë demokratizim, më shumë liri, hapa të sigurta e të shëndetshme drejt integrimit Europian, më shumë europianizim e perëndimizim të mendësive, sjelljeve, botëkuptimit të politikës dhe institucioneve shqiptare.
Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të angazhohet me të gjitha kapacitet politike, institucionale e kushtetuese që mbart detyra e Kreut të Shtetit që të instalojë në njërën prej ditëve të javës, një traditë të përjavshme e të përhershme Mëngjesi pune, reflektimi dhe Lutjesh, mes Presidentit të Republikës, Kryeministrit dhe Liderit të Opozitës. Ky angazhim vjen si domosdoshmëri për përmirësimin e klimës politike si edhe për të ndërtuar së bashku një traditë të qenësishme dialogu, komunikimi, bashkërendimi, ndërshkëmbimi parimor idesh dhe opinionesh për zhvillimet në vend e më gjerë, por edhe për të nxitur perparimin e axhendës së integrimit europian te Shqiperise.
Fatos Nano tërheq vëmendjen gjithësesi,  se përtej rëndësisë e vlerës që pati ky takim, sot Shqipëria humbi një shans të dytë për ta zgjedhur  Presidentin e Republikës me një marrëveshje të dakordësuar. Dy Kryetarë u takuan, për të humbur shansin e dytë duke  djegur edhe Raundin e dytë të votimit, po aq sa janë edhe shanset që ka humbur Shqipëria në përpjekjet dhe pritshmëritë e saj për të marë Statusin Kandidat në BE.
Fatos Nano u ben thirrje Kryetarëve Berisha e Rama, që për të mos humbur shansin e tretë në Raundin e tretë të votimit për President, e kësisoj për të mos rrezikuar edhe shansin e tretë të Shqipërisë për të marë Statusin Kandidat në BE vjeshtën që vjen, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, të bëjnë kujdes që:
1.    Të jenë këmbëngulës dhe mirëbesues për takime e negociata të vazhdueshme parimore, transparente e qëllimlarta me njëri-tjetrin e të tjerët për të mbërritur në produktin më të mirë, duke zgjedhur Presidentin më të mirë për shqiptarët.
2.    Të mos fuzionojne axhendat politike partiake, te mos lejojne lojërat meskine për pushtet, planet e projektet për  ekulibra të politikës së ditës qeverisëse apo opozitare, apo në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, te erresojne rëndësinë    parësore që ka zgjedhja e Presidentit të Republikës, si hap i parë për të vazhduar me përmbushjen e të gjitha reformave të cilat do të bëjnë të mundur që Shqipëria ta meritojë Statusin Kandidat në BE. Fatos Nano siguron se nëse do të jetë Presidenti i Republikës, ai do të bëhet garant i kushtetutës, garant i përmbushjes së të gjitha reformave, si edhe garant e i përkushtuar që, të gjithë së bashku. Presidenti dhe Liderat Politikë të angazhohen plotësisht që në vitin 2013 në Shqipëri të organizohen zgjedhjet e para themeluese të lira, të ndershme e te pakontestuara, si shprehje e vullnetit, kulturës politike dhe standarteve më të mira Europiane.
3.    Të mos fetishizohet konsensusi, sikurse u fetishizua derimësot proçesi. President Republike nuk do të zgjidhet as Konsensusi, e as Proçesi. President Republike do të zgjidhet emri dhe personi konkret. Konsensusi nuk duhet të jetë një fjalë e pakuptueshme për shqiptarët, të cilën e dine vetëm Kryetarët. Konsensusi nuk duhet të bëhet lojë e Kryetarëve për të fshehur apo ushqyer axhendat meskine e lojërave për pushtet. Konsensusi kërkohet të bëhet një fjalë e thjeshtë, e lexuar dhe kuptuar lehtë e parimisht nga të gjithë shqiptarët. Konsensusi për shqiptarët duhet të jetë: një proçes mirëbesimi dhe mirëkuptimi për bashkërendim e bashkëvendosje nga të gjitha palët politike të përfaqësuara në Kuvend. Konsensusi nuk duhet të arrihet për hir të konsensusit e në dëm të produktit, pra të cilësisë së zgjedhjes së Presidentit. Të mos përdoret fjala konsensus si alibi për të përmbushur profecinë e shqiptarit të mençur e të madh Arbën Xhaferri kur ka paralajmëruar disa ditë më parë se: “… Ata që kanë ndikim, kërkojnë të kundërtën: një president-pulë, që nuk e turbullon ujin…” Konsensusi duhet të sjellë një President si Simbol të Unitetit Kombëtar të shqiptarëve, e jo si Simbol të unitetit të Kryetarëve. Konsensusi, kërkohet të sjellë një President mbi palët, të pandikueshëm, të patrysnueshëm, e të pajoshshëm nga palët apo pushtetet e palëve. Kërkohet një President që të perbashkojë   interesat dhe te perfaqsoje unitetin e të gjithë shqiptarëve kudo që janë, ashtu sikurse edhe interesat, nevojat e strategjitë e partnerëve euroatlantikë. Kërkohet një President që t’iu dale për zot institucioneve të pavarura, si edhe me një shpirt prej sipërmarrësi politik, negociator i sprovuar dhe komunikator i drejtë, i aftë për ta përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në të gjitha tryezat dhe partneritetet euroatlantike.
4.    Konsensusi, pra proçesi i mirëbesimit, mirëkuptimit për bashkërendim dhe bashkëvendosje, ndërsa synon daljen me një kandidat të bashkëvotuar dhe gjithëpranuar nga të gjitha palët, nuk ka pse të përjashtojë mundësinë e një dakordësimi që në pamundësi të marrëveshjes për një kandidat të përbashkët, të lejohet me njemendësim dhe vullnet mirëbesues një garë e lirë dhe e ndershme në Kuvend, gjë që do të sjellë që nga konkurimi i Kandidatëve më të mirë të fitojë ai që merr besimin e shumicës së vullneteve të lira të deputetëve. Një kandidat i përbashkët dhe i bashkëvotuar do të dëshmonte pjekurinë e klasës politike shqiptare, por edhe dakordësimi e mirëbesimi për një garë të lirë e të ndershme do të dëshmonte pjekurinë e demokracisë shqiptare. Fatos Nano është i gatshëm për të dyja mundësitë. Fatos Nano e sheh veten si  inkurajues dhe ndërtues i një Aleance të Madhe të Mirëbesimit.
5.    Fatos Nano ndonëse i lënduar dhe mosaprovues nga ngurrimi i Edi Ramës për ta mbështetur politikisht dhe me firma deri tani emrin e tij në mundësinë për të Kandiduar për President, shprehet mirëbesues deri në përfundim të proçesit, dhe e inkurajon Edi Ramën që të jetë vijë e hapur komunikimi, këshillimi dhe ndërshkëmbimi idesh dhe opinionesh me të gjithë aktorët dhe faktorët e përfshirë në proçesin e zgjedhjes së Presidentit, qoftë me ata që janë të thirrur për të marrë vendime, qoftë me ata që kanë shpallur ambicjen dhe përgjegjshmërinë për të konkuruar për detyrën e Kreut të Shtetit.  Fatos Nano e fton Edi Ramen që të mos i shmanget garës dhe konkurimit me maxhorancën, me emra dhe vlera më të mira e më përfaqësuese, si edhe e këshillon që të mos e përjetojë të qenurit në pakicë si gjendje mentale dhe psikologjike pamundësie, por si gjendje politike shansesh dhe mundësie për kontrubite dhe rritje. Pakicat nuk duhet tu shmangen kurrë garave e konkurimeve. Pakicat rriten vetëm nëpërmjet konkurimit dhe garave.
6.    Njëkohësisht Fatos Nano shpreh mirëbesimin dhe fton Kryeministrin Berisha që të mos shohë e as interpretojë tek Fatos Nano një Instrument politik aktiv, por një politikan parësor e të sprovuar, një shtetar që ka shërbyer për shumë herë e vite në Krye të Qeverisë, një protagonist për shkak të rolit dhe modelit politik që ka përfaqësuar, duke iu dedikuar të përbashkëtës. Fatos Nano prej vitesh nuk konkuron e as bën pjesë më në jetën aktive dhe të politikës së ditës nën ndonjë sigël partie. Fatos Nano është i vetëofruar për të shërbyer bazuar në të gjitha dijenitë, përvojën, dijet, kapacitetet e tij si politikan paresor, por mbi të gjitha si shërbëtor publik e shtetar. Fatos Nano është gjithashtu i ndërgjegjësuar dhe ndjen përgjegjshmërinë se një klasë politike që nuk jep dot produkte apo jep produkte të këqija për popullin e saj, meriton të konkurohet.
7.    Fatos Nano shfrytëzon rastin për të falenderuar dhe shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë partnerët ndërkombëtarë, për misionin e tyre mjaft të çmuar dhe qëllimmirë ndaj Shqipërisë, tejkalimit te krizës e ngërçit politik, inkurajimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri, si edhe për përparimin e axhendës së integrimit në BE. Fatos Nano shpreson e uron që klasa politike shqiptare do të dëshmojë maturi të mjaftueshme që në respekt të kujdesit dhe ndihmës së vyer të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Ambasadorit të SHBA Aleksandër Arvizu, Ambasadorit të BE Etore Sekui dhe Ambasadorit të OSBE Eugen Volfarth, të arrijë marrëveshjen e shumëpritur për ta mikpritur me meritë dhe pjekuri të dërguarin e Komisionerit Stefan Fule, Stefano Sanino i cili vjen në Shqipëri në dt 7 qershor.

Friday, June 1, 2012

Basha ofron zgjidhje për vazhdimin e ndeshjeve ndërkombëtare në “Qemal Stafa”. Punimet për parkimin nëntokësor në sheshin “Italia” nuk do të pengojnë zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësuesin e Komitetit të Sigurisë dhe Stadiumeve në UEFA, Zhan Fransua Kruke, presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, ku është ofruar zgjidhja për vazhdimin e ndeshjeve në stadiumin kombëtar në parametrat dhe standardet e vendosura nga UEFA. Sipas njoftimit për shtyp të bërë dje nga bashkia pas takimit mes palëve, zgjidhja e ofruar është mirëpritur nga i dërguari i UEFA-s. Deri tani ishin bërë plane që ndeshja të luhej në Shkodër ose edhe jashtë Shqipërisë, sepse pas fillimit të punimeve para stadiumit për parkingun privat, FIFA njoftoi se kështu nuk përmbushen as kriteret më minimale.
Duka Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pohuar pas takimit të djeshëm se bisedimet kanë qenë të frytshme dhe se ka një frymë bashkëpunimi nga ana e kryebashkiakut Basha për një zgjidhje sa më të mirë. Duka ka pranuar se me shumë mundësi që dy ndeshjet e para në fushën tonë kundër Qipros (7 shtator) dhe kundër Islandës (12 tetor), kuqezinjtë të mund t’i luajnë në Tiranë. “Patëm një takim me kryetarin Basha dhe ku u pa qartë vullneti i tij për bashkëpunim. Ne i paraqitëm atij dy opsione për të ndërtuar një shesh-parkim provizor, kusht i vënë nga FIFA. Basha pranoi se do të ndihmonte për të realizuar një nga mundësitë dhe mendojmë se edhe FIFA do të na lejojë që t’i zhvillojmë këtu dy ndeshjet e para si pritës”, tha kreu i federatës. Ai la të hapur mundësitë që ndeshjes e mëpasshme të luhen në stadiume të tjera, si Shkodra apo Korça. Kjo pasi pritet të nisë ndërtimi i stadiumit të ri, pikërisht në hapësirën e impiantit “Qemal Stafa”.
Fusha e keqe
Nëse është gjetur një zgjidhje për stadiumin ku shumëkush i kënaqet faktit që Kombëtarja do të ketë mundësi të luajë në kryeqytet, një problem më vete mbetet fusha e “Qemal Stafa”-s. Tapeti i gjelbër është katandisur si mos më keq pas një sezoni të ngjeshur me ndeshje dhe me reshje të dendura shiu. Terreni është tejet i vështirë dhe kjo mund ta penalizojë edhe skuadrën tonë përfaqësuese.
Krizë te Janina, shpëton Lila me Vilën
Krizë te Janina, shpëton Lila me Vilën Kriza greke përfshin klubin e Janinës, ku aktivizohen dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Andi Lila dhe Emiljano Vila. E përditshmja greke “Sport Day” raportonte dje se drejtuesit e klubit kanë vendosur të përgjysmojnë buxhetin për sezonin e ri, si dhe të ulin rrogat e titullarëve. Në këtë situatë jo të mirë kanë shpëtuar Lila me Vilën, të cilët vlerësohen si lojtarë shumë të rëndësishëm për skuadrën dhe kësisoj nuk do të preken nga masat e klubit. Këtë e konfirmojnë edhe gazetat sportive helene. “Plani i presidentit Jorgo Hristovasilis është që të ndërtojë skuadrën e re, duke u bazuar te 13 lojtarët që janë nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm. Buxheti i klubit nuk do t’i kalojë 1 milion e 500 mijë eurot. Hristovasili ka menduar të ulë shpenzimet dhe të ruajë grupin, por me ndryshimin se disa prej titullarëve nuk do të kenë të njëjtat paga. Nuk dihet nëse lojtarë si Pacacoglu, Fegrus etj., do të pranojnë kushtet e reja të klubit”,- thuhej ndër të tjera në shkrimin për klubin e Janinës. Ndërsa vlen të përmendet se Lila me Vilën kanë nënshkruar kontrata 3-vjeçare. Sezoni 2011-2012 ishte i pari për dy lojtarët me klubin e Janinës. Gjatë fazës së parë ka shpërthyer Lila, ndërsa në fazën e dytë shkëlqeu Vila, duke shënuar gola të rëndësishëm për skuadrën. Janina e mbylli sezonin në vendin e 8-të me 38 pikë, duke mos rrezikuar mbijetesën. Pas përfundimit të kampionatit, drejtuesit e klubit nuk mundën të rinovonin kontratën me trajnerin Agjelo Anastasiadhis. Tashmë Janina është pa trajner, por edhe me shumë probleme financiare. Gjatë sezonit të kaluar ka pasur raste kur pagat e lojtarëve janë vonuar. Madje kjo është publikuar edhe në mediat helene. Gjithsesi, Vila dhe Lila janë të kënaqur me aventurën te Janina, të cilën e shikojnë si trampolinë për të kaluar drejt një klubi më të madh. Mësohet se ofertat nga skuadra e tjera të Superligës helene nuk kanë munguar për dy lojtarët kuqezinj. Së fundmi për Lilën është interesuar edhe një klub austriak, por largimi nuk varet nga lojtari, pasi është nën kontratë edhe për dy vite.
Muzaka-Osmani
Gjergji Muzaka dhe Tefik Osmani mund të kalojnë te PAS Janina gjatë merkatos së verës. I pari është përfolur për një transferim të mundshëm te skuadra greke që në verën e sezonit të kaluar, mirëpo përfundimisht ata që shkuan te Janina ishin Lila dhe Vila. Drejtuesit e Janinës, duke parë paraqitjen e mirë të tyre, i kanë hedhur edhe më shumë sytë nga kampionati shqiptar. Lojtarë si Veliu, Vajushi dhe Cikalleshi kanë qenë në fokusin e Janinës.
Stadiumi i finales së Botërorit 1958 i falet Kosovës
Stadiumi ku u bë i njohur në arenën ndërkombëtare legjenda e futbollit Pele, do t’i dhurohet Kosovës. Stadiumi “Rasunda”, që gjendet në Solna të Suedisë, do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës nga Federata e Futbollit të Suedisë. Në të vërtetë, stadiumi ku u zhvillua finalja e kampionatit botëror të vitit 1958 do të prishet në fund të këtij viti, ndërsa të gjitha pajisjet e tij që mund të çmontohen e të shfrytëzohen prapë, do të vijnë në Kosovë. Kjo është bërë e ditur të enjten në një konferencë për shtyp të trajnerit të Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, dhe drejtuesve të FFK-së. Stadiumi ku u luajt finalja e Botërorit të vitit 1958 “Rasunda”, ndërmjet Suedisë dhe Brazilit, do të rrënohet në periudhën 10 nëntor-10 dhjetor të këtij viti. Atë finale e fitoi Brazili me rezultatin 5-2. Pele, asokohe 17-vjeçar, në këtë Botëror u bë i njohur në tërë botën. Në finale shënoi dy gola. Stadiumi i përfaqësueses së Suedisë dhe klubit AIK do të rrënohet për t’u zëvendësuar me stadiumin e ri, “Friends Arena – Svedbank”, që është duke u ndërtuar po ashtu në Solna të Stokholmit. “Komplet stadiumi ‘Rasunda’ do t’i bëhet dhuratë Federatës së Futbollit të Kosovës. Vlera financiare e kësaj dhurate është shumë e madhe. Dhurata përmban 37 mijë ulëset e stadiumit, shumë cilësore, pastaj sistemi i ndriçimit me standarde të FIFA-s, sistemi i dëgjimit, rrethojat speciale të aluminit për siguri, katër porta lëvizëse, 30 metra tunel lëvizës, ulëset VIP, 12 kioska për shitje të biletave, salla e konferencave e tetë dhomave të zhveshjes”, ka thënë trajneri Bunjaki. Sipas tij, vendimi për rrënim të stadiumit u mor që në vitin 2006. Ai thotë se dhurata është rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Suedisë. Sipas Bunjakit, transportin e pajisjeve për në Kosovë duhet ta bëjë FFK-ja. Më 15 gusht në këtë stadium do të zhvillohet ndeshja miqësore mes Suedisë e Brazilit, në të cilën prezent do të jetë edhe një delegacion i FFK-së. Ndërsa ndeshja e fundit në “Rasunda” do të zhvillohet më 6 nëntor, mes AIKut e Malmos. Nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Federata ende nuk ka vendosur se në cilin stadium do t’i dërgojë pajisjet. Sipas tij, transportimi i pajisjeve nga Suedia nuk do të jetë problem. Përzgjedhësi Bunjaki në konferencë ka folur edhe për vendimin e FIFA-s, që Kosovës t’ia lejojë miqësoret. Sipas tij, loja e ardhshme nuk do të jetë e para për Kosovën, por e pesta. Bunjaki theksoi se ndeshjet miqësore do t’i shërbejnë përfaqësueses që të përgatitet për eliminatoret e kampionatit evropian. Ai ka kërkuar që të shmanget puna spontane dhe që kundërshtarët për përfaqësuese të dihen një vit më herët. Në konferencë është bërë e ditur se për miqësoren e parë të Kosovës, pas vendimit të FIFA-s, duhet të pritet edhe disa muaj. “Datat e lira për ndeshje miqësore janë 15 gushti dhe 14 nëntori. 15 gushti është shumë afër dhe delegacioni i FFK-së do të qëndrojë në Suedi. Vetëm për këto data unë mund të nxjerr lojtarët nga klubet e tyre. Ndeshje mund të luhen edhe në data të tjera, por në ato raste nuk do të bëhej fjalë për përfaqësuese, por vetëm për seleksionime”, ka shtuar Bunjaku.

Komuniste dhe pornostar, synon qeverinë franceze

Një pornostar në qeverinë franceze. Céline Bara, 33-vjeçarja ish-aktore e filmave me drita të kuqe do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme legjislative nën siglën e partisë MAL (Lëvizja Antiteiste e Libertine), nënkryetare e të cilës është.

Komuniste dhe ateiste      
Bara do të prezantojë kandidaturën e saj në zgjedhjet e 16 dhe 17 qershorit. Ish-ylli i pornos me bindje komuniste staliniste premton që nëse zgjidhet do të luftojë fort për të drejtat individuale, të drejtat e komunitetit gei, kundër racizmit dhe homofobisë. Ajo ka theksuar se në planet e saj është edhe mbyllja e të gjitha vendeve të kultit, duke u shprehur kështu kundër çdo forme besimi. Pika e fundit e programit të saj është ajo e organizimit nëpër shkolla të kurseve të seksualitetit.

Skandalet
Kandidatja për në qeverinë e Parisit vjen nga bota e filmave porno. Ajo është aktorja kryesore e mbi 180 filmave hard. Ajo ka vuajtur një dënim prej 18 muajsh burg, pasi ka sulmuar një regjisor të filmave pornografikë së bashku me të shoqin, i cili për më tepër është edhe kushëriri i saj.
Bara e ka kërkuar anëtarësimin në partinë për të cilën kandidon, por fillimisht është refuzuar. Kjo e ka nxitur të themelojë lëvizjen e vet, duke nisur më pas një fushatë të vërtetë në rrjetet sociale, nëpërmjet të cilave denonconte censurën e kësaj partie ndaj saj. Ky ka rezultuar një hap i zgjuar, pasi ajo është anëtarësuar në partinë disa orë pas ankesave në Facebook.

Deklaratat
“Nëse do të zgjidhem, prioriteti im do të jetë shtimi i numrit të mjeteve të transportit, mjekëve dhe shërbimeve sociale në zonën ku kandidoj”, ka thënë Bara.
Ndërsa në lidhje me të kaluarën e saj, duke iu referuar periudhës së burgut, ajo është shprehur: Kam qenë në burg, e kam paguar gjobën time. Është e vërtetë që ajo që kam bërë ka qenë e rëndë, por nuk është aq e rëndë sa ajo që bëjnë politikanët tanë”.  / G. N.

Nanoja i pashmangshëm

Alfred Lela
Para nja një muaji, gjatë takimit për një intervistë për MAPO-n, Fatos Nano, kandidati që e loboi më fort se kushdo ofertën e tij presidenciale, përshkohej jo vetëm nga brerja për të qenë konsensual, por edhe nga shqetësimi ‘i të paturit të një shansi në këtë garë’, që ai e dinte se do të ishte dërrmuese. Asokohe, ‘shansi’ i tij prehej te një mbështetje e hapur e ambasadorit amerikan, gjë që u reflektua edhe në titullin e kopertinës së revistës MAPO “Fatos Nano, kandidati amerikan”.
Tani shanset e Fatos Nanos shtrihen te lëvizja politike e radhës e Edi Ramës, kryetarit të Partisë Socialiste. Ironikisht Nano mund të fitojë si rrjedhojë e një lëvizjeje, dredhinë dhe dandyizmin e së cilës mund t’i mishëronte vetëm ai. Në një kohë kur Edi Rama e ka nxjerrë veten dhe partinë e tij jashtë lojës presidenciale, i vetmi As që i jep një mëngë dhe një dorë tjetër letrash është kandidimi i Fatos Nanos në emër të Partisë Socialiste.
Me futjen e Nanos në listën e ngushtë, që do të ngushtohet edhe më, të kandidatëve për president, Rama zhbalancon një skemë që nxjerr fitues Berishën, legjitimon Metën dhe e bën LSI-në parti të Integrimit. Emri i Fatos Nanos jo vetëm rihap lojën, por edhe dobëson unitetin e formuar në kampin mazhoritar rreth emrit të Xhezair Zaganjorit. Shpëtim Idrizi e ka shpallur me kohë mbështetjen e tij të pa kushte për kandidaturën e liderit historik të së majtës. Nanos i mbetet të fitojë edhe votën tjetër të PDIU, gjë jo fort e vështirë, dhe të ulet me Metën për t’ia rishpalosur platformën e tij presidenciale.
Po si ‘erdhi’ Rama te ‘Alternativa Nano’, të cilën ai e ka mbajtur të shtypur, si më të fundmen e ‘festave’ në kalendarin e tij politik? Pas një radhe përllogaritjesh, të cilat nuk merrnin parasysh gjenuinitetin dhe as elasticitetin e kundërshtarit. Edi Rama e ka ndërtuar fushën e lojës politike brenda një halucinacioni artistik ku dominon guernika flakëruese dhe përjashtuese e së kuqes së tij. Vertikalisht e horizontalisht ai vazhdon të ndërtojë një skenë politike imagjinare, ku kundërshtarët dhe fuqia e tyre zerohen me lehtësinë e një barcalete shkëmbyer me njerëz të thjeshtë nëpër megaturin ‘Dialog me Shqipërinë’. Ata që e këshillojnë, mendojnë gjithë ditën se ai nuk mund ta mposhtë Berishën, e megjithatë recetat ia japin triumfaliste. Ata që e ndjekin e imitojnë nëpër studio, lëvizje e diksion bashkë, a thua se përsëritja e kryetarit është akt politik, e jo individualiteti. PS e ka transferuar fërgëllimin e brendshëm të kohës së Nanos te një tur cigan çunakësh e çupëlinash që i bien Shqipërisë kryq e tërthor duke i bërë reFresh ‘amerikanizmit’ të Erion Veliajt.
Sa më sipër, është vetëm garnitura e një amatorizmi që kulmoi me editorialin e para pak ditëve ku shefi i socialistëve bënte thirrje rilindase me ‘o vdekje, o liri!’ Duke u rënë daulleve të luftës në një kohë kur kërkohej pikërisht e kundërta, sa nga faktori ndërkombëtar, aq edhe nga partneri potencial Ilir Meta, Rama kreu një harakiri politik të pashoq. Edhe nëse në war room-in e PS, ai megjithë shtatmadhorinë po kalkulonin luftën, në publik duhet të derdheshin me pëllumba e degë ulliri si ushtarët më të përunjur të paqes.
Edi Ramës i duhet Fatos Nano. Është një kryqëzim interesash që më shumë se ‘kthim nderi’ do të ishte ‘kthim në lojë’. Nuk është rrëzimi i Berishës, as zgjedhjet e parakohshme, heqja e imunitetit dhe as reforma parlamentare, emergjenca politike e Edi Ramës. Atij i duhet t’u tregojë të tijve se nuk është një humbës i madh.

Monday, May 28, 2012

A jemi para zgjedhjeve të parakohshme? Flasin pesë analistë

Pesë analistë (Andi Bushati, Blendi Fevziu, Artur Zheji, Artan Hoxha, Mustafa Nano) janë vënë përballë dy pyetjeve të shkurtra, por me dilema e të panjohura të shumta: Zgjedhje të parakohshme; po apo jo, dhe zgjedhje të parakohshme, mirë apo keq? Nëse Blendi Fevziu dhe Artan Hoxha e shohin një skenar të tillë më shumë si mundësi teorike, duke e cilësuar të kushtueshëm dhe të turpshëm, Andi Bushati, pa shumë hezitim e konsideron një tabu të rrëzuar.

Andi Bushati

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më tabu

-Nuk është çudi, që pas takimit të dështuar Berisha-Meta, të mendohet për zgjedhje të parakohshme. Sepse ky koalicion i etiketuar si koalicion i Integrimit nuk po gjen dot zgjidhje për të përligjur etiketën e tij. Sepse anëtarët e tij nuk po e vënë këtë objektiv mbi pazaret e tyre të vogla. Sepse Berisha ende këmbëngul që nuk ka marrëveshje me ata që më 21 janar i rrethuan ‘kullën’ dhe as me çdo lloj bashkëpunëtori të tyre. Sepse Meta nuk mund të bëjë një president nga PD-ja, pa e shfrytëzuar këtë rast për të ushqyer klientët e tij. Pra ky koalicion po humbet edhe lustrën demagogjike që e përligjte. Në momentin kur Berisha nuk i përdor më numrat e mazhorancës si leva në shërbim të kapriçove të veta dhe kur Meta nuk i nxjerr dot numrave të tij përfitimin maksimal, kjo martesë është e prishur dhe pa këtë martesë interesi, qeverisja nuk mund të qëndrojë dot më moralisht në këmbë. Si rrjedhim zgjedhjet e parakohshme nuk janë më tabu.

-Zgjedhjet e parakohshme nuk janë një gogol. Nëse Berisha dheMetae prishin koalicionin, ato janë zgjidhja më e mirë. Më e mirë sesa një qeverisje alla Nano, me deputetë të mbajtur peng në pularitë e “Klanit të Zemunit”. Më e mirë se një zvarritje kundër vullnetit të shprehur në vitin 2009, që nuk i dha PD-së asnjë mandat për të qeverisur e vetme. Më të mira ndoshta edhe se plani imagjinar i ndonjë të majti të krisur dhe për të krijuar një qeveri pa Berishën deri në 2013. Madje nëse koalicioni aktual vazhdon të degjenerojë në spiralen e tanishme, zgjedhjet e parakohshme duken e vetmja zgjidhje. Vetëm se në këto zgjedhje, nëse ndodhin, votuesit do ta kenë të vështirë të dallojnë ç’ngjyrë ka hajduti, i majtë apo i djathtë është vrasësi, kujt i mbeti blloku i Metës, kujt shukat më para të Priftit, kush po rilind dhe kush po rifundoset. Shkurt në vetvete zgjedhjet e parakohshme mund të jenë të mira, por zor se mund të ofrojnë zgjidhje.

Zgjedhjet e parakohshme të kushtueshme për Shqipërinë

Blendi Fevziu
-Zgjedhjet e parakohshme kanë një procedurë sesi zhvillohen. Në rastin e Presidentit ato ndodhin vetëm nëse Parlamenti nuk arrin dot në 5 raunde ta zgjedhë atë. Natyrisht, një President i zgjedhur në 3 raundet e para, me konsensus do të ishte ideal. Nëse kjo nuk zgjidhet, kjo mazhorancë ka 73 deputetë. Nëse ajo është e paaftë ta zgjedhë Presidentin edhe me konsensus edhe me shumicë të thjeshtë, kjo mazhorancë nuk funksionon më dhe natyrisht që ka zgjedhje ta parakohshme. Unë vetë, në rast mosmarrëveshje, mendoj se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më e mirë.
-Varet nga cili këndvështrim i sheh. Nëse i sheh në raport me vendin, zgjedhjet e parakohshme janë një problem. Nëse i sheh në raport me principin politik, ato janë më demokratike se sa çdo zgjidhje tjetër e momentit.
Artur Zheji
Koalicioni është tronditur, por nuk është shembur
-Zgjedhjet e parakohshme duken, mbas takimit të djeshëm, më afër. Palët janë të ftohta dhe përtej fasadës, çarja ndërmjet Berishës dhe Metës, duket më e thellë. Është e parakohshme të gjykojmë apo të paragjykojmë që kjo çarje të kalohet me një hap apo me një hop. Nga takimi te Gjiri i Lalëzit, Meta-Rama, dyshja Berisha –Meta, nuk është më ajo e para. Ndoshta kriza Berisha-Meta, ka qenë fshehur me kujdes disa kohë më parë, por gjykuar nga shpejtësia se si rrodhën ngjarjet këto javë dhe javë mbas jave, me këto ritme zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin më një çudi. Koalicioni është tronditur, por nuk mund të themi akoma se është shembur. Në dijeni time, mendoj që ka mjaft bleta punëtore që punojnë për të sqaruar, për të ëmbëlsuar apo mjaltësuar këtë çarje. Bletët mund të bëjnë çudira. U uroj punë të mbarë.
-Zgjedhjet janë një takim me popullin. Në emër të popullit bëhen shumë gjëra. Takimi sa më i shpeshtë me popullin është në vetvete i shëndetshëm. Referendumet apo zgjedhjet e parakohshme, janë gjithmonë moderne dhe trendy. Në këtë rast nuk do të provokonin destabilizim. Mendoj se do të ishte rruga më e ndershme për zgjidhjen e kësaj krize, nëse kjo krizë fiton përmasat e një krize të pazgjidhshme. Treni i zgjedhjeve i ka motorët ndezur. Një shëtitje me tren është më poetike, sesa qëndrimi në një stacion ku vjen erë qoftesh me mish të prishur. Deputetët shëtitës që mund të bëjnë 71 vota, majtas apo djathtas, nuk sjellin çudira të qëndrueshme dhe krijojnë kosto qeverisëse të pallogaritshme. Aq më tepër kur dihet se viti 2013 është pas dere.

ARTAN HOXHA
Zgjedhjet e parakohshme të dëmshme; një akt turpi
-Zgjedhjet e parakohshme janë veç një mundësi teorike. S’shkohet në zgjedhje për shkak të Presidentit, pasi gjendet gjithnjë një grup prej 71 deputetësh që s’do donin të humbnin mandatin. As Kryeministri Berisha s’më duket i interesuar të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe po ashtu asMeta/LSI. Opozita gjithashtu, të paktën jo me këtë Kod. Mundësia e vetme mbetet çarja e pakompensueshme e kësaj mazhorance, por për arsyet e mësipërme dhe pas takimeve të djeshme të Kryeministrit Berisha me Ilir Metën dhe liderët e tjerë të partive të kësaj mazhorance edhe kjo hipotezë bie.
-Zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje ekstreme nga zori kur s’ka asnjë mundësi për krijimin e një mazhorance në Kuvend. Ato janë të dëmshme kur kriza është e provokuar për qëllime të ngushta. Në këtë vit ato bëhen edhe më të dëmshme, pasi shtyjnë për kush e di se kur kryerjen e detyrave të integrimit europian dhe marrjen e statusit të vendit kandidat, e do ishin akti i turpit të asaj pjese provokative të politikës në këtë 100-vjetor të Pavarësisë.
Mustafa Nano
PD e interesuar, unë nuk i dua
-Unë nuk bëj pjesë tek ata që i konsideroj zgjedhjet burim destabiliteti (përkundrazi, zgjedhjet janë mënyra më e mirë për të dalë nga situata jo stabile), por në këto rrethana nuk do i doja. Ne jemi në mes të negociatave për një reformë elektorale, e cila po synon të mos lejojë përsëritjen e problemeve që janë vërejtur në dy zgjedhjet e shkuara. Pa u bërë kjo reformë, pa u kopsitur rregullat e lojës elektorale, zgjedhjet i shoh si terapinë më të keqe.
-Po të eci me logjikën e lojtarëve në lojë, do duhet të thosha që PD-ja është shumë e interesuar të futet në zgjedhje të parakohshme, pasi kështu së pari nuk lejon optimalizimin e fuqisë së partive të reja që, sipas shumë gjasash, do të peshkojnë në ujëra të PD-së, dhe së dyti futet me rregulla loje të pandryshuara. Por Berisha, edhe sikur t’i çojë nëpër mendje zgjedhjet e parakohshme, ka nevojë t’i arsyetojë e justifikojë mirë ato. Dhe ky justifikim duket se i mungon

Kadare risjell “Dimrin”: Tabloja ime për komunizmin

Ismail Kadare
 Romani “Dimri i vetmisë së madhe” u shkrua më 1971, në kohën kur, qysh prej një viti, në jetën time prej shkrimtari kishte ndodhur një ndryshim rrënjësor. Qysh prej një viti, vepra ime botohej dhe ndiqej me vëmendje të veçantë në Perëndim. Ky kushtëzim i ri më kishte bërë të ndërgjegjshëm se këndej e tutje vepra ime do të gjendej në një raport të ri me njerëzit dhe me botën. Ndonëse vazhdonte të shkruhej në të njëjtin truall, si edhe brenda së njëjtës kohë dhe të njëjtit rend politik, ajo vepër kishte pësuar një zhvendosje mu në aksin e saj. Thelbi i zhvendosjes qëndronte në atë që ajo u drejtohej, këndej e tutje, dy lloj lexuesve: lexuesit shqiptar, pjesërisht të indoktrinuar prej komunizmit, dhe lexuesit perëndimor, kryesisht armiqësor ndaj këtij rendi. Thënë ndryshe, në rast të zhvillimit të mëtejshëm të saj, kjo vepër do të kishte një jetë të dyfishtë, njërën në kohën pa liri, që quhej epokë socialiste, dhe tjetrën në kohën e lirisë, atë që mund të quhej kohë eterne, që është koha e natyrshme e artit. Një gjë e tillë ngjante e pamundur. Këto dy kohë e përjashtonin njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre, donte apo s’donte shkrimtari, do të ndihej e tradhtuar.
I gjendur në një skajim që do ta quaja tragjik, në qoftë se nuk do ta kisha zgjedhur unë vetë, duke e ditur se koha e dytë, ajo eterne, ishte koha e vetme e letërsisë, me besim donkishotesk tek arti, arrita të krijoj bindjen e brendshme se edhe brenda robërisë mund të përdorja ligjet dhe veglat e kohës eterne. Thënë ndryshe, të ndihesha i çliruar prej kushtëzimit komunist.
Kishte ditë që kjo ngjante e mundur, ashtu siç kishte të tjera kur shpresa venitej dhe horizontet mbylleshin. E ndërlikonte gjendjen fakti që nuk po trajtoja më ndonjë mit a legjendë të jashtëkohshme, por ngjarjen më dramatike bashkëkohore, përçarjen brenda universit komunist.
E vetmja hatu që kisha, ishte armiqësimi grotesk i Shqipërisë së vogël me kampin socialist, çka më lejonte demonizimin e këtij kampi, pjesë natyrale e të cilit, ndonëse formalisht e shkëputur, Shqipëria vazhdonte të ishte. Ndërkaq, kisha kundër meje të gjitha rregullat dhe ligjet paralizuese të realizmit socialist.
Duke e nxjerrë titullin e veprës prej fillimit të “Rikardit të tretë” të Shekspirit, “Now is the winter of our discontent”, e kam nisur kronikën e frikshme të përçarjes së komunizmit, asaj që ende nuk e kishte prekur asnjë shkrimtar i hapësirës së pafundme të kampit, i bindur se e vërteta për të cilën do të dëshmoja, ndonëse nuk do të ishte e plotë, gjithsesi nuk do të dëmtohej prej mangësisë. E dija se nuk do të kisha asnjë përligjje përpara kohës dhe as alibi të tipit: mungesë njohjeje, naivitet për shkak të besimit në idealet doktrinore e të tjera si këto. I njihja faktet, e dija të vërtetën, ashtu siç dija maskën dyzuese, me të cilën ajo mbulohej. Mbi të gjitha, e dija se si dëshmues i brendshëm i temës më tabu të kësaj bote, kisha një përgjegjësi të veçantë për vërtetësinë e tablosë globale të bllokut të lemerishëm komunist, që ende e kërcënonte botën. Bashkë me ngjarjen romaneske, doja apo s’doja, i jepja Perëndimit një informacion për këtë botë, për rrezikun, për tmerret ose për bllofet e saj.
I ndërgjegjshëm se vërtetësia e tablosë globale gjithsesi do ta bënte të falshëm cungimin e së vërtetës lidhur me atë çka ndodhte në Shqipëri, në vendin ku jetoja dhe ku libri do të lexohej me lupë, që nga militantët fanatikë të regjimit gjer te vetë sunduesi, portreti i të cilit ishte mu në qendër të pamjes, për asnjë çast nuk dyshova se kisha bërë një zgjedhje të gabuar.
Koha më shumë më dha, sesa nuk më dha të drejtë plotësisht. Shqipëria komuniste, si të ishte njerkë, e priti veprën me këmbët e para, kurse e kundërta ndodhi me botën e lirë, dhe kjo ishte kuptimplotë. Pas Francës, në më shumë se gjysmën e Europës, romani u prit më mirë se ç’e mendoja, ndonëse miqtë e Rusisë sovjetike, të acaruar natyrisht prej tij, do ta konsideronin si roman antisovjetik dhe njëfarë tradhtie ndaj komunizmit. (Njëzet vite më pas, pas botimit në Rusi, më 1992, romani nuk u konsiderua prej rusëve as pro as antisovjetik, por thjesht si pasqyrimi i dramës së përbashkët të dy vendeve, Rusisë së madhe dhe Shqipërisë së vogël, që vuajtën bashkërisht stalinizmin e kazermës, nën trillet e “dy binjakëve ideologjikë”, Hrushov dhe Hoxha!)
Tabloja globale e komunizmit botëror në këtë roman ishte një ndër më të zymtat që kishte dhënë ndonjëherë letërsia. Jo vetëm titulli, por një pjesë e atmosferës ishte një homazh i qëllimshëm për autorin e “Rikardit të tretë”. Konsili i fshehtë i shefave të komunizmit botëror në Moskë, në prag të përçarjes, më shumë se me festat komuniste, ngjante me një mbledhje funebre dhe të tilla ishin pritjet zyrtare, ku fantazma ministrash të pushkatuar kërkonin vendet e tyre në tryezën e gostisë. Në pjesën e dytë të diptikut, tabloja do të zymtohej edhe më fort. Përshkrimi i krimeve në kupolën komuniste, ato që ngjasonin me vrasjet e mesjetës, do të bëheshin zotëruese, gjë që shkaktoi edhe ndalimin e veprës.
Sa për atë që tabloja ishte e paplotë dhe ndonjë nga portretet kryesore gjithashtu, kjo ishte e pashmangshme. Megjithatë, isha i bindur se në këtë libër nuk kishte të vërteta të përmbysura. Thelbi i tij ishte i vërtetë. E vërtetë dhe jo e shpikur prej meje ishte mbledhja e tetëdhjetë shefave të komunizmit për të dënuar shefin e tetëdhjetenjëtë. Të vërteta, të riprodhuara prej procesverbaleve janë fjalët që u thanë, akuzat, kundërakuzat dhe, sado paradoksale të duket, ende sot po t’i lexosh ato, krijohet përshtypja se shefi i tetëdhjetenjëtë, ai i vetmuari, ai i fajësuari si renegat, ai që, në të vërtetë, ishte më i egri ndër ta, dilte, përkundrazi, më i logjikshmi. Sepse kolegët e tij më liberalë nuk e akuzuan për krimet, ngaqë krime kishin bërë ata vetë, pa përjashtim, por për një gjë që tingëllonte qysh në atë kohë groteske, e dyfish e tillë tingëllon sot: ti ke tradhtuar partinë mëmë, bjeri në gjunjë asaj! Akuza tjetër, e shpallur madje publikisht se i “qe shitur Perëndimit për tridhjetë aspra”, në vend që ta dëmtonte, kishte bërë përsëri të kundërtën.
Aventura e shefit komunist shqiptar për ta shkëputur Shqipërinë nga blloku komunist, pavarësisht nga motivet egocentrike prej nga u nis, ka qenë i vetmi aksion i tij, të cilin pjesa më e përparuar e Shqipërisë e ka përkrahur. Në atë shkëputje, Shqipëria, e ndarë nga Europa prej komunizmit, vuri të vetmen shpresë për t’u kthyer te kontinenti mëmë.
Në qoftë se kjo do të ndodhte, fati i Shqipërisë do të ndryshonte kryekëput. E bashkë me të i ndryshëm do të ishte gjykimi i historisë për shefin komunist të vendit. I skajuar midis Titos dhe Frankos, kishte gjasë që, për shërbimin që pa dashur i kishte bërë vendit të vet dhe Perëndimit, duke i larguar rusët nga Mesdheu, të gjykohej më butësisht prej kohës.
Për fat të keq, shkëputja e Shqipërisë prej bllokut komunist nuk e çoi Shqipërinë drejt Europës. Në këtë sfond, romani që duhej të ishte këngë për lamtumirën nga një botë e padashur, do të mbetej thjesht kujtimi i një zhgënjimi.
Tridhjetë e pesë vite pas botimit të parë, të vetmit botim të pacunguar në Shqipëri, libri vjen përsëri në duart e lexuesit shqiptar, i cili sot nuk është më i ndryshëm, por i njëjtë me atë të botës së lirë.

Bujar Hudhri/ Ju rrëfej arkivin e panjohur të Ismail Kadaresë


Aida Tuci
Romani “Dimri i vetmisë së madhe” u shkrua më 1971 dhe u botua një vit më pas. Ai duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tri acarimet e Shqipërisë komuniste me ish-aleatët, komunistët jugosllavë, më pas me ata sovjetikë e së fundi me maoistët kinezë. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua asnjëherë, kurse i treti, “Koncert në fund të stinës”, i ndaluar për një kohë të gjatë, u botua pak kohë para rënies së komunizmit. I pritur keq prej kritikës zyrtare, “Dimri i vetmisë së madhe” nuk u lejua të ribotohet, veç pas një rishikimi të autorit në vitin 1978, nën titullin e ndryshuar “Dimri i madh”. Versioni i tanishëm është kryesisht kthim te botimi i parë. Disa retushe artistike që autorit i janë dukur të vlefshme, janë ruajtur nga botimi i dytë. Ndryshime të natyrës politike nuk ka. Kadareja e ka riparë romanin në vitin 2008-të, por ribotimi i tij nga “Onufri” vjen pas 39 vitesh.

Përse pritet kaq gjatë për ribotimin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”?
Kur ke të bësh me një autor të kalibrit botëror si Kadare, si botues, ke një dëshirë të përhershme që ta ndërmjetësosh me lexuesin, për çdo gjë që ai shkruan. Dhe të mendosh që janë edhe shumë krijime të tjera të Kadaresë, të përfshira në kolanën e tij të botuar në 20 vëllime, por që nuk janë botuar më vete; apo krijime të pabotuara, që janë në arkivin e tij e që presin radhën. Pra, s’është fjala vetëm për këtë libër.
A keni pasur ndonjë moment vështirësie apo debati në punën me Kadarenë për këto libra? Ndonjë detaj për të cilin nuk binit dakord?
Një kontratë botimi ka nënshkrimin e autorit dhe botuesit. Nëse me vështirësi kuptoni kalendarin e botimeve të krijimtarisë së Kadaresë, atëherë po. Jo vetëm me ribotimet, por edhe me krijimet e reja, përherë kam pasur vështirësinë se kur duhej të botoheshin. Që në fillim të bashkëpunimit me Kadarenë, kjo ka qenë e vetmja gjë që pothuaj nuk është zgjidhur me konsensus. Vendos Kadare se kur do të botohet, që do të thotë fiton varianti i “pritjes’. Por besoj se ai si autor ka shumë të drejtë. Ndjenja e tij e masës, edhe në këtë rast, është me vend. Mjafton të kujtojmë shumë autorë, që pas viteve ‘90 nuk lanë asgjë pa botuar, pa asnjë kriter jo vetëm cilësor por edhe kohor. Dhe rezultati ishte shpërfillja e lexuesit.
Botimet “Onufri” risjellin romanin “Dimri i vetmisë së madhe” pas “Koncert në fund të stinës”… A ka qenë si qëllim i juaji që këto dy romane të vijnë njëri pas tjetri si një diptik tek lexuesi shqiptar?
Nuk ka qenë qëllim në vetvete, sepse ato në fakt janë konceptuar si diptik nga vetë autori. Por pyetja juaj e ka një justifikim. Vjet ne botuam romanin “Koncert në fund të dimrit”. Ky botim u kushtëzua nga disa polemika në shtypin shqiptar, ku absurdi arriti kulmin me etiketimin si antikinez të romanit në fjalë. Menduam që në vend të ballafaqimit, lexuesi shqiptar të kishte rastin ta lexonte vetë librin, e të mos gjykonte nga opinionet joprofesionale aty-këtu në media. Ndërsa “Dimri”, duke qenë pjesë e  parë e diptikut “Koha e grindjes”, erdhi natyrshëm. Studiuesi dhe shkrimtari francez, Erik Fajë e ka cilësuar këtë diptik (“Dimri i vetmisë së madhe” dhe “Koncerti”), si “Iliada” dhe “Odiseja” e komunizmit. Pra, duke u lexuar njëri pas tjetrit, të japin një tablo globale të ngjarjeve dramatike të historisë shqiptare të shekullit të kaluar.
Në këtë ribotim pas kaq vitesh nga botimi i parë ka ndërhyrje nga shkrimtari Kadare? Çfarë është ndryshuar?
Pyetja juaj mund të shtrohej për të gjithë krijimtarinë e Kadaresë. Po, Kadare është nga të rrallët shkrimtarë, që sa herë ka mundësi të përmirësojë veprën e tij, ai ndërhyn. Por që të mos kemi keqkuptime, më lejoni të jem i qartë me lexuesin tuaj: kur flasim për këto ndërhyrje, këto janë vetëm retushe të karakterit gjuhësor dhe artistik. Dhe është krejt e natyrshme që askush në botë nuk ka të drejtë morale t’i thotë një shkrimtari, përse ai e përmirëson veprën  e tij sa herë del para lexuesit. Përkundrazi, veç tjerash do ta quaja këtë edhe një vlerësim për lexuesin e tij të sotëm e të nesërm. Nuk do t’i kisha aq të qarta këto që po ju them, nëse nuk do të kisha një përvojë të klasit të parë për çdo botues në botë, botimin e veprës së plotë të këtij shkrimtari botëror. Njëzet vëllime, rreth 10.000 faqe nga krijimtaria e Kadaresë, janë lexuar e ballafaquar nga fillimi deri në fund, jo vetëm nga redaksia, por edhe nga vetë autori. Gjatë këtij rileximi Kadare ka pasur rastin të ndërhyjë dhe ka përmirësuar pa hezitim, çdo fjalë, fjali, paragraf sa herë ka qenë e nevojshme, e domosdoshme. Që ta bëj më të rrokshme për lexuesin tuaj, se ç‘kam parasysh, po kujtoj një episod nga bashkëpunimi ynë. Pjesën më të madhe të veprës, Kadare e ka rilexuar në vilën e tij verore te Mali i Robit. Çdo dy ditë unë e takoja dhe i sillja materiale të tjera nga redaksia. Një pasdite, sapo mbërrita, më tha që kishte rilexuar “Tri këngë zie për Kosovën”. “Ishte libër i mirë, e kisha harruar fare”, – më tha me të qeshur. Pastaj më tregoi se në një paragraf kishte konstatuar dy herë fjalën dëborë dhe njërën e kishte ndërruar. Dhe u bëra kurioz si e kishte zgjidhur. E kishte zëvendësuar me fjalën ortek.
Të vijmë te ribotimi i “Dimrit”. Vetë Kadare ka një shënim të gjatë të vitit 2008, ku ai i shpjegon pikërisht këtë që ju pyesni. Duke mos bërë asnjë ndryshim të natyrës politike, ky libër është identik me botimin e parë, d.m.th, atë me titullin “Dimri i vetmisë së madhe”. Por autori, gjatë rishikimit të librit në vitet ‘70, ka bërë shumë retushe gjuhësore dhe artistike, të cilat ia shton këtij botimi. Pra në këtë rast, ky botim i 2012-ës, është edhe më i arrirë artistikisht sesa versionet e mëparshme.
Thatë në fillim se Kadare ka edhe vepra të tjera në arkivin e tij. A mund të na flisni më hollësisht?
Po, jemi në një fazë të rëndësishme të kësaj pune. Vjet në nëntor Kadare na vuri në dispozicion arkivin e tij në studion e tij. Janë shumë fletore, fletë, blloqe me dorëshkrime të Kadaresë që kur ka filluar të shkruajë. Dosje të tëra ku gjen dorëshkrime krejt të panjohura, variante veprash, shënime, ditarë. Disa poezi krejt të panjohura, dy-tri novela, katër variante të tregimit “Provokacioni” e shumë variante, fillesa veprash të tjera. Po për këto kemi kohë të flasim.
Po, por a do t’i ketë lexuesi këto në botime të veçanta së shpejti?
Në botime të veçanta nuk e di se kur do të botohen. Por në një kolanë Kadare, po. Këtë vit është rënë dakord me autorin që të bëjmë një kolanë me 7 vëllime, me nga 1000 faqe secili. Vëllimi i shtatë do të ketë 1000 faqe nga arkivi për të cilin po flasim.
Kjo kolanë prej 7 vëllimesh do të zëvendësojë kolanën prej 20 vëllimesh që keni nxjerrë para pesë vjetësh?
Nuk do të jenë identike, ndaj nuk mund ta zëvendësojnë njëra-tjetrën. Në kolanën e re do të jenë 1000 faqet e arkivit, por do të kenë cilësinë më të lartë tipografike që është arritur ndonjëherë. Si botues, kam fatin e lumtur të përballoj një sfidë tjetër të guximshme.
Përveç “Dimrit…”, çfarë librash të tjerë keni në proces?
Kemi shumë libra, por do të përmendja vetëm një projekt. Sapo kemi botuar librin e parë të një autori të shquar serb, Millorad Paviç. Pas vëllimit “Histori të tmerrshme dashurie”, do të nxjerrim këto ditë “Fjalori Kazar”, vepër që i solli famën ndërkombëtare autorit.

Sunday, May 20, 2012

Lesi: Aleanca me Metën e bën Ramën fitues në 2013 (VIDEO…)


Nikollë Lesi, aktualisht zv.ministër në MTKRS dhe një prej botuesve të parë të shtypit të lirë në Shqipëri ka hedhur dritë mbi marrëdhëniet e tij me një kandidatëvë më të përfolur për president, Fatos Nano. Ai pohon se nëse ai do të zgjidhet nga Berisha e Rama, atëhere vetë Lesi do të japë dorëheqjen. Deklaratat Lesi i bëri gjatë një interviste për emisionin “Tonight Ilva Tare”.
Për intervistën e parë me Berishën ju keni thenë që ai fliste me vete…

Unë pasqyrova atë që degjova tek paradhoma e tij te sekretaria dhe pas kesaj filloi reagimi shumë i eger i PD-së. Sipas asaj që degjoj lartë dhe poshtë cdo lider provon pak zerin dhe i ngeli pak hatri për këtë intervistë. Redaksia e nxorri që Berisha fliste me vete. Por duhet të them… Ti mos mendo se unë jam emocional meqë jam zv/ministër. Unë këtu e kam celësin, jepja kujt të duash, çoja kabinetit të Berishës që nesër se unë jam njeri i lirë në këtë vend dhe as dua t’ia di as për Berishën, për Ramën as për Metën.
Po jepni dorehëqjen nga posti?
Jo, dorëheqjen se jap unë se kam firmosur koalicionin, unë jam korrekt në koalicion, por nëqoftëse ti mendon mere çelësin dhe dërgoje.

Në 1995 ju vunë tritol në shtëpinë tuaj në Lezhë.

Ajo është ngjarje shumë e veshtirë për mua e familjen time. Imagjino të venë tritolin për të eliminuar familjen. Unë pata kerkuar për të zbuluar autorët. Unë dyshimet kam menduar që ishte PD.

Ju aktualisht jeni në koalicion, s’keni mundur gjithë keto vite të kerkoni të gjenden autorët?

Unë mund të them që jam në koalicion për disa arsye që më cuan në kampin e Berishës. Një nga arsyet është konflikti me Fatos Nanon. E thashë pak më parë që ne e ndihmuam me shpirt e pasion, vramë frikën nga pushteti I PDs dhe me sakrificë të madhe të gazetarëve. Që të vi prap unë kam kerkuar edhe për djegien e Koha Jonë e cila është ende në prokurori. Unë kam berë luftë parlamentare, politike por nuk jam Skenderbeu që të hap të gjitha dyert. As për djegien në 97 të Koha Jonë nuk ka asnjë të dyshuar. Mund të them që në shtator të 97 kur erdhi Nano, hamendjet lartë e poshtë ka pasur që PS do të vendoste drejtesi në ketë ceshtje. Sapo erdhi z.Nano në pushtet ne filluam me iden tonë kritikat ndaj kryeministrit Nano të asaj kohe. Perceptimi ishte sepse perplasja e 96 – 97 u perceptual një gazetë e opozitës. Asoj kohe Sandër Frangaj filloi të lëvizte Klan. Gabimi im i parë ishte që u bera deputet. Nuk duhej të hyja në politik. Duhej të kisha qendruar në gazetari. Koha Jonë i ra PS-së dhe zoti Nano tha në Fressh që skam ardhur për të larë inatet e Nikoll Lesit me PD.

Marrëdhenia juaj me Nanon?

E vërteta është që zotin Nano unë se kam njohur përpara. E mbështetëm I gjithë stafi se ai ishte i burgosur politik nga pushteti i asaj kohe. E kam takuar në të vetmin rast në një fatkeqesi familjare, ndërkohë që kishte shërbim sekret që mendonte se ne po thurnim dicka. Disa vrapuan për të shkuar në selinë e PS dhe në keshillin e ministriva për të perfituar edhe ndonjë që ka qenë afër meje. Unë kam shkuar për herë të parë kur ishte Emin Barçi në 2001. Unë mendova që të beja një gazetë në favor të lexuesve për të dhënë mendime të kundërta. Asaj kohe në parlament për 14 shtatorin, edhe sot ketë mendim pavarësisht gjithckaje ,zoti Nano s’kishte mundësi që të botonte as te Zëri I Popullit.
Unë prapë i ofrova mbështetjen për të botuar tek unë. U rikthye ku mposhti zotin Majko me 28 vota. E ndihmova duke hapur gazetën dhe kur erdhi në 2002 për tu zgjedhur president unë sapo kisha marrë drejtimin e PDK dhe në këtë kohë me Berishën shkëmbenim ndonjë dhënie dore të lehte dhe zoti Berisha as nuk e priste të vinte në pushtet prej arsyeve të 96 – 97 . Unë fillova të botoja disa fakte si shkelje të doganave e tatimeve nga bizneset e të shoqes. Filluan kontrollet ndaj Koha Jonë, u përsirit siç kontrollonte Blerim Cela në 92 – 97 por asnjë rast su gjet asnjë shkelje. Sapo fillova kritikat z.Nano bëri tre padi. Pas kesaj s’mund të luftoja me z.Nanon sepse ai ishte absolutisht i fuqishëm.

Ju bëtë akuza personale  ndaj z.Nano….

Ne gjetëm një dokument sekret që dosja ishte fshirë. Unë bëra pyetjet a është Xhoana Nano agjente. Nëse sot votohet Fatos Nano nga PD dhe Sali Berisha unë jap dorëheqjen nga qeveria sepse do ishte krejtësisht imorale.

A ka moral politika në Shqipëri?

Duhet por nuk ka. Në Shqipëri sidomos kohët e fundit edhe marrëveshja Meta – Berisha dhe Rama – Meta.

E kujt ishte pergjegjesia per vitin 1997

Unë e kam thenë dhe i përmbahem idesë që faji ishte i PD-së..

A ishte vërtet në rrezik jeta juaj?

Ilva, unë me çfarë pohova kam thenë të vërtetën. Ajo ishte kohë dhe periudhë shumë e veshtirë. Perballja ka qenë shumë e egër, por Nano në atë periudhë tetor 2003 deri në 2005 ishte jashtëzakonisth shumë I fuqishëm

Për Nanon president..??

Z.Nano është një ringjallje e politikës së vjetër, është një gabim fatal i Berishës dhe i Edi Ramës dhe Ilir Metës. Është skandaloze nëse e kandidojnë për president. Nese duam që këtë vend mos ta lemë 20 vjet prapa duhet të gjejmë emër tjetër. Gjithë publiku e di që PD do të japi një nga anëtarët e kryesisë së saj për kandidat. Nëse flitet për presindetin i cili me ndryshimet kushtetuese është dhe zgjidhjet me 71 vota dhe PD I ka. Është kushtetuese, është e rregullt. Unë mund të them që emri I presidentit 99.99 është Jozefina Topalli.

Do jeni me z.Berishën apo me z.Rama në 2013?

Në raport me kodin zgjedhor si do miratohet keto ditë, në raport me formulën e bashkimit demokristian. Ne do shohim interesin e forcës tonë demokristianën tonë në parlament se nuk jemi burra më të mirë se të tjerët. Aty ku kemi interesin ku të gjejmë perfaqësimin tonë. Besoj për gjashtë muaj do jemi të qartë.
Cfarë mendoni për z.Rama dhe a mendoni se është koha për një rotacion politik?

Rama e njoh personalisht, e kam pasur dhe e kam mik të vjetër. Jemi në dy fronte të ndryshme politike. Është një lider i cili po tregohet pragmatist sic është politika shqiptare vitet e fundit. Ka filluar sipas meje një politikë krejtësisht të re dhe europiane. Nëqoftëse dyshja Rama – Meta është e sigurtë shanset e kësaj mazhorance për të rifituar janë 50 me 50.
(Marrë me shkurtime nga Ora News)
(aq/shqiptarja.com)

Saturday, May 19, 2012

Rrena dymiliardëshe

Në fund të përrallës, gjithnjë një gjysh a gjyshe u thotë fëmijëve atë që duhet thënë, për të mos i lënë të vdesin në injorancë, përralla me lesh, e mira prej nesh! Nëse hulumton në internet pas korporatës SIVA PARTNERS të shfaqet një shtëpi luksi me pishinë, më poshtë një sallë konferencash pa njeri dhe një adresë 780 Third Avenue, 9 flor. New York. Për krye të kësaj shfaqjeje shfaqet një emër në të parë asociativ, Mohammad Ali si bossi i korporatës e më poshtë është e pashmangshme një foto e investitorëve njujorkezë me të vetmin njeri publik në botë, kryeministrin shqiptar Sali Berisha. Për të krijuar kështu fuqinë e imazhit.
I njëjti grup investitorësh virtualë kishte zbarkuar me pompë edhe në Prishtinë, për t’u dhënë shpresë të rreme fukarenjve ballkanikë. Mungesa e mekanizmave mbikëqyrës institucionalë dhe etikës së pushtetit si dhe mungesa e sensit për realitetin financiar u krijon hapësirë ideale korporatave fantome jo vetëm vendore, por edhe ndërkombëtare për ngritjen të skemave piramidale dhe shpëlarje parash. Pritja e SIVA PARTNERS në Prishtinë nga zyrtarët e lartë qeveritarë (në video shihet zëvendëskryeministri Pacolli në hotelin e tij “Diamond”) e dëshmon ose naivitetin e skajshëm të udhëheqësve politikë kosovarë, ose lehtësinë e padurueshme për “të bërë” para nga një rrenë klluqe!
Por si e hëngri karremin Qeveria shqiptare dhe kryeministri Berisha duke u bërë personazh i kësaj storie “banditësh financiarë”? Lutfi Dervishi, drejtor ekzekutiv i TI-Albania (Transparency International) na tregoi këtë “përrallë” miliardëshe nga e cila të shkon lëng nga goja.
“S’e vrau mendjen kush, sepse vinin si amerikanë, ndonëse shumat fiktive të investimeve me të cilat operonte ky grup ishin spektakulare, saqë “kishin turpëruar” edhe FMN-në duke premtuar 10 miliardë dollarë investime në Ballkan vetëm për vitin 2012, nga dy miliardë në Shqipëri dhe Kosovë!?” Mjafton të kesh informacion se cila është qasja dhe shkalla e besueshmërisë së një populli dhe shteti ndaj SHBA-së, pra mjafton të jesh amerikan për të ndërmarrë mision shpëtimtar mashtrues, ose për ta ngritur një skemë piramidale në një vend në transicion. Mjafton të kesh një zyrë (një adresë) dhe t’i deponosh 150 dollarë amerikanë për ta themeluar një korporatë virtuale për t’iu shitur vendeve ballkanike si fuqi investuese marramendëse, që kap shifrat miliardëshe. Në këtë rast mashtruesit duhet të kujdesen që të kenë ndonjë emër bombastik krahas adresës, sepse popuj dhe shtete naive nuk hulumtojnë më tutje për identitetin, seriozitetin dhe fuqinë e korporatës që u shfaqet në derë për t’ua zgjatur dorën e shpëtimit.
Një gazetar hulumtues, John Holland (redaktor në OCCRP- Organizata për raportim të krimit të organizuar dhe korrupsionit) zbulon se ky grup është fantom, virtual dhe se përmes mashtrimit synon të ngrejë skema piramidale në vendet e painformuara ose në ato vende të cilat i ka dërrmuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, duke shfrytëzuar ose paaftësinë e shtetarëve, ose duke i përfshirë vetë ata në krim të organizuar…
SIVA PARTNERS në këtë rast është kujtuar ta gjejë edhe një amerikan me origjinë shqiptare si ekzaminues i tregjeve investuese në rajon. Emri i tij është plasuar në internet si Pjerin Lumaj ose Gurraj, ndërkaq që në pozitën e bashkëkryesuesit dhe drejtorit menaxherial figuron emri Mohammad Ali! Ideja e parë që i krijohet secilit ballkanas të shkretë kur e lexon këtë emër “bombë” është ish-kampioni botëror në boks Casisus Clay i konvertuar si Mohamed Ali. Mirëpo gazetari Holland ka hulumtuar identitetin e këtij njeriu dhe prapa këtij emri nuk i është përgjigjur asnjë person real në New York. Fillimisht ai arrin te një e dhënë se ky njeri ishte një specialist i kirurgjisë plastike në Virginia të ShBA-së, por me të arritur atje, del se në këtë shtet nuk ka një qytetar amerikan rezident që mban këtë emër, sepse ai ishte zhdukur para dhjetë vjetësh!
Të dhënat e mëtutjeshme gazetarin e shpijnë edhe më larg, në Pakistan, ku ky njeri e dyshohet se merret me zejen e vjetër, krim të organizuar, duke ngritur skema piramidale në krahinat e humbura të këtij vendi. Po ashtu dyshohet se përmes mashtrimit, ky njeri ka krijuar një pasuri të majme, rreth 2, 5 miliardë US dollarë në asete.
Një plan i detajuar për këso skemash korruptive këtij farë Ali &Co “i dhezi” në Tiranë dhe në Prishtinë. Lajmi u dha në televizionet publike të te dyja shteteve, duke mësyrë të rrisin kredibilitetin e qeverive të dy vendeve se si “po i lulëzojnë” ekonomitë e mjera të vendeve të tyre !? Vendi ku kallxohen përralla me mbretër dhe qypa me lira (një portal në Prishtinë para do kohësh e pati publikuar lajmin se hiç më pak se Donald Tramp dëshiron të investojë miliarda në Kosovë) është i shkretë. Ndërsa prijësit politikë janë mashtrues popujsh!
Për një qytetar të edukuar mirë, lajmi i RTK-së për investime sa dyfishi i buxhetit shtetëror të Kosovës vetëm brenda vitit 2012 siç pretendonte grupi fantom me seli në internet (sic!) ose mund të merret si gabim logjik, ose thjesht e kupton se është një mashtrim. Por për politikanët e paaftë, ky spektakël medial është shprehje e synimit për të mbajtur pushtetin personal mbi rrenën ose thjesht është “derë e vogël” për t’u përfshirë në botën e krimit të organizuar. Tjetër shpjegim kjo nuk ka.
Tashmë është muaj i pestë i vitit ’12 dhe asnjë lajm tutje s’erdhi nga SIVA PARTNERS. Si duket ia kanë ndier erën se gazetarë hulumtues u kanë rënë në gjurmë mashtrimeve të tyre dhe, me gjasë, janë fshehur në tollovitë e zhurmshme të pjesës tribal të Pakistanit, në Peshavar…
Në anën tjetër qeveritarët shqiptarë dhe kosovarë, ndoshta presin t’u  vijnë partnerët e tyre nga interneti me thasët plot para në Tiranë dhe Prishtinë, për ta realizuar parajsën e tyre në tokë. Tregim i bukur për infantilë në pushtet!
Fundi i narracioneve të tilla për investime miliardëshe duhet të jetë legjendar, jo dashakeqës, por thjesht letrar: “Përralla n’shkallë, dukati n’ballë!
Marrë nga Koha Ditore

Kalinihta Eladha

Rracizmi grek ndaj shqiptarëve, provokacionet e bandave, ulurimat e
togave të ushtarëve duke marshuar me këngë atishqiptare, pretendimet
historike për "Vorio Epirin", "fshesat" e famëshme, rrahjet dhe
mbajtja pa ngrënë me dit' e net' të tëra nëpër biruca të ftohta e
gjyhnahqarëve që hynin në Greqi përmes maleve etj. etj. kishin qënë
hiçasgjë. Tani Greqia po na kërcënon, jo me ekspansion, por me një gjë
më të tmerrëshme, me kolaps.
Greqia me demokracinë më të vjetër të botësë është shembur e po zvarriset.
Shqipëria, demokracia më e re e rruzullit, pavarësisht se ç'lehin
klyshat e kurvit, është ngritur më këmbë e po vrapon.
Si fqinjë gjeografikë dhe historikë që jemi na përket t'i bëjmë
Greqisë ndonjë sugjerim për shërim në këto ditë të zeza. Ndihmë të
sinqertë. Jo si Gjermania, e cila, plakës, nga njëra anë i jep borxhe,
nga ana tjetër i shet fshehtaz armatime qindra milionëshe.
Që punët t'i venë mbroth, tre gjëra duhet të bëjë një vend; të punojë,
të shesi, të blejë.
Meqënëse tashmë plakaruqa Greqi nuk punon dot, njëra nga dy të tjerat
që i mbetet të bëjë është, të blejë. Ku ma gjen që Greqia të mund
blejë, dhe të bjerë rehat Ballkani, Europa dhe Bota. Por për të blerë
duhen para, që Greqia nuk i ka. Mbetet të shesë. Çfarë mund të shesë
Greqia që të shpëtojë nga kriza ? Kjo është çështja.
Borxhet astronomike për shkak të gabimeve katastrofike
politiko-ekonomike të Greqisë, janë aq të mëdhaja sa prej tyre zor se
shpëton dot edhe sikur të shitet e tëra. Mirpo në këtë eventualitet,
që s'ka pse të mos merret parasysh, pra që Greqa të shitet me kuç e me
maç e me gjith' lecka, del një vështirësi. Mund të jetë blerësi i
Greqisë ndonjë shqiptar, turk, apo amerikan. Por shitësi i saj nuk
mund të mos jetë grek. Gjë që nuk mund të ndodhi. Sepse pas çdo
shitjeje, duhet tq dali dikush të thotë; E shita. Që do ishte greku
shitës, i cili, duke e shitur greqinë të tërën, domethnë bashkë me
veten, në këtë rast do mungonte. Kjo është arësyeja që shitja e të
gjithë Greqisë është e pamundur.
Shitja e ishujve, e Korfuzit për shembull, për të cilin edhe është
folur, duket si zgjidhje. Por po ta shohësh thellë, kjo shitje është
krejt e paarsyeshme, dhe e pamundur, mbi të gjitha e padrejtë. Sepse
as ishujt e mekullueshëm jonianë, as gjijtë e magjishëm shkëmborë, as
kodrat e pafundme me ullinj, as plantacionet e portokalleve, nuk u
përkasin aspak vetëm grekërve të sotëm, të cilët krahasuar me qindra
milionë grekërit e vdekur dhe grekërit që ende s'kanë lindur, janë
pakicë absolute. Në fund të fundit, fajin ku është katandisur sot
Greqia, nuk e kanë ishujt, plantacionet, etj., që janë sende, por
njerëzit, bijtë dhe bijat e sotëm të plakës së dikushme të hirshme dhe
madhështore. Të cilëve u përket, sa të mbajnë përgjegjësitë, dhe të
marrin masat për të mos e lënë plakën të vdesë. Pra sakrificat për
shërimin  dhe shpëtimin e plakës së lekosur dhe të telendisur, nuk i
bën dot vet' e sëmura, por bijtë e saj plangprishës, grekët, ata të
cilët me dhjetra vite për vete hëngrën e pinë sa deshën, por për
shëndetin e nënës aspak nuk u merakosën.
Në kushtet e tanishme, kur as ata as plaka nuk punojnë dot, dhe kur
për shkak të borxheve as nuk blejnë dot, e vetmja gjë që mbetet të
bëjnë është të shesin. Mirpo, meqënëse për arësyet e mësipërme, vet'
Greqia dhe si dhe gjymtyrët e saj nuk mund të shiten, çfarë mbetet për
tu shitur, janë gjymtyrët e grekëve.
Asgjë për tu tmerruar përderisa është e vetmja shpresë.
Cilat gjymtyrë të tyre mund të shesin grekët për ta shpëtuar plakën dhe veten ?
Në emër të vetsakrifikimit për shpëtimin e plakës, shitja me vullnetin
e vet, e, ta zemë, kokave të 1 milionë grekëve, në vështrim të parë
s'duket gjë e pamundur. Por ka një vështirësi. Tregu ndërkombëtar i
organeve nuk shet e blen koka grekësh. Sepse pasoja e parë do të ishte
diçka tmerruese; Eksportimi i budallallëkut politiko-ekonomik grek
anembanë botës në vendet ku ato 1 milionë koka do shiteshin. Dhe bota
ska pare të tepërta që të blejë budallallëk grek. Gjë që, edhe po të
ndodhte, do ishte një shpërthim i budallallëkut helen në përmasa të
papara dhe me pasoja krejt të paparashikueshme për mbarë njerëzimin, i
cili, meqë ra fjala, edhe pa budallallëkun helen, s'i ka punët fort'
mirë.
Shitja e njërit sy, mund të ishte gjithashtu një zgjidhje. Treg për sy
ka. Sidomos tani që duke ndejtur çdo ditë me orë të tëra para
kompjuterit shikimi i njerëzimit po keqësohet, syri është një produkt
që kërkohet, dhe paguhet mirë, si në tregun e organeve dhe në atë të
kirurgjisë estetike. Syt e Zinj mediterranë të femrave greke, me nam
për bukurinë e tyre në të gjithë botën, shitja e disa milionë syresh,
mund të ishte një biznes shpëtimtar. Por nuk është. Sepse ngaqë
kompjuteri dëmton njësoj të dy sytë, askush s'të blen një sy, por
vetëm dy. E greku, sado t'i dhimset Greqia, njërin sy edhe mund ta
shiste, por të dy jo. Për më tepër që në këtë eventualitet Eladha do
mbushej me miliona Homerë që s'do kishin asnjë haber nga poezia epike.
Për të njëjtat arësye që grekët nuk mund të shesin sytë nuk mund të
shesin as veshët.
Shitja e një këmbe, një dore, një gjuri, disa brinjëve, disa gishtave,
a një shpute këmbe, të nja 3 a 4 milionë grekërve, janë të mundura.
Realizimi i kësaj shitjeje që do ta mbushte Greqinë përplot me të
gjymtuar çalamanë dhe doracë, edhe mund të kapërdihej. Por çmimi i
ulët i blerjes së këtyre gjymtyrëve në tregun e protezave e bën të
paleverdisshëm edhe këtë variant.
Zemra nuk shitet. Se po u vu në diskutim edhe shitja e zemrës helene,
pastaj më mirë merri hidhi në det të gjitha, Lashtësinë helene,
filozofët e asaj lashtësie, Gjuhën greke, Panteonin, Mitologjinë,
Athinën, Pireun, buzuqet, të tëra.
As mushkëria. Se edhe mushkëria, duke qënë e vetme si zemra, është vitale.
Por ekziston veshka. Që Perëndia e ka bërë dy. Pa një prej të cilave
mund të jetohet.
Të bëjmë një hesap. Ta zemë se 10 milionë grekë, në emër të shpëtimit
të plakës, do shesin nga një veshkë. Në tregun ndërkombëtar të
organeve, një veshkë sot paguhet rreth 20.000 Euro. Në këtë mënyrë
Greqia do fitonte 200 miliardë Euro. Goxha shifër. Plakës do t'i
kthehej frymëmarrja, do niste t'i qarkullonte gjaku. Mungesa e një
veshke është diçka që nuk bie në sy. Shitja e 1 veshke nga 10 milionë
grekë do ishte një operacion me shumë leverdi që do realizohej i tëri
në fshehtësi. Duket zgjidhje e paqme. Por duhet pritur derisa të
mësojmë nëse do dalin 10 milionë grekë që për të mirën e Eladhës ta
shesin vullnetarisht njërën veshkë.
Deri atëhere le të shqyrtojmë një mundësi tjetër.
Partia neonaziste "Agimi i Artë" është një parti që mund të përfshihet
në ndonjë koalicion qeveritar. Pjesëmarrja e neonazistëve në një
qeveri të ardhëshme greke, me gjasa do rriste pretendimet e Greqisë
për "rritjen e bazës së ekonomisë", me fjalë të tjera zgjerimin e
Greqisë në trojet e lashta helene të 2000 e kusur viteve të shkuara,
në po atë shtrirje gjeografike të stërgjyshit Aleksandër, shtrirje kjo
që do përfshinte Turqinë, Arabinë, Egjiptin, etj. Nuk duket keq pra
përfshirja e "Agimit" nazist në ndonjë qeverisje, një nga efektet
imediate të së cilës përfshirje do ishte 20 deri në 30 fishimi i
hapësirës së kultivimit të ullinjve. Çka do ta kthente Greqinë në një
lloj OPEC-u të vajit (Oil) të ullirit dhe vetë Greqinë në një Kuvajt
Ballkanik. Por po ta shohësh me kthjelltësinë e duhur as nazizmi nuk
është zgjidhje. Sepse, siç dihet nga përvoja gjermane, zgjidhjet
naziste nuk janë zgjidhje për përfitime gjatë kohës së luftës, por
zgjidhje që sigurojnë begatim pasi lufta të ketë mbaruar, pra zgjidhje
që vonojnë. Dhe Greqisë do t'i duhej një Hitler. Që nuk e ka. Botës
një Stalin, një Ruzvelt, dhe një Churchill, që edhe ata zor se mund të
gjinden në kohën e sotme.
Atëhere, çfarë mbetët të bëhet që të shpëtohet Eladha ?
E thjeshtë.
Pasi t'i sigurojmë se nuk do apliojmë asnjë lloj racizmi, nuk do t'i
provokojmë me banda, nuk do përdorim "fshesa", nuk do t'i rrahim, nuk
do t'i lemë pa ngrënë dhe nuk do t'i mbyllim nëpër biruca, t'i ftojmë
grekët të vijnë të punojnë në Shqipëri. Ku do paguhen. Jo me Euro, dhe
as me Dollarë, e aq më pak me Dhrahmi, por me Lekë. Lekët e kursyera
nga puna në Shqipëri, grekët do t'i dërgojnë pranë familjeve të tyre
në Greqi në stilin e njohur "Jepni për Nënën". Në këtë mënyrë,
pakngapak monedha e Greqisë nuk do jetë as famëkeqja Dhrahmia e cila
para ca vitesh pushtoi Sarandën, Himarën, dhe deridiku krejt jugun,
dhe as e pasigurta Euroja, por i forti Leku. I cili, i përdorur prej
grekërve me të njëjtin nikoqirllëk dhe zgjuarsi si shqiptarët, do tu
japi fund përgjithmonë të gjitha brengave helene.
S'ka zgjidhje tjetër.
Në mos, Eladhës s'i mbetet tjetër veçse t'u thotë stepave, Kalimera.
Ndërsa Europës, Amerikës, NATO-s, dhe gjithë të tjerave, Kalinihta.

gazeta MAPO, 18 maj 2012
www.edisonypi.com

SAMITI I 25-TË I ALEANCËS SË ATLANTIKUT VERIOR – NATO, NË ÇIKAGO


  1.                                                           Nga Frank Shkreli
Më 20 dhe 21 Maj në Çikago të Shteteve të Bashkuara mbahet samiti ose mbledhja e nivelit të lartë e udhëheqsve të vendeve anëtare të NATO-s, për takimin e 25-të aleancës së Atlantikut Verior.   Presidenti Barak Obama do të presë udhëheqsit e vendeve të NATO-s në qytetin e tij Çikago, ku do të bisedohet  për të ardhmen e aleancës  ushtarake,  duke u përqëndruar kryesisht , mbi gjëndjen në Afganistan, por edhe mbi sfida të tjera me të cilat përballet këjo organizatë në shekullin 21.  Nevoja  për të siguruar se aleanca ka aftësitë dhe mundësitë për të mbrojtur popujt dhe territoret e vendeve anëtare si edhe doemosdoshmëria për  forcimin  dhe zgjerimni e rrjetit të partnerëve të NATO-s  anë e mbanë botës, është gjithashtu në rendin e ditës.   Sepse, sipas vet aleancës,  si një mjet i pazëvendsueshëm stabiliteti,  NATO nevojitë të ruaj kapacitetet që ka tani dhe të mbrojë sigurinë dhe vlerat e vendeve anëtare, ndërkohë që përpiqet të krijojë mundësi për partneritete edhe me vendet  jashtë rajonit të Atlantikut Verior.
Pritet që në tubimin e Çikagos, NATO të vendosë për tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani  mbrenda mbarimit të vitit 1914, ndërkohë që do të angazhohet që të zhvillojë një partneritet afatgjatë me popullin e atij vendi.   Këjo, sipas ekspertëve, ndodhë  sepse në vendet demokratike anëtare të NATO-s nuk ekziston më një përkrahje për luftën në Afganistan dhe si rrjedhim politika duhet patjetër të reflektojë dëshirën e shumicës së popullit të vendeve anëtare, qoftë këtu në Shtete e Bashkuara, qoftë në  Evropë.

Ekspertët thonë se afati i tërheqjes së forcave të aleancës perëndimore nga Afganistani duhet të zbatohet, me qëllim që t’i dërgohet një mesazh qeverisë afgane se nuk mund të varet përgjithmonë  nga Amerika.  Njëri nga këta ekspertë Shanë Kej, pranë universitetit Uellsien në shtetin Ohajo, i tha Zërit të Amerikës se ‘’Afganët  duhet të marrin përsipër përgjëgjësinë për mbrojtjen e vendit të tyre.’’  Në mbledhjen e Çikagos, NATO do të vendosë gjithashtu mënyrat për trajnimin, konsultimet dhe ndihmat  për forcat afgane, gjatë tranzicionit dhe pas tërheqjes së forcave të aleancës nga Afganistani, si pjesë e ndihmave të përgjithëshme ndërkombëtare për atë vend.  Në fillim të këtij muaji, Presidenti Obama tha se koalicioni ushtarak përendimor do të caktojë objektivin që vitin që vjen, forcat afgane të kryesojnë operacionet luftarake, anë e mbanë vendit.
Një çeshtje tjetër delikate në samitin e Çikagos do të jetë buxheti dhe financimi i operacioneve  ushtarake të aleancës.  Publiku dhe Kongresi amerikan kanë filluar të tregohen të pa durueshëm me vendet anëtare të NATO-s që nuk kryejnë detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.  Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtëme i  Kongresit Amerikan , Xhon Kerri i përmblodhi më së miri shqetsimet amerikanenë lidhje me këtë çeshtje, duke thënë se ‘’të gjithë ne e kuptojmë se këjo është një kohë kursimesh, por është një periudhë kursimesh për të gjithë, dhe si rrjedhim ne do të detyrohemi të përcaktojmë prioritetet, duke vendosur se çka është me e rëndësishme dhe çka është më pak e rëndësishme’’.   
Disa informacione interesante në lidhje me këtë takim të nivelit të lartë në Çikago janë të një natyre kombëtare dhe ndërkombëtare.  Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Anders Rasmussen tha se tubimi në Çikago është më i madhi në historinë e aleancës, ku po marrin pjesë rreth 60-vende dhe organizata, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe disa vende të Azis Qendërore, ndër të tjera.  Zoti Rasmsussen u citua në median amerikane se takimi në Çikago do të ‘’demonstrojë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi për gjëndjen në Afganistan dhe në rajon.’’

Siç duket Rusia, megjithëse e ftuar për të marrë pjesë, ajo nuk do të jetë e pranishme  në një nivel të lartë me justifikimin se Presidenti Putin do të jetë i nxënë me  formimin e qeverisë së re, por dihet se marrëdhënjet mes Moskës dhe NATO-s nuk kanë qenë shumë të mira kohët e fundit dhe si rrejdhim Rusia do të pëfaqësohet nga një diplomat në Çikago.
Mirëpo, sipas shtypit amerikan, Izraeli nuk është i ftuar të merrte pjesë, me hamendjen se Turqia mund të ketë bllokuar  pjesëmarrjen izraelite në takimin NATO, por Sekretari i Përgjithëshëm Rasmussen duke hedhur poshtë këto pretendime, tha se Izraeli nuk u ftua sepse nuk bën pjesë në misjonet e NATOs në Afganistan dhe në Kosovë.
Por ndoshta lajmi më i rëndësishëm nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Çikago këtë fund jave do të jenë protestat e mëdha që grupe të ndryshme kanë në plan të bëjnë gjatë zhvillimit të punimeve të samitit.  Një demosntrues u citua nga rrjeti televiziv amerikan Foks se po bëhen plane të mëdha, ‘’do të ketë luftë në rrugët e Çikagos’’, shtoi ai.  Në përgjigje të këtyre protestave të paralajmëruara nga protestues e demosntrues të të gjtiha ngjyrave, policia e Çikagos ka njoftuar planet për të bllokuar rrugë dhe zona të tëra të qytetit për të ndaluar protestuesit që të pengojnë ose të ndërpresin punimet e mbledhjes së nivelit të lartë.  Ironia e këtyre protestave është se organizatorët  kundërshtojnë  një aleancë që siguron dhe mbron me çdo kusht, jo vetëm të drejtën e tyre për të demonstruar në Çikago, por ata janë edhe kundër një aleance e cila përveç popujve të vedneve anëtare, ajo u ka ardhur në ndihmë  shumë popujve në përpjekjet e tyre për të siguruar lirinë, siç ishte rasti i Libisë kohët e fundit.
Me mbarimin e luftës së ftohët, misjoni afatgjatë i NATO-s është më pak i qartë se ç’ishte gjatë asaj periudhe , kur misjoni i aleancës ishte kryekput mbrojtja nga kërcënimet e Bashkimit  Sovjetik dhe të komunizmit  ndërkombëtar.  Nuk është e rastit që çështja kryesore e  samitit në Çikago është gjëndja në Afganistan dhe  mënyra se si aleanca duhet të manexhoj  tërheqjen e forcave të sajë nga ai vend.  Tërheqja e NATO-s me nder nga ai vend, gjatë këtij tranzicion për të cilin vendosë   aleanca këtë fund jave në Çikago,  ka mundësi të vendosë  të ardhmen e organizatës NATO për të dekadat e ardhëshme.