Tuesday, November 29, 2011

Sulmi te “Kurban”, Rama: Intelekualët, spiunë e puthadorë

Kreu i PS akuzon intelektualët e “Iniciativa për Tiranën”.    Përgjigjen Ciko, Luarasi, Çashku, Kasoruho e Kule.
“Iniciativa për Tiranën”, Rama: Janë puthadorë oborresh.
“Zhani Ciko denoncon opozitën siç dëshmoi  në gjyqin kundër tenorit Lukë Kaçaj në 1973”
Në librin e fundit “Kurban”, Edi Rama nuk ka lënë jashtë komentit të tij edhe “Iniciativën për Tiranën”, një grupim intelektualësh të njohur të kryeqytetit, të cilët gjatë fushatës zgjedhore të 8 majit për pushtetin vendor tentuan të ndërtonin një debat mes dy kandidatëve, Lulzim Basha dhe Edi Rama. Kreu socialist, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, nuk iu përgjigj kësaj ftese, ndërsa Lulzim Basha mori pjesë në të gjitha takimet e hapura publike që “Iniciativa” organizoi për çështjet që kishin të bënin me qytetin dhe të ardhmen e tij. Rama, jo vetëm e injoroi këtë grupim intelektualësh, por i etiketoi pjesëmarrësit e kësaj iniciative si “sazexhinj” dhe “ahengxhinj” të pushtetit, ndërsa Basha paraqiti në të gjitha takimet vizionin e tij dhe projektin për Tiranën.
Sikur sistemi ku jetojmë sot të përfshinte edhe mundësinë e burgosjes apo të pushkatimit të opozitarëve, ky soj provincial “intelektualësh” që me përmbajtjen e fjalës intelektual s’kanë asnjë lidhje, do të bënin pa ndrojtje e as përtesë të njëjtën gjë që kanë bërë, do të dilnin në gjyq për të thënë ato që do t’u kërkonte pushteti kundër opozitës, njësoj siç firmosin sot ato që ua shkruajnë zyrat e propagandës së pushtetit, për të krijuar perceptimin se opozita që proteston kundër qeverisë ka dalë nga binarët e interesave kombëtarë apo qytetarë e prandaj ka edhe ajkën e shoqërisë kundër saj. Në fakt, kjo s’është ajka, po hirra e shoqërisë, hirra e regjimit të vjetër që mblidhet në tepsinë e çdo pushteti dhe sa më jodemokratik pushteti, aq më të zellshëm këta spiunë e denonciatorë dje shpirtshitur prej frikës gëluese në bark, ndërsa sot ku e ku me turp, sepse ku e ku më kollaj të thuash jo, të vetëpërdorur thjesht për një karrige, një shpërblim, një honorar, një nderim a qoftë edhe një buzëqeshje nga tutori i mëkateve të tyre të vjetra e i dobësive të tyre të pashërueshme. Kur sheh ekspozetët e gjyqit të Maks Velos a të bartësve të tjerë të shfaqjeve të huaja që u përplasën dje me unitetin e çeliktë e uniformitetin prej graniti të Partisë së Punës dhe gjen emra që sot i paraqiten publikut si zëra e figura të shquara të kulturës kombëtare apo të shoqërisë demokratike, të cilët riciklojnë veten mu si mbeturinat urbane në landfild-in e shërbesave proqeveritare, të ngrihen zorrët në fyt e të vjen një ndot i pangushëllueshem, karagjozë me pagesë që s’kanë asnjë brerje ndërgjegjeje, teksa turpin e hanë me bukën e pushtetit duke fërkuar plëndësin e nginjun.
S’më ngushëllon hiç, as ç’ka po them, nga shumë fjalët që meriton soji i tyre, i llojit mos e prek se qelbet, po akoma më jongushëlluese më duket heshtja e vazhdueshme karshi kësaj skote hyzmeqarësh të oborrit të pushtetit, që bubërrojnë në prehjen e batakut të patrazuar të mediokritetit të tyre pompoz, duke u shfaqur në ekrane, gazeta e skena publike si bartës të angazhuar të fateve të kulturës e të shoqërisë dhe duke shëtitur me buzëqeshje në dorë e gotë në buzë nëpër çdo turmë të përzgjedhur qokash e zijafetesh zyrtare. Kur i sheh, të duket sikur asgjë s’ka ndryshuar qysh prej viteve të para të shtetit shqiptar, ashtu siç i kemi njohur prej leximeve nëpër kujtimet e hidhura të mendjeve të mençura të këtij kombi a në përshkrimet e goditura të penave të talentuara që e kanë prekur batakun e konformizmit turkoshak të të ashtuquajturave elita intelektuale shqiptare, ndërkohë që intelektualët e mirëfilltë, ata të vyerit që s’i kanë munguar asnjëherë kësaj toke, kanë vuajtur, si rregull, të gjithë po njësoj pasojat e të njëjtit zell shtetshërbyesish të zgjyrosur, spiunë, denonciatorë, puthadorë oborresh si nën mbretëri e diktaturë, si në demokraci. Mes shpurës së “intelektualëve” të oborrit ka shumë shembuj çmeritës të atij, që Hannah Arendt e quan banaliteti i së keqes, dihen, njihen tanimë, çka i bën të parespektueshëm edhe si njerëz e jo më si intelektualë. Nuk është çfarë kanë thënë të shtrënguar prej frikës e kërcënimeve në kohën e barbarisë proletare, kur jo gjithkush mund të ishte heroik në kurajë e qëndresë siç qenë ata që edhe më pas, në kushtet e lirisë, vazhduan të flasin publikisht çka u thotë koka e tyre, Simon Jubani, Zef Pllumi, Spartak Ngjela, Daut Gumeni, Fatos Lubonja, Kurt Kola apo ndonjë tjetër, po pikërisht kërrusja deri në tokë e kurrizit për t’u kthyer në piedestal ku vë këmbët pushteti i radhës edhe pas shembjes së diktaturës komuniste, e sa më i pafytyrë në vrazhdësinë e vet pushteti, aq më përunjësisht i kërrusur kurrizi.
Kjo lloj shërbese e ulët kundër interesave të shoqërisë e në antitezë me çdo vlerë demokratike, e ngjashme në shekullin XXI me punën e skllevërve që mbanin krahësh sundimtarët e skllavopronarët e kohëve të vjetra, i bën akoma më të fajshme se ç’ishin edhe spiunimet e denoncimet e djeshme të shërbëtorëve të sotëm të sundimtarit Sali, them Sali sepse në kohën e qeverive socialiste këta servilë të lindur s’i trembte askush tjetër veç hijes së tyre. Fjala vjen, dëshmia tronditëse në gjyqin komunist e drejtorit aktual të Teatrit të Operës e Baletit, Zhani Ciko, për burgosjen politike të tenorit të madh Llukë Kaçaj në vitin 1973, ku Zhani mbrojti partinë nga armiku Gjergj Fishta, për të cilin i gjori Llukë i kishte thënë se e konsideronte poet të madh kombëtar, tingëllon edhe më e shëmtuar sot që Zhani shërbesat proqeveritare i bën sa herë i kërkohen, duke denoncuar opozitën publikisht si destruktive, kur protestat e saj tronditin oborrin e pushtetit, duke mbajtur fjalime para premierave të Operës për rolin e pazëvendësueshëm të Kryeministrit e familjes së tij, apo madje të vetë spikeres Jozefinë në rimëkëmbjen e muzikës skenike shqiptare, apo duke u rreshtuar për të kënduar ariet e vrazhda të pushtetit në korin e mbështetësve të fushatës së një kandidati qeveritar për Bashkinë e kryeqytetit, pak muaj pas vrasjes së katër njerëzve të pafajshëm në bulevardin e Tiranës nga pushkët e shtetit që këtë kandidat e kishte ministër të Brendshëm. EDI RAMA

Ciko: Libri, një farsë që po përgënjeshtrohet

Grupimi i intelektualëve “Iniciativa për Tiranën”, gjatë një takimi në ditët e fushatës elektorale për kreun e Bashkisë së Kryeqytetit
Intelektualët e cilësojnë fyes librin e kryesocialistit Edi Rama
Reagon drejtori i TKOB: Ky zotëri, ose të flasë me dokumente , ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot.
Nuk e kanë blerë librin “Kurban” të kryetarit të PS-së, Edi Rama dhe, me aq sa deklarojnë për gazetën “Panorama”, as nuk kanë ndër mend ta lexojnë. Bëhet fjalë për intelektualët e grupimit “Iniciativa për Tiranën”, që pavarësisht bindjeve politike, u mblodhën në maj të këtij viti nga kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, aktualisht kryetar, në mënyrë që të jepnin mendimin e tyre për zhvillimin e kryeqytetit. Këto personalitete Rama i ka shënuar me thonjëza “grusht intelektualësh” dhe janë fyer direkt apo indirekt në libër, ku ndër të tjera, i thekson si “hyzmeqarë të pushtetit, hirrë e regjimit të vjetër, puthadorë oborresh, spiunë, denonciatorë, shpirtshitur etj.”. Më i “prekuri” ndër ta dhe me emër konkret ka qenë Zhani Ciko, ku në faqen 315 të librit Rama e paraqet atë me të gjitha “cilësitë” që përmendëm më lart dhe ca të tjera shtesë. Për të gjitha këto, Ciko është i informuar nga miqtë, e megjithatë vetë nuk e ka blerë librin. Sepse për të, i gjithë botimi për të cilin kreu socialist pretendon se gjithçka e shkruar aty është e vërtetë, në fakt është një farsë. “Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye, janë një shpifje e Edi Ramës, për mua dhe jo vetëm. Çdo ditë po i dalin persona të cilët ai i ka përmendur në libër dhe po ia hedhin poshtë ato që ka shkruar. Pra, libri i tij po përgënjeshtrohet”, thotë Ciko për gazetën “Panorama”. Sipas tij, Edi Rama nuk ka nxjerrë në qarkullim një libër, por fantazi të tij. “Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Për sa u përket prononcimeve të mia si qytetar dhe njeri i artit në kuadrin e iniciativës për Tiranën, apo ndonjë rast tjetër, ato kanë qenë korrekte, vetëm për problemet që më shqetësojnë, pa u përpjekur të fyej ndonjërin që nuk e ka quajtur të vlefshëm dëgjimin e mendimit tim të pavarur dhe për ato probleme ku më jep të drejtën e prononcimit stazhi im i gjatë në punë, vullneti dhe ndershmëria qytetare”, thekson Ciko. “Grushti i intelektualëve”, të cilëve u referohet Rama, janë 31 personalitete, ku ndër ta po kujtojmë panelin e emrave të njohur, si: Aleks Luarasi, profesor; Adrian Civici, ekonomist, financier dhe pedagog në UET; Zhani Ciko, drejtor i TKOB; Valentina Kuka, pedagoge në UT; Halim Kosova, mjek i njohur; Jera Kruja, mjeke neurologe; Neritan Ceka, arkeolog; Nevila Nika, historiane; Bujar Kapexhiu, pedagog në UET; Artan Lame, inxhinier; Dhori Kule, rektori i UT; Zef Preçi, ekonomist; Kujtim Çashku, pedagog; Besnik Aliaj, inxhinier etj.
Zhani Ciko: Shpifje fund e krye
“Çdo ditë po i dalin persona të cilët ai i ka përmendur në libër dhe po ia hedhin poshtë ato që ka shkruar. Pra, libri i tij po përgënjeshtrohet, është totalisht një farsë. Edi Rama nuk ka nxjerrë në qarkullim një libër, por fantazi të tij. Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye janë një shpifje e Edi Ramës”.
Kujtim Çashku: Nuk i bëj publicitet Ramës
“Ju më pyesni nëse e kam lexuar librin, unë po të përgjigjem ndershmërisht që nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj. Kam arsyet e mia për këtë. Sa i përket reagimit tim lidhur me atë çfarë kam marrë vesh indirekt se çfarë është shkruar, nuk dëshiroj të komentoj për asnjë fjali. E para, sepse nuk mund të replikoj për diçka që nuk e kam lexuar vetë.
Dhe e dyta, sepse nuk jam unë njeriu që duhet t’i bëjë publicitet Edi Ramës. Nëse do të kem diçka konkrete, do të përdor replikën e gjatë në gazetën tuaj, por nuk besoj se kjo do të ndodhë. Jua thashë, nuk bëj reklamë unë”.
Aleks Luarasi: Nuk e lexoj Edi Ramën
“Unë nuk jam për pjesën që të zhvillojmë polemika politike me një libër, pasi nuk jam përfshirë asnjëherë në të tilla raste dhe nuk kam ndërmend ta filloj tani. Sa i përket prezencës sime në tryezën me intelektualë ‘Iniciativa për Tiranën’, nuk jam penduar pse kam marrë pjesë. Unë dhashë kontributin tim për zhvillimin e Tiranës, pa asnjë lloj ndikimi politik, dhe u qëndroj të gjitha atyre që kam shprehur në tryezë. Nuk e di se çfarë ka shkruar konkretisht Edi Rama në librin e tij ‘Kurban’ dhe, drejt të them, nuk kam ndër mend që të mësoj më gjatë, apo ta lexoj. Pavarësisht që qenkam bërë pjesë e librit, direkt apo indirekt, vërtet që nuk e di, unë nuk kam ndër mend të bëj replika”.
Amik Kasoruho: “Edi Rama të kërkojë falje publike”
“Nuk e kam lexuar librin e Edi Ramës dhe nuk kam ndër mend ta lexoj. Para disa kohësh e kam sfiduar publikisht për këtë gjë dhe i qëndroj kësaj sfide: ‘Edi Rama, unë ju sfidoj në emër të vuajtjes së qindra njerëzve gjatë diktaturës! Publicistikën tuaj të viteve ‘90 e lexoj ndryshe sot… Ju nuk keni më lidhje me mendimin që kisha dikur për një djalë me emrin Edi Rama, në fillim të viteve ’90, kur merrte përkrahu Kasëm Trebeshinën dhe e nxirrte në tribunat, në ditët e përpjekjeve kundër diktaturës, në emër të lirisë dhe të të drejtave të njeriut’. Po ashtu, jam ende në pritje që Edi Rama të kërkojë falje publike për atë se çfarë shkaktoi me sjelljen dhe udhëheqjen e tij në demonstratën e 21 janarit”.
Dhori Kule: “S’i shpenzoj paratë kot me librin e Ramës”

“Pas kaq muajsh nga “Iniciativa për Tiranën”, më vjen shumë mirë që kam qenë pjesë e asaj tryeze intelektualësh për t’i shërbyer kryeqytetit dhe dhashë mendimin tim se si e dëshiroj atë. Unë nuk kam qenë ndonjëherë shërbëtor i pushtetit, por kam qenë dhe do të jem gjithmonë shërbëtor i Tiranës, ashtu siç isha në atë tryezë. Sa i përket botimit të Edi Ramës, unë nuk kam kohë të pavlerë që të blej libra kot, që përmbajnë defekte psikologjike në gjykimin e personave dhe jo vëzhgime reale. Isha në Panairin e Tiranës dhe mora libra që më shërbejnë për punën e sigurisht që bleva dhe nobelistë, por nuk mund të fusja në bibliotekën time librin e Edi Ramës. Si ekonomist, nuk harxhoj as kohën e as paratë kot”.

No comments: