3200 shqiptarë u gjendën në korrik të vitit 1990 në Ambasadën gjermane në Tiranë. Tërheqja e tyre nga Brindizi dhe prurja në Gjermani u bë nga Kryqi i Kuq Gjerman. Disa protagonstë të kësaj ngjarjeje kujtojnë.
E mërkurë 11.07.1990, ora 07:00 e mëngjesit. Telefoni i familjes Schröder tingëllon, një telefonatë nga kryeqyteti, nga Boni.
Në të njëjtën kohë në ambasadën e RFGJ-së në Tiranë përkeqësohej dita-ditës gjendja e higjenës, sepse sikurse kujton, Werner Daum, asokohe i ngarkuar me punë ad interim, ambasadës i kishin prerë ujin dhe "Punonjës të ambasadës shkonin me bidonë në ndërtesat karshi për të na furnizuar me ujë. Pa dashur të hyj në detaje, ishte një situatë tepër e vështirë dhe kanë ndodhur gjëra të tmerrshme."
Në Shvarcenbek pranë Hamburgut vazhdon telefonata. Zonja Waltraud Schröder, asokohe 54-vjeç, drejtuese e ekipit të gatishmërisë së Kryqit të Kuq për landin e Shlesvig-Holshtajn, ngarkohet të drejtojë misionin për transportimin e refugjatëve shqiptarë që kishin hyrë në ambasadën gjermane. Ajo tashmë kishte përvojë me një mision të ngjashëm. Para nëntë muajsh znj. Schröder kishte manaxhuar me sukses transportimin e 17.000 refugjatëve nga ish-RDGJ-së që kishin kërkuar strehim në ambasadën gjermano-perëndimore në Pragë.
Bildunterschrift: Waltraud Schröder, korrik 1990.
Dy orë më vonë Waltraud Schröder arrin nga Hamburgu në Bonn prej nga niset për në Brindizi një tren i posaçëm. "U nisëm nga Gjermania me një tren të pajisur me kompartamente të posaçme për nëna me fëmijë, për të sëmurë si dhe me të tjera pajisje të nevojshme. Në Bon, ku ishte qendra e Kryqit të Kuq Gjerman, kishim marrë të gjithë informacionin e duhur për realizimin e këtij aksioni, aty blemë edhe ushqime, ujë dhe lëngje, sepse ishin ditë shumë të nxehta."
"Treni ishte shumë i gjatë, rreth 536 metra, më i gjatë se çdo stacion treni. Treni nuk ndalonte dot i tëri në stacionin e Brindizit, sepse nuk mjaftonte gjatësia e peronëve. Këtë e dinim që në fillim dhe për këtë kishim parashikuar që treni do të ndahej në disa pjesë e trenit. Për çdo vagon kishim në dispozicion të paktën nga një vullnetar të Kryqit të Kuq. Po ashtu kishim me vete edhe një ekip sanitarësh, mjekësh dhe mamish. Të them të drejtën sot nuk më kujtohet numri i saktë, por kishim personel të mjaftueshëm për të përballuar dhe për t'u kujdesur për 3200 refugjatët, madje kishim personel të mjaftueshëm edhe sa i përket ndihmës së kualifikuar.
Edhe pse ky ishte mandati i dytë pas angazhimit të mëparshëm në Pragë, zonja Schröder i ka ende të gjalla kujtimet e 13 korrikut 1990: "Nuk e harroj momentin kur pashë, se si kaq shumë shumë njerëz vërshuan nga barku i tragetit, e theksoj vërshuan! Tek ata njerëz më ra në sy nga njëra anë rraskaptija, por nga ana tjetër edhe gëzimi, ndenja e çlirimit që ata ndodheshin në një tokë, ku ekzistonte liria, ajo që u kishte munguar në vendin e tyre, dhe për të cilën ishin larguar."
Bildunterschrift: Kryqi i Kuq gjerman organizon transportin e refugjatëve.
Kurse Hilmar Mahronit, gjithashtu punonjës i Kryqit të Kuq, i ka mbetur në kujtesë diçka tjetër: "Më bëri përshtypje, se pasi refugjatët hipën nëpër vagona pala italiane i mbylli dyert e trenit dhe i mbajti të bllokuara që gjatë udhëtimit askush nga refugjatët të mos zbriste në Itali. Në Zvicër ishte e njëjta gjë dhe disa nga shqiptarët që donin të zbrisnin patjetër në Zvicër kërcyen si përfundim nga dritaret dhe u larguan duket kaluar shinat nga njëri peron tek tjetri."
Habi në radhët Kryqit të Kuq: Shumica e refugjatëve shqiptarë thoshin se ishin me profesion inxhinierë
"Kur vinte policia për të kontrolluar pasaportat, ose për të regjistruar të sapoardhurit, vija re që kjo u ngjallte frikë të madhe shqiptarëve. Kjo frikë kishte arësye nga më të ndryshmet, ndoshta se një pjesë e tyre nuk kishin as pasaporta me vete. Disa prej tyre nuk tregonin as emrin dhe policia ndonjëherë nervozohej prej kësaj situate, kurse mua më duhej t'i qetësoja shqiptarët duke u thënë që të mos kishin frikë, se atyre nuk do t'u ndodhte asgjë. Regjistrimi i të dhënave personale ishte i domosdoshëm edhe sepse gjatë udhëtimit kishte raste që pjesëtarët e familjeve ishin shkëputur nga njëri-tjeri dhe ne duhej të kujdeseshim që ata të strehoheshin në të njëjtin vend." - kujton Waltraud Schröder
"Kur erdhën punonjësit gjermanë të kufirit për të regjistruar të dhënat personale si dhe profesionin e refugjatëve, ne u habitëm shumë, se shumë shqiptarë jepnin si profesion inxhinierinë. Besoj se shumica thonin se ishin me profesion inxhinierë, sepse besonin se kështu do të kishin shanse më të mira për të fituar azilin, ose për të gjetur punë, nuk e di saktë përse." - tregon Hilmar Mahron
Bildunterschrift: Hilmar Mahron nga Kryqi i Kuq në bisedë me Deutsche Wellen.
Refugjatët shqiptarë do të shpërndaheshin në bazë një numri të caktuar kontigjentesh në lande të ndryshme të Gjermanisë dhe njoftimet vinin nga Boni dhe i transmetoheshin ekipit të Kryqit të Kuq me radiomarrëse. Për shkak të gjatësisë së trenit dhe koordinimit të tij udhëtimit të tij me oraret e qarkullimit të trenave të tjerë, qëllonte që treni të ndalonte nëpër stacionet përkatëse, ku do të zbrisnin refugjatët, natën. Por megjithë përgatitjet të gjithë dëshmitarëve të asaj kohe duket se u ka mbetur e pashlyeshme në kokë një skenë natën e 14 korrikut 1990. Rreth orës 22:00 treni kishte lënë pas kufirin e Zvicrës dhe kishte filluar udhëtimin nëpër Gjermani.
"Papritur treni ndaloi diku në terr dhe refugjatëve të dy-tre vagonave të fundit iu tha se duhet të zbrisnin. Në atë moment filloi një pështjellim se disa prej atyre që kishin ardhur me familjet filluan të kërkonin të afërmit. Shumë familje ishin shpërndarë, gjë që filloi që pas zbritjes nga trageti dhe hipjes në tren. Edhe pse ne u thonim njerëzve që të hipin nëpër vagona me grupe dhe familjet të qëndronin bashkë, kishte lindur një problem, sepse burrat rrinin me burrat apo djemtë e shokët e tyre, ndërsa gratë me gratë dhe fëmijët. Kësisoj familjet u shkëputën dhe kishin hipur nëpër vagonë të ndryshëm." - tregon Adelheid Feilcke, e cila asokohe ishte përkthyese.
"Në këto momente jo vetëm në radhët e vetë refugjatëve shqiptarë, por edhe të personelit të shërbimit të Kryqit të Kuq ndihej një lloj shqetësimi, sepse nuk e dinim me saktësi se ku ndodhemi. Papritur disave u duhej të zbrisnin, duke u ndarë prej të tjerëve dhe ata nuk e kishin të qartë se ku gjendeshin. Sikurse ju tregova treni ishte shumë i gjatë dhe jo të gjithë vagonët ndalonin te zona e peronit. Kështu na u desh që t'i shoqëronim njerëzit nëpër shina me llampa dore apo me mjete të tjera ndriçuese që na u gjendën, deri sa arritën në një vend të sigurtë jashtë zonës së shinave. Megjithë pasigurinë dhe frikën se ç'do të bëhej me ta, apo kur do të bashkoheshin familjet gjatë gjithë udhëtimit refugjatët ishin mjaft të qetë dhe të disiplinuar." - tregon Waltraud Schröder.
Bildunterschrift: Organizimi i transportit ishte i vështirë.
"As unë nuk kisha ndonjë informacion, vetëm se na komunikuan, se refugjatët e dy vagonave të fundit duhet të zbresin, sepse po i presin dhe do t'i dërgojnë në vendstrehimet përkatëse," - kujton Hilmar Mahron. Përkthyesja u tha njerëzve që ishin në vagonin e fundit se duhet të zbrisnin. Njerëzit ishin në gjumë dhe na u desh t' i zgjojmë, t'u themi zbrisni shpejt dhe kaloni shpejt shinat se vjen treni tjetër. Megjithatë shqiptarët i kam përjetuar mjaft të qetë. Në asnjë moment nuk shfaqën ndonjë pakënaqësi, agresion apo ndonjë emocion të tepruar. Kam përshtypjen, që së pari ata ishin krejtësisht të raskapitur dhe mjaft të durueshëm, të durueshëm në maksimum, dhe na besonin tërësisht neve. Kisha përshtypjen, se ata ishin të bindur që ishin në duart e Kryqit të Kuq gjerman dhe nuk do t'u ndodhte asgjë."
Pas 36 orësh orësh udhëtimi, pjesërisht në kushte të rënduara për shkak të vagonëve të tejmbushur, lodhjes dhe raskapitjes së njerëzve, plagëve që kishin marrë nëpër këmbë nga një pjesë e refugjatëve nuk kishin këpucë, tualeteve të trenit që brenda një kohe të shkurtër u mbingarkuan dhe u bllokuan duke rënduar edhe më tej kushtet higjenike, vagonët e fundit arritën në destinacionet e fundit në veri të Gjermanisë.
Autor: Vilma Filaj Ballvora
Redaktoi: Dr. Pandeli Pani
No comments:
Post a Comment